Kapitulli 18
Tërmete në ditën e Zotërisë
1, 2. (a) Si është të përjetosh një tërmet të fortë? (b) Çfarë ndodhi, sipas Gjonit, kur u hap vula e gjashtë?
A KE përjetuar ndonjëherë një tërmet të fortë? Nuk është aspak përvojë e këndshme. Një tërmet i madh mund të fillojë me një lëkundje marramendëse dhe me një gjëmim shurdhues. Lëkundjet herë dobësohen e herë bëhen më të forta, ndërkohë që turresh për t’u futur poshtë diçkaje, poshtë tavolinës, për shembull. Ose mund të vijë si një tronditje e papritur e që të fut tmerrin, që pasohet nga thyerja e enëve dhe e orendive, e madje shembja e ndërtesave. Dëmet mund të jenë të pallogaritshme dhe gjendja mund të përkeqësohet për shkak të lëkundjeve të shpeshta që vijnë më pas, të cilat shkaktojnë dëme të tjera dhe ua shtojnë mjerimin viktimave.
2 Me këto në mendje, le të shohim çfarë tha Gjoni kur u hap vula e gjashtë: «Pashë kur ai hapi vulën e gjashtë dhe ra një tërmet i madh.» (Zbulesa 6:12a) Ky tërmet duhet të ketë ndodhur në të njëjtën periudhë kur u hapën vulat e tjera. Pikërisht kur gjatë ditës së Zotërisë ndodhi ai dhe ç’lloj tërmeti ishte?—Zbulesa 1:10.
3. (a) Ç’ngjarje paratha Jezui në profecinë e vet për shenjën e pranisë së tij? (b) Si lidhen tërmetet e mirëfillta me tërmetin e madh simbolik të Zbulesës 6:12?
3 Në Bibël përmenden disa herë tërmetet e mirëfillta dhe figurative. Në profecinë e tij të njohur për shenjën e pranisë së tij si Mbret i kurorëzuar, Jezui paratha se do të kishte «tërmete nga njëri vend në tjetrin». Ato do të ishin pjesë e ‘fillimit të dhembjeve të lindjes’. Që nga viti 1914, teksa popullsia e tokës pati një rritje shpërthyese në disa miliarda, tërmetet ua kanë shtuar ankthin ditëve tona. (Mateu 24:3, 7, 8) Megjithatë, ndonëse përmbushin një profeci të Jezuit, këto tërmete kanë qenë katastrofa të mëdha natyrore. Ato kanë qenë si një shenjë paralajmëruese për tërmetin e madh simbolik të Zbulesës 6:12. Në vazhdën e tërmeteve që tronditin gjer në themele sistemin e sotëm tokësor e njerëzor të drejtuar nga Satanai, ai do të jetë tërmeti i fundit që s’do të lërë gjë në këmbë.a
Lëkundje në gji të shoqërisë njerëzore
4. (a) Që kur e dalloi populli i Jehovait se ngjarje të tilla katastrofike do të fillonin në vitin 1914? (b) Fundin e cilës periudhë do të shënonte viti 1914?
4 Nga mesi i viteve 70 të shekullit të 19-të, populli i Jehovait e dalloi që këto ngjarje katastrofike do të fillonin në vitin 1914 dhe do të shënonin fundin e kohëve të johebrenjve. Kjo është periudha e ‘shtatë kohëve’ (2.520 vjetëve), që vazhdon që nga rënia e mbretërisë së linjës së Davidit në Jerusalem, në vitin 607 p.e.s., deri në vitin 1914 të e.s., kur në fronin e Jerusalemit qiellor hipi Jezui.—Danieli 4:24, 25; Luka 21:24.b
5. (a) Cilat fjalë tha Çarls Tejz Rasëlli më 2 tetor 1914? (b) Ç’trazira politike kanë ndodhur që nga viti 1914?
5 Kështu mëngjesin e 2 tetorit të vitit 1914, Çarls Tejz Rasëlli gjatë adhurimit të mëngjesit i drithëroi anëtarët e familjes Bethel në Bruklin, Nju-Jork, me këto fjalë: «Kohët e johebrenjve mbaruan. Mbretërit e tyre i kanë mbushur ditët.» Vërtet, trazirat mbarëbotërore që nisën në vitin 1914, patën ndikim aq të gjerë, sa u zhdukën monarki të kahershme. Rënia e regjimit të carit gjatë revolucionit bolshevik në vitin 1917, çoi në një përleshje të gjatë mes marksizmit dhe kapitalizmit. Lëkundjet e ndryshimeve politike ende i sjellin shqetësime shoqërisë njerëzore në të katër anët e botës. Sot, shumë qeveri nuk e çojnë dot më gjatë se një a dy vjet. Mungesa e stabilitetit në botën politike duket qartë në rastin e Italisë, ku gjatë 42 vjetëve pas Luftës II Botërore, 47 qeveri i lanë vendin njëra-tjetrës. Por këto s’janë veçse lëkundjet e para të një trazire kritike në fushën politike. Me ç’pasojë? Mbretëria e Perëndisë do të mbretërojë e vetme në të gjithë tokën.—Isaia 9:6, 7.
6. (a) Si e përshkroi Herbert Uellsi epokën e re me rëndësi historike që kishte nisur? (b) Çfarë thanë një filozof dhe një burrë shteti për epokën që kishte filluar nga viti 1914?
6 Sipas historianëve, filozofëve dhe njerëzve të politikës, viti 1914 shënoi fillimin e një epoke të re me rëndësi historike. Shtatëmbëdhjetë vjet më pas, historiani Herbert Uells tha: «Profeti do të profetizonte me kënaqësi gjëra të mira. Por detyra e tij është të thotë atë që sheh. E pra, ai sheh një botë që ka mbetur nën darën e ushtarëve, patriotëve, fajdexhinjve, aventurierëve në fushën e financës; një botë të rrethuar nga dyshimi dhe urrejtja, ku humbin shumë shpejt liritë që i kanë mbetur individit; një botë që ka marrë verbërisht rrugën drejt luftës së hidhur të klasave dhe që përgatitet për luftëra të reja.» Në vitin 1953, filozofi Bertrand Rasëll shkroi: «Që nga 1914-a, ata që e kuptojnë ç’drejtim ka marrë bota, shqetësohen thellësisht nga ajo që duket si një marshim i paracaktuar dhe i pashmangshëm drejt një katastrofe edhe më të madhe. . . . Në sytë e tyre, raca njerëzore është si heroi i një tragjedie greke, që e kanë vënë përpara perënditë e zemëruara e që s’e ka më në dorë fatin e vet.» Në vitin 1980, një burrë shteti i quajtur Harold Mekmilëni, duke menduar për paqen që mbretëronte në fillim të shekullit të 20-të, tha: «Gjithçka do të shkonte mirë e më mirë. Kjo ishte bota, në të cilën linda unë. . . . Mirëpo papritur e papandehur, një mëngjes të vitit 1914 e gjithë kjo mori fund.»
7-9. (a) Cilat trazira kanë tronditur shoqërinë njerëzore që nga viti 1914? (b) Cila situatë do të përfshihej në trazirat e shoqërisë njerëzore gjatë pranisë së Jezuit?
7 Lufta II Botërore solli një valë tjetër trazirash. Që atëherë, luftëra të përmasave më të vogla bashkë me terrorizmin ndërkombëtar vazhdojnë të tronditin tokën. Kërcënimi i frikshëm i terroristëve ose i shteteve që kanë në zotërim armë të shkatërrimit në masë, i ka bërë shumë njerëz të vrasin mendjen.
8 Veç luftërave ka pasur edhe gjëra të tjera që kanë tronditur themelet e shoqërisë njerëzore që nga viti 1914. Njëra nga tronditjet më të forta u provokua nga rënia e bursës amerikane më 29 tetor 1929. Ajo solli një krizë të rëndë që preku të gjitha vendet kapitaliste. Megjithëse ajo arriti kulmin mes viteve 1932 dhe 1934, pasojat e saj i ndiejmë edhe sot. Që nga viti 1929, kjo botë i ka fashuar plagët e saj të rënda ekonomike me mjete gjysmake. Qeveritë janë kredhur në deficit financiar. Kriza e naftës në vitin 1973 dhe rënia e aksioneve në bursë në vitin 1987, e tronditën edhe më shumë botën financiare. Ndërkohë miliona njerëz blejnë kryesisht me kredi. Njerëz të panumërt kanë rënë viktimë e dredhive financiare, skemave piramidale, lotarive dhe hileve të tjera në lojërat e fatit, shumë prej të cilave mbështeten financiarisht nga shteti, nga i cili pritet të mbrojë njerëzit. Edhe evangjelistët e «krishterë», që shfaqen nëpër televizione, zgjatin dorën për pagën e tyre milionadollarëshe.—Krahaso Jereminë 5:26-31.
9 Në të kaluarën, vështirësitë ekonomike i lejuan Musolinit dhe Hitlerit të kishin në dorë shumë pushtet. Babilonia e Madhe u kërkoi favore pa humbur kohë, dhe Vatikani nënshkroi marrëveshje me Italinë në vitin 1929 dhe me Gjermaninë në vitin 1933. (Zbulesa 17:5) Ditët e zymta që pasuan, tregonin pa dyshim se po përmbushej profecia e Jezuit për praninë e tij, ku përfshihej edhe ‘ankthi i kombeve, sepse nuk do të dinin nga t’ia mbanin. Ndërkohë njerëzit do të mpakeshin nga frika dhe nga pritja e gjërave që do të ndodhnin në tokën e banuar’. (Luka 21:7-9, 25-31)c Po, tërmetet që filluan të tronditnin shoqërinë njerëzore në vitin 1914, patën edhe pasoja të tjera të rënda.
Jehovai provokon tronditje
10. (a) Pse ka pasur kaq shumë tronditje në çështjet e njerëzimit? (b) Çfarë ka bërë Jehovai dhe me ç’synim?
10 Tronditje të tilla në çështjet e njerëzimit kanë qenë pasojë e paaftësisë së njeriut për të drejtuar hapat e vet. (Jeremia 10:23) Veç kësaj, gjarpri i hershëm, Satanai «i cili mashtron gjithë tokën e banuar», po i sjell mjerim gjithë njerëzimit me orvatjet e tij të fundit për t’i larguar njerëzit nga adhurimi i Jehovait. Teknologjia moderne e ka rrëgjuar tokën sa një lagje e vetme, ku urrejtja kombëtare dhe raciale po trondit themelet e shoqërisë njerëzore, dhe Kombet gjoja të Bashkuara, s’gjejnë dot asnjë zgjidhje për këtë. Si kurrë më parë, njeriu po sundon njeriun në dëm të tij. (Zbulesa 12:9, 12; Eklisiastiu 8:9) Megjithatë, për gati 90 vjet, Zotëria Sovran Jehova, Bërësi i qiellit dhe i tokës, ka shkaktuar tronditje në mënyrën e vet, me synimin që t’i zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemet e tokës. Si?
11. (a) Cila tronditje përshkruhet te Hageu 2:6, 7? (b) Si po përmbushet profecia e Hageut?
11 Te Hageu 2:6, 7 lexojmë: «Sepse kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Edhe një herë—pas pak—dhe unë do të lëkund qiejt, dheun, detin dhe tokën e thatë. Do të lëkund gjithë kombet dhe gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve kanë për të ardhur; unë do ta mbush këtë shtëpi me lavdi’,—thotë Jehovai i ushtrive.» Sidomos që nga viti 1919, Jehovai i ka nxitur dëshmitarët e vet t’u shpallin gjykimet e tij të gjithë elementëve të shoqërisë njerëzore në tokë. Në shënjestër të këtij paralajmërimi mbarëbotëror është vënë sistemi mbarëtokësor i Satanait.d Teksa paralajmërimi bëhet më i fortë, njerëzit me frikë Perëndie, «gjërat e dëshirueshme», nxiten të veçohen nga kombet. Jo se i kanë shkundur tej tronditjet në organizatën e Satanait, por meqë e kanë dalluar se si është situata, kanë vendosur të bashkohen me klasën e mirosur të Gjonit për të mbushur me lavdi shtëpinë e adhurimit të Jehovait. Si po arrihet kjo? Duke marrë pjesë me zell në veprën e predikimit të lajmit të mirë për Mbretërinë që tashmë është vendosur. (Mateu 24:14) Kjo Mbretëri, e përbërë nga Jezui dhe ithtarët e tij të mirosur, do të qëndrojë përjetë për lavdi të Jehovait si «një mbretëri që nuk mund të tronditet».—Hebrenjve 12:26-29.
12. Nëse ke filluar t’i përgjigjesh predikimit të parathënë te Mateu 24:14, ç’duhet të bësh para se të bjerë tërmeti i madh i Zbulesës 6:12?
12 A je ti një ndër ata që kanë filluar t’ia vënë veshin këtij predikimi? Mos je ndër ata miliona që kanë qenë të pranishëm vitet e fundit në Përkujtimin e vdekjes së Jezuit? Nëse po, vazhdo përpara me studimin e të vërtetave që gjenden në Bibël. (2 Timoteut 2:15; 3:16, 17) Braktise plotësisht jetën e korruptuar të shoqërisë tokësore të Satanait, që e ka marrë tashmë dënimin! Hyr në shoqërinë e krishterë të botës së re dhe kushtoju plotësisht aktivitetit të saj, para se «tërmeti» i fundit katastrofik të rrafshojë gjithë botën e Satanait. Por, ç’është ky tërmet i madh? Pikërisht këtë do të shohim tani.
Tërmeti i madh!
13. Në ç’kuptim tërmeti i madh është krejtësisht i paparë për njeriun?
13 Po, këto ditë të fundit kritike kanë qenë kohë tërmetesh të mirëfillta dhe figurative. (2 Timoteut 3:1) Por asnjëra nga këto lëkundje nuk është tronditja e madhe dhe e fundit që pa Gjoni kur u hap vula e gjashtë. Iku koha e lëkundjeve të lehta paralajmëruese. Tani vjen një tërmet i madh i paparë për njeriun. Është një tërmet aq i madh, sa lëkundjet dhe tronditjet e tij s’mund të maten as me shkallën Rihter, as me ndonjë mënyrë tjetër të shpikur nga njeriu. Nuk do të jetë thjesht një lëkundje lokale, por një tronditje jashtëzakonisht e madhe që do të rrënojë gjithë ‘tokën’, domethënë tërë shoqërinë e shthurur njerëzore.
14. (a) Cila profeci parathotë një tërmet të madh dhe pasojat e tij? (b) Kujt i referoheshin profecia e Joelit dhe ajo e Zbulesës 6:12, 13?
14 Këtë tërmet dhe pasojat e tij katastrofike i parathanë edhe profetë të tjerë të Jehovait. Për shembull, rreth vitit 820 p.e.s., Joeli tha se ‘do të vinte dita e madhe dhe e frikshme e Jehovait’ dhe ‘dielli do të errësohej dhe hëna do të kthehej në gjak’. Më pas shtoi: «Turma, turma ka në ultësirën e vendimit, sepse dita e Jehovait është afër në ultësirën e vendimit. Dielli dhe hëna patjetër do të errësohen dhe yjet do të humbasin shndritjen e tyre. Nga Sioni Jehovai do të ulërijë si një luan dhe nga Jerusalemi do të lëshojë zërin e tij. Qielli dhe toka do të lëkunden, por Jehovai do të jetë një strehë për popullin e tij dhe një fortesë për bijtë e Izraelit.» (Joeli 2:31; 3:14-16) Lëkundjet në këtë varg mund t’i referoheshin vetëm ekzekutimit të gjykimit të Jehovait gjatë shtrëngimit të madh. (Mateu 24:21) Logjikisht, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për tregimin paralel të Zbulesës 6:12, 13.—Shih edhe Jereminë 10:10; Sofoninë 1:14, 15.
15. Cilën tronditje të fuqishme paratha profeti Habakuk?
15 Rreth 200 vjet pas Joelit, profeti Habakuk i tha në lutje Perëndisë: «Unë, o Jehova, kam dëgjuar lajme për ty. Jam frikësuar, o Jehova, nga vepra jote. Oh, gjallëroje veprën tënde në mes të atyre viteve! Në mes të atyre viteve bëje të njohur. Gjatë trazimit kujtohu të tregosh mëshirë.» Për ç’trazim bëhej fjalë? Habakuku iu drejtua Jehovait, duke dhënë një përshkrim të gjallë të shtrëngimit të madh: «Ai u ndal që të shkundte dheun. Vështroi dhe i bëri kombet të hidheshin përpjetë. . . . Kalove përmes tokës me denoncime. I zemëruar i shive kombet. Unë për vete do të ngazëlloj falë Jehovait, do të gëzohem falë Perëndisë së shpëtimit tim.» (Habakuku 3:1, 2, 6, 12, 18) Ç’tronditje të fuqishme do të sjellë Jehovai në të gjithë tokën, kur të shijë kombet!
16. (a) Çfarë paratha profeti Ezekiel për kohën kur Satanai do të bëjë sulmin e tij të fundit mbi popullin e Perëndisë? (b) Cila do të jetë pasoja e tërmetit të madh për të cilin flet Zbulesa 6:12?
16 Edhe Ezekieli paratha se kur Gogu i Magogut (Satanai i poshtëruar) të bënte sulmin e tij të fundit mbi popullin e Perëndisë, Jehovai do të sillte ‘një tërmet të madh në tokën e Izraelit’. (Ezekieli 38:18, 19) Ndoshta në këtë rast mund të ketë tërmete të mirëfillta, por të mos harrojmë se Zbulesa na është paraqitur me shenja. Kjo profeci dhe të tjerat që janë përmendur më lart, janë të një natyre shumë simbolike. Ndaj hapja e vulës së gjashtë duket se zbulonte pikën kulmore të të gjitha tronditjeve të sistemit të sotëm në tokë—tërmetin e madh që do të shfarosë të gjithë njerëzit që i kundërvihen sovranitetit të Perëndisë Jehova.
Kohë errësire
17. Si ndikon tërmeti i madh te dielli, hëna dhe yjet?
17 Siç e tregoi edhe Gjoni, tërmeti i madh shoqërohet me ngjarje të tmerrshme që prekin edhe qiejt. Ai tha: «Dielli u bë si thes leshi i zi, tërë hëna u bë si gjak dhe yjet e qiellit ranë në tokë, ashtu si pema e fikut hedh fiqtë e papjekur, kur e shkund një erë e fortë.» (Zbulesa 6:12b, 13) Ç’fenomene të habitshme! A mund ta imagjinosh errësirën e frikshme që do të shtrihej para nesh, nëse kjo profeci do të plotësohej në kuptimin e vërtetë? Ditë pa dritën e ngrohtë e ledhatuese të diellit. Net pa ndriçimin e argjendtë e të këndshëm të hënës. Yjet që janë me mijëra nuk do të shkëlqenin më në sfondin e kadifenjtë të qiellit. Përkundrazi, do të kridheshim në terrin e ftohtë e të pamëshirshëm të errësirës.—Krahaso Mateun 24:29.
18. Në ç’mënyrë ‘u errësuan qiejt’ për Jerusalemin në vitin 607 p.e.s.?
18 Izraeli i lashtë u lajmërua që më parë se do të provonte një errësirë të tillë në kuptimin frymor. Jeremia profetizoi: «Do ta bëj gjithë vendin një shkreti. Vallë, nuk do të kryej një shfarosje?! Prandaj vendi do të mbajë zi dhe qiejt do të errësohen.» (Jeremia 4:27, 28) Në vitin 607 p.e.s., kur u përmbush kjo profeci, gjendja ishte vërtet e errët për popullin e Jehovait. Kryeqyteti i tyre, Jerusalemi, kishte rënë në duart e babilonasve. Tempulli ishte shkatërruar dhe vendi kishte mbetur i braktisur. Nuk kishte asnjë dritë nga qielli që t’i ngushëllonte. Ndodhi tamam si i tha Jehovait Jeremia kur po vajtonte: «Ti ke vrarë dhe s’ke pasur dhembshuri. Hyrjen për te ti e ke bllokuar me një masë resh, që lutja të mos kalojë dot.» (Vajtimet 3:43, 44) Për Jerusalemin, errësimi i qiejve do të thoshte vdekje dhe shkatërrim.
19. (a) Si e përshkroi profeti Isaia errësirën në qiej për Babiloninë e lashtë? (b) Si dhe kur u përmbush profecia e Isaisë?
19 Më vonë, një errësirë e ngjashme në qiej paralajmëroi katastrofën për Babiloninë e lashtë. Perëndia e frymëzoi profetin e tij të thoshte: «Ja, dita e Jehovait, një ditë mizore me furi dhe zemërim të zjarrtë, po vjen që ta bëjë vendin objekt habie dhe të shfarosë nga vendi mëkatarët. Sepse yjet dhe yjësitë Kesil, që janë në qiej, nuk do të vezullojnë. Dielli do të errësohet teksa del dhe hëna nuk do ta lërë dritën e saj të ndriçojë. Unë do t’ia shpaguaj vendit me po atë ligësi që ka treguar, dhe të ligjve me po atë faj që kanë bërë.» (Isaia 13:9-11) Kjo profeci u përmbush në vitin 539 p.e.s., kur Babilonia ra në duart e medëve dhe të persëve. Ajo përshkruan mirë errësirën, dëshpërimin, mungesën e çdo drite ngushëllimi për Babiloninë, sepse ra përgjithmonë nga pozita e saj si fuqia kryesorë botërore.
20. Ç’pasojë e frikshme e pret këtë sistem kur të bjerë tërmeti i madh?
20 Në të njëjtën mënyrë, kur të godasë tërmeti i madh, gjithë sistemin e sotëm botëror do ta gllabërojë dëshpërimi i errësirës së plotë. Ndriçuesit plot dritë të sistemit tokësor të Satanait s’do të lëshojnë asnjë rreze shprese. Politikanëve të botës, sidomos atyre në vendet ku vepron krishterimi, tashmë u ka dalë nami për korrupsion, mashtrime dhe jetë imorale. (Isaia 28:14-19) Atyre s’mund t’u besosh më. Regëtima e dritës së tyre as do të duket më, kur Jehovai të ekzekutojë gjykimin. Ndikimi i tyre, që krahasohet me dritën e hënës, do të demaskohet si shkak për gjakderdhje dhe vdekje. «Yjet» e kësaj bote do të shuhen njësoj si yjet që këputen dhe do të shpërndahen si fiqtë e pabërë kur i shkul era e fortë. Gjithë globi do të tronditet nga ‘një shtrëngim aq i madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, dhe as që do të ketë përsëri’. (Mateu 24:21) Sa e frikshme!
«Qiejt» zhduken
21. Çfarë pa Gjoni në vegimin e tij për «qiejt» dhe për «çdo mal e ishull»?
21 Vegimi i Gjonit vazhdon: «Qiejt u zhdukën, si një rrotull që mbështillet, dhe çdo mal e ishull u hoq nga vendi.» (Zbulesa 6:14) Është e qartë se këtu nuk bëhet fjalë për qiejt, malet ose ishujt në kuptimin e vërtetë. Atëherë, çfarë simbolizojnë?
22. Cilët ‘qiej’ ishin ‘mbështjellë porsi rrotull’ në Edom?
22 E kemi më të lehtë të kuptojmë çfarë simbolizojnë «qiejt», duke parë një profeci tjetër të ngjashme që tregon furinë e zemërimit të Jehovait kundër të gjitha kombeve: «Gjithë ushtria e qiejve do të kalbet. Qiejt do të mbështillen porsi rrotull.» (Isaia 34:4) Këtë do ta vuante në mënyrë të veçantë Edomi. Si? Ai ishte pushtuar nga babilonasit pak pas shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. Askund nuk tregohet se në atë kohë pati ngjarje të jashtëzakonshme në qiejt e vërtetë. Megjithatë, në «qiejt» e Edomit pati ngjarje katastrofike.e Njerëzit që përbënin fuqinë qeverisëse, ranë nga pozita e tyre e lartë, e cila krahasohet me qiellin. (Isaia 34:5) Ata ishin ‘mbështjellë’ e vënë mënjanë si një rrotull e vjetër që s’i hynte më në punë askujt.
23. Çfarë janë «qiejt» që «do të mbështillen porsi rrotull» dhe si e mbështetin fjalët e Pjetrit këtë kuptim?
23 Pra, «qiejt» që «do të mbështillen porsi rrotull», u referohen qeverive të tokës që kanë dalë hapur kundër Perëndisë. Ato do të asgjësohen përfundimisht nga Kalorësi i pathyeshëm i kalit të bardhë. (Zbulesa 19:11-16, 19-21) Këtë e vërtetojnë edhe fjalët e apostullit Pjetër, i cili priste me padurim ngjarjet që u zbuluan më vonë, kur u hap vula e gjashtë: «Qiejt dhe toka që janë tani, janë ruajtur për zjarrin dhe po rezervohen për ditën e gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm.» (2 Pjetrit 3:7) Por, ç’do të thotë shprehja «çdo mal e ishull u hoq nga vendi»?
24. (a) Kur është thënë se malet dhe ishujt do të lëkundeshin ose do të destabilizoheshin? (b) Si ‘u tundën malet’ kur ra Ninevia?
24 Profecitë biblike thonë se malet dhe ishujt do të lëkunden, ose me fjalë të tjera do të destabilizohen në kohë trazirash të mëdha politike. Për shembull, kur paratha gjykimet e Jehovait kundër Ninevisë, profeti Naum shkroi: «Malet tunden para tij dhe kodrat treten. Toka do të tundet për shkak të tij.» (Naumi 1:5) Nuk është dokumentuar asgjëkundi se malet u shkërmoqën kur ra Ninevia në vitin 632 p.e.s. Megjithatë, një fuqi botërore që më parë dukej e fortë sa malet, ra papandehur.—Krahaso Jereminë 4:24.
25. Si do të hiqet nga vendi «çdo mal e ishull» në fund të këtij sistemi?
25 Pra, shprehja «çdo mal e ishull», që u përdor për atë që ndodhi kur u hap vula e gjashtë, logjikisht nënkupton qeveritë politike të kësaj bote dhe organizatat që varen prej tyre, të cilat njerëzve u janë dukur mjaft që qëndrueshme. Për habinë dhe tmerrin e atyre që më parë i kishin varur shpresat tek ato, këto qeveri dhe organizata do të tronditen e do të hiqen nga vendi. Si thotë edhe profecia, s’do të ketë pikë dyshimi se dita e madhe e zemërimit të furishëm të Jehovait dhe të Birit të tij, tronditja përfundimtare që do të zhdukë të gjitha organizatat e Satanait, ka ardhur për të marrë hak!
«Bini mbi ne e na fshihni»
26. Si do ta tregojnë frikën njerëzit që i kundërvihen sovranitetit të Perëndisë dhe me ç’fjalë do ta shprehin?
26 Gjoni vazhdoi: «Mbretërit e tokës, paria, komandantët ushtarakë, të pasurit, të fuqishmit dhe çdo skllav e i lirë, u fshehën shpellave e shkëmbinjve të maleve. Ata vazhdojnë t’u thonë maleve e shkëmbinjve: ‘Bini mbi ne e na fshihni nga sytë e Atij që rri ulur në fron dhe nga zemërimi i Qengjit, sepse erdhi dita e madhe e zemërimit të tyre; dhe kush është në gjendje të qëndrojë në këmbë?’»—Zbulesa 6:15-17.
27. Ç’thirrje lëshonin izraelitët jobesnikë dhe si u përmbushën fjalët e Hozesë?
27 Kur Hozea shpalli gjykimin e Jehovait mbi Samarinë, kryeqytetin e mbretërisë veriore të Izraelit, tha: «Majat e Beth-Avenit, mëkati i Izraelit, do të shfarosen. Mbi altarët e tyre do të dalin gjemba dhe gjembaçë. Njerëzit do t’u thonë maleve: ‘Na mbuloni!’ dhe kodrave: ‘Bini mbi ne!’» (Hozea 10:8) Si u përmbushën këto fjalë? Kur Samaria ra në duart e asirianëve mizorë në vitin 740 p.e.s., izraelitët s’kishin ku të shkonin. Fjalët e Hozesë shprehin ndjenjat që kishin pushtuar njerëzit. Ata ishin të dëshpëruar, të tmerruar në kulm dhe të braktisur. S’mund t’i mbronin as kodrat që i rrethonin, as institucionet e Samarisë, të krahasuara me malet, ndonëse në të kaluarën ishin dukur me themele të paluajtshme.
28. (a) Ç’paralajmërim dha Jezui duke iu drejtuar grave të Jerusalemit? (b) Si u përmbush paralajmërimi i Jezuit?
28 Po ashtu, kur ushtarët romakë po e çonin Jezuin në vendin e ekzekutimit, ai iu drejtua grave të Jerusalemit me fjalët: «Po vijnë ditët kur do të thonë: ‘Lum shterpat, barqet që nuk lindën dhe gjinjtë që nuk mëndën!’ Atëherë do të fillojnë t’u thonë maleve: ‘Bini mbi ne!’ dhe kodrave: ‘Na mbuloni!’» (Luka 23:29, 30) Shkatërrimi i Jerusalemit nga romakët në vitin 70 të e.s., është dokumentuar mirë nga historia dhe është e dukshme se fjalët e Jezuit kishin një kuptim të ngjashëm me ato të Hozesë. Judenjtë që mbetën në qytet s’kishin vend ku të futnin kokën. Kudo që mundoheshin të fshiheshin në Jerusalem, ose edhe kur ia mbathën drejt kalasë së Masadës, të ndërtuar majë një mali, s’mundën t’i shpëtonin ekzekutimit të dhunshëm të gjykimit të Jehovait.
29. (a) Në ç’situatë do të gjenden ata që mbështetin këtë sistem, kur të vijë dita e zemërimit të furishëm të Jehovait? (b) Cila profeci e Jezuit do të përmbushet kur Jehovai të shfryjë furinë e zemërimit të tij?
29 Hapja e vulës së gjashtë na ka treguar se do të ndodhë diçka e ngjashme gjatë ditës së zemërimit të Jehovait që po afron. Në tronditjen e fundit të këtij sistemi në tokë, ata që e mbështetin do të kërkojnë si të marrë një vend ku të fshihen, por s’do të gjejnë. Feja e rreme, Babilonia e Madhe, do t’i ketë zhgënjyer keq. As guvat e maleve, as malet simbolike, domethënë organizatat politike dhe tregtare, nuk do të japin siguri financiare a ndonjë lloj tjetër ndihme. Asgjë s’do t’i mbrojë nga furia e zemërimit të Jehovait. Ja si e përshkroi Jezui tmerrin që do të përjetojnë: «Atëherë do të shfaqet në qiell shenja e Birit të njeriut, dhe të gjitha fiset e tokës do të godasin gjoksin e do të vajtojnë, dhe do të shohin Birin e njeriut që do të vijë në retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe.»—Mateu 24:30.
30. (a) Çfarë lë të kuptosh pyetja «kush është në gjendje të qëndrojë në këmbë»? (b) A do të ketë nga ata që do të qëndrojnë në këmbë gjatë gjykimit të Jehovait?
30 Po, ata që nuk pranojnë t’i nënshtrohen autoritetit të Kalorësit fitimtar të kalit të bardhë, do të detyrohen të pranojnë fajin. Ata që me dëshirë kanë qenë pjesë e farës së Satanait, do të përballen me shkatërrimin kur bota e Satanait t’i mbarojë ditët e veta. (Zanafilla 3:15; 1 Gjonit 2:17) Situata në botë do të jetë aq e nderë, sa shumë do të pyesin: «Kush është në gjendje të qëndrojë në këmbë?» Ndoshta do të kujtojnë se askush nuk do të qëndrojë i miratuar para Jehovait në ditën e gjykimit të tij. Por nuk është ashtu. Ata do ta kenë gabim, siç e tregon vazhdimi i librit të Zbulesës.
[Shënimet]
a Shpesh tërmeteve u paraprijnë çrregullime sizmike. Kur i dallojnë, qentë lehin ose tremben. Disa kafshë të tjera dhe peshq bëhen më të lëvizshëm. Shpesh njerëzit nuk dyshojnë deri në çastin kur bie tërmeti.—Shih Zgjohuni!, 8 korrik 1982, faqja 14, anglisht.
b Për një shpjegim më të hollësishëm shih faqet 22, 24.
c Për më shumë se 35 vjet, nga viti 1895 deri në vitin 1931, fjalët e Lukës 21:25, 28, 31 citoheshin në kapakun e revistës Kulla e Rojës në anglisht. Në sfond kishte një far që ndriçonte qiejt e nxirë nga retë në një det të tërbuar.
d Për shembull, gjatë një fushate speciale në vitin 1931, Dëshmitarët e Jehovait u lanë në dorë personalisht klerikëve, politikanëve dhe biznesmenëve në të gjithë botën mijëra kopje të broshurës Mbretëria shpresa e botës.
e Një përdorim i ngjashëm i fjalës ‘qiej’ gjendet në profecinë e Isaisë 65:17, 18 që flet për ‘qiejt e rinj’. Kjo profeci e pati përmbushjen e parë pas kthimit të judenjve nga mërgimi në Babiloni, kur në Tokën e Premtuar u vendos sistemi i ri qeverisës, me guvernatorin Zorobabel dhe kryepriftin Jeshua.—2 Kronikave 36:23; Ezdra 5:1, 2; Isaia 44:28.
[Kutia dhe figura në faqen 105]
1914-a: Një vit i parathënë
«Në vitin 606 p.e.s., mori fund mbretëria e Perëndisë, u hoq diadema mbretërore dhe tërë toka u la në dorë të johebrenjve. Duke numëruar që nga viti 606 p.e.s., 2.520 vjetët do të përfundojnë në vitin 1914 të e.s.»f—Tri botët, botuar në anglisht në vitin 1877, faqja 83.
«Në Bibël gjendet një provë e qartë dhe e fuqishme se ‘kohët e johebrenjve’ formojnë një periudhë prej 2.520 vjetësh, duke filluar nga viti 606 p.e.s. deri në vitin 1914 të e.s. duke e përfshirë edhe këtë vit.»—Studime mbi Shkrimet, vëllimi i 2-të, shkruar nga Çarls Tejz Rasëlli dhe botuar në anglisht në vitin 1889, faqja 79.
Çarls Tejz Rasëlli me studentët e tjerë të Biblës e kuptuan dekada më parë se viti 1914 do të shënonte fundin e kohëve të johebrenjve, ose të kohëve të caktuara të kombeve. (Luka 21:24) Ndonëse atëherë nuk e kuptonin plotësisht ç’do të thoshte kjo, ata ishin të bindur se viti 1914 do të ishte një vit kyç në historinë botërore, dhe kishin të drejtë. Shih çfarë thoshte një fragment i shkëputur nga një gazetë:
«Lufta e tmerrshme që shpërtheu në Evropë përmbushi një profeci të çuditshme. Ka një çerek shekulli që ‘Studentët Ndërkombëtarë të Biblës’, që njihen më shumë si ‘Ithtarët e Agimit Mijëvjeçar’, i kanë shpallur botës me zërin e predikuesve dhe të shtypit, se Dita e Zemërimit e profetizuar në Bibël do të agonte në 1914-n. ‘Kujdes nga 1914-a!’ ishte thirrja e qindra ungjillëtarëve.»—The World, gazetë njujorkeze, 30 gusht 1914.
[Shënimi]
f Studentët e Biblës s’e kishin kuptuar se nuk ka vit 0 mes periudhës «p.e.s.» dhe «e.s.». Më pas, kur kërkimet e bëra treguan nevojën për të rregulluar vitin 606 p.e.s. në 607 p.e.s., u hoq edhe viti 0. Kështu parashikimi për vitin 1914 të e.s. ishte përsëri i vlefshëm.—Shih «E vërteta do t’ju bëjë të lirë», botuar në anglisht nga Dëshmitarët e Jehovait në vitin 1943, faqja 239.
[Kutia në faqen 106]
1914-a: Një pikë kthese në histori
Një libër (Historia botërore: Fuqia dhe domethënia e historisë nga Politiken), botuar në danisht në vitin 1987, në Kopenhagen, bën këto vërejtje në faqen 40:
«Besimi në rritje që karakterizonte shekullin e 19-të, mori një goditje fatale në vitin 1914. Një vit para shpërthimit të luftës, historiani dhe politikani danez Peter Mynsh shkroi gjithë optimizëm: “Gjithçka e bën krejtësisht të pamundur luftën mes fuqive të mëdha evropiane. Veç kësaj, ‘rreziku i luftës’ do të zhduket në të ardhmen, si ka ndodhur mjaft herë që nga viti 1871.”
Mirëpo, ja çfarë shkroi ai në kujtimet e tij të viteve të fundit: ‘Shpërthimi i luftës në 1914-n, shënoi një pikë të madhe kthese në historinë e njerëzimit. Nga një epokë e ndritur progresi, ku mund t’i ndiqje synimet mjaft i sigurt, hymë në një epokë katastrofash, tmerri e urrejtjeje, në të cilën na rrethon ngado pasiguria. Askush s’mund të thoshte, dhe as s’mund të thotë, nëse errësira që na pllakosi atë vit, do të thotë shkatërrim i pakthyeshëm i tërë strukturës kulturore që njeriu krijoi për mijëvjeçarë të tërë.’»
[Figura në faqen 110]
‘Çdo mal do të hiqet nga vendi’
[Figura në faqen 111]
Do të fshihen nëpër guva