Do të ecim në emrin e Jehovait përgjithmonë!
«Ne do të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë, në jetë të jetëve.»—MIKEA 4:5, BR.
1. Çfarë mesazhesh gjejmë në kapitullin e tretë deri në të pestë të Mikeas?
JEHOVAI ka diçka për t’i thënë popullit të tij dhe po përdor Mikean si profet. Qëllimi i Perëndisë është të ndërmarrë veprime kundër keqbërësve. Ai do ta ndëshkojë Izraelin për apostazinë që shfaq. Megjithatë, lumturisht, Jehovai do t’i bekojë ata që ecin në emrin e tij. Këto mesazhe dallohen qartë në kapitullin e tretë deri në të pestë të profecisë së Mikeas.
2, 3. (a) Cilën cilësi duhet të shfaqin udhëheqësit e Izraelit, por çfarë bëjnë në të vërtetë? (b) Si do t’i shpjegonit figurat letrare që përdoren te Mikea 3:2, 3?
2 Profeti i Perëndisë shpall: «Dëgjoni, o krerë të Jakobit dhe ju qeveritarë të shtëpisë së Izraelit: a nuk ju takon vallë juve të njihni drejtësinë?» Në të vërtetë po, kjo duhej të ishte detyra e tyre. Por, çfarë po bëjnë në të vërtetë? Mikea thotë: «Ju që urreni të mirën dhe doni të keqen, që ju hiqni lëkurën nga trupi dhe mishin nga kockat e tyre. Ata hanë mishin e popullit tim, i heqin lëkurën nga trupi, i thyejnë kockat dhe e presin në copa sikur do të shkonte në tenxhere, si mishi që vihet në kazan.»—Mikea 3:1-3.
3 Mendoni pak, udhëheqësit po i shtypin njerëzit e varfër e të pambrojtur. Ata që po dëgjojnë Mikean i kuptojnë me lehtësi figurat letrare që përdoren këtu. Kur e përgatitin një dele të therur për ta zier, në fillim e rrjepin, e më pas e ndajnë copa-copa. Herë-herë kockat thyen për të nxjerrë palcën. Si mishi, ashtu dhe kockat ziejnë në një enë të madhe, si ajo që përmendi Mikea. (Ezekieli 24:3-5, 10) Ç’ilustrim i përshtatshëm për keqtrajtimin që përjeton populli në ditët e Mikeas nga këta udhëheqës të ligj!
Jehovai pret nga ne që të jemi të drejtë
4. Çfarë dallimi ekziston ndërmjet Jehovait dhe udhëheqësve të Izraelit?
4 Ekziston një dallim shumë i qartë ndërmjet Jehovait që është Bariu i dashur dhe udhëheqësve të Izraelit. Duke qenë se nuk tregojnë drejtësi, ata nuk e përmbushin detyrën e tyre për ta mbrojtur kopenë. Në vend të kësaj, me egoizëm i shfrytëzojnë delet figurative, u privojnë drejtësinë dhe, siç tregon Mikea 3:10, (BR), i bëjnë viktima të ‘veprave të gjakderdhjes’. Çfarë mund të mësojmë nga kjo gjendje?
5. Çfarë pret Jehovai nga ata që marrin drejtimin në popullin e tij?
5 Perëndia pret nga ata që marrin drejtimin në popullin të tij që të tregojnë drejtësi. Këtë gjë e shohim se ndodh mes shërbëtorëve të vërtetë të Jehovait sot. Për më tepër, kjo është në përputhje me Isainë 32:1, ku lexojmë: «Ja, një mbret do të mbretërojë me drejtësi dhe princat do të qeverisin me paanësi.» Por, çfarë shohim në ditët e Mikeas? ‘Ata që urrejnë të mirën dhe duan të keqen’ vazhdojnë ta shtrembërojnë drejtësinë.
Lutjet e kujt dëgjohen?
6, 7. Cila pikë e rëndësishme theksohet te Mikea 3:4?
6 A mund të presin bashkëkohësit e ligj të Mikeas miratimin e Jehovait? Sigurisht që jo. Mikea 3:4 thotë: «Do t’i këlthasin Zotit, por ai nuk do t’u përgjigjet; në atë kohë ai do t’ua fshehë fytyrën e tij, sepse kanë qenë të këqij në veprimet e tyre.» Kjo thekson një pikë shumë të rëndësishme.
7 Jehovai nuk do t’u përgjigjet lutjeve tona, nëse praktikojmë mëkatin. Do të ndodhë me siguri kështu po qe se bëjmë një jetë të dyfishtë, duke i fshehur keqbërjet ndërkohë që pretendojmë se po i shërbejmë me besnikëri Perëndisë. Sipas Psalmit 26:4, Davidi këndoi: «Nuk ulem me njerëz gënjeshtarë dhe nuk shoqërohem me njerëz hipokritë.» Aq më pak atëherë do t’u përgjigjet Jehovai lutjeve të atyre që e shkelin me dashje Fjalën e tij!
Të fuqizuar nga fryma e Perëndisë
8. Për çfarë u paralajmëruan profetët e rremë të kohës së Mikeas?
8 Sa të neveritshme janë praktikat që janë të zakonshme mes udhëheqësve frymorë të Izraelit! Profetët e rremë bëjnë që populli i Perëndisë të hallakatet në kuptimin frymor. Njerëzit lakmitarë bërtasin: «Paqe!», por i shpallin luftë kujtdo që nuk u jep diçka për të ngrënë. «Prandaj,—thotë Jehovai,—do të keni net pa vegime dhe do të keni terr pa shortari, dielli do të perëndojë mbi këta profetë dhe dita do të erret mbi ta. Shikuesit do të mbulohen me turp dhe shortarët do të skuqen; do të mbulojnë të gjithë mjekrën [mustaqet, BR] e tyre.»—Mikea 3:5-7a.
9, 10. Çfarë kuptimi ka shprehja «të mbulojnë mustaqet» dhe pse Mikea s’ka pse ta bëjë një gjë të tillë?
9 Përse «të mbulojnë mustaqet»? Kjo është diçka që bashkëkohësit e ligj të Mikeas e bëjnë të shtyrë nga turpi. Këtyre njerëzve të ligj vërtet duhet t’u vijë turp. «Nuk do të këtë asnjë përgjigje nga Perëndia» për ta. (Mikea 3:7b) Jehovai nuk u kushton vëmendje lutjeve të atyre që janë fodullë e të ligj.
10 Mikea nuk ka përse ‘të mbulojë mustaqet’. Atij nuk i vjen turp. Jehovai u përgjigjet lutjeve të tij. Vini re Mikean 3:8, ku profeti besnik thotë: «Unë përkundrazi jam plot me forca të frymës së Zotit, me drejtësi dhe forcë.» Sa mirënjohës është Mikea që gjatë gjithë shërbimit të tij të gjatë e besnik ka qenë gjithmonë «plot me forca të frymës së Zotit»! Kjo i ka dhënë forcën «për t’i bërë të njohur Jakobit shkeljen e tij dhe Izraelit mëkatin e tij».
11. Si marrin fuqi njerëzit për të shpallur mesazhet e Perëndisë?
11 Mikeas i duhet fuqi përtej asaj njerëzore për të shpallur mesazhin e gjykimit ndëshkues të Perëndisë. Fryma ose forca vepruese e fuqishme e Jehovait është jetësore. Ç’të themi për ne? Detyra jonë për të predikuar mund të përmbushet vetëm nëse Jehovai na forcon me anë të frymës së tij të shenjtë. Përpjekjet për të predikuar do të jenë krejt të kota në qoftë se praktikojmë mëkatin me dashje. Në një rast të tillë, Perëndia nuk mund t’u përgjigjet lutjeve tona për të marrë forcë që të kryejmë këtë vepër. Sigurisht që nuk mund t’i shpallim mesazhet gjykuese të Atit tonë qiellor po qe se ‘fryma e Jehovait’ nuk qëndron mbi ne. Nëpërmjet lutjeve që marrin përgjigje dhe ndihmës së frymës së shenjtë kemi mundësi që, ashtu si Mikea, ta themi fjalën e Perëndisë me guxim.
12. Si mundën dishepujt e hershëm të Jezuit ‘të vazhdonin ta thoshin me guxim fjalën e Perëndisë’?
12 Ndoshta e kujtoni tregimin te Veprat 4:23-31. Përfytyroni sikur jeni një nga dishepujt e Jezuit në shekullin e parë. Përndjekësit e tërbuar po kërkojnë t’u mbyllin gojën ithtarëve të Krishtit. Por këta besnikë i luten Zotërisë së tyre Sovran, duke kërkuar: «Jehova, kushtoju vëmendje kërcënimeve të tyre dhe lejoju skllevërve të tu të vazhdojnë ta thonë fjalën tënde me plot guxim.» Përfundimi? Pasi ata bëjnë përgjërime, vendi në të cilin janë mbledhur tronditet e që të gjithë mbushen me frymën e shenjtë dhe e thonë fjalën e Perëndisë me guxim. Prandaj, me lutje le t’i drejtohemi për ndihmë Jehovait dhe le të mbështetemi në ndihmën që na jep me anë të frymës së shenjtë për të kryer shërbimin tonë.
13. Çfarë do t’i ndodhë Jerusalemit dhe Samarisë e përse?
13 Mendoni prapë për ditët e Mikeas. Sipas Mikeas 3:9-12, sundimtarët gjakatarë marrin ryshfete kur gjykojnë, priftërinjtë kërkojnë pagesë për të dhënë mësim dhe profetët e rremë duan para për të praktikuar fallin. Nuk habitemi që Perëndia ka dekretuar se kryeqyteti i Judës, Jerusalemi, «do të bëhet një grumbull rrënimesh». Meqenëse adhurimi i rremë dhe prishja morale lulëzojnë edhe në Izrael, Mikea frymëzohet që të paralajmërojë se Perëndia do ta bëjë Samarinë «një grumbull rrënimesh». (Mikea 1:6) Në të vërtetë, profeti është ende gjallë dhe sheh shkatërrimin e parathënë të Samarisë nga hordhitë asiriane në vitin 740 p.e.s. (2 Mbretërve 17:5, 6; 25:1-21) Është e dukshme se këto mesazhe të fuqishme kundër Jerusalemit dhe Samarisë mund të shpalleshin vetëm me forcën e Jehovait.
14. Si u përmbush profecia e dokumentuar te Mikea 3:12 dhe si duhet të ndikojë kjo te ne?
14 Patjetër që Juda nuk mund t’i shpëtojë gjykimit ndëshkues të Jehovait. Në përmbushje të profecisë së dokumentuar te Mikea 3:12, Sioni «do të lërohet si një arë». Ne që i shqyrtojmë këto gjëra tani në shekullin e 21-të, e dimë se që të gjitha ndodhën kur babilonasit shkatërruan Judën dhe Jerusalemin në vitin 607 p.e.s. Kjo ndodhi vite pasi kishte profetizuar Mikea, por ai ishte i sigurt se shkatërrimi po vinte. Patjetër që edhe ne duhet të jemi po aq të sigurt që sistemi i tanishëm i lig do të marrë fund ‘në ditën [e parathënë] të Jehovait’.—2 Pjetrit 3:11, 12.
Jehovai i ndreq gjërat
15. Si do ta përshkruanit me fjalët tuaja profecinë e dokumentuar te Mikea 4:1-4?
15 Nëse kthehemi pas, shohim se më tej Mikea shpall një mesazh emocionues shprese. Sa na e ngrohin zemrën fjalët që gjejmë te Mikea 4:1-4! Pjesërisht Mikea thotë: «Në kohët e fundit do të ndodhë që mali i shtëpisë së Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do të ngrihet përmbi kodrat, dhe aty do të vijnë popujt. . . . Ai do të jetë gjyqtari midis shumë popujve dhe do të jetë arbitri midis shumë kombeve të fuqishme dhe të largëta. Me shpatat e tyre do të farkëtojnë plore dhe me ushtat e tyre drapërinj; një komb nuk do ta ngrerë më shpatën kundër tjetrit dhe nuk do të stërviten për luftë. Do të ulet secili nën hardhinë e vet, dhe nën fikun e vet dhe askush nuk do t’i trembë më, sepse goja e Zotit të ushtrive foli.»
16, 17. Si po përmbushet sot Mikea 4:1-4?
16 Cilët janë ‘popujt e shumtë’ dhe ‘kombet e fuqishme’ që përmenden këtu? Nuk janë kombet dhe qeveritë e kësaj bote. Përkundrazi, profecia zbatohet për individë nga të gjitha kombet që bashkohen në shërbimin e shenjtë në malin e adhurimit të vërtetë që ka Jehovai.
17 Në përputhje me profecinë e Mikeas, së shpejti adhurimi i pastër i Jehovait do të praktikohet në mbarë tokën në kuptimin më të plotë të fjalës. Sot, njerëz «të prirur drejt jetës së përhershme» po mësohen në rrugët e Jehovait. (Veprat 13:48) Jehovai po jep gjykim dhe po i ndreq gjërat në kuptimin frymor për besimtarët që mbështetin Mbretërinë. Ata do të mbijetojnë në ‘shtrëngimin e madh’ si pjesë e ‘shumicës së madhe’. (Zbulesa 7:9, 14) Meqë i kanë farkëtuar shpatat në plore, edhe sot ata jetojnë në paqe me Dëshmitarët e tjerë të Jehovait dhe me njerëzit e tjerë. Çfarë kënaqësie të jemi mes tyre!
Të vendosur që të ecim në emër të Jehovait
18. Çfarë simbolizon ‘ulja nën hardhinë dhe fikun e vet’?
18 Në ditët tona, ndërkohë që frika mbulon tokën si një re ogurzezë, jemi entuziastë që shumë veta po mësojnë rrugët e Jehovait. E presim me zjarr kohën jo të largët kur të gjithë këta njerëz që e duan Perëndinë nuk do të mësojnë më luftën, por do të ulen nën hardhinë dhe fikun e tyre. Shpesh nëpër vreshta mbillen edhe pemë fiku. (Luka 13:6) Ulja e secilit nën hardhinë dhe fikun e vet simbolizon kushte paqësore, të begatshme dhe të sigurta. Edhe tani, marrëdhënia jonë me Jehovain na jep paqe mendore dhe siguri frymore. Kur këto kushte të ekzistojnë nën sundimin e Mbretërisë, nuk do të kemi frikë dhe do të jemi plotësisht të sigurt.
19. Çfarë nënkupton të ecim në emrin e Jehovait?
19 Për të pasur miratimin dhe bekimin hyjnor, duhet të ecim në emrin e Jehovait. Kjo gjë shprehet fuqimisht te Mikea 4:5, ku profeti shpall: «Sepse të gjithë popujt do të ecin secili në emër të perëndisë së vet, kurse ne do të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë, në jetë të jetëve.» (BR) Të ecim në emër të Jehovait nuk nënkupton thjesht të themi që ai është Perëndia ynë. Kërkohet më tepër sesa pjesëmarrja në mbledhjet e krishtere dhe në veprën e predikimit të Mbretërisë, ndonëse edhe këto veprimtari janë thelbësore. Në qoftë se po ecim në emrin e Jehovait, i jemi kushtuar atij dhe përpiqemi t’i shërbejmë me besnikëri, nga dashuria me gjithë shpirt që kemi për të. (Mateu 22:37) Si adhurues të tij, patjetër që jemi të vendosur të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë, për gjithë përjetësinë.
20. Çfarë u paratha te Mikea 4:6-13?
20 Le të shqyrtojmë tani fjalët profetike të Mikeas 4:6-13. ‘Bija e Sionit’ duhet të shkojë në robëri «deri në Babiloni». Kjo është pikërisht ajo që u ndodhi banorëve të Jerusalemit në shekullin e 7-të p.e.s. Prapëseprapë, profecia e Mikeas tregon se një mbetje do të kthehet në Judë dhe, gjatë rindërtimit të Sionit, Jehovai do të kujdeset që armiqtë e tij të bëhen pluhur e hi.
21, 22. Si u përmbush Mikea 5:2?
21 Në kapitullin e pestë të Mikeas parathuhen zhvillime të tjera dramatike. Për shembull, vini re se çfarë thuhet te Mikea 5:2-4, BR. Mikea profetizon se nga Betlehemi do të vijë një Sundimtar i emëruar nga Perëndia, dikush «prejardhja e të cilit është prej kohëve të hershme». Ai do të sundojë si bari «me forcën e Jehovait». Për më tepër ky Sundimtar do të jetë i madh jo vetëm në Izrael, por «deri në skajet e tokës». Identiteti i tij mund të jetë pështjellues për botën në përgjithësi, por nuk është i fshehtë për ne.
22 Kush ishte personi më i rëndësishëm që ka lindur ndonjëherë në Betlehem? Dhe kush «do të jetë i madh deri në skajet e tokës»? Askush tjetër veç Mesisë, Jezu Krishtit. Kur Herodi i Madh pyeti krerët e priftërinjve dhe skribët se ku duhej të lindte Mesia, ata u përgjigjën: «Në Betlehem të Judesë.» Madje cituan fjalët e Mikeas 5:2. (Mateu 2:3-6) Edhe disa nga njerëzit e thjeshtë e dinin këtë, pasi te Gjoni 7:42 përmendet se ata thoshin: «A nuk ka thënë Shkrimi se Krishti vjen nga pasardhja e Davidit dhe nga Betlehemi, fshati ku ka qenë Davidi?»
Freskim i vërtetë për njerëzit
23. Çfarë po ndodh tani në përmbushje të Mikeas 5:7?
23 Mikea 5:5-15 flet për një pushtim asirian që do të ketë vetëm sukses jetëshkurtër, dhe tregon se Perëndia do të ekzekutojë hakmarrjen mbi kombet e pabindura. Mikea 5:7 premton rivendosjen e një mbetjeje judenjsh të penduar në atdheun e tyre, por këto fjalë zbatohen edhe për ditët tona. Mikea thotë: «Kusuri i Jakobit, në mes të shumë popujve, ka për të qenë si një vesë e dërguar nga Zoti, si një shi i dendur mbi barin.» Kjo simbolikë e bukur përdoret për të parathënë se mbetja e Jakobit ose e Izraelit frymor do të jetë për njerëzit një bekim nga Perëndia. ‘Delet e tjera’ të Jezuit, të cilat kanë shpresë tokësore, janë të kënaqura që shërbejnë sup më sup me mbetjen e sotme të ‘Izraelit të Perëndisë’, duke ndihmuar për t’i freskuar të tjerët frymësisht. (Gjoni 10:16; Galatasve 6:16; Sofonia 3:9) Lidhur me këtë, ka edhe një pikë tjetër të rëndësishme për të medituar. Si lajmëtarë të Mbretërisë, të gjithë duhet ta vlerësojmë shumë privilegjin për t’u sjellë freskim të vërtetë të tjerëve.
24. Çfarë pikash nga kapitulli i tretë deri në të pestë të Mikeas ju kanë lënë mbresa?
24 Çfarë keni mësuar nga kapitulli i tretë deri në të pestë të profecisë së Mikeas? Ndoshta pika të tilla, si: (1) Perëndia pret nga ata që marrin drejtimin në popullin e tij të tregojnë drejtësi. (2) Jehovai nuk do t’u përgjigjet lutjeve tona nëse praktikojmë mëkatin me dashje. (3) Detyra jonë për të predikuar mund të përmbushet vetëm në rast se Perëndia na forcon me anë të frymës së tij të shenjtë. (4) Për të pasur miratimin hyjnor duhet të ecim në emrin e Jehovait. (5) Si lajmëtarë të Mbretërisë duhet ta vlerësojmë shumë privilegjin për t’u sjellë freskim të vërtetë njerëzve. Mund t’ju kenë lënë mbresa edhe pika të tjera. Por, çfarë mund të mësojmë tjetër nga ky libër profetik i Biblës? Artikulli vijues do të na ndihmojë të nxjerrim mësime praktike nga dy kapitujt e fundit të profecisë së Mikeas, e cila na e forcon shumë besimin.
Si do të përgjigjeshit?
• Çfarë pret Perëndia nga ata që marrin drejtimin në popullin e tij?
• Pse lutja dhe fryma e shenjtë janë të rëndësishme në shërbimin tonë ndaj Jehovait?
• Si ‘ecin në emër të Jehovait’ njerëzit?
[Figura në faqen 15]
A mund ta shpjegoni ilustrimin e Mikeas që fliste për një tenxhere?
[Figurat në faqen 16]
Ashtu si Mikea, ne e kryejmë me guxim shërbimin tonë