Të gjejmë gëzim te Perëndia i shpëtimit tonë
«Do të ngazëllohem te vetë Jehovai; do të gjej gëzim te Perëndia i shpëtimit tim.»—HABAKUKU 3:18, BR.
1. Në lidhje me çfarë gjëje pati një vizion Danieli para rënies së Babilonisë në vitin 539 p.e.s.?
MË SHUMË se një dekadë para rënies së Babilonisë në vitin 539 p.e.s., profeti i moshuar Daniel pa një vizion rrëqethës. Aty parathuheshin ngjarjet botërore që do të çonin deri në luftën kulmore ndërmjet armiqve të Jehovait dhe Mbretit të Tij të caktuar, Jezu Krishtit. Cili qe reagimi i Danielit? Ai tha: «E ndjeva veten të sfilitur dhe . . . isha i tronditur nga vegimi.»—Danieli 8:27.
2. Çfarë konflikti pa Danieli në vizion dhe si ndihesh kur kupton se ky konflikt është afër?
2 Po ne? Tani po jetojmë shumë më përpara në rrjedhën e kohës. Si reagojmë kur kuptojmë se konflikti që Danieli pa në vizion, domethënë lufta e Perëndisë në Harmagedon, është shumë afër? Si reagojmë kur dallojmë se ligësia e demaskuar në profecinë e Habakukut është kaq e përhapur, saqë shkatërrimi i armiqve të Perëndisë është i pashmangshëm? Ka të ngjarë që ndjenjat tona të jenë të njëjta me ato të vetë Habakukut, siç përshkruhen në kapitullin e tretë të librit të tij profetik.
Habakuku lutet për mëshirën e Perëndisë
3. Në emër të kujt lutet Habakuku dhe si mund të ndikojnë te ne fjalët e tij?
3 Kapitulli 3 i Habakukut është një lutje. Sipas Ha 3 vargut 1, kjo lutje është shprehur me këngë të përmortshme, domethënë me këngë pikëllimi ose vaji. Profeti e ofron lutjen, sikur të ishte për veten e tij. Por në të vërtetë, Habakuku po flet në emër të kombit të zgjedhur të Perëndisë. Sot, lutja e tij ka shumë domethënie për popullin e Perëndisë, i cili po angazhohet në veprën e predikimit të Mbretërisë. Kur e lexojmë kapitullin 3 të Habakukut duke pasur këtë në mendje, fjalët e tij na mbushin me parandjenja drithëruese, por edhe me gëzim. Lutja ose kënga e përmortshme e Habakukut na jep arsye të forta për të gjetur gëzim te Jehovai, Perëndia i shpëtimit tonë.
4. Përse u frikësua Habakuku dhe për cilin përdorim të fuqisë së Perëndisë mund të jemi të sigurt?
4 Siç e kemi vërejtur në dy artikujt pararendës, në kohën e Habakukut kushtet në vendin e Judës ishin shumë të këqija. Por Perëndia nuk do të lejonte që kjo gjendje të vazhdonte. Jehovai do të ndërmerrte veprime, siç kishte bërë në të kaluarën. Nuk habitemi që profeti thirri: «O Jehova, unë i kam dëgjuar fjalët për ty. Unë jam frikësuar, o Jehova për aktivitetin tënd.» Çfarë donte të thoshte ai? ‘Fjalët për Jehovain’ ishin historia e shkruar e bëmave të fuqishme të Perëndisë, si ato në Detin e Kuq, në shkretëtirë dhe në Jeriko. Habakuku i njihte mirë këto vepra që e bënin të kishte frikë, sepse e dinte që Perëndia do ta përdorte përsëri fuqinë e tij të madhe kundër armiqve të tij. Kur shohim ligësinë e njerëzimit sot, edhe ne e dimë se Jehovai do të veprojë siç ka bërë në kohët e lashta. A na frikëson kjo? Sigurisht! Por megjithatë, ne lutemi siç bëri Habakuku: «Në mes të viteve, oh, sille në jetë! Në mes të viteve, të lutem bëje të njohur. Gjatë trazirës, të lutem kujtohu të tregosh mëshirë.» (Habakuku 3:2, BR) Në kohën e duhur të Tij, «në mes të viteve», Perëndia e vëntë përsëri në veprim fuqinë e vet të mrekullueshme! Gjithashtu, në atë kohë, u kujtoftë për të treguar mëshirë ndaj atyre që e duan!
Jehovai në marshim!
5. Si ‘erdhi Perëndia nga Temani’ dhe çfarë tregon kjo në lidhje me Harmagedonin?
5 Çfarë do të ndodhë kur Jehovai të dëgjojë lutjen tonë për mëshirë? Përgjigjen e gjejmë te Habakuku 3:3, 4. Së pari, profeti thotë: «Perëndia vinte nga Temani, i Shenjti nga mali Paran.» Në kohën e Moisiut, Temani dhe Parani gjendeshin në rrugën që bëri Izraeli përmes shkretëtirës drejt Kanaanit. Ndërkohë që kombi i madh i Izraelit ishte në udhëtim, dukej sikur vetë Jehovai ishte në lëvizje dhe asgjë nuk mund ta ndalte atë. Pak përpara se të vdiste, Moisiu tha: «Zoti erdhi nga Sinai dhe u ngrit mbi ta në Seir; u paraqit në madhështinë e tij nga mali Paran, arriti nga mesi i një morie [të shenjtë engjëjsh, BR].» (Ligji i përtërirë 33:2) Kur Jehovai të vihet në lëvizje kundër armiqve të tij në Harmagedon, do të ketë një shfaqje të ngjashme të fuqisë së tij të papërballueshme.
6. Çfarë shohin të krishterët me aftësi shquese përveç lavdisë së Perëndisë?
6 Habakuku thotë, gjithashtu: «Lavdia [e Jehovait] mbulonte qiejt dhe toka ishte plot me lëvdimin e tij. Shkëlqimi i tij ishte si drita.» Çfarë spektakli magjepsës! Vërtet, njerëzit nuk mund ta shohin Perëndinë Jehova dhe të jetojnë. (Dalja 33:20) Megjithatë, për sa u përket shërbëtorëve besnikë të Perëndisë, sytë e zemrës së tyre verbohen kur ata meditojnë për madhështinë e tij. (Efesianëve 1:18) Veç kësaj, të krishterët me aftësi shquese shohin diçka tjetër përveç lavdisë së Jehovait. Habakuku 3:4 mbyllet me fjalët: «Ai kishte dy rreze që dilnin nga dora e tij dhe aty ishte fshehja e forcës së tij.» (BR) Po, ne e kuptojmë se Jehovai është gati për të vepruar, duke përdorur dorën e tij të djathtë të forcës dhe të fuqisë.
7. Çfarë nënkupton për rebelët marshimi triumfues i Perëndisë?
7 Marshimi triumfues i Perëndisë nënkupton shkatërrim për ata që rebelohen kundër tij. Te Habakuku 3:5 thuhet: «Para tij ecte murtaja dhe murtaja e ethshme ndiqte hapat e tij.» Në vitin 1473 p.e.s., kur izraelitët ishin afër kufijve të Tokës së Premtuar, shumë nga ata u rebeluan, duke kryer imoralitet dhe idhujtari. Si pasojë, më shumë se 20.000 veta vdiqën nga një murtajë që dërgoi Perëndia. (Numrat 25:1-9) Në të ardhmen e afërt, kur Jehovai të marshojë në «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm», ata që rebelohen kundër tij do të vuajnë në mënyrë të ngjashme për mëkatet e tyre. Disa edhe mund të vdesin nga murtaja të vërteta.—Zbulesa 16:14, 16.
8. Sipas Habakukut 3:6, çfarë i pret armiqtë e Perëndisë?
8 Tani dëgjo përshkrimin e gjallë që profeti i bën Jehovait të ushtrive në veprim. Te Habakuku 3:6 lexojmë: «Ai [Perëndia Jehova] ndalej dhe maste [trondiste, BR] tokën, shikonte dhe i bënte kombet të dridheshin; malet e përjetshëm zhdukeshin, kodrat e lashta uleshin; rrugët e tij janë të përjetshme [të tijat janë udhët e shumë kohëve më parë, BR].» Së pari, Jehovai ‘ndalet’, si një gjeneral që vëzhgon fushën e betejës. Armiqtë e tij dridhen nga frika. Ata shohin se kush është kundërshtari i tyre dhe tronditen, duke brofur të trazuar. Jezui paratha një kohë kur «të gjitha fiset e tokës do të godasin veten duke vajtuar». (Mateu 24:30, BR) Do të jetë tepër vonë kur ata të kuptojnë se askush nuk mund t’i rezistojë Jehovait. Organizatat njerëzore, madje edhe ato që duken po aq të qëndrueshme sa edhe «malet e përjetshëm» dhe «kodrat e lashta», do të shemben. Në atë kohë do të jetë si «udhët e shumë kohëve më parë» të Perëndisë, si mënyra me të cilën ka vepruar ai në kohët e lashta.
9, 10. Për çfarë na kujton Habakuku 3:7-11?
9 ‘Zemërimi i Jehovait ka marrë zjarr’ kundër armiqve të tij. Por, çfarë armësh do të përdorë ai në luftën e tij të madhe? Dëgjo se si i përshkruan ato profeti, duke thënë: «Ti e ke zbuluar plotësisht harkun tënd, sipas betimeve që ke bërë mbi shigjetat e tua. Ti e ke ndarë tokën me lumenjtë. Malet të panë dhe u drodhën; uragani i ujit kaloi, humnera ka bërë të dëgjohet zëri i saj dhe ka ngritur duart lart. Dielli dhe hëna kanë mbetur në banesën e tyre; në dritën e shigjetave të tua lëvizën me të shpejtë, në vetëtimën e ushtës sate flakëruese.»—Habakuku 3:7-11.
10 Në ditët e Josiut, Jehovai bëri që dielli dhe hëna të ndaleshin, duke shfaqur në mënyrë të mrekullueshme fuqinë e tij. (Jozueu 10:12-14) Profecia e Habakukut na kujton se po kjo fuqi do të përdoret nga Jehovai në Harmagedon. Në vitin 1513 p.e.s., Jehovai e tregoi zotërimin e tij mbi thellësitë ujore të tokës, kur e përdori Detin e Kuq për të shkatërruar ushtrinë e faraonit. Dyzet vjet më vonë, lumi Jordan, i cili ishte në sezonin e vërshimit të plotë, nuk përbënte asnjë pengesë për marshimin triumfues të Izraelit për në Tokën e Premtuar. (Jozueu 3:15-17) Në ditët e profeteshës Debora, shirat e rrëmbyeshëm morën me vete karrot e Siseras, armikut të Izraelit. (Gjykatësit 5:21) Të njëjtat forca të përmbytjes, të shiut të rrëmbyeshëm dhe të thellësive ujore do të jenë në dispozicion të Jehovait në Harmagedon. Edhe vetëtimat e bubullimat do të jenë në dorën e tij, si një heshtë ose si një kukurë plot me shigjeta.
11. Çfarë do të ndodhë kur Jehovai të shpalosë fuqinë e tij të madhe?
11 Vërtet, do të jetë e mahnitshme kur Jehovai të shpalosë fuqinë e tij të madhe. Fjalët e Habakukut na sugjerojnë se nata do të kthehet në ditë dhe dita do të jetë më e ndritshme sesa mund ta bëjë dielli. Sido që të jetë ky përshkrim profetik i frymëzuar për Harmagedonin, në kuptim real ose simbolik, një gjë është e sigurt: Jehovai do të triumfojë, duke mos lënë t’i shpëtojë asnjë armik.
Shpëtimi është i sigurt për popullin e Perëndisë
12. Çfarë do t’u bëjë Perëndia armiqve të tij, por kush do të shpëtojë?
12 Profeti vazhdon të përshkruajë veprimet e Jehovait për të shkatërruar armiqtë e Tij. Te Habakuku 3:12 lexojmë: «Ti e ke përshkuar dheun i indinjuar, i ke shkelur kombet i zemëruar.» Megjithatë, Jehovai nuk do të shkatërrojë kuturu. Disa njerëz do të shpëtohen. «Ke dalë për të shpëtuar popullin tënd, për të shpëtuar të vajosurin [të mirosurin, BR] tënd»,—thuhet te Habakuku 3:13. Po, Jehovai do t’i shpëtojë shërbëtorët e tij besnikë të mirosur. Në atë kohë shkatërrimi i Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme, do të jetë i plotë. Gjithsesi, sot kombet po përpiqen ta zhdukin adhurimin e pastër. Së shpejti, forcat e Gogut të Magogut do të sulmojnë shërbëtorët e Jehovait. (Ezekieli 38:1–39:13; Zbulesa 17:1-5, 16-18) A do të ketë sukses ky sulm satanik? Jo! Pas kësaj, Jehovai me zemërim do t’i shkelë armiqtë e tij, duke i vënë nën këmbët e tij si gruri në një fushë shirjeje. Por ai do t’i shpëtojë ata që e adhurojnë me frymë dhe me të vërtetë.—Gjoni 4:24.
13. Si do të përmbushet Habakuku 3:13?
13 Asgjësimi i plotë i të ligjve parathuhet me këto fjalë: «Ti [Jehova] ke goditur kokën e shtëpisë së të pabesit, duke e nxjerrë lakuriq nga themeli e deri lart.» (Habakuku 3:13) Kjo ‘shtëpi’ është sistemi i lig që është zhvilluar nën ndikimin e Satana Djallit. Ai do të rrënohet. ‘Koka’ ose udhëheqësit që janë kundër Perëndisë, do të dërrmohen. E gjithë struktura do të shembet, deri në themelet e saj. Nuk do të ekzistojë më. Sa lehtësim i mrekullueshëm do të jetë ky!
14-16. Sipas Habakukut 3:14, 15, çfarë do të ndodhë me popullin e Jehovait dhe me armiqtë e tyre?
14 Në Harmagedon, ata që përpiqen të shkatërrojnë «të mirosurin» e Jehovait do të pështjellohen. Sipas Habakukut 3:14, 15, profeti i flet Perëndisë, duke i thënë: «Ti ke shpuar me shigjetat e tua kokën e luftëtarëve të tij; ata kishin ardhur si një uragan për t’i shpërndarë, duke lëshuar britma gëzimi, sikur po gllabëronin të mjerin në fshehtësi. Me kuajt e tu ke ecur përmes detit, nëpërmjet një mase të madhe ujërash.»
15 Kur thotë se ‘luftëtarët . . . kishin ardhur si një uragan për t’i shpërndarë’, profeti Habakuk flet për shërbëtorët e mirosur të Jehovait. Ashtu si kusarët që zënë pritë, kombet do të hidhen mbi adhuruesit e Jehovait për t’i shkatërruar. Këta armiq të Perëndisë dhe të popullit të tij do të ‘lëshojnë britma gëzimi’, të sigurt për suksesin e tyre. Të krishterët besnikë do të duken të dobët, si një ‘i mjerë’. Por, kur forcat kundërshtare të Perëndisë të fillojnë sulmin e tyre, Jehovai do t’i bëjë që t’i kthejnë armët kundër njëri-tjetrit. Ata do t’i përdorin armët ose «shigjetat» e tyre kundër vetë luftëtarëve të tyre.
16 Por, nuk mbaron me kaq. Jehovai do të përdorë forcat frymore mbinjerëzore për ta përfunduar shkatërrimin e armiqve të tij. Me «kuajt» e ushtrive të tij qiellore të drejtuara nga Jezu Krishti, ai do të përparojë fitimtar përmes «detit» dhe ‘masës së madhe të ujërave’, domethënë, përmes masave të hallakatura të njerëzimit armik. (Zbulesa 19:11-21) Atëherë, të ligjtë do të eliminohen nga toka. Sa shfaqje e fuqishme e drejtësisë dhe e fuqisë hyjnore!
Dita e Jehovai po vjen!
17. (a) Përse mund të kemi besim në përmbushjen e fjalëve të Habakukut? (b) Si mund të jemi ngjashëm Habakukut, ndërsa presim ditën e madhe të Jehovait?
17 Mund të jemi të sigurt se fjalët e Habakukut do të përmbushen së shpejti. Ato nuk do të vonojnë. Si reagon ti ndaj kësaj njohurie paraprake? Mos harro, Habakuku po shkruante nën frymëzimin hyjnor. Jehovai do të veprojë dhe kur të ndodhë kjo, në tokë do të bëhet kërdi e madhe. Nuk habitemi që profeti shkroi: «Kam dëgjuar dhe të përbrendshmet e mia u drodhën dhe buzët e mia u drodhën në atë zë; një krimb hyri në kockat e mia dhe një frikë e madhe më pushtoi përbrenda. Megjithatë do të rri i qetë ditën e fatkeqësisë, që do t’i vijë popullit që e mësyn.» (Habakuku 3:16) Habakuku ishte shumë i trazuar dhe kjo është e kuptueshme. Por a u lëkund besimi i tij? Në asnjë mënyrë! Ai ishte gati të priste me qetësi ditën e madhe të Jehovait. (2. Pjetrit 3:11, 12) A nuk kemi edhe ne të njëjtin qëndrim? Patjetër që po! Ne kemi besim të plotë se profecia e Habakukut do të plotësohet. Por deri atëherë do të presim me durim.
18. Ndonëse Habakuku priste vuajtje, çfarë qëndrimi pati ai?
18 Lufta sjell gjithnjë vështirësi, madje edhe për fitimtarët e mundshëm. Mund të mungojë ushqimi. Mund të humbasin pronat. Standardet e jetesës mund të bien. Nëse kjo na ndodh neve, si do të reagojmë? Habakuku pati një qëndrim shembullor, sepse tha: «Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në stalla, unë do të ngazëllohem tek Zoti dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim.» (Habakuku 3:17, 18) Në mënyrë realiste, Habakuku priste vuajtje e ndoshta edhe zi buke. Por, ai nuk e humbi kurrë gëzimin e tij te Jehovai, nga i cili i erdhi shpëtimi.
19. Çfarë vuajtjesh pësojnë shumë të krishterë, por për çfarë mund të jemi të sigurt nëse e vëmë Jehovain në vend të parë në jetën tonë?
19 Sot, edhe përpara luftës së Jehovait kundër të ligjve, shumë veta vuajnë jashtëzakonisht. Jezui paratha se luftërat, zia e bukës, tërmetet dhe murtajat do të ishin pjesë e ‘shenjës së pranisë së tij’ në fuqinë mbretërore. (Mateu 24:3-14, BR; Luka 21:10, 11) Shumë prej bashkëbesimtarëve tanë jetojnë në vende të goditura rëndë nga përmbushja e fjalëve të Jezuit dhe si pasojë e kësaj ata vuajnë shumë. Të krishterë të tjerë mund të preken në mënyrë të ngjashme në të ardhmen. Për shumë të tjerë nga ne, ka edhe mundësi që ‘fiku të mos lulëzojë’ përpara se të vijë fundi. Megjithatë, e dimë se përse ndodhin këto gjëra dhe kjo na jep fuqi. Për më tepër, ne kemi mbështetje. Jezui premtoi: «Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.» (Mateu 6:33) Kjo nuk garanton një jetë të rehatshme, por na siguron se po ta vëmë Jehovain në vend të parë, ai do të kujdeset për ne.—Psalmi 37:25.
20. Pavarësisht nga vështirësitë e përkohshme, çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?
20 Çfarëdo vështirësie të përkohshme që do të na duhet të hasim, ne nuk do ta humbim besimin në fuqinë shpëtuese të Jehovait. Shumë nga vëllezërit tanë dhe motrat tona në Afrikë, në Evropën Lindore dhe në vende të tjera po hasin vështirësi ekstreme, por po vazhdojnë të ‘ngazëllohen te Jehovai’. Si ata, edhe ne mos pushofshim kurrë së bëri të njëjtën gjë! Mos harro se Zotëria Sovran Jehova është Burimi i «energjisë jetësore» për ne. (Habakuku 3:19, BR) Ai nuk do të na lërë kurrë në baltë. Harmagedoni do të vijë me siguri dhe bota e re e premtuar nga Perëndia do ta pasojë atë patjetër. (2. Pjetrit 3:13) Atëherë, «dheu do të mbushet me diturinë e lavdisë së Zotit, ashtu si ujërat mbushin detin». (Habakuku 2:14) Derisa të vijë ajo kohë e mrekullueshme, le të ndjekim shembullin e mirë të Habakukut! Gjithnjë le të ‘ngazëllohemi te Jehovai dhe të gjejmë gëzim te Perëndia i shpëtimit tonë’!
A të kujtohet?
• Si mund të ndikojë te ne lutja e Habakukut?
• Përse vihet në marshim Jehovai?
• Çfarë thotë profecia e Habakukut për shpëtimin?
• Me çfarë qëndrimi duhet ta presim ditën e madhe të Jehovait?
[Figura në faqen 23]
A e di çfarë forcash do të përdorë Perëndia kundër të ligjve në Harmagedon?