Libri biblik numër 37—Hageu
Shkrimtari: Hageu
Vendi ku u shkrua: Jerusalem
Shkrimi përfundoi: 520 p.e.s.
Periudha përkatëse: 112 ditë (520 p.e.s.)
1, 2. Ç’informacion na jepet për profetin Hageu dhe cili ishte mesazhi i tij i dyfishtë?
EMRI i tij ishte Hage dhe pozita e tij ishte profet, «një lajmëtar i Jehovait». (Hag. 1:13) Por, cila ishte origjina e tij? Kush ishte? Hageu është i dhjeti ndër të ashtuquajturit profetë të vegjël dhe i pari ndër tre profetët që shërbyen pasi judenjtë u kthyen në vendlindjen e tyre në vitin 537 p.e.s. Dy të tjerët ishin Zakaria dhe Malakia. Emri i Hageut (hebraisht, Haggái) do të thotë «[I lindur në] festë». Kjo mund të nënkuptojë se ai kishte lindur në një ditë feste.
2 Siç tregon edhe tradita judaike, është e arsyeshme të arrijmë në përfundimin se Hageu lindi në Babiloni dhe u kthye në Jerusalem bashkë me Zorobabelin dhe Josinë, kryepriftin. Hageu shërbeu krah për krah me profetin Zakaria dhe tek Ezdra 5:1 dhe 6:14 tregohet se janë bashkë, duke inkurajuar bijtë e mërgimit që t’i futen punës për ndërtimin e tempullit. Ai ishte një profet i Jehovait në dy aspekte: i nxiti judenjtë të përmbushnin detyrimet e tyre ndaj Perëndisë dhe paratha, ndër të tjera, lëkundjen e të gjitha kombeve.—Hag. 2:6, 7.
3. Përse judenjtë s’kishin arritur të përmbushnin qëllimin për të cilin ishin kthyer nga mërgimi?
3 Përse Jehovai i ngarkoi Hageut këtë detyrë? Sepse në vitin 537 p.e.s. Kiri kishte nxjerrë dekretin që u lejonte judenjve të ktheheshin në atdhe për të rindërtuar shtëpinë e Jehovait. Por tani ishte viti 520 p.e.s. dhe puna në tempull kishte mbetur shumë prapa. Gjatë gjithë këtyre viteve, kundërshtimi nga armiqtë bashkë me indiferentizmin e materializmin e tyre, i kishin penguar judenjtë të përmbushnin qëllimin për të cilin ishin kthyer.—Ezd. 1:1-4; 3:10-13; 4:1-24; Hag. 1:4.
4. Çfarë e kishte penguar ndërtimin e tempullit, por cilat ngjarje ndodhën kur Hageu nisi të profetizonte?
4 Siç e shohim edhe nga tregimi, pak pasi ishin hedhur themelet e tempullit (në vitin 536 p.e.s.), «populli i vendit e shkurajonte pareshtur popullin e Judës për ndërtimin, ia ligështonte zemrën dhe paguante këshilltarë kundër tyre, që plani i tyre të dështonte». (Ezd. 4:4, 5) Së fundi, në vitin 522 p.e.s. kundërshtarët jojudenj ia dolën të siguronin një ndalim zyrtar për punën. Në vitin e dytë të mbretërimit të mbretit pers Dar Histaspisi, në vitin 520 p.e.s., Hageu nisi të profetizonte, dhe kjo i inkurajoi judenjtë të rinisnin punën për ndërtimin e tempullit. Atëherë, guvernatorët fqinj i dërguan Darit një letër ku i kërkonin të merrte një vendim për këtë çështje. Kështu Dari ktheu në fuqi dekretin e Kirit dhe mbështeti judenjtë kundër armiqve të tyre.
5. Ç’prova kemi që libri i Hageut ka vendin e vet në kanunin biblik?
5 Judenjtë s’kanë pasur kurrë asnjë dyshim se profecia e Hageut ka vendin e saj në kanunin hebraik. Këtë fakt e mbështet edhe referimi që jepet për të te Ezdra 5:1, ku thuhet se ai profetizonte «në emër të Perëndisë së Izraelit», e po kështu edhe te Ezdra 6:14. Edhe Pavli e mbështet faktin që profecia e tij është pjesë e ‘të gjithë Shkrimit të frymëzuar nga Perëndia’, kur e citon atë te Hebrenjve 12:26: «Ai ka premtuar: ‘Edhe një herë do të trondit jo vetëm dheun, por edhe qiellin.’»—Hag. 2:6.
6. Nga se përbëhet profecia e Hageut dhe si theksohet emri i Jehovait?
6 Profecia e Hageut përbëhet nga katër mesazhe të shpallura gjatë një periudhe prej 112 ditësh. Stili i tij është i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë, megjithatë vlen të përmendet theksi që i vë ai emrit të Jehovait. Në 38 vargjet e librit, ai e përmend emrin e Jehovait 35 herë, 14 herë në shprehjen «Jehovai i ushtrive». Ai nuk lë vend për të dyshuar se mesazhi i tij vjen nga Jehovai: «Hageu, lajmëtari i Jehovait, sipas detyrës që ka një lajmëtar i Jehovait, vazhdoi t’i thoshte popullit: ‘Unë jam me ju’,—thotë Jehovai.»—1:13.
7. Për çfarë i inkurajoi Hageu judenjtë dhe cili ishte kuptimi i mesazhit të tij?
7 Kjo ishte një periudhë shumë e rëndësishme në historinë e popullit të Perëndisë, dhe vepra e Hageut ishte shumë e dobishme. Ai nuk ngurroi aspak në caktimin e tij si profet dhe u foli troç judenjve. Ai ua tha hapur se kishte ardhur koha të mos i zvarritnin më gjërat e t’i shtroheshin punës. Kishte ardhur koha të rindërtonin tempullin e Jehovait dhe të rivendosnin adhurimin e pastër, nëse donin të gëzonin begati nga dora e Jehovait. Gjithë kuptimi i mesazhit që shpalli Hageu është që, nëse dikush dëshiron të ketë bekimet e Jehovait, duhet t’i shërbejë Perëndisë së vërtetë e të bëjë punën që Jehovai ka urdhëruar për t’u bërë.
PËRMBAJTJA E HAGEUT
8. Përse nuk i bekon Jehovai judenjtë nga ana materiale?
8 Mesazhi i parë (1:1-15). Ky mesazh i drejtohet guvernatorit Zorobabel dhe kryepriftit Josia, por që të dëgjonte gjithë populli. Njerëzit kishin thënë: «Nuk ka ardhur ende koha që të ndërtohet shtëpia e Jehovait.» Nëpërmjet Hageut, Jehovai u bën këtë pyetje shqyrtuese: «Mos është vallë koha që ju të banoni në shtëpitë tuaja të veshura me dru, ndërkohë që kjo shtëpi është e shkretë?» (1:2, 4) Ata kanë mbjellë shumë, në kuptimin material, po kishin përfituar shumë pak ushqim, pije e rroba. «Shqyrtojini me gjithë zemër udhët tuaja»,—i këshillon Jehovai. (1:7) Është pikërisht koha që të shkojnë të marrin lëndë druri e të ndërtojnë shtëpinë, që Jehovai të marrë lavdi. Judenjtë kujdesen shumë për shtëpitë e tyre, por shtëpia e Jehovait është lënë e shkretë. Prandaj, Jehovai u ka mbajtur vesën e qiejve dhe prodhimin e arave, dhe nuk ka bekuar as njerëzit, as mundin e tyre.
9. Si i zgjon Jehovai judenjtë që t’i futen punës?
9 Tani ata e kuptojnë si është puna. Hageu nuk ka profetizuar më kot. Sundimtarët dhe populli nisin ‘ta dëgjojnë zërin e Jehovait, Perëndisë së tyre’. Frika nga Jehovai i zuri vendin frikës nga njeriu. Jehovai u jep këtë siguri nëpërmjet lajmëtarit të tij, Hageut: «Unë jam me ju.» (1:12, 13) Vetë Jehovai zgjon frymën e guvernatorit, të kryepriftit e të mbetjes së popullit të Tij. Ata i futen punës 23 ditë pasi Hageu kishte nisur të profetizonte, pavarësisht nga ndalimi zyrtar që kishte vendosur qeveria perse.
10. Ç’mendojnë disa judenj për tempullin që po ndërtojnë, por çfarë premton Jehovai?
10 Mesazhi i dytë (2:1-9). Ka kaluar më pak se një muaj që kur puna e ndërtimit ka rinisur, dhe Hageu shpall mesazhin e dytë të frymëzuar. I drejtohet Zorobabelit, Josiut dhe mbetjes së popullit. Me sa duket, disa nga judenjtë që janë kthyer nga mërgimi dhe që kanë parë tempullin e mëparshëm të Solomonit, mendojnë se ky tempull i ri nuk do të jetë asgjë në krahasim me të. Por, çfarë thotë Jehovai i ushtrive? ‘Jini të fortë e punoni, sepse unë jam me ju.’ (2:4) Jehovai u kujton besëlidhjen që ka bërë me ta dhe u thotë të mos kenë frikë. Ai u jep forcë duke u premtuar se do të lëkundë gjithë kombet, do të bëjë që të vijnë gjërat e tyre të dëshirueshme dhe do ta mbushë këtë shtëpi me lavdi. Lavdia e kësaj shtëpie të fundit do të jetë edhe më e madhe se ajo e së mëparshmes dhe në këtë vend ai do të japë paqe.
11. (a) Ç’alegori përdor Hageu për të nxjerrë në pah atë që kishin lënë pas dore priftërinjtë? (b) Ç’pasoja pati kjo?
11 Mesazhi i tretë (2:10-19). Dy muaj e tri ditë më vonë, Hageu u drejtohet priftërinjve. Ai përdor një alegori për t’i ndihmuar të kuptonin si ishte puna. Nëse një prift mban mish të shenjtëruar, a do të bënte kjo të shenjtë çdo lloj tjetër ushqimi që ai do të prekte? Përgjigjja është jo. Po nëse dikush prek diçka të papastër, si për shembull një trup të vdekur, a bëhet ai i papastër? Përgjigjja është po. Hageu tregon tani zbatimin e kësaj alegorie. Populli i vendit është i papastër për shkak se ka lënë pas dore adhurimin e pastër. Çdo gjë që paraqitin, është e papastër për Perëndinë Jehova. Ja përse Jehovai nuk e ka bekuar punën e tyre, madje i ka goditur me erë zhuritëse, vrug e breshër. Duhet të ndryshojnë rrugë. Atëherë, Jehovai do t’i bekojë.
12. Ç’mesazh të fundit i drejton Hageu Zorobabelit?
12 Mesazhi i katërt (2:20-23). Ky mesazh shpallet të njëjtën ditë që shpallet edhe mesazhi i tretë, por i drejtohet Zorobabelit. Jehovai thotë përsëri se ‘ka për të lëkundur qiejt dhe tokën’, por kësaj radhe kjo gjë do të shkojë deri në shfarosjen e plotë të mbretërive të kombeve. Shumë kanë për të rënë, «secili prej shpatës së vëllait të vet». (2:21, 22) Profecia e Hageut mbyllet me sigurinë që Jehovai i jep Zorobabelit se do të ketë miratimin e tij.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
13. Ç’dobi të menjëhershme solli profecia e Hageut?
13 Katër mesazhet që Jehovai përcolli përmes Hageut ishin të dobishme për judenjtë e asaj kohe. Ata morën zemër që t’i futeshin menjëherë punës, dhe brenda katër vjetëve e gjysmë, tempulli përfundoi dhe ishte gati të çonte përpara adhurimin e vërtetë në Izrael. (Ezd. 6:14, 15) Jehovai e bekoi punën e tyre të zellshme. Gjatë kohës që po rindërtohej tempulli, mbreti Dar i Persisë shqyrtoi dokumentet shtetërore dhe vuri përsëri në fuqi dekretin e Kirit. Në këtë mënyrë, puna në tempull u krye me mbështetjen e tij zyrtare.—Ezd. 6:1-13.
14. Ç’këshillë të mençur na jep Hageu për ditët tona?
14 Mirëpo profecia përmban këshilla të mençura edhe për ne sot. Cilat? Pikësëpari, ajo nënvizon nevojën që kanë krijesat për të vënë interesat e adhurimit të Perëndisë para interesave të tyre. (Hag. 1:2-8; Mat. 6:33) Nga ana tjetër, ajo thekson se egoizmi është vetëshkatërrues, se është e kotë të rendësh pas materializmit. Vetëm paqja dhe bekimi nga Jehovai të bën të pasur. (Hag. 1:9-11; 2:9; Prov. 10:22) Ajo thekson gjithashtu, se shërbimi që i bëjmë Perëndisë nuk e bën në vetvete dikë të pastër nëse ky shërbim nuk bëhet në mënyrë të pastër e me gjithë shpirt; shërbimi nuk duhet të jetë i ndotur nga një sjellje e papastër. (Hag. 2:10-14; Kolos. 3:23; Rom. 6:19) Profecia tregon se shërbëtorët e Perëndisë nuk duhet të jenë pesimistë, ta mbajnë mendjen pas te «ditët e mira të së shkuarës», por duhet ta hedhin vështrimin përpara, ‘të shqyrtojnë me gjithë zemër udhët e tyre’ dhe të përpiqen t’i sjellin lavdi Jehovait. Atëherë, Jehovai do të jetë me ta.—Hag. 2:3, 4; 1:7, 8, 13; Filip. 3:13, 14; Rom. 8:31.
15. Ç’tregon libri i Hageut për frytet që sjell bindja e zellshme?
15 Kur u përfshinë tërësisht në punën e tempullit, judenjtë patën miratimin e Jehovait dhe u begatuan. Pengesat u zhdukën. Puna përfundoi brenda një kohe të shkurtër. Kur punojmë pa frikë e me zell për Jehovain, shpërblehemi gjithnjë. Vështirësitë, qoftë të vërteta apo të imagjinuara, mund të kapërcehen me një besim të guximshëm. Bindja ndaj ‘fjalës së Jehovait’ sjell fryte.—Hag. 1:1.
16. Ç’lidhje ka profecia e Hageut me shpresën e Mbretërisë dhe për çfarë shërbimi duhet të na nxitë sot?
16 Ç’të themi për profecinë se Jehovai ‘do të lëkundë qiejt dhe tokën’? Apostulli Pavël i bën këtë zbatim Hageut 2:6: «Por tani ai ka premtuar: ‘Edhe një herë do të trondit jo vetëm dheun, por edhe qiellin.’ Shprehja ‘edhe një herë’ tregon heqjen e gjërave që tronditen, si gjëra të bëra me dorë, që të mbeten gjërat që nuk tronditen. Prandaj, meqë do të marrim një mbretëri që nuk mund të tronditet, le të vazhdojmë të kemi dashamirësi të pamerituar, nëpërmjet së cilës t’i bëjmë Perëndisë shërbim të shenjtë në mënyrë të pranueshme, me frikë Perëndie dhe nderim të thellë. Sepse Perëndia ynë është edhe një zjarr që përpin.» (Hebr. 12:26-29) Hageu tregon se lëkundja shërben ‘për të përmbysur fronin e mbretërive dhe për të shfarosur forcën e mbretërive të kombeve’. (Hag. 2:21, 22) Teksa citon profecinë, Pavli bën këtë kontrast, kur thotë për Mbretërinë e Perëndisë se «nuk mund të tronditet». Prandaj, ndërkohë që i kemi sytë të ngulur te kjo shpresë e Mbretërisë, ‘le të jemi të fortë e të punojmë’, duke i bërë Perëndisë shërbim të shenjtë. Po ashtu, le të mbajmë parasysh që, përpara se Jehovai të përmbysë kombet e tokës, diçka e çmuar do të nxitet e do të dalë prej tyre për të mbijetuar: «Do të lëkund gjithë kombet dhe gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve kanë për të ardhur; unë do ta mbush këtë shtëpi me lavdi,—thotë Jehovai i ushtrive.»—2:4, 7.