Ata gjetën Mesinë!
«Kemi gjetur Mesinë.»—GJONI 1:41.
1. Çfarë e nxiti Andrean të thërriste: «Kemi gjetur Mesinë.»
GJON PAGËZORI është me dy nga dishepujt e tij. Kur Jezui afrohet, Gjoni thërret: «Shihni, Qengji i Perëndisë!» Andrea dhe dishepulli tjetër e ndjekin menjëherë Jezuin dhe kalojnë gjithë ditën me të. Më vonë, Andrea gjen të vëllanë, Simon Pjetrin, dhe e çon te Jezui duke i thënë me entuziazëm: «Kemi gjetur Mesinë.»—Gjoni 1:35-41.
2. Si do të nxjerrim dobi nga shqyrtimi i mëtejshëm i profecive mesianike?
2 Me kalimin e kohës, Andrea, Pjetri dhe të tjerë do të kenë shumë mundësi të shqyrtojnë Shkrimet dhe do të shpallin pa rezerva se Jezui nga Nazareti është Mesia i premtuar. Edhe besimi ynë te Fjala e Perëndisë dhe tek i Mirosuri i tij do të forcohet teksa tani vazhdojmë shqyrtimin e profecive mesianike.
«Ja, mbreti yt po vjen»
3. Cilat profeci u përmbushën kur Jezui hyri triumfues në Jerusalem?
3 Mesia do të hynte në mënyrë triumfuese në Jerusalem. Profecia e Zakarisë thoshte: «Gëzohu me të madhe, o bijë e Sionit. Brohorit me ngadhënjim, o bijë e Jerusalemit. Ja, mbreti yt po vjen te ti. Ai është i drejtë dhe ka shpëtuar, është i përulur dhe i hipur në një gomar, po, në një kafshë të rritur, pjellë e gomaricës.» (Zak. 9:9) Psalmisti shkroi: «Bekuar qoftë Ai që vjen në emër të Jehovait!» (Psal. 118:26) Jezui nuk mund të ketë manipuluar veprimet e turmës. Megjithatë, duke përmbushur profecinë, ajo turmë thirri spontanisht me gëzim të pamasë. Ndërsa lexoni tregimin, përfytyroni skenën dhe dëgjoni zërat e gëzuar.—Lexo Mateun 21:4-9.
4. Shpjegoni se çfarë ndodhi në përmbushje të Psalmit 118:22, 23.
4 Ndonëse shumë veta nuk do ta pranonin si Mesinë, Jezui është i çmuar për Perëndinë. Siç ishte parathënë, ata që nuk pranuan t’u besonin dëshmive ‘e përbuzën dhe e trajtuan si pa vlerë’ Jezuin. (Isa. 53:3; Mar. 9:12) Sidoqoftë, Perëndia e kishte frymëzuar psalmistin të thoshte: «Guri që ndërtuesit e hodhën poshtë, u bë guri i qoshes. Këtë gur e bëri vetë Jehovai.» (Psal. 118:22, 23) Jezui ua drejtoi vëmendjen kundërshtarëve të tij fetarë te ky varg dhe Pjetri tha se ai u përmbush te Krishti. (Mar. 12:10, 11; Vep. 4:8-11) Faktikisht, Jezui u bë «guri i qoshes» i kongregacionit të të krishterëve të mirosur. Edhe pse njerëzit e paperëndishëm e hodhën poshtë, ai është «i zgjedhur e i çmuar pranë Perëndisë».—1 Pjet. 2:4-6.
E tradhtuan dhe e braktisën
5, 6. Çfarë ishte parathënë lidhur me tradhtinë ndaj Mesisë dhe si u përmbush?
5 Ishte parathënë se Mesinë do ta tradhtonte një nga ata që shoqëroheshin me të. Davidi profetizoi: «Edhe miku që ishte në paqe me mua, që i besoja dhe që hante bukën time, ka ngritur thembrën kundër meje.» (Psal. 41:9) Personi që hante bukë me dikë, mendohej se ishte mik me të. (Zan. 31:54) Prandaj, ajo që bëri Judë Iskarioti kundër Jezuit, ishte nga tradhtitë më të poshtra. Jezui ua drejtoi vëmendjen apostujve të tij te përmbushja e fjalëve profetike të Davidit, kur u tha për atë që do ta tradhtonte: «Nuk po flas për të gjithë ju, sepse unë i njoh ata që kam zgjedhur, por që të përmbushet Shkrimi: ‘Ai që ushqehej me bukën time, ka ngritur thembrën kundër meje.’»—Gjoni 13:18.
6 Tradhtari i Mesisë do të merrte 30 monedha të argjendta—çmimi i një skllavi! Në bazë të fjalëve të Zakarisë 11:12, 13, Mateu tregoi se Jezui u tradhtua për një shumë të tillë të papërfillshme. Por, përse Mateu tha që kjo ishte parathënë «nëpërmjet profetit Jeremia»? Në kohën e Mateut, Jeremia ndoshta renditej i pari në një grup librash biblikë ku përfshihej edhe Zakaria. (Krahaso Lukën 24:44.) Juda nuk e shpenzoi shumën e fituar padrejtësisht, pasi i hodhi paratë në tempull dhe shkoi të kryente vetëvrasje.—Mat. 26:14-16; 27:3-10.
7. Si u përmbush Zakaria 13:7?
7 Edhe dishepujt e Mesisë do të hallakateshin. Zakaria shkroi: «Godite bariun dhe le të hallakaten delet e kopesë.» (Zak. 13:7) Më 14 nisan të vitit 33 të e.s., Jezui u tha dishepujve: «Këtë natë, të gjithë ju do të largoheni nga unë, sepse është shkruar: ‘Do të godas bariun dhe delet e kopesë do të hallakaten.’» Dhe pikërisht kështu ndodhi, sepse Mateu raportoi se «të gjithë dishepujt e braktisën dhe ikën».—Mat. 26:31, 56.
E akuzuan dhe e rrahën
8. Në ç’rrethana u përmbush Isaia 53:8?
8 Mesinë do ta paditnin dhe do ta dënonin. (Lexo Isainë 53:8.) Në të gdhirë të 14 nisanit, gjithë Sinedri u mblodh, e lidhën Jezuin dhe ia dorëzuan guvernatorit romak, Ponc Pilatit. Ai e mori në pyetje Jezuin dhe nuk gjeti tek ai asnjë faj. Megjithatë, kur Pilati propozoi ta lironte Jezuin, turma thërriti: «Vëre në shtyllë!» Pastaj, kërkuan lirimin e një krimineli, Barabës. Pilati donte t’i bënte qejfin turmës, prandaj e liroi Barabën, kurse për Jezuin dha urdhër ta rrihnin me kamxhik dhe ua dha ta vinin në shtyllë.—Mar. 15:1-15.
9. Çfarë ndodhi në kohën e Jezuit, siç ishte parathënë te Psalmi 35:11?
9 Dëshmitarë të rremë do të dëshmonin kundër Mesisë. Psalmisti David tha: «Dëshmitarë të dhunshëm ngrihen dhe më pyesin për gjëra që unë nuk i di.» (Psal. 35:11) Në përputhje me profecinë, «krerët e priftërinjve dhe gjithë Sinedri po kërkonin dëshmi të rreme kundër Jezuit, që ta vritnin». (Mat. 26:59) Në të vërtetë, «shumë veta jepnin dëshmi të rreme kundër tij, por dëshmitë e tyre nuk përputheshin». (Mar. 14:56) Mirëpo, dëshmitë e rreme s’kishin shumë rëndësi për armiqtë e tërbuar të Jezuit, të cilët kërkuan vdekjen e tij.
10. Shpjegoni si u përmbush Isaia 53:7.
10 Mesia do të heshtte para akuzuesve. Isaia profetizoi: «Ai ishte nën një shtypje të madhe dhe pranoi ta mundonin, megjithatë nuk e hapi gojën. Po e çonin si delen në thertore. Si delja që s’nxjerr zë para qethësit, ai nuk e hapi gojën.» (Isa. 53:7) Ndërsa ‘krerët e priftërinjve dhe pleqtë e akuzonin, Jezui nuk kthente asnjë përgjigje’. Pilati e pyeti: «A nuk e dëgjon sa shumë gjëra po dëshmojnë kundër teje?» Megjithatë, Jezui «nuk iu përgjigj dhe nuk tha asnjë fjalë, prandaj guvernatori u çudit shumë». (Mat. 27:12-14) Jezui nuk i shau ata që e akuzuan.—Rom. 12:17-21; 1 Pjet. 2:23.
11. Çfarë ndodhi në përmbushje të Isaisë 50:6 dhe Mikesë 5:1?
11 Isaia profetizoi se Mesinë do ta rrihnin. Profeti shkroi: «E shtrova kurrizin para atyre që më goditnin dhe ua dhashë faqet atyre që më shkulnin mjekrën. Nuk ua fsheha fytyrën poshtërimeve dhe të pështyrave.» (Isa. 50:6) Mikea paratha: «Me shkop do ta godasin në fytyrë gjykatësin e Izraelit.» (Mik. 5:1) Shkrimtari i Ungjillit, Marku, e konfirmoi përmbushjen e këtyre profecive, kur tha: «Disa filluan ta pështynin [Jezuin], ia mbuluan gjithë fytyrën, i gjuanin me grushta dhe i thoshin: ‘Profetizo!’ Nëpunësit e gjyqit e morën dhe i binin me shuplaka.» Marku pohon se ushtarët «e qëllonin në kokë me një kallam, e pështynin dhe binin në gjunjë e i bënin atij nderime». (Mar. 14:65; 15:19) Sigurisht, Jezui nuk bëri asgjë për të provokuar një abuzim të tillë.
Besnik deri në vdekje
12. Si u zbatuan në rastin e Jezuit Psalmi 22:16 dhe Isaia 53:12?
12 Disa aspekte të vënies në shtyllë të Mesisë ishin parathënë. Psalmisti David tha: «Keqbërësit janë mbledhur dhe më rrinë përqark, si luanë që më kafshojnë duart dhe këmbët.» (Psal. 22:16) Duke raportuar një tregim të mirënjohur për lexuesit e Biblës, shkrimtari i Ungjillit, Marku, thotë: «Ishte ora e tretë [rreth nëntë e mëngjesit], dhe ata e vunë në shtyllë.» (Mar. 15:25) Gjithashtu, ishte parathënë se Mesinë do ta futnin në një kallëp me mëkatarët. Isaia shkroi: «E zbrazi shpirtin e tij deri në vdekje dhe u llogarit si shkelës.» (Isa. 53:12) Ja pse «bashkë me [Jezuin], në shtyllë u vunë edhe dy kusarë, një në të djathtë e një në të majtë të tij».—Mat. 27:38.
13. Si u përmbush Psalmi 22:7, 8 te Jezui?
13 Davidi kishte profetizuar se Mesinë do ta poshtëronin. (Lexo Psalmin 22:7, 8.) Jezuin e poshtëruan kur ishte në shtyllën e torturës, pasi Mateu raporton: «Ata që kalonin andej, nisën ta shanin, tundnin kokën dhe thoshin: ‘Shpëto veten, ti që gjoja do ta rrëzoje tempullin dhe do ta ndërtoje për tri ditë! Nëse je bir i Perëndisë, zbrit nga shtylla e torturës!’» Po ashtu, edhe krerët e priftërinjve, bashkë me skribët e pleqtë, u tallën me të dhe thanë: «Të tjerët i shpëtoi, por veten nuk e shpëton dot! Ai është mbret i Izraelit, le të zbresë tani nga shtylla e torturës, dhe ne do të besojmë tek ai. Ai ka besim te Perëndia, prandaj le ta shpëtojë tani Ai, nëse e miraton, sepse ka thënë: ‘Unë jam Biri i Perëndisë.’» (Mat. 27:39-43) Gjithsesi, Jezui i duroi të gjitha këto me dinjitet. Sa shembull i shkëlqyer për ne!
14, 15. Tregoni si u përmbushën profecitë specifike në lidhje me veshjen e Mesisë dhe që do t’i jepnin të pinte uthull.
14 Për veshjen e Mesisë do të hidhnin short. Psalmisti shkroi: «Ndajnë mes tyre rrobat e mia, dhe për petkun tim hedhin short.» (Psal. 22:18) Dhe kështu ndodhi, sepse «mbasi e vunë në shtyllë, [ushtarët romakë] i ndanë rrobat e tij me short».—Mat. 27:35; lexo Gjonin 19:23, 24.
15 Mesisë do t’i jepnin uthull dhe vrer. Psalmisti tha: «Më dhanë si ushqim bimë helmuese, kurse për të shuar etjen, u përpoqën të më jepnin uthull.» (Psal. 69:21) Mateu na thotë: «Ata i dhanë Jezuit të pinte verë të përzier me vrer, por, pasi e provoi, ai nuk pranoi ta pinte.» Më vonë, «një prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e njomi me verë të thartë, e vuri në një kallam dhe shkoi t’ia jepte që të pinte».—Mat. 27:34, 48.
16. Shpjegoni si u përmbushën fjalët profetike të Psalmit 22:1.
16 Do të dukej sikur Perëndia e kishte braktisur Mesinë. (Lexo Psalmin 22:1.) Në përputhje me profecinë, në «orën e nëntë [rreth orës tre pasdite], Jezui thërriti me zë të lartë: ‘Éli, Éli, láma sabahtháni?’ që do të thotë: ‘Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?’» (Mar. 15:34) Jezui nuk e kishte humbur besimin tek Ati i tij qiellor. Perëndia e braktisi Jezuin në dorë të armiqve, duke hequr mbrojtjen e Tij në mënyrë që integriteti i Krishtit të vihej plotësisht në provë. Duke thirrur ashtu me zë të lartë, Jezui përmbushi Psalmin 22:1.
17. Si u përmbushën Zakaria 12:10 dhe Psalmi 34:20?
17 Mesinë do ta shponin tejpërtej, por nuk do t’ia thyenin kockat. Banorët e Jerusalemit ‘do të shikonin nga Ai që shpuan tejpërtej’. (Zak. 12:10) Psalmi 34:20 thotë: «[Perëndia] i ruan tërë kockat e tij dhe asnjëra prej tyre nuk thyhet.» Apostulli Gjon i vërtetoi këto veçori kur shkroi: «Një nga ushtarët e shpoi në ijë me heshtë, dhe menjëherë doli gjak e ujë. Ai [Gjoni] që e ka parë këtë, dha dëshmi, e dëshmia e tij është e vërtetë . . . Këto gjëra ndodhën që të përmbushej shkrimi: ‘Nuk do t’i thyhet asnjë eshtër.’ Një shkrim tjetër thotë: ‘Do të shikojnë nga Ai që shpuan.’»—Gjoni 19:33-37.
18. Si ndodhi që Jezui u varros mes të pasurve?
18 Mesinë do ta varrosnin mes të pasurve. (Lexo Isainë 53:5, 8, 9.) Pasditen e vonë të 14 nisanit, «një njeri i pasur nga Arimatea, i quajtur Jozef», i kërkoi Pilatit trupin e Jezuit dhe kërkesa iu pranua. Tregimi i Mateut vazhdon: «Jozefi e mori trupin, e mbështolli me li të hollë të pastër dhe e vuri në një varr të ri, të cilin e kishte gërmuar në shkëmb. Pasi rrokullisi një gur të madh te hyrja e varrit, iku.»—Mat. 27:57-60.
Lëvdoni Mbretin mesianik!
19. Ç’ndodhi në përmbushje të fjalëve profetike të Psalmit 16:10?
19 Mesia do të ringjallej. Davidi shkroi: «Ti [Jehova] nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol.» (Psal. 16:10) Përfytyroni sa u befasuan gratë që vajtën te varri ku ishte vendosur trupi i Jezuit! Atje takuan një engjëll të materializuar, i cili u tha: «Mjaft u shtangët. Ju po kërkoni Jezuin, nazareasin, që u vu në shtyllë. Ai u ngrit dhe nuk është këtu. Ja, vendi ku e vunë.» (Mar. 16:6) Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., apostulli Pjetër shpalli para turmës që ndodhej në Jerusalem: «[Davidi] pa qysh përpara ringjalljen e Krishtit dhe tha për të se ai nuk u braktis në Hades, dhe mishi i tij nuk u kalb.» (Vep. 2:29-31) Perëndia nuk e la të kalbej trupin fizik të Birit të tij të dashur. Për më tepër, në mënyrë të mrekullueshme Jezui u kthye në jetë në frymë.—1 Pjet. 3:18.
20. Çfarë thonë profecitë për sundimin e Mesisë?
20 Siç ishte parathënë, Perëndia shpalli se Jezui ishte Biri i tij. (Lexo Psalmin 2:7; Mateun 3:17.) Gjithashtu, turmat lëvduan Jezuin dhe Mbretërinë që do të vinte; edhe ne flasim me gëzim për të dhe për sundimin e tij të bekuar. (Mar. 11:7-10) Së shpejti, Krishti do të shkatërrojë armiqtë, teksa ‘kalëron në mbrojtje të së vërtetës, të përulësisë e të drejtësisë’. (Psal. 2:8, 9; 45:1-6) Mbretërimi i tij do të sjellë në mbarë tokën paqe dhe begati. (Psal. 72:1, 3, 12, 16; Isa. 9:6, 7) Sa të privilegjuar jemi të njoftojmë këto të vërteta si Dëshmitarë të Jehovait, Biri i dashur i të cilit tashmë mbretëron në qiell si Mbret mesianik!
Si do të përgjigjeshe?
• Si u tradhtua dhe u braktis Jezui?
• Cilat ishin disa veçori të parathëna të vënies në shtyllë të Jezu Krishtit?
• Përse je i bindur se Jezui është Mesia i premtuar?
[Figura në faqen 13]
Cilat profeci përmbushi hyrja triumfuese e Jezuit në Jerusalem?
[Figurat në faqen 15]
Jezui vdiq për mëkatet tona, por tani sundon si Mbret mesianik