Kapitulli i trembëdhjetë
«Shpallni këtë ndër kombe»
1. Pse kur Jehovai flet me profetin e tij, mund të krahasohet me një luan që ulërin?
A KE dëgjuar ndonjëherë një luan të ulërijë? Thonë se ulërima e tij është më e fortë se zhurma e çekiçit pneumatik. Ç’do të bëje po ta dëgjoje ulërimën e luanit diku pranë teje, në qetësinë e natës? Me siguri do të veproje pa vonesë. Amosi, një nga 12 profetët që po shqyrtojmë, bëri këtë krahasim: «Luani ulëriti! Kush nuk do të frikësohet? Zotëria Sovran Jehova foli! Kush nuk do të profetizojë?» (Amosi 3:3-8) A nuk do të bëje edhe ti si Amosi, po ta dëgjoje Jehovain të fliste? Ai veproi menjëherë dhe profetizoi kundër kombit prej 10 fisesh të Izraelit.
2. (a) Si mund ta imitosh Amosin në përmbushjen e caktimit për të profetizuar? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë kapitull?
2 Ndoshta ti thua: ‘Po unë s’jam profet!’ Mbase nuk ndihesh i aftë, sepse nuk ke marrë ndonjë stërvitje formale si profet. Por mos harro Amosin. Kur u ballafaqua me priftin Amaziah që adhuronte viçin, Amosi tha: «Unë nuk isha as profet dhe as bir profeti, por isha çoban dhe kultivues i fiqve të Egjiptit.» (Amosi 7:14) Ndonëse vinte nga një shtresë e ulët shoqërore, Amosi ishte i gatshëm të përmbushte caktimin e tij si profet për Jehovain. Po ti? A e kupton se të është dhënë një caktim që, në disa aspekte, ngjan me atë të 12 profetëve? Duhet të shpallësh mesazhin e Perëndisë për ditët e sotme, si edhe të mësosh të tjerët e të bësh dishepuj. Si e konsideron këtë caktim serioz? Ç’mesazh duhet t’u shpallësh njerëzve ndër kombe? A po e kryen plotësisht këtë caktim? Nga përcaktohet nëse po korr sukses në veprën tënde? Le t’i shohim bashkë përgjigjet.
«DEMAT E RINJ TË BUZËVE»
3. Si mund të bësh edhe ti një vepër të ngjashme me atë të profetëve, shkrimet e të cilëve po studiojmë?
3 A je përfshirë vërtet në një vepër si ajo e profetëve? Ndoshta nuk e ke dëgjuar luanin të ulërasë, në kuptimin që të jesh frymëzuar drejtpërdrejt nga Jehovai. Por nga Fjala e tij, Bibla, ke dëgjuar mesazhin urgjent se dita e Jehovait është shumë afër. Siç e pamë në kapitullin e parë të këtij libri, fjalët «profet» dhe «profetikë» kanë disa kuptime. Ndonëse nuk je profet në kuptimin që ishte Amosi ose profetët e tjerë të kohëve të lashta, prapëseprapë mund të flasësh për të ardhmen. Por si ta bësh këtë? Mund të shpallësh mesazhet profetike që ke studiuar nëpër faqet e Shkrimeve të Shenjta, duke përfshirë edhe mesazhet e 12 profetëve. Tani është pikërisht koha e duhur për këtë.
4. Në ç’kuptim po përmbushet sot profecia e Joelit 2:28-32?
4 Tani, shikoje çështjen nga një këndvështrim tjetër. Perëndia Jehova i tregoi profetit Joel për një kohë kur njerëz të çdo lloji do të profetizonin, në kuptimin e gjerë të fjalës. «Pas kësaj do të derdh frymën time mbi çdo lloj njeriu dhe bijtë e bijat tuaja do të profetizojnë. Të moshuarit do të shohin ëndrra. Të rinjtë do të shohin vegime.» (Joeli 2:28-32) Në festën e Ditës së Pesëdhjetë, në vitin 33 të e.s., apostulli Pjetër tha se ky shkrim po përmbushej me derdhjen e frymës së shenjtë tek ata që ishin mbledhur në një dhomë të sipërme në Jerusalem, të cilët pastaj filluan të predikonin për «gjërat madhështore të Perëndisë». (Veprat 1:12-14; 2:1-4, 11, 14-21) Mendo tani për kohën tonë. Përmbushja kryesore e profecisë së Joelit filloi që në agimin e shekullit të 20-të. Të krishterët e mirosur me frymën e shenjtë—meshkuj e femra, të rinj e të moshuar—filluan ‘të profetizonin’, domethënë, të shpallnin «gjërat madhështore të Perëndisë», ku përfshihet lajmi i mirë për Mbretërinë që tani është vendosur në qiej.
5. (a) Cilin privilegj kemi të gjithë ne? (b) Çfarë do të thotë të paraqitësh «demat e rinj të buzëve», dhe përse ky është një privilegj?
5 Edhe pse nuk kanë lindur nga fryma e shenjtë për të qenë bij të Perëndisë, ‘një shumicë e madhe’ e ‘deleve të tjera’ po u thonë ithtarëve të mirosur të Jezu Krishtit: «Ne do të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.» (Zbulesa 7:9; Gjoni 10:16; Zakaria 8:23) Cilado qoftë shpresa jote, jeta e përhershme në qiej apo në tokë, ke privilegjin të japësh «demat e rinj të buzëve [të tua]». (Hozea 14:2) Çfarë kuptimi ka kjo shprehje, që gjendet në profecinë e Hozesë? Dijetari biblik K. F. Kajl, thotë: «Demat e rinj . . . ishin kafshët më të mira për blatimet e falënderimit.» Apostulli Pavël iu referua Hozesë 14:2 kur shkroi: «Le t’i paraqitim gjithnjë Perëndisë një flijim lëvdimi, domethënë frytin e buzëve që shpallin publikisht emrin e tij.» (Hebrenjve 13:15) Po, shprehja «demat e rinj të buzëve» nënkupton më të mirën që mund të dalë nga goja jonë, fjalët që themi për të lëvduar Jehovain.
6. Pse duhet të shqyrtojmë sa cilësore janë flijimet tona të lëvdimit?
6 I jep Jehovait flijime lëvdimi kur bën lutje të ndjera, kur bën komente që shprehin mirënjohjen për të në mbledhjet e krishtere dhe kur flet me entuziazëm me të tjerët në shërbim. Por, secili nga ne mund të pyesë veten: ‘Sa cilësore janë flijimet e mia kur marr pjesë në këto veprimtari?’ Nga ajo që ke studiuar, me siguri ke ndier neveri për priftërinjtë e kohës së Malakisë që, pa pikë turpi, paraqitnin në altarin e Perëndisë kafshë me të meta. Jehovait iu desh që, me anë të Malakisë, t’u nxirrte në pah cilësinë e dobët të flijimeve të tyre, sepse ata vetë nuk mendonin se po e përbuznin tryezën e Jehovait. (Malakia 1:8) Prandaj, edhe ne duhet të shqyrtojmë sa cilësore janë flijimet tona, që të sigurohemi se janë më e mira jonë dhe se nuk kanë ndonjë të metë.
MESAZHI QË DUHET TË SHPALLIM
7. Për cilin aspekt të mesazhit tonë na duhet guxim?
7 Për të paraqitur «demat e rinj të buzëve» në shërbim, duhet vërtet guxim, sepse mesazhi që u japim njerëzve ka dy aspekte, e me siguri njëri nga aspektet nuk është shumë i pëlqyer. Profeti Joel i tha popullit të Perëndisë: «Shpallni këtë ndër kombe: ‘Përgatituni për luftë! Ngrini burrat e fuqishëm! Le të afrohen! Le të ngjiten tërë luftëtarët!’» (Joeli 3:9) Edhe sot, ky shkrim është një sfidë që po u bëhet kombeve. Po shpallet lufta e drejtë e Jehovait kundër njerëzve që rebelohen ndaj tij. Popullit të vet, Jehovai i thotë ‘t’i farkëtojë shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje’, kurse kombeve armike u thotë: «Farkëtoni ploret dhe kthejini në shpata, kurse kizat për krasitje në heshta.» (Mikea 4:3; Joeli 3:10) Po, armiqtë e Perëndisë duhet të përgatiten për të dalë në luftë kundër Krijuesit të universit. Sigurisht, ky mesazh që duhet të shpallim s’është aspak qetësues.
8. Pse «mbetja e Jakobit» krahasohet me një luan?
8 Në mesazhin e profetit Mikea, ata që paraqitin «demat e rinj të buzëve», krahasohen me një luan. Mikea shkroi: «Mbetja e Jakobit do të bëhet ndër kombet . . . si një luan mes kafshëve të pyllit, si një luan i ri me krifë mes kopeve të dhenve, i cili, kur kalon përmes, shkel e shqyen dhe s’ka kush t’i çlirojë.» (Mikea 5:8) Pse është bërë ky krahasim? Në ditët tona, populli i Perëndisë, me mbetjen e mirosur që merr drejtimin, duhet të tregojë guxim si ai i luanit, për t’u shpallur kombeve mesazhin paralajmërues.a
9. (a) Në cilat raste duhet të kesh guxim si një luan? (b) Si mund të jesh i guximshëm përballë kundërshtimit ose apatisë?
9 A je i guximshëm si një luan, ndërsa shpall paralajmërimin që gjendet në mesazhin tonë? Ky guxim mund të të duhet jo vetëm kur je para njerëzve me autoritet, por edhe kur flet me moshatarët e tu në shkollë, me shokët në punë ose me të afërmit jobesimtarë. (Mikea 7:5-7; Mateu 10:17-21) Si të marrësh guxim kur përballesh me kundërshtimin ose apatinë? Shiko se si arriti Mikea ta kryente detyrën e vështirë për të paralajmëruar shkatërrimin e Samarisë dhe të Jerusalemit: «Unë . . . jam plot fuqi, falë frymës së Jehovait, plot drejtësi e forcë, që t’i tregoj Jakobit rebelimin e tij dhe Izraelit mëkatin e tij.» (Mikea 1:1, 6; 3:8) Edhe ti mund të jesh «plot fuqi», sepse edhe ti mund të marrësh me bollëk frymën fuqizuese të Perëndisë. (Zakaria 4:6) Duke u mbështetur te Perëndia me anë të lutjes, do të arrish të shpallësh fjalë që ndoshta do t’i tronditin disa.—2 Mbretërve 21:10-15.
10. Si mund ta imitojmë Sofoninë kur shpallim mesazhin për ‘ditën e Jehovait’?
10 Natyrisht që duhet të jesh i guximshëm, por gjithsesi duhet të tregosh edhe takt kur u shpall njerëzve këtë mesazh paralajmërues. Duhet të jemi ‘të ëmbël [ose «me takt»] me të gjithë’, edhe atëherë kur mesazhi është për ‘ditën e Jehovait’ që po afron. (2 Timoteut 2:24; shënimi, Përkthimi Bota e Re, me referime, anglisht; Joeli 2:1, 11; Sofonia 1:14) Edhe këtu mund të mësojmë nga 12 profetët. Me guxim, ata shpallën mesazhe gjykimi nga Jehovai, por morën parasysh ndjenjat e atyre që i dëgjuan. Për shembull, profeti Sofonia u foli shumë troç princave (ose fisnikëve) me zemër të ngurtësuar të kohës së tij, por nuk e përfshiu në këtë kritikë mbretin besnik Josia. (Sofonia 1:8) Kur shpallim mesazhin paralajmërues, a mund t’i ndihmojmë njerëzit, duke i parë si dele të mundshme, jo duke pasur një pikëpamje negative për ta?—Mateu 25:32-34.
11. (a) Cili është aspekti i dytë i mesazhit që kemi? (b) Si mund t’i imitosh 12 profetët kur shpall ditën e Jehovait?
11 Cili është aspekti i dytë i mesazhit që kemi? Ky aspekt është theksuar në kapitullin e pestë të Mikesë. «Mbetja e Jakobit do të bëhet mes shumë popujve si vesa që vjen nga Jehovai dhe si shirat e bollshëm për bimësinë, që nuk varen nga njeriu dhe as nuk presin gjë nga bijtë e njerëzve.» (Mikea 4:1; 5:7) Për shkak të lajmit të mirë që u sjellin «shumë popujve» sot, «mbetja» e Jakobit ose Izraelit frymor dhe shokët e tyre janë si «vesa që vjen nga Jehovai» dhe si «shirat e bollshëm për bimësinë». Për këtë aspekt të dytë të mesazhit tonë, do të na ndihmojnë shumë 12 librat e fundit të Shkrimeve Hebraike, pasi ata profetë nuk shpallën vetëm shkatërrimin, por edhe rivendosjen. Kur je në shërbim, a e thekson aspektin pozitiv të mesazhit për ditën e Jehovait?
SI E SHPALL KËTË MESAZH?
12, 13. (a) Përse populli i Perëndisë është krahasuar me një mori karkalecash? (b) Si ndihesh për atë që lexon te Joeli 2:7, 8?
12 Atëherë, si po e shpall këtë mesazh që përmban dy aspekte? Profeti Joel e krahasoi veprën e popullit të Perëndisë me një sërë plagësh të shkaktuara nga insektet, ku përfshiheshin edhe karkalecat. (Joeli 1:4) Po pse themi që populli i Jehovait, ndër gjithë të tjerat, duhet krahasuar me një mori insektesh? Sepse, siç e shohim te Joeli 2:11, Perëndia i quan këto insekte ‘forcat e veta ushtarake’. (Populli i Perëndisë simbolizohet nga karkalecat edhe në librin e Zbulesës. Shih Zbulesën 9:3, 4.) Aktiviteti i insekteve që përshkroi Joeli, ishte si një zjarr që përpinte. Në shtegun e tyre, ajo që dukej si «kopshti i Edenit» kthehej në «një shkretëtirë [të] mjeruar». (Joeli 2:2, 3) Si mund ta tregosh se e kupton domethënien e profecisë së Joelit?
13 Mendo sa të plotë e bëjnë punën këto krijesa të vogla. Joeli e përshkroi kështu: «Ata vrapojnë si burra të fuqishëm. I ngjiten murit si luftëtarë. Shkojnë secili në udhët e veta dhe nuk i ndërrojnë shtigjet e tyre. Nuk shtyhen me njëri-tjetrin. Vazhdojnë të shkojnë si një burrë në udhën e vet. Edhe sikur ndonjëri të bjerë nga shigjetat, të tjerët nuk e ndalin marshimin.» (Joeli 2:7, 8) Asnjë ‘mur’ kundërshtimi nuk i ndal dot ata dhe plagën që shkaktojnë. «Edhe sikur ndonjëri të bjerë nga shigjetat», siç ka ndodhur me disa të krishterë besnikë që janë ekzekutuar nga armiqtë e dhunshëm, veprën e vazhdojnë të tjerët, duke përmbushur kështu misionin që ka Jehovai për ta. A je i vendosur të vazhdosh në caktimin që na është dhënë për të shpallur ditën e Jehovait, derisa ai të përcaktojë se kjo vepër është kryer? Ndoshta je duke vazhduar veprën në vend të disa të krishterëve besnikë që kanë vdekur.
14. Si mund të japësh edhe ti ndihmesën tënde, që vepra e predikimit të kryhet plotësisht?
14 Duhet të bëjmë një punë të plotë, ky është mësimi që nxjerrim. Si mund të japësh edhe ti ndihmesën tënde që vepra e predikimit të kryhet plotësisht, siç përshkruhet në profecinë e Joelit? Duke marrë pjesë në shërbimin nga shtëpia në shtëpi e pastaj duke u kthyer për të mësuar të gjithë ata që kanë treguar interes. Gjithashtu, duhet të shkosh përsëri tek ata që nuk i ke gjetur në shtëpi. Kështu tregon se e kupton këtë përshkrim profetik. Pastaj, kur jep dëshmi rrugore, mund të takosh njerëz që s’kishe si t’i takoje ndryshe. Ja edhe një mundësi tjetër: nëse në lagjen tënde ka banorë që kanë emigruar nga vende të tjera, mund t’i ndihmosh ata.b A je syçelë ndaj të gjitha këtyre mundësive, me qëllim që vepra e predikimit sot të kryhet plotësisht?
NGA SE PËRCAKTOHET SUKSESI YT?
15. Çfarë vlen të përmendet për reagimin e njerëzve ndaj mesazheve të 12 profetëve?
15 Si i përgjigjen njerëzit mesazhit për ditën e frikshme të Jehovait? Nuk duhet të habitesh po të hasësh kundërshtim ose apati. Ndodhi kështu me shumë profetë të Perëndisë, pjesa më e madhe e të cilëve duhej të jepnin mesazhe të forta paralajmëruese. (Jeremia 1:17-19; 7:27; 29:19) Pavarësisht nga kjo, disa profetë patën rezultate të mira. Të paktën pesë prej tyre—Jonai, Mikea, Sofonia, Hageu dhe Zakaria—arritën t’u preknin zemrën disa njerëzve që u penduan për mëkatet e kaluara dhe kthyen rrugë.
16. Çfarë rezultatesh patën përpjekjet e Mikesë si profet?
16 Vepra e Sofonisë si profet, me sa duket e nxiti mbretin Josia që të rigjallëronte adhurimin e pastër. Mikea shpalli me guxim mesazhin e gjykimit kundër krerëve të Judës, dhe veprimet e mbretit Hezekia ishin në përputhje me fjalët e këtij profeti. (Mikea 3:1-3) Është me interes që disa pleq në kohën e Jeremisë e nxorën si shembull Hezekinë kur thanë se mbreti ‘iu frikësua Jehovait dhe e zbuti zemërimin e Jehovait’. (Jeremia 26:18, 19; 2 Mbretërve 18:1-4) Nën udhëheqjen e Hezekisë, populli i Judës dhe ata që erdhën me dëshirë nga mbretëria veriore, kremtuan Pashkën dhe festën e kuleçëve të ndormë, e madje, e zgjatën festën edhe një javë tjetër. Cili ishte rezultati i kthimit të tyre në adhurimin e vërtetë? «Në Jerusalem pati një gëzim të madh.» (2 Kronikave 30:23-26) Mikea kishte filluar ta shpallte mesazhin e Perëndisë për ndëshkimin e kombit apostat nën mbretin Akaz. Por ai pati mundësi të shihte rezultatet e mira të përpjekjeve të tij, kur i biri i Akazit, Hezekia, reagoi pozitivisht.
17. Çfarë arritën të bënin Hageu dhe Zakaria?
17 Shqyrto edhe atë që ndodhi me profetët Hage dhe Zakaria. Ata profetizuan te judenjtë e riatdhesuar, që ishin bërë apatikë dhe të përqendruar te vetja. (Hageu 1:1, 2; Zakaria 1:1-3) Kur dy profetët filluan caktimin, kishin kaluar 16 vjet që nga koha kur ishin hedhur themelet e tempullit. Njerëzit ishin «me ngut, secili për shtëpinë e vet», kurse shtëpia e Jehovait ishte lënë «e shkretë». Hageu u bëri thirrje judenjve: «Ji i fortë, o mbarë popull i vendit,—thotë Jehovai,—dhe puno!» Çfarë ndodhi më pas? Jehovai «zgjoi frymën» e guvernatorit Zorobabel, të kryepriftit Josi dhe ‘të të gjithë mbetjes së popullit’. Rrjedhimisht, ata arritën ta mbaronin punën në tempull.—Hageu 1:9, 12, 14; 2:4.
18, 19. (a) Si po i përgjigjen njerëzit në disa vende, shpalljes së ditës së Jehovait? (b) Si do t’i përgjigjesh nevojës për t’ua shpallur mesazhin e paralajmërimit të gjithë njerëzve?
18 Pjesa më e madhe e 12 profetëve i shpallën mesazhe kombit që, në fillim, ishte i kushtuar ndaj Jehovait. Ndoshta ne u predikojmë njerëzve që s’e kanë njohur më parë Perëndinë e vërtetë, po gjithsesi, mund të mësojmë nga rezultatet e veprës së profetëve. Edhe sot, në shumë territore, njerëzit po i përgjigjen mirë mesazhit urgjent për ditën e Jehovait. Po shohim rezultate si ato që paratha Zakaria: «Atë ditë me mua do të bashkohen shumë kombe,—thotë Jehovai,—që do të bëhen populli im, dhe unë do të banoj mes teje.» (Zakaria 2:11) Tani, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, njerëz nga «shumë kombe» po i përgjigjen pozitivisht mesazhit që shpall populli i Perëndisë. (Zbulesa 7:9) Zakaria paratha: «Shumë njerëz dhe kombe të fuqishme do të vijnë që të kërkojnë Jehovain e ushtrive në Jerusalem dhe që të marrin pëlqimin e Jehovait.» Ata përshkruhen si «dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve», të cilët do ta kapnin nga rroba një izraelit frymor dhe do t’i thoshin: «Ne do të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.»—Zakaria 8:20-23.
19 Vër re shprehjen «të gjitha gjuhët e kombeve». Bibla dhe literatura biblike po përkthehen në shumë gjuhë. Gjithashtu, Dëshmitarët e Jehovait po stërvitin shërbëtorë që të mësojnë njerëzit «nga të gjitha gjuhët e kombeve». (Mateu 28:19, 20; Veprat 1:8) Ndoshta edhe ti ke mësuar një gjuhë tjetër, për të ndihmuar banorët e zonës sate që flasin atë gjuhë. Një numër mjaft i madh të krishterësh kanë qenë të gatshëm të mësojnë një a dy gjuhë të huaja dhe të shkojnë në vende ku shumë njerëz i përgjigjen me entuziazëm lajmit të mirë. A ke edhe ti mundësi të shkosh në territore të tilla të frytshme, e kështu, ‘të shpallësh këtë mes kombeve’? Shqyrtoje këtë në lutje. Në qoftë se ke familje, bisedoni shpesh së bashku për këtë mundësi, duke e mbajtur si synim përpara fëmijëve ndërsa rriten.
20. Cilin qëndrim theksoi Jehovai në lidhje me banorët e Ninevisë?
20 Një profet tjetër që pati një auditor i cili e dëgjoi (edhe pse kjo ishte shumë e pazakontë prej tyre), ishte Jonai. Banorët e Ninevisë, e madje edhe vetë mbreti, iu përgjigjën mirë mesazhit të Jonait dhe treguan besim te Jehovai. Vetë Perëndia tha: «A nuk duhej të më vinte keq për Ninevinë, për qytetin e madh, në të cilin ka më shumë se njëqind e njëzet mijë njerëz, që nuk dinë të dallojnë as të djathtën nga e majta?» (Jonai 4:11) Mendo për këto fjalë dhe për motivin që të shtyn t’u shpallësh të tjerëve mesazhin për ditën e frikshme të Jehovait. A ndihesh borxhli ndaj Jehovait që të shpëtoi me anë të shpërblesës? A ke një ndjenjë përgjegjësie si shërbëtor i tij i kushtuar? (1 Korintasve 9:16, 17) Këto janë arsye të vlefshme për të shpallur ditën e Jehovait. Po përveç këtyre, a ‘të vjen keq’ për njerëzit të cilëve u shpall ditën e Jehovait? Sa i lumtur mund të jesh, nëse është mëshira, kjo cilësi e Perëndisë, që të shtyn t’u flasësh njerëzve për ditën e tij!
21. Ç’mund të mësosh nga shembulli i Amosit kur u përball me kërcënimin e Amaziahut?
21 Nuk dimë shumë për reagimet që hasën Joeli, Abdia, Naumi, Habakuku dhe Malakia. Por të paktën dimë diçka për një reagim që hasi Amosi. Amaziahu iu kundërvu ashpër profetit Amos, duke e akuzuar se po komplotonte kundër mbretit. Gjithashtu, u përpoq ta ndalte Amosin që të predikonte në Bethel. (Amosi 7:10-13) Amosi i bëri ballë me guxim kundërshtimit. Edhe sot, fanatikët fetarë mund të orvaten të ndikojnë disa udhëheqës politikë, që këta ta përndjekin popullin e Jehovait ose edhe ta ndalojnë veprën dobiprurëse të predikimit që po kryejnë. A do ta imitosh Amosin, duke shpallur me guxim lajmin e mirë, pavarësisht nga kundërshtimi?
22. Pse mund të thuash që shërbimi ka sukses në territorin tënd?
22 Edhe pse 12 profetët hasën reagime të ndryshme, që të gjithë e përmbushën caktimin e tyre. Ajo çfarë ka rëndësi nuk është që njerëzit të reagojnë mirë ndaj mesazhit tonë, i cili përmban dy aspektet që kemi trajtuar. Ajo që ka vërtet rëndësi është t’i japim Jehovait «demat e rinj të buzëve tona», ‘flijimin e lëvdimit’ më të mirë që mund t’i paraqitim. (Hozea 14:2; Hebrenjve 13:15) Pastaj, përfundimin mund t’ia lëmë në dorë Perëndisë. Ai do t’i tërheqë ata që janë vërtet dele. (Gjoni 6:44) Por, veç kësaj, ti mund të kesh sukses si shpallës i mesazhit të Perëndisë, pavarësisht nga reagimi i njerëzve. Të jesh i sigurt se «këmbët e atij që sjell lajmin e mirë, që shpall paqen» janë të bukura në sytë e atyre që e pranojnë me mirënjohje lajmin e mirë. Por më shumë se çdo gjë tjetër, ato janë të bukura në sytë e Jehovait. (Naumi 1:15; Isaia 52:7) Meqë dita e madhe e Jehovait është kaq afër, ji i vendosur të vazhdosh të bësh atë që paratha Joeli për kohën tonë: «Shpallni këtë ndër kombe: ‘Përgatituni për luftë! Ngrini burrat e fuqishëm! Le të afrohen! Le të ngjiten tërë luftëtarët!’» Kjo do të jetë lufta e Perëndisë kundër kombeve.—Joeli 3:9.
a Kjo profeci mund ta ketë pasur përmbushjen e parë gjatë periudhës së makabenjve, kur judenjtë, nën drejtimin e makabenjve, i dëbuan armiqtë e tyre nga Juda dhe rikushtuan tempullin. Kjo i dha mundësi mbetjes së judenjve që të mirëpritnin Mesinë kur erdhi.—Danieli 9:25; Luka 3:15-22.
b Broshura Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait në disa gjuhë, është përdorur me sukses për të ndihmuar njerëzit që nuk flasin gjuhën kryesore të një vendi.