PYETJE NGA LEXUESIT
Kush është Gogu i Magogut që përmendet te libri i Ezekielit?
Ky shpjegim bazohej te fakti që libri i Zbulesës e identifikon Satana Djallin si udhëheqësin e sulmit mbarëbotëror kundër popullit të Perëndisë. (Zbul. 12:1-17) Prandaj mendohej se Gog duhej të ishte një emër tjetër profetik për Satanain.
Megjithatë, ky shpjegim ngre disa pyetje të rëndësishme. Pse themi kështu? Mendo pak: ndërsa flet për kohën kur Gogu të mundet, Jehovai thotë për të: ‘Do të bëj që të të hanë zogjtë grabitqarë, shpendët e çdo lloji dhe bishat e fushës.’ (Ezek. 39:4) Pastaj Jehovai shton: «Atë ditë do t’i jap atje Gogut një vend, një vend për t’u varrosur në Izrael. . . . Atje do të varroset Gogu dhe tërë turma e tij.» (Ezek. 39:11) Por si vallë mund të hanë «zogjtë grabitqarë . . . dhe bishat e fushës» një krijesë frymore? Dhe si ka mundësi që Satanait t’i jepet «një vend për t’u varrosur» në tokë? Bibla e tregon qartë që Satanai do të mbyllet në humnerë për 1.000 vjet, jo që do ta hanë ose do ta varrosin.—Zbul. 20:1, 2.
Gjithashtu, lexojmë se në fund të 1.000 vjetëve Satanai do të lirohet nga humnera dhe «do të dalë për të mashtruar kombet në të katër cepat e dheut, Gog dhe Magog, që t’i mbledhë së bashku për luftë». (Zbul. 20:8) Por, si mund të mashtrojë Satanai Gogun nëse ai është vetë Gogu? Pra, as në profecinë e Ezekielit, as në librin e Zbulesës ‘Gogu’ nuk është Satanai.
Kush është pra Gogu i Magogut? Që t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, duhet të shqyrtojmë Shkrimet për të parë kush e sulmon popullin e Perëndisë. Bibla nuk flet vetëm për sulmin e ‘Gogut të Magogut’, por edhe për sulmin e ‘mbretit të veriut’ dhe për sulmin e ‘mbretërve të tokës’. (Ezek. 38:2, 10-13; Dan. 11:40, 44, 45; Zbul. 17:14; 19:19) A përfaqësojnë këto shprehje sulme më vete? Vështirë. Ka të ngjarë që Bibla të përdorë emra të ndryshëm për të njëjtin sulm. Pse mund të nxjerrim këtë përfundim? Sepse Shkrimet tregojnë se të gjitha kombet e tokës do të përfshihen në këtë sulm të fundit që është shkëndija për luftën e Harmagedonit.—Zbul. 16:14, 16.
Kur i krahasojmë të gjitha këto vargje biblike që flasin për sulmin e fundit kundër popullit të Perëndisë, duket qartë se emri Gogu i Magogut i referohet një koalicioni të kombeve, jo Satanait. A do të udhëhiqet ky koalicion nga «mbreti [figurativ] i veriut»? Këtë nuk mund ta themi me siguri. Por me sa duket ky mendim është në harmoni me fjalët e Jehovait për Gogun: «Ti do të vish nga vendi yt, nga viset më të thella të veriut, bashkë me shumë popuj, që të gjithë të hipur në kuaj, një turmë e madhe dhe një ushtri e madhe.»—Ezek. 38:6, 15.
Po ashtu, bashkëkohësi i Ezekielit, profeti Daniel, thotë për mbretin e veriut: «Do të ketë lajme që do ta turbullojnë, nga lindja e diellit dhe nga veriu. Prandaj ai do të dalë me tërbim të madh që të shfarosë e të shkatërrojë shumë veta. Do t’i ngulë tendat e tij si një pallat ndërmjet detit të madh dhe malit të shenjtë të Stolisë. Do të shkojë drejt fundit të tij dhe s’do të ketë asnjë që ta ndihmojë.» (Dan. 11:44, 45) S’diskutohet, kjo përkon me atë që thotë libri i Ezekielit për aktivitetet e Gogut.—Ezek. 38:8-12, 16.
Çfarë ndodh më pas si pasojë e këtij sulmi të fundit? Danieli na tregon: «Gjatë asaj kohe do të ngrihet [në Harmagedon] Mikaeli [Jezu Krishti], princi i madh, që [qysh nga viti 1914] qëndron përkrah bijve të popullit tënd. Do të jetë një kohë me ankthe [shtrëngimi i madh], aq sa nuk ka pasur që kur lindën kombet e deri në atë kohë. Gjatë asaj kohe, populli yt do të shpëtojë, kushdo që gjendet i shkruar në libër.» (Dan. 12:1) Ky veprim nga përfaqësuesi i Perëndisë, Jezui, përshkruhet edhe te Zbulesa 19:11-21.
Por për kë e ka fjalën Zbulesa 20:8 kur thotë «Gog dhe Magog»? Gjatë sprovës përfundimtare në fund të 1.000 vjetëve, ata që rebelohen kundër Jehovait do të shfaqin të njëjtën frymë vrastare si të ‘Gogut të Magogut,’ pra të kombeve që sulmojnë popullin e Perëndisë në fund të shtrëngimit të madh. E të dyja grupet i pret tamam i njëjti fund: vdekja e përhershme. (Zbul. 19:20, 21; 20:9) Prandaj, na duket me vend që të gjithë rebelët në fund të Mijëvjeçarit të quhen «Gog dhe Magog».
Si studiues të etur të Fjalës së Perëndisë, mezi presim të dallojmë kush do të luajë rolin e ‘mbretit të veriut’ në të ardhmen e afërt. Por pavarësisht se kush e udhëheq këtë koalicion të kombeve, s’kemi pikë dyshimi për dy gjëra: (1) Gogu i Magogut dhe hordhitë e tij do të mposhten e do të shkatërrohen dhe (2) Mbreti ynë që është në fron, Jezu Krishti, do ta shpëtojë popullin e Perëndisë e do ta prijë në botën e re plot paqe e siguri të vërtetë.—Zbul. 7:14-17.