Mrekullitë e Jezuit: Histori apo mit?
«Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.»—Mateu 14:25.
PËR miliona njerëz rreth botës, besimi në mrekullitë e Jezu Krishtit është gati po aq i rëndësishëm, sa edhe besimi në vetë Perëndinë. Shkrimtarët e ungjijve: Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni, përshkruajnë rreth 35 mrekulli të Jezuit. Megjithatë, tregimet e tyre të lënë të mendosh se ai kreu shumë bëma të tjera të mbinatyrshme.—Mateu 9:35; Luka 9:11.
Këto mrekulli nuk kryheshin për të zbavitur njerëzit. Ato ishin thelbësore në lidhje me pohimin se Jezui ishte me të vërtetë Biri i Perëndisë, Mesia i shumëpritur. (Gjoni 14:11) Moisiu kreu shumë shenja të mrekullueshme kur u paraqit përpara kombit të skllavëruar të Izraelit. (Të Dalët 4:1-9) Ishte e logjikshme që Mesia, për të cilin ishte profetizuar se do të ishte më i madh se Moisiu, të tregonte me ndonjë shenjë se kishte mbështetjen hyjnore. (Ligji i përtërirë 18:15) Kështu, Bibla e quan Jezuin, «njeriu i dëftuar nga Perëndia ndër ju [hebrenjtë] me vepra të fuqishme, me mrekulli dhe shenja».—Veprat 2:22.
Në kohët e kaluara, njerëzit në përgjithësi e pranonin pa vështirësi përshkrimin biblik të mrekullive të Jezuit. Por, dekadat e fundit, tregimet e ungjijve janë bërë tabelë qitjeje për kritikat. Në një libër të tij, Loid Graham, duke folur për tregimin biblik të Jezuit që ecën mbi ujë, arrin deri aty sa të thotë: «Duhet një dozë e mirë injorance për ta besuar me tërë mend këtë tregim, e prapëseprapë miliona njerëz e besojnë. E pastaj pyesim veten se ku qëndron e keqja në këtë botë. Ç’botë më të mirë mund të presësh me gjithë këtë injorancë?»—Deceptions and Myths of the Bible.
E pamundur?
Megjithatë, këto kritika janë të paarsyeshme. Një enciklopedi e përcakton një mrekulli si «një ndodhi që nuk mund të shpjegohet me ligjet natyrore të njohura». (The World Book Encyclopedia) Sipas këtij përcaktimi, një televizor me ngjyra, një telefon ose një kompjuter portativ do të konsideroheshin si mrekulli vetëm një shekull më parë! A është e arsyeshme të jemi dogmatikë e ta quajmë të pamundur diçka, vetëm sepse nuk mund ta shpjegojmë atë sipas njohurisë aktuale shkencore?
Një fakt tjetër për t’u pasur parasysh është se në gjuhën origjinale greke në të cilën edhe u shkrua «Dhiata e Re», fjala e përdorur për «mrekulli» ishte dyʹna·mis, një fjalë që në themel do të thotë «fuqi». Ajo është përkthyer, gjithashtu, «vepra të fuqishme» ose «aftësi». (Luka 6:19; 1. Korintasve 12:10, BR; Mateu 25:15, BR) Bibla pohon se mrekullitë e Jezuit ishin një shfaqje e «fuqisë madhështore të Perëndisë». (Luka 9:43, BR) A do të ishin të pamundura këto vepra për një Perëndi të plotfuqishëm, për Atë që ka një «bollëk energjie dinamike»?—Isaia 40:26, BR.
Prova besueshmërie
Një shqyrtim i vëmendshëm i katër ungjijve zbulon prova të tjera të besueshmërisë së tyre. Ndër të tjera, këto tregime janë krejtësisht të ndryshme nga përrallat dhe legjendat. Shqyrto, për shembull, historitë e rreme që qarkullonin për Jezuin në shekujt pas vdekjes së tij. «Ungjilli i Tomasit», një ungjill apokrifal, tregon: «Kur djali Jezu ishte pesë vjeç, . . . po ecte nëpër fshat dhe një çun vrapoi dhe e qëlloi në sup. Jezuit i erdhi në majë të hundës dhe i tha: ‘Nuk do të vazhdosh më kështu.’ Dhe fëmija në moment ra e vdiq.» S’do shumë mend për ta parë këtë histori ashtu siç është në të vërtetë, si një ndodhi e shpikur. Për më tepër, fëmija i mërzitshëm e tekanjoz që përshkruhet këtu, nuk ngjan aspak me Jezuin e Biblës.—Vëre ndryshimin me Lukën 2:51, 52.
Le të shqyrtojmë tani tregimet autentike të ungjijve. Ato nuk përmbajnë ekzagjerime dhe trillime. Jezui kreu mrekulli në përgjigje të nevojave të sinqerta e jo thjesht për të kënaqur tekat e njerëzve. (Marku 10:46-52) Jezui nuk e përdori kurrë fuqinë e tij në dobi të vetes. (Mateu 4:2-4) Ai kurrë nuk e përdori atë për t’u dukur. Në fakt, kur mbreti kureshtar, Herodi, donte nga Jezui që të kryente ndonjë «mrekulli» për të, Jezui «nuk u përgjigj fare».—Luka 23:8, 9.
Mrekullitë e Jezuit janë krejtësisht të ndryshme nga veprat e iluzionistëve, magjistarëve dhe atyre që shërojnë me anë të besimit. Veprat e tij të fuqishme lavdëronin gjithmonë Perëndinë. (Gjoni 9:3; 11:1-4) Mrekullitë e tij nuk kishin të bënin me rite emocionale, joshje magjike, shfaqje madhështore, mashtrime dhe hipnotizime. Kur Jezui takoi një lypës të verbër, me emrin Bartimeu, i cili thërriste ‘Rabboni, dua që të më kthehet të parit’, Jezui thjesht i tha atij: «‘Shko, besimi yt të shëroi.’ Dhe në çast atij iu kthye të parit.»—Marku 10:46-52.
Tregimet e ungjijve tregojnë se Jezui i kreu mrekullitë e tij të fuqishme pa ndihmën e materialit skenik, efekteve speciale apo lojrave me dritë. Ato kryheshin në publik të hapur, shpesh përballë shumë dëshmitarëve okularë. (Marku 5:24-29; Luka 7:11-15) Ndryshe nga përpjekjet e shëruesve modernë me anë të besimit, përpjekjet e tij për të shëruar nuk dështuan kurrë, për shkak se disa të sëmurë nuk kishin pasur besim. Mateu 8:16 thotë: «I shëroi të gjithë të sëmurët.»
Në një libër të tij, dijetari Artur Pierson shprehet kështu për mrekullitë e Jezuit: «Numri i tyre, karakteri i menjëhershëm dhe i plotë i shërimeve të kryera prej tij, pa dështuar asnjëherë edhe në përpjekjet për të ringjallur të vdekurit, ishin në një kontrast të pafund me mrekullitë dhe çuditë e pretenduara të kësaj epoke apo të ndonjë epoke tjetër.»—“Many Infallible Proofs”: The Evidences of Christianity.
Vërtetimet botërore
Pierson ofron edhe një argument tjetër që mbështet tregimet e ungjijve, kur thotë: «Asnjë pohim i mrekullive në Shkrimet nuk është më i çuditshëm, sesa heshtja e armiqve.» Udhëheqësit hebrenj kishin arsye shumë të forta për të gjetur rastin e për ta diskretituar Jezuin. Por mrekullitë e tij ishin kaq të mirënjohura, saqë kundërshtarët nuk guxonin t’i mohonin. E gjithë ajo që mund të bënin ishte t’ia atribuonin këto mrekulli fuqive demonike. (Mateu 12:22-24) Edhe shekuj pas vdekjes së Jezuit, shkrimtarët e Talmudit hebre vazhdonin t’i atribuonin Jezuit fuqi të mrekullueshme. Sipas një libri, ata i rrinin larg si një që «ndiqte praktika magjike». (Jewish Expressions on Jesus) A do ta kishin thënë këtë në qoftë se në njëfarë mënyre do të kishin pasur mundësi të mohonin mrekullitë e Jezuit e t’i konsideronin thjesht si një mit?
Një provë tjetër vjen nga Eusebio, historian klerik i shekullit të katërt. Në një libër të tij, ai përmend njëfarë Kuadratus, i cili i dërgoi një letër perandorit Adrian në mbrojtje të krishterimit. Kuadratus shkroi: «Veprat e Shpëtimtarit tonë ishin gjithmonë të dukshme, sepse ishin të vërteta; njerëzit që ishin shëruar dhe ishin ringjallur nga të vdekurit, nuk ishin aty vetëm në momentin kur shëroheshin apo ringjalleshin, por ishin gjithmonë aty për të parë, jo vetëm kur Shpëtimtari ishte mes nesh, por edhe një kohë të gjatë pas nisjes së Tij; në fakt disa prej tyre mbijetuan deri në ditët e mia.» (The History of the Church From Christ to Costantine) Dijetari Uilliam Barklei vërejti: «Kuadratus po thotë se deri në ditët e tij, mund të paraqiteshin njerëz mbi të cilët ishin kryer mrekulli. Nëse kjo nuk do të ishte e vërtetë, s’do të kishte pasur gjë më të lehtë për qeverinë romake, sesa t’i damkosnin ato dëshmi si gënjeshtra.»
Besimi në mrekullitë e Jezuit është i arsyeshëm, racional dhe plotësisht në harmoni me provat. Por, mrekullitë e Jezuit nuk janë një histori e vdekur. Hebrenjve 13:8 na kujton: «Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë.» Po, sot ai është i gjallë në qiell, i aftë për t’i përdorur fuqitë e tij të mrekullueshme në një masë shumë më të madhe, sesa kur ishte si njeri në tokë. Për më tepër, tregimet e ungjijve lidhur me mrekullitë e tij (1) u mësojnë të krishterëve të sotëm mësime praktike, (2) zbulojnë aspekte të mrekullueshme të personalitetit të Jezuit dhe (3) tërheqin vëmendjen drejt një kohe në të ardhmen e afërt, kur do të ndodhin edhe më shumë ngjarje spektakulare!
Artikulli vijues do të përqendrohet mbi tri tregime të mirënjohura biblike, për të ilustruar këto pika.