Diplomimi i klasës së 132-të të Galaadit
Mbrojtës të së vërtetës
DATA 10 mars 2012 ishte një ditë e veçantë në qendrën e arsimimit të Dëshmitarëve të Jehovait, në Paterson, Nju-Jork. Mijëra veta të veshur hijshëm, ku përfshiheshin vizitorë nga vende të tjera, ishin mbledhur për të ndjekur diplomimin e klasës së 132-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Salla në Paterson ishte plot, kurse një pjesë u mblodh në disa godina të tjera të Bethelit dhe e pa programin me anë të televizorit. Këtë diplomim e ndoqën gjithsej 9.042 veta.
Të gjithë e prisnin me padurim këtë ngjarje. Ndryshe nga ata që e kishin ndjekur më parë shkollën misionare të Galaadit, këta të diplomuar ishin tashmë në një formë të shërbimit special të plotkohor, edhe pse nuk e kishin bërë më parë shkollën e Galaadit. Ata shërbenin si bethelitë, pionierë specialë, mbikëqyrës udhëtues ose misionarë. Çfarë do t’u thoshin këtyre studentëve me përvojë?
Auditorit s’iu desh shumë kohë për ta zbuluar. Gerrit Lëshi, pjesëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, ishte drejtues i programit dhe mbajti fjalimin e parë. Ai bëri një pyetje që të fuste në mendime: «A je mbrojtës?» Pastaj shpjegoi se të krishterët janë mbrojtës të së vërtetës, pasi mbrojnë të gjitha mësimet e krishtere. Të mbështetësh të vërtetën nuk përfshin vetëm t’ua mësosh të tjerëve, por edhe t’i ndihmosh ta duan atë.
«Si e dimë që kemi të vërtetën?»—pyeti vëlla Lëshi. Ai theksoi se këtë nuk e tregon numri i njerëzve që e pranojnë të vërtetën. Megjithëse sot e kanë pranuar adhurimin e vërtetë miliona njerëz, në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitin 33 të e.s., vetëm pak veta e pranuan. Më tej renditi pesë arsye që na bindin se kemi të vërtetën: (1) vazhdojmë të ndjekim mësimet e Jezuit, (2) e duam njëri-tjetrin, (3) u përmbahemi normave të larta morale të Perëndisë, (4) qëndrojmë asnjanës në polemikat e kësaj bote dhe (5) jemi populli që mban emrin e Perëndisë.
«Vazhdo përpara dhe bindju drejtimit»
Auditori po pyeste veten çfarë do të kishte më tej kur Xhefri Xhekson nga Trupi Udhëheqës iu afrua dalëngadalë pultit me një valixhe. Titulli i fjalimit ishte «Vazhdo përpara dhe bindju drejtimit», i cili bazohej tek Isaia 50:5. Duke folur në mënyrë profetike për Jezu Krishtin, vargu thotë: «Unë nuk kam ngritur krye e as kam shkuar në drejtim të kundërt.»
Vëlla Xheksoni i nxiti studentët të ishin të ndjeshëm ndaj drejtimit që jep Jehovai nëpërmjet frymës së shenjtë, Biblës dhe organizatës së tij. Në ilustrimin e talentave te Mateu 25:14-30, çdo skllav mori të njëjtën sasi në njëfarë kuptimi, sepse secilit iu dha sipas aftësisë. Nga ata pritej të bënin më të mirën. Zotëria i tyre i lavdëroi dy skllevër dhe i quajti ‘të mirë e të besueshëm». Të jemi të besueshëm nuk do të thotë domosdoshmërisht të kemi rezultate, por të vazhdojmë përpara dhe t’i bindemi drejtimit.
Skllavi i tretë u quajt «i lig dhe i plogësht», si edhe ‘i pavlerë’. Cili ishte problemi i tij? Ai e groposi talentën. Një talentë nuk ishte një monedhë, por njësi peshe e barabartë me 6.000 denarë dhe peshonte 20 kilogramë. Është afërsisht sa pesha e një valixheje që lejohet të mbajë një udhëtar që shkon jashtë shtetit. Të groposje diçka me përmasat e një valixheje, duheshin përpjekje. Pra, skllavi bëri diçka—e groposi talentën—por nuk ishte kjo që iu kërkua të bënte. Në mënyrë të ngjashme, një misionar mund të jetë i ngarkuar, por me çfarë? A u shkruan gjerë e gjatë miqve dhe familjes, kalon kohë në Internet, zbavitet me të tjerët ose përfshihet në biznes? Një person i tillë mund të jetë krejtësisht i rraskapitur në fund të ditës pas aktiviteve të tilla, por s’ka bërë atë që i është kërkuar. Vëlla Xheksoni përfundoi me fjalët: «Ndiqe gjithmonë drejtimin!»
«Hiqi nga mendja dyshimet»
Kjo ishte tema e fjalimit që mbajti Entoni Moris nga Trupi Udhëheqës. Ai tha: «Bibla nuk e lidh kurrë besimin me dyshimin, sikur të ishin pjesë e njëra-tjetrës. Besimi e spraps dyshimin.» Satanai ia doli të mbillte dyshime në mendjen e një gruaje të përsosur, Evës, prandaj mund të mbjellë dyshime edhe në mendjen tonë. «Ushqeje besimin dhe dyshimet do të vdesin urie»,—tha vëlla Morisi. Ai e drejtoi vëmendjen te tregimi për Pjetrin, i cili «eci mbi ujë», por më pas, kur «pa stuhinë», u frikësua dhe nisi të fundosej. Pasi Jezui shtriu dorën dhe e kapi, e pyeti: «Përse të mposhti dyshimi?!» (Mateu 14:29-31) «Si misionarë mund të jeni të ngarkuar në shërbimin e plotkohor, prandaj të tjerëve mund t’u bëjë përshtypje gjithçka që bëni, sikur të ishit duke ecur mbi ujë, por të mos ju mposhtë dyshimi kur të godasë stuhia.»
Vëlla Morisi tha më tej se, megjithëse mund të jetë e vështirë të përballohen kohët e stuhishme, në fund erërat pushojnë. Për sa u përket kohëve të vështira, ai i nxiti studentët të shqyrtonin çfarë bënë Pavli dhe Sila kur ishin të burgosur në Filipi. Te Veprat 16:25 thuhet: «Por aty nga mesi i natës, Pavli dhe Sila po luteshin dhe po lëvdonin Perëndinë me këngë. Të burgosurit po i dëgjonin.» Vini re këtë hollësi: ata jo vetëm u lutën, por kënduan. Po këndonin me zë aq të lartë, sa të burgosurit e tjerë arrinin t’i dëgjonin. Vëlla Morisi komentoi se shumica prej nesh nuk jemi këngëtarë, por s’duhet të ngurrojmë të këndojmë, veçanërisht kur kalojmë një krizë. Vëlla Morisi e përfundoi fjalimin duke lexuar titullin e këngës 135, «Të qëndrojmë deri në fund», nga libri Këndojini Jehovait.
Fjalime të tjera nxitëse
«A do të shohësh shumë ditë të bardha?» ishte titulli i fjalimit që mbajti Robert Lusioni, nga Reparti i Blerjeve. Tema ishte marrë nga fjalët e Psalmit 34:12, që i shkroi mbreti David. Fjalimi i vëlla Lusionit tregonte si t’i përballojmë ditët e vështira e në të njëjtën kohë të mbajmë një marrëdhënie të mirë me Jehovain. Tregimi në kapitullin 30 të 1 Samuelit mund të na mësojë shumë gjëra. Davidi me njerëzit e tij dhe me familjet e tyre jetuan si mërgimtarë në Ziklag kur ishin në arrati nga mbreti Saul. Kur kusarët amalekitë ua morën robër familjet, burrat ia hodhën fajin Davidit dhe donin ta vritnin me gurë. Si reagoi Davidi? Nuk e mbyti shkurajimi, por «filloi të merrte forcë me anë të Jehovait, Perëndisë së tij». (1 Samuelit 30:6) Ai pyeti Jehovain, veproi në harmoni me drejtimin e Tij dhe i çliroi robërit. Oratori i siguroi studentët se, po të besojnë te Jehovai njësoj si Davidi, dhe t’i binden drejtimit të Tij, do të shohin shumë ditë të bardha. Do ta gëzojnë jetën ndërsa kënaqen me këtë privilegj të çmuar.
«Rri zgjuar para ndërresës së rojës së natës» ishte tema e fjalimit që mbajti Majkëll Bërneti, një nga instruktorët e Shkollës së Galaadit. Izraelitët e ndanin në tri ndërresa natën nga perëndimi i diellit deri në lindjen e tij. Secila ndërresë kishte katër orë. Ndërresa e fundit, nga ora 2.00 e mëngjesit deri në 6.00, ishte më e errëta dhe më e ftohta, si edhe më e vështira të qëndroje zgjuar. Psalmisti e mbushte mendjen me thëniet e Jehovait, që të mos e zinte gjumi gjatë kësaj ndërrese të fundit. (Psalmi 119:148) Vëlla Bërneti i nxiti studentët: «Duhet të jeni syçelë. Do të kaloni ditë të errëta e shkurajuese dhe do t’i ndieni pasojat e botës së ftohtë e pa dashuri. Duhet të keni një plan veprimi.» Më pas u kujtoi se duhej të vazhdonin të studionin tema biblike të thella e të hollësishme që të qëndronin syçelë frymësisht. Vëlla Bërneti e bëri të qartë pikën: «Ju i luteni Jehovait çdo ditë sepse doni të jeni miq me të. Prandaj, lejojeni Jehovain, mikun tuaj, t’ju flasë çdo ditë përmes faqeve të Biblës. Nata është thyer, prandaj planifikoni si do t’i përdorni ditët që keni përpara, dhe kështu do të rrini zgjuar para ndërresës së rojës së natës.»
«Të stërvitur për punën përpara» ishte tema e bazuar te 1 Pjetrit 5:10, të cilën e mbajti Mark Numari, një tjetër instruktor i Galaadit. Ai i pyeti studentët: «Pse ju ftuan në Qendrën e Arsimimit Watchtower, ndonëse jeni shërbëtorë fetarë me përvojë?» Përgjigjja ishte: «Sepse ju jeni specialistë në fushën tuaj. Shumë specialistë marrin kohë nga puna dhe bëjnë specializime që të aftësohen më tepër. Gjatë pesë muajve të fundit, Jehovai ju ka bërë ‘të patundur’ dhe ‘të fortë’ nëpërmjet një studimi të thellë të Fjalës dhe nëpërmjet organizatës së tij, që të mund të mbani përgjegjësitë e rënda që ju dalin përpara. Trarët që janë të fortë nuk bëjnë bark, nuk shtrembërohen dhe nuk thyhen nga presioni. Rezultatet e stërvitjes suaj do të zbulohen teksa punoni me vëllezërit dhe motrat. A do të lejoni që presioni t’ju largojë nga parimet hyjnore apo do të qëndroni të fortë, në harmoni me atë që keni mësuar nga Fjala e Perëndisë? Diçka që është e fortë mund ta mbajë një peshë. Forca e trarëve gjendet në fibrat e ndërthurura fortësisht me njëra-tjetrën. Forca juaj përcaktohet nga fibrat më të thella brenda jush. Jehovai ju solli këtu që t’ju bëjë të fortë dhe të besueshëm për punën që keni përpara. Perëndia e ka bërë pjesën e tij, prandaj lutemi që të bëni pjesën tuaj dhe ta lejoni ‘Mësuesin tuaj të Madh’ ta çojë deri në fund stërvitjen që morët.»
Përvoja dhe intervista
Në diplomimet e Galaadit është gjithmonë kënaqësi t’i dëgjosh drejtpërdrejt studentët, siç ndodhi edhe kësaj radhe. Gjatë një pjese të programit, studentët demonstruan disa përvoja të kohëve të fundit kur kishin dhënë dëshmi. Për shembull, një çifti francez iu desh të priste gjashtë orë në një aeroport rrugës për në Shkollën e Galaadit. Në restorantin e aeroportit, morën nismën për të biseduar me dy burra që gjithashtu po pritnin avionin. Kur njëri nga burrat tha se ishte nga Malavia, çifti i foli në gjuhën çikeve. I habitur, ai i pyeti si kishte mundësi që e dinin gjuhën e tij. Ata i thanë se ishin misionarë në Malavi. Kur burri tjetër u tha se ishte nga Kameruni, çifti ia ktheu në frëngjisht, dhe kjo e habiti atë. Të dy burrat kishin shumë respekt për Dëshmitarët e Jehovait, dhe misionarët u dhanë dëshmi.
Nikolas Ahladisi nga Reparti për Mbështetjen e Përkthimit, intervistoi dy çifte studentësh. Njëri nga çiftet kishte shkuar në Australi për të nisur caktimin misionar në Timorin Lindor të rrënuar nga lufta. Çifti tjetër ishte larguar nga Koreja për të shërbyer në Hong-Kong. Të dyja çiftet mezi pritnin të ktheheshin në caktimet e tyre në vend të huaj që të vinin në zbatim mësimet e shkollës.
Pasi studentët morën diplomat, një përfaqësues i klasës lexoi një letër çmueshmërie për mësimet që kishin marrë. Më pas, vëlla Lëshi, në fjalët mbyllëse përmendi disa figura të bukura letrare. Ai tha se e vërteta është e bukur si një ylber, si një oazë në shkretëtirë dhe si një spirancë në det të stuhishëm. Ai tha: «Sa të bekuar jemi që dimë të vërtetën! Jini mbrojtës të së vërtetës dhe ndihmojini të tjerët të bëhen mbrojtës si ju.»
[Figura në faqen 31]
STATISTIKAT E KLASËS
12 vende të përfaqësuara
36 mosha mesatare
20 mesatarja e viteve si të pagëzuar
15 mesatarja e viteve në shërbimin e plotkohor
[Harta]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
Të diplomuarit u caktuan në vendet që tregohen më poshtë:
VENDET KU U CAKTUAN MISIONARËT
BELIZE
BENIN
KAMBOXHIA
KAMERUN
KEPI I GJELBËR
BREGU I FILDISHTË
REPUBLIKA DOMENIKANE
TIMORI LINDOR
EKUADOR
GABON
GJEORGJI
GUINE
HONG-KONG
LIBERI
MADAGASKAR
MALAVI
PERU
SAMOA
SAO-TOME-E-PRINCIPE
SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
ZIMBABVE
[Figura në faqen 31]
Diplomimi i klasës së 132-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit
Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.
(1) Iap, R.; Iap, J.; Ng, T.; Ng, P.; Laurino, F.; Laurino, B.; Won, S.; Won, S.
(2) Morales, N.; Morales, M.; Zanutto, J.; Zanutto, M.; Rumph, I.; Rumph, J.; Germain, D.; Germain, N.
(3) Atchadé, Y.; Atchadé, Y.; Thomas, C.; Thomas, E.; Estigène, C.; Estigène, P.
(4) Ehrman, D.; Ehrman, A.; Bray, J.; Bray, A.; Amorim, M.; Amorim, D.; Seo, Y.; Seo, Y.
(5) Simon, J.; Simon, C.; Seale, C.; Seale, D.; Erickson, J.; Erickson, R.
(6) McCluskey, D.; McCluskey, T.; Brown, A.; Brown, V.; Mariano, D.; Mariano, C.; Loyola, Y.; Loyola, C.
(7) Rutgers, P.; Rutgers, N.; Foucault, P.; Foucault, C.; Wunjah, J.; Wunjah, E.