Dita e gjykimit e Jehovait është afër!
«Dita e madhe e Jehovait është afër. Ajo është afër dhe po shpejton shumë.»—SOFONIA 1:14, BR.
1. Çfarë paralajmërimi dha Perëndia nëpërmjet Sofonisë?
PERËNDIA JEHOVA është gati të hidhet në veprim kundër të ligjve. Dëgjoni! Ky është paralajmërimi i tij: «Do të zhduk njerëz . . . Do të shfaros njeriun nga faqja e dheut.» (Sofonia 1:3) Këto fjalë të Zotërisë Sovran Jehova u kumtuan me anë të profetit të tij Sofonia, që ndoshta ishte stër-stërnip i mbretit besnik Hezekia. Kjo shpallje, e bërë në ditët e mbretit të mirë Josia, nuk ndillte të mirën për të ligjtë që banonin në vendin e Judës.
2. Përse veprimet e Josias nuk e penguan ditën e gjykimit të Jehovait?
2 Profetizimi i Sofonisë, pa dyshim, e bëri edhe më të vetëdijshëm mbretin e ri Josia rreth nevojës për ta pastruar Judën nga adhurimi i papastër. Por, veprimet e mbretit për ta pastruar vendin nga feja e rreme nuk bënë që të hiqej e gjithë ligësia nga mesi i popullit ose që të shlyheshin mëkatet e gjyshit të tij, mbretit Manase, i cili e kishte «mbushur Jerusalemin me gjak të pafajshëm». (2 Mbretërve 24:3, 4; 2 Kronikave 34:3) Prandaj, dita e gjykimit e Jehovait do të vinte me siguri.
3. Si mund të jemi të sigurt se është e mundur të mbijetojmë në ‘ditën e zemërimit të Jehovait’?
3 Megjithatë, do të kishte disa që do të mbijetonin nga ajo ditë frikësuese. Prandaj, profeti i Perëndisë nxiti: «Para se dekreti të ketë efekt, para se dita të kalojë si byku, para se të bjerë mbi ju zemërimi i zjarrtë i Zotit, para se të vijë mbi ju dita e zemërimit të Zotit. Kërkoni Zotin ju të gjithë, të përulurit e dheut, që zbatoni ligjin e tij. Kërkoni drejtësinë, kërkoni përulësinë. Ndofta do të jeni të mbrojtur në ditën e zemërimit të Zotit.» (Sofonia 2:2, 3) Duke mbajtur në mendje shpresën e mbijetesës gjatë ditës së gjykimit të Jehovait, le t’i bëjmë një shqyrtim librit biblik të Sofonisë. I shkruar në Judë, para vitit 648 p.e.s., ky libër është pjesë e ‘fjalës profetike’ të Perëndisë, së cilës të gjithë ne duhet t’i kushtojmë vëmendje me gjithë shpirt.—2 Pjetrit 1:19.
Jehovai shtrin dorën
4, 5. Si u përmbush Sofonia 1:1-3 mbi të ligjtë në Judë?
4 «Fjala e Zotit» drejtuar Sofonisë fillon me paralajmërimin e cituar më sipër. Perëndia deklaron: «Unë do të zhduk krejt çdo gjë nga faqja e dheut,—thotë Zoti.—Do të zhduk njerëz dhe kafshë, do të zhduk zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, shkaqet e mëkatit së bashku me të pabesët dhe do të shfaros njeriun nga faqja e dheut,—thotë Zoti.»—Sofonia 1:1-3.
5 Po, Jehovai do t’i jepte fund ligësisë së dukshme në vendin e Judës. Kë do të përdorte Perëndia për ‘të zhdukur krejt çdo gjë nga faqja e dheut’? Meqë Sofonia, me sa duket, profetizoi gjatë pjesës fillestare të mbretërimit të mbretit Josia, që filloi në vitin 659 p.e.s., ato fjalë profetike gjetën një përmbushje në shkatërrimin e Judës dhe të kryeqytetit të saj, Jerusalemit, nga dora babilonase, në vitin 607 p.e.s. Në atë kohë, në Judë pati një ‘zhdukje’ të të ligjve.
6-8. Çfarë u paratha te Sofonia 1:4-6 dhe si u përmbush kjo profeci në Judën e lashtë?
6 Duke parathënë veprimet e Perëndisë ndaj adhuruesve të rremë, te Sofonia 1:4-6 thuhet: «Do të shtrij dorën time kundër Judës dhe kundër të gjithë banorëve të Jerusalemit dhe do të shfaros nga ky vend mbeturinat e Baalit, emrin e priftërinjve idhujtarë, bashkë me priftërinjtë, ata të cilët bien përmbys mbi tarraca përpara ushtrisë së qiellit, ata që bien përmbys duke iu betuar Zotit, por duke iu betuar edhe Malkamit, ata që largohen nga Zoti dhe ata që nuk e kërkojnë Zotin dhe nuk e konsultojnë.»
7 Dora e Jehovait u shtri kundër banorëve të Judës dhe të Jerusalemit. Ai ishte i vendosur t’i shfaroste adhuruesit e Baalit, perëndisë kanaanite të pjellorisë. Kishte disa hyjni të ndryshme vendase që quheshin Baal, sepse adhuruesit e tyre mendonin që ato zotëronin dhe kishin ndikim mbi zona të veçanta. Për shembull, ekzistonte Baali i adhuruar nga moabitët dhe midianitët në malin Peor. (Numrat 25:1, 3, 6) Në të gjithë Judën, Jehovai do të shfaroste priftërinjtë e Baalit, si edhe priftërinjtë jobesnikë levitë, të cilët, duke u shoqëruar me ta, po shkelnin ligjin e Perëndisë.—Dalja (Eksodi) 20:2, 3.
8 Perëndia do të shfaroste, gjithashtu, ata që ‘binin përmbys përpara ushtrisë së qiellit’, me sa duket, duke praktikuar astrologjinë dhe duke adhuruar diellin. (2 Mbretërve 23:11; Jeremia 19:13; 32:29) Zemërimi hyjnor do të shfrehej, gjithashtu, mbi ata që përpiqeshin ta përzienin adhurimin e vërtetë me fenë e rreme, «duke iu betuar Zotit, por duke iu betuar edhe Malkamit». Malkam ka mundësi të jetë një emër tjetër për Molekun, perëndinë kryesor të amonitëve. Adhurimi i Molekut përfshinte flijimin e fëmijëve.—1 Mbretërve 11:5; Jeremia 32:35.
Fundi i të ashtuquajturit krishterim është afër!
9. (a) Për çfarë është fajtor i ashtuquajturi krishterim? (b) Ndryshe nga njerëzit jobesnikë të Judës, çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?
9 E gjithë kjo mund të na kujtojë fare mirë të ashtuquajturin krishterim, që është i zhytur kokë e këmbë në adhurimin e rremë dhe në astrologji. Gjithashtu, roli i tij në flijimin e miliona jetëve në altarin e luftërave të mbështetura nga kleri, është me të vërtetë i neveritshëm. Mos qofshim kurrë si njerëzit jobesnikë të Judës, të cilët ‘u larguan nga Zoti’, duke u bërë indiferentë dhe duke mos e kërkuar më atë ose udhëheqjen e tij! Në vend të kësaj, le të mbajmë integritetin tonë ndaj Perëndisë.
10. Si do ta shpjegonit domethënien profetike të Sofonisë 1:7?
10 Fjalët pasuese të profetit u përshtaten si keqbërësve të Judës, ashtu edhe të ligjve të ditëve tona. Te Sofonia 1:7 thuhet: «Rri në heshtje para Zotërisë Sovran Jehova, sepse dita e Jehovait është afër, sepse Jehovai ka përgatitur një flijim; ka shenjtëruar të ftuarit e tij.» (BR) Këta ‘të ftuar’, siç duket, ishin armiqtë kaldeas të Judës. ‘Flijimi’ ishte vetë Juda, duke përfshirë kryeqytetin e saj. Kështu, Sofonia shpalli qëllimin e Perëndisë për të shkatërruar Jerusalemin, por kjo profeci tregoi edhe shkatërrimin e të ashtuquajturit krishterim. Në fakt, sot që dita e gjykimit e Perëndisë është kaq afër, e gjithë bota duhet të ‘rrijë në heshtje para Zotërisë Sovran Jehova’ dhe të dëgjojë atë që thotë ai nëpërmjet ‘kopesë së vogël’ të ithtarëve të mirosur të Jezuit dhe nëpërmjet shokëve të tyre, ‘deleve të tjera’. (Luka 12:32; Gjoni 10:16) Shfarosja i pret të gjithë ata që nuk do të dëgjojnë e që, në këtë mënyrë, i kundërvihen sundimit të Mbretërisë së Perëndisë.—Psalmi 2:1, 2.
Së shpejti: Një ditë ulërime!
11. Çfarë do të thotë në thelb Sofonia 1:8-11?
11 Në lidhje me ditën e Jehovait, Sofonia 1:8-11 shton: «Ditën e flijimit të Zotit do të ndodhë që unë do të ndëshkoj princat, bijtë e mbretit dhe tërë ata që mbajnë veshje të huajsh. Po atë ditë do të ndëshkoj tërë ata që hidhen mbi prag, që mbushin me dhunë dhe mashtrim shtëpitë e zotërve të tyre. Atë ditë,—thotë Zoti,—do të ngrihet një britmë nga porta e peshqve, një klithmë nga lagjja e dytë dhe një zhurmë e madhe nga kodrat. Ulërini, o banorë të Makteshit, sepse tërë populli i tregtarëve është asgjësuar, tërë ata të ngarkuar me para [që peshojnë argjendin, BR] janë shfarosur.»
12. Në ç’kuptim disa veta gjenden ‘duke mbajtur veshje të huajsh’?
12 Mbreti Josia do të pasohej nga Jehoahazi, Jehojakimi dhe Jehojakini. Më pas do të vinte sundimi i Sedekisë që do të karakterizohej nga shkatërrimi i Jerusalemit. Ndonëse po u kanosej kjo katastrofë, disa, me sa duket, kërkonin të pranoheshin nga kombet fqinje, duke ‘mbajtur veshje të huajsh’. Në mënyrë të ngjashme, shumë veta sot e bëjnë të qartë në mënyra të ndryshme se nuk janë pjesë e organizatës së Jehovait. Si pjesë e dukshme e organizatës së Satanait, ata do të ndëshkohen.
13. Në harmoni me profecinë e Sofonisë, çfarë do të ndodhte kur babilonasit të sulmonin Jerusalemin?
13 ‘Ajo ditë’ llogaridhënieje për Judën përkon me ditën e Jehovait për të ekzekutuar gjykimin ndaj armiqve të tij, për t’i dhënë fund ligësisë dhe për të treguar epërsinë e tij të plotë. Ndërsa babilonasit do të sulmonin Jerusalemin, nga Porta e Peshqve do të dilte një britmë. Ka mundësi që kjo portë të quhej kështu pasi ndodhej afër tregut të peshkut. (Nehemia 13:16) Hordhitë babilonase do të hynin në pjesën e quajtur lagjja e dytë dhe «një zhurmë e madhe nga kodrat» mund të tregojë tingullin e afrimit të kaldeasve. Do të dëgjohej ‘një ulërimë’ nga banorët e Makteshit, që ishte ndoshta pjesa e sipërme e luginës së Tiropeonit. Pse do të ulërinin ata? Ngaqë aktiviteti tregtar atje, duke përfshirë edhe aktivitetin e ‘atyre që peshonin argjendin’, do të pushonte.
14. Deri ku do të shkonte shqyrtimi që do t’u bënte Perëndia atyre që pohonin se ishin adhurues të tij?
14 Deri ku do të shkonte shqyrtimi që do t’u bënte Jehovai atyre që pohonin se ishin adhurues të tij? Profecia vazhdon: «Në atë kohë do të ndodhë që unë do të kontrolloj Jerusalemin me llamba dhe do të ndëshkoj njerëzit që, duke qëndruar në llumin e tyre, thonë në zemër të tyre: ‘Zoti nuk bën as të mirë as të keq.’ Prandaj pasuritë e tyre do të bëhen plaçkë lufte dhe shtëpitë e tyre do të shkretohen. Do të ndërtojnë shtëpi, do të mbjellin vreshta, por nuk do pinë verën e tyre.»—Sofonia 1:12, 13.
15. (a) Çfarë do t’u ndodhte priftërinjve apostatë të Jerusalemit? (b) Çfarë i pret praktikuesit e sotëm të fesë së rreme?
15 Priftërinjtë apostatë të Jerusalemit ishin duke e përzier adhurimin e Jehovait me fenë e rreme. Ndonëse ata ndiheshin të sigurt, Perëndia do t’i kërkonte si me llamba të shndritshme që do të depërtonin në errësirën frymore ku kishin gjetur strehë. Asnjë nuk do t’i shpëtonte shpalljes dhe ekzekutimit të gjykimit hyjnor. Ata apostatë të vetëkënaqur kishin zënë vend rehat si llumi në fund të një buti me verë. Ata nuk donin të shqetësoheshin nga ndonjë deklaratë për ndërhyrjen hyjnore në çështjet e njerëzve, por nuk do t’i shpëtonin ekzekutimit të gjykimit të Perëndisë. Po kështu, nuk do të ketë shpëtim për praktikuesit e sotëm të fesë së rreme, duke përfshirë anëtarët e të ashtuquajturit krishterim dhe ata që kanë dalë apostatë kundër adhurimit të Jehovait. Duke mohuar faktin që këto janë «ditët e fundit», ata thonë në zemrat e tyre «Zoti nuk bën as të mirë as të keq». Sa gabohen!—2 Timoteut 3:1-5; 2 Pjetrit 3:3, 4, 10.
16. Çfarë do të ndodhte kur të ekzekutohej gjykimi hyjnor mbi Judën dhe si duhet të ndikojë te ne njohuria për këtë?
16 Apostatët e Judës ishin paralajmëruar se babilonasit do t’i bënin plaçkë lufte pasuritë e tyre, do të shkretonin shtëpitë e tyre dhe do të merrnin frytin e vreshtave të tyre. Gjërat materiale do të ishin pa vlerë kur të ekzekutohej gjykimi hyjnor mbi Judën. E njëjta gjë do të dalë e vërtetë kur mbi sistemin e tanishëm të vijë dita e gjykimit e Jehovait. Prandaj, le të kemi një pikëpamje frymore dhe le të ‘grumbullojmë thesare në qiell’, duke e mbajtur shërbimin e Jehovait në vend të parë në jetën tonë!—Mateu 6:19-21, 33.
«Dita e madhe e Jehovait është afër»
17. Sipas Sofonisë 1:14-16, sa afër është dita e gjykimit e Jehovait?
17 Sa afër është dita e gjykimit e Jehovait? Sipas Sofonisë 1:14-16, Perëndia na jep këtë siguri: «Dita e madhe e Jehovait është afër. Ajo është afër dhe po shpejton shumë. Tingulli i ditës së Jehovait është i hidhur. Atje një burrë i fuqishëm po lëshon një britmë. Ajo ditë është një ditë furie, një ditë vuajtjeje dhe angështie, një ditë stuhie dhe shkretimi, një ditë errësire dhe terri, një ditë resh dhe terri të thellë, një ditë e bririt dhe e sinjalit të alarmit, kundër qyteteve të fortifikuara dhe kundër kullave të larta të qosheve.»—BR.
18. Përse nuk duhet të nxjerrim përfundimin se dita e gjykimit e Jehovait është shumë larg?
18 Priftërinjtë, princat dhe njerëzit mëkatarë të Judës ishin paralajmëruar se ‘dita e madhe e Jehovait ishte afër’. Për Judën ‘dita e Jehovait do të shpejtohej shumë’. Në mënyrë të ngjashme, në kohën tonë, askush të mos mendojë se ekzekutimi i gjykimit të Jehovait mbi të ligjtë do të ndodhë në të ardhmen e largët. Në vend të kësaj, siç veproi me të shpejtë në Judë, po ashtu Perëndia do ta ‘shpejtojë’ ditën e tij të ekzekutimit. (Zbulesa 16:14, 16) Sa kohë e hidhur do të jetë ajo për të gjithë ata që shpërfillin paralajmërimet që Jehovai jep nëpërmjet Dëshmitarëve të tij dhe që nuk përqafojnë adhurimin e vërtetë!
19, 20. (a) Cilat ishin disa aspekte të ekzekutimit të zemërimit të Perëndisë mbi Judën dhe Jerusalemin? (b) Duke pasur parasysh shkatërrimin përzgjedhës që e pret këtë sistem, çfarë pyetjesh lindin?
19 Ekzekutimi i zemërimit të Perëndisë mbi Judën dhe Jerusalemin ishte «një ditë dëshpërimi dhe angështie». Pushtuesit babilonas u shkaktuan shumë vuajtje banorëve të Judës, duke përfshirë edhe angështi mendore përballë vdekjes dhe shkatërrimit. Ajo «ditë stuhie dhe shkretimi» ishte një ditë errësire, resh dhe terri të thellë, ndoshta jo vetëm në kuptim figurativ, por edhe në kuptim të mirëfilltë, pasi kudo kishte tym e kasaphanë. Ishte «një ditë e bririt dhe e sinjalit të alarmit», por paralajmërimet nuk hynë në punë.
20 Rojat e Jerusalemit ishin të pafuqishme, ndërsa deshtë shpartallues babilonas rrëzuan ‘kullat e larta të cepit’. Në kohën tonë, fortifikatat e këtij sistemi të lig do të jenë po aq të pafuqishme kundër armatimit të arsenalit qiellor të Perëndisë, i cili është gati për t’u përdorur së shpejti në shkatërrimin përzgjedhës. A shpresoni që t’ju kursehet jeta? A keni marrë një qëndrim të patundur në anën e Jehovait, i cili «mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët»?—Psalmi 145:20.
21, 22. Si do të përmbushet Sofonia 1:17, 18 në ditët tona?
21 Ç’ditë e tmerrshme gjykimi ishte parathënë në Sofoninë 1:17, 18! «Unë do të sjell fatkeqësinë mbi njerëzit,—thotë Perëndia Jehova,—dhe ata do të ecin si të verbër, sepse kanë mëkatuar kundër Zotit; gjaku i tyre do të shpërndahet si pluhur dhe mishi i tyre [të përbrendshmet, BR] si jashtëqitje. As argjendi i tyre as ari i tyre nuk do të mund t’i çlirojnë ditën e zemërimit të Zotit; përkundrazi tërë vendi do të gllabërohet nga zjarri i xhelozisë së tij, sepse ai do të kryejë me siguri një shkatërrim të plotë të të gjithë banorëve të vendit.»
22 Siç bëri në ditët e Sofonisë, Jehovai së shpejti do të sjellë vuajtje mbi ‘të gjithë banorët e vendit’, mbi ata që nuk pranojnë t’i vënë veshin paralajmërimit të tij. Për shkak se mëkatojnë kundër Perëndisë, ata do të vërtiten po aq të pasigurt, sa edhe njerëzit e verbër, të paaftë për të gjetur çlirim. Në ditën e gjykimit të Jehovait, gjaku i tyre «do të shpërndahet si pluhur», si diçka e pavlerë. Fundi i tyre do të jetë me të vërtetë poshtërues, pasi Perëndia do të shpërndajë mbi sipërfaqen e tokës trupat, madje edhe të përbrendshmet, e këtyre të ligjve, tamam «si jashtëqitje».
23. Ndonëse keqbërësit nuk do të shpëtojnë në «ditën e zemërimit të Jehovait», çfarë shprese përmban profecia e Sofonisë?
23 Askush nuk mund t’i shpëtojë ata që luftojnë kundër Perëndisë dhe popullit të tij. As argjendi, as ari nuk mund t’i çlironte keqbërësit e Judës, pikërisht ashtu si pasuria dhe ryshfetet e grumbulluara nuk do të sigurojnë mbrojtje ose shpëtim në «ditën e furisë së Jehovait», e cila do të vijë mbi të ashtuquajturin krishterim dhe pjesën tjetër të këtij sistemi. Në atë ditë vendimtare, ‘e gjithë toka do të përpihet’ nga zjarri i zellit të Perëndisë, kur ai të shfarosë të ligjtë. Duke qenë se kemi besim në fjalën profetike të Perëndisë, ne jemi të bindur se tani jemi thellë në «kohën e mbarimit». (Danieli 12:4) Dita e gjykimit e Jehovait është afër dhe së shpejti ai do të ekzekutojë hakmarrjen mbi armiqtë e tij. Megjithatë, profecia e Sofonisë përmban edhe shpresën për çlirim. Atëherë, çfarë kërkohet nga ne, nëse duam të jemi të fshehur në ditën e zemërimit të Jehovait?
Si do të përgjigjeshit?
• Si u përmbush profecia e Sofonisë mbi Judën dhe Jerusalemin?
• Çfarë i pret të ashtuquajturin krishterim dhe të gjithë të ligjtë në ditët tona?
• Përse nuk duhet të mendojmë se dita e gjykimit e Jehovait do të vijë në të ardhmen e largët?
[Figura në faqen 13]
Sofonia deklaroi me guxim se dita e gjykimit e Jehovait ishte afër
[Burimi]
Nga Self-Pronouncing Edition of the Holy Bible, e cila përmban versionet King James dhe Revised
[Figura në faqen 15]
Dita e Jehovait erdhi mbi Judën dhe Jerusalemin nga dora e babilonasve në vitin 607 p.e.s.
[Figura në faqen 16]
A shpresoni t’ju kursehet jeta kur Jehovai të shkatërrojë të ligjtë?