Imitoni besimin e tyre
Ai luftoi me frikën dhe dyshimin
PJETRI u tendos mbi rremën dhe ia nguli sytë errësirës. Mos vallë ajo përflakje e vagët që pa në horizontin e lindjes, ishte shenjë se më në fund po afronte agimi? Muskujt e shpinës e të shpatullave i dhembnin nga tërë ato orë vozitje. Era që i rrihte flokët, e kishte egërsuar detin e Galilesë. Dallgët përplaseshin vazhdimisht me bashin e barkës së peshkimit dhe stërkalat e ftohta e kishin bërë qull. Megjithatë, ai vazhdonte të voziste.
Diku atje në breg, Pjetri dhe shokët e tij e kishin lënë Jezuin vetëm. Atë ditë, e kishin parë të ushqente vetëm me ca bukë e peshq mijëra të uritur. Si pasojë, njerëzit kërkuan ta bënin mbret, por Jezui nuk donte të përzihej në politikë. Gjithashtu, ishte i vendosur që as ithtarët e tij të mos zhvillonin ambicie të tilla. Si i iku turmës, ai i detyroi dishepujt të hipnin në barkë e të shkonin në bregun tjetër, ndërsa vetë u ngjit në mal që të lutej.—Marku 6:35-45; Gjoni 6:14, 15.
Kur dishepujt dolën në det, hëna, pothuajse e plotë, kishte qenë mbi kokat e tyre, kurse tani po zhytej ngadalë drejt horizontit në perëndim. Por, s’kishin arritur të bënin shumë kilometra. Mundimi, si dhe uturima e vazhdueshme e erës dhe e dallgëve, nuk i linin të bisedonin. Ka të ngjarë që Pjetri të ishte zhytur në mendime.
Sa shumë kishte për të menduar! Ai e kishte ndjekur Jezuin e Nazaretit gjatë dy viteve plot ngjarje. Kishte mësuar shumë, por kishte ende goxha për të mësuar. Gatishmëria e tij për të bërë këtë, pra për të luftuar kundër pengesave si dyshimi e frika, e bëjnë një shembull të jashtëzakonshëm për ta imituar. Le të shohim se si.
«Kemi gjetur Mesinë»
Pjetri nuk do ta harronte kurrë ditën kur takoi Jezuin e Nazaretit. Fillimisht, i vëllai, Andrea, i kishte sjellë këtë lajm mahnitës: «Kemi gjetur Mesinë.» Me këto fjalë, jeta e Pjetrit nisi të ndryshonte. Gjërat nuk do të ishin më kurrë si më parë.—Gjoni 1:41.
Pjetri jetonte në Kapernaum, një qytet në brigjet e një liqeni me ujë të ëmbël, të quajtur deti i Galilesë. Ai dhe Andrea, së bashku me Jakovin dhe Gjonin, bijtë e Zebedeut, ishin ortakë në një biznes peshkimi. Me Pjetrin jetonte jo vetëm e shoqja, por edhe vjehrra e tij, si dhe i vëllai, Andrea. Sigurisht që duhej punë e palodhur, energji dhe shkathtësi për të mbajtur këtë familje të madhe vetëm me peshkim. Mund t’i përfytyrojmë orët e gjata e të mundimshme të natës, kur burrat hidhnin rrjetat tratë mes dy barkave dhe nxirrnin çfarëdo peshku që kishte liqeni. Gjithashtu, mund t’i përfytyrojmë orët e lodhshme të ditës, ndërsa seleksiononin dhe shitnin peshqit, arnonin dhe pastronin rrjetat.
Siç na thotë Bibla, Andrea ishte dishepull i Gjon Pagëzorit. Me siguri, Pjetri i dëgjonte me interes të madh lajmet që sillte i vëllai për mesazhin e Gjonit. Një ditë, Andrea pa Gjonin të tregonte nga Jezui i Nazaretit e të thoshte: «Shihni, Qengji i Perëndisë!» Menjëherë Andrea u bë ithtar i Jezuit dhe tërë entuziazëm i dha Pjetrit këtë lajm mahnitës: kishte ardhur Mesia! (Gjoni 1:35-40) Pas rebelimit në Eden rreth 4.000 vjet më parë, Perëndia Jehova kishte premtuar se do të vinte një individ i veçantë që do t’i jepte shpresë reale njerëzimit. (Zanafilla 3:15) Andrea kishte takuar pikërisht këtë Shpëtimtar, vetë Mesinë. Edhe Pjetri nxitoi ta takonte Jezuin.
Deri atë ditë, Pjetri njihej me emrin Simon ose Simeon. Por, kur e pa, Jezui i tha: «‘Ti je Simoni, i biri i Gjonit. Ti do të quhesh Kefa’, (që përkthehet Pjetër).» (Gjoni 1:42) «Kefa» është një emër i përgjithshëm që do të thotë «gur» ose «shkëmb». Me sa duket, fjalët e Jezuit ishin profetike. Ai parashikoi se Pjetri do të bëhej si një shkëmb, domethënë një ndikim i qëndrueshëm, i fortë dhe i besueshëm tek ithtarët e Krishtit. A e shihte kështu veten Pjetri? Duket se jo. Edhe disa lexues të sotëm të tregimeve të Ungjijve, nuk shohin tek ai shumë tipare si të shkëmbit. Disa kanë thënë se dukej i paqëndrueshëm, kontradiktor dhe i lëkundur.
Natyrisht, Pjetri kishte të metat e veta. Jezui nuk ishte i verbër ndaj tyre. Por, ashtu si Ati i vet, Jezui gjithnjë kërkonte të mirën te njerëzit. Ai pa shumë potencial te Pjetri dhe u përpoq ta ndihmonte që t’i zhvillonte më tej ato cilësi të mira. Edhe sot, Jehovai dhe Biri i tij kërkojnë të mirën te ne. Ndoshta e kemi të vështirë të besojmë se do të gjejnë shumë të mira te ne. Por, duhet t’i besojmë pikëpamjes së tyre dhe të tregohemi të gatshëm që të stërvitemi e të modelohemi, ashtu si Pjetri.—1 Gjonit 3:19, 20.
«Mos ki më frikë»
Duket se Pjetri e shoqëroi Jezuin për një pjesë të udhëtimit të predikimit që pasoi. Kështu, ndoshta e pa të kryente mrekullinë e parë, duke e kthyer ujin në verë në një dasmë në Kanë. Ç’është më e rëndësishmja, dëgjoi mesazhin e mrekullueshëm e plot shpresë të Jezuit për Mbretërinë e Perëndisë. Gjithsesi, e la Jezuin dhe iu rikthye peshkimit. Por, disa muaj më vonë u gjend sërish ballë për ballë me Jezuin, i cili kësaj here i kërkoi ta ndiqte gjithë kohës, si një mënyrë jetese.
Pjetri sapo kishte kaluar një natë shkurajuese në punë. Sado që i kishin hedhur rrjetat herë pas here, i kishin ngritur bosh. Me siguri Pjetri do të ketë përdorur gjithë përvojën dhe shkathtësinë e tij për ta zgjidhur problemin, duke provuar në disa vende të liqenit, për të gjetur ku ushqeheshin peshqit. Pa dyshim, kishte raste kur, si shumë peshkatarë të tjerë, ai dëshironte të dallonte në ujërat e murrëtyera tufat e peshqve ose t’i çonte si me magji në rrjetat e tij. Por këto mendime vetëm sa do t’ia kenë shtuar zhgënjimin. Për Pjetrin ky s’ishte sport, por punë, sepse të tjerët vareshin nga peshqit që do të zinte. Së fundi, doli në breg duarbosh. Por, gjithsesi, rrjetat duheshin pastruar. Kur u afrua Jezui, ai po merrej pikërisht me rrjetat.
Pas Jezuit vinte një turmë që mezi priste të dëgjonte çdo fjalë të tij. I rrethuar prej tyre, Jezui hipi në barkën e Pjetrit, i kërkoi ta largonte pak nga toka dhe nisi ta mësonte turmën, ndërsa uji përcillte qartë zërin e tij. Ashtu si të tjerët në breg, edhe Pjetri dëgjonte me vëmendje të plotë. Nuk lodhej kurrë së dëgjuari Jezuin tek zhvillonte temën kryesore të predikimit të tij: Mbretërinë e Perëndisë. Ç’privilegj do të ishte ta ndihmoje Krishtin ta përhapte këtë mesazh shprese në gjithë vendin! Por, a do të ishte praktike? Me se do të jetonin? Ndoshta Pjetri ka menduar sërish për natën e gjatë e të pafryt që sapo kishte kaluar.—Luka 5:1-3.
Si mbaroi së foluri, Jezui i tha Pjetrit: «Shko në ujëra të thella dhe hidhini rrjetat që të zini peshk.» Pjetri ishte tërë dyshim. I tha: «Mësues, ne u robtuam gjithë natën dhe nuk kapëm gjë, por, meqë po thua ti, do t’i hedh rrjetat.» Natyrisht, gjëja e fundit që donte Pjetri ishte t’i hidhte sërish rrjetat në ujë, sidomos tani që peshqit nuk po ushqeheshin më. Gjithsesi, u bind e ndoshta u bëri me shenjë ortakëve ta ndiqnin me barkën tjetër.—Luka 5:4, 5.
Ndërsa nisën të ngrinin rrjetat, papritur Pjetri ndjeu një peshë. Mosbesues, u dha më shumë forcë krahëve dhe sakaq, pa një masë të madhe peshqish që përpëliteshin në rrjetë. Tërë vrull, u bëri shenjë burrave në barkën tjetër të vinin ta ndihmonin. Ndërkohë, shpejt u bë e qartë se vetëm një barkë nuk i mbante dot të gjithë peshqit. I mbushën të dyja barkat, por ende kishte shumë peshq, aq sa barkat nisën të zhyteshin nën peshën e tyre. Pjetri ishte jashtë mase i mahnitur. E kishte parë edhe më përpara Krishtin në veprim, por kësaj here ishte diçka tepër personale. Ai njeri mund t’i bënte edhe peshqit të hynin në rrjeta! Pjetrin e zuri frika. U gjunjëzua dhe tha: «Ik nga unë, Zotëri, sepse jam njeri mëkatar.» S’do të ishte kurrë i denjë të shoqërohej me Atë që e përdorte në këto mënyra fuqinë e Perëndisë!—Luka 5:6-9.
Me dashamirësi, Jezui ia ktheu: «Mos ki më frikë. Që tani e tutje do të zësh njerëz të gjallë.» (Luka 5:10, 11) S’ishte koha për dyshime ose për frikë. Dyshimet e Pjetrit për gjëra të tilla praktike si peshkimi, ishin pa baza; frika e tij për dobësitë që kishte e për paaftësinë e tij, po ashtu ishin pa baza. Jezui kishte një vepër të madhe për të bërë, një shërbim që do të ndryshonte rrjedhën e historisë. Ai i shërbente një Perëndie që ‘fal në masë të madhe’. (Isaia 55:7) Jehovai do të kujdesej për nevojat e tyre fizike e frymore.—Mateu 6:33.
Pjetri veproi menjëherë, siç bënë edhe Jakovi e Gjoni. «Ata i nxorën barkat në tokë, braktisën çdo gjë dhe e ndoqën.» (Luka 5:11) Pjetri tregoi besim te Jezui dhe tek Ai që e kishte dërguar. Ishte vendimi më i mirë që mund të merrte. Edhe sot, të krishterët që kapërcejnë dyshimet dhe frikën e tyre dhe ndërmarrin shërbimin ndaj Perëndisë, po tregojnë besim. Ky besim te Jehovai s’është asnjëherë i pavend.—Psalmi 22:4, 5.
«Përse të mposhti dyshimi?!»
Rreth dy vjet pasi kishte takuar Jezuin, Pjetri ndodhej në situatën e përshkruar në fillim dhe po lundronte mes asaj nate të furishme në detin e Galilesë. Natyrisht, s’kemi si ta dimë se ç’kujtime i kalonin nëpër mend. Kishte shumë të tilla. Jezui i kishte shëruar të vjehrrën. Kishte mbajtur Predikimin në Mal. Kushedi sa herë, përmes mësimit dhe veprave të fuqishme, kishte treguar se ishte i Zgjedhuri i Jehovait, Mesia. Me kalimin e muajve, të metat e Pjetrit, si prirja e tij për t’iu dorëzuar papritur frikës e dyshimit, me siguri ishin pakësuar disi. Madje Jezui e kishte zgjedhur si një nga 12 apostujt. Gjithsesi, frika e dyshimi nuk i kishin ikur ende, siç do ta mësonte shpejt.
Atë natë, gjatë ndërresës së katërt, pra diku mes orës 3.00 të mëngjesit dhe lindjes së diellit, papritur Pjetri i la rremat dhe brofi në këmbë. Atje, përgjatë dallgëve, diçka po lëvizte! Mos ishin stërkalat e dallgëve që ndriçonin në dritën e hënës? Jo, ishte diçka shumë e qëndrueshme, që rrinte drejt. Ishte një njeri! Po, një njeri që po ecte mbi sipërfaqen e detit! Ndërsa afrohej, dukej sikur po vinte pikërisht drejt tyre. Të tmerruar, dishepujt menduan mos ishte ndonjë fanitje. Figura e njeriut foli: «Merrni zemër, jam unë, mos kini frikë.» Ishte Jezui!—Mateu 14:25-28.
Pjetri u përgjigj: «Zotëri, po të jesh ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë.» Impulsi i parë e shtyu të vepronte me guxim. Tërë entuziazëm për këtë mrekulli të pashoqe, Pjetri kërkoi ta përforconte më tepër besimin e tij. Donte të ishte pjesë e asaj ngjarjeje. Me dashamirësi, Jezui e thirri. Pjetri u ngjit te buza e barkës e pastaj zbriti në sipërfaqen e detit të trazuar. E mendoni dot ndjesinë që pati ndërsa gjeti një vend të fortë ku të vinte këmbën dhe qëndroi mbi ujë? Duhet të jetë mrekulluar ndërsa ecte drejt Jezuit. Gjithsesi, shpejt i erdhi një impuls tjetër.—Mateu 14:29.
Pjetri duhej të ishte përqendruar te Jezui, pasi ai po e mbante mbi ujë, duke përdorur fuqinë e Jehovait. Jezui po e bënte këtë në përgjigje të besimit që kishte Pjetri tek ai. Por, Pjetri u shpërqendrua. Lexojmë: «Kur pa stuhinë, u frikësua.» U hodhi një sy dallgëve që përplaseshin me barkën, duke hedhur në ajër shkumë e stërkala, dhe i hyri paniku. Ndoshta përfytyroi veten duke u mbytur në atë liqen, mu aty ku ishte. Ndërsa i hipte frika në zemër, besimi i fundosej. Njeriu që ishte mbiquajtur Shkëmbi ngaqë kishte potencialin të ishte i qëndrueshëm, nisi të zhytej si një gur i rëndë, sepse iu lëkund besimi. Pjetri ishte notar i zoti, por tani nuk u mbështet te kjo aftësi. Ai thirri: «Zotëri, më shpëto!» Jezui e kapi për dore dhe e ngriti lart. Pastaj, ndërsa ishin ende mbi sipërfaqen e ujit, i dha këtë mësim të rëndësishëm: «Besëpak, përse të mposhti dyshimi?!»—Mateu 14:30, 31.
«Të mposhti dyshimi.» Sa shprehje me vend! Dyshimi mund të jetë një forcë e fuqishme e shkatërruese. Po t’i dorëzohemi atij, mund të na gërryejë besimin e të na bëjë të fundosemi frymësisht. Duhet ta luftojmë me të gjitha forcat! Si? Duke u përqendruar aty ku duhet. Po të bluajmë në mendje gjërat që na frikësojnë, që na shkurajojnë, që na shpërqendrojnë nga Jehovai e nga Biri i tij, do të na shtohen dyshimet. Po të përqendrohemi te Jehovai e te Biri i tij, te gjërat që kanë bërë, po bëjnë e do të bëjnë për ata që i duan, do t’u vëmë fre dyshimeve gërryese.
Ndërsa Pjetri ndiqte Jezuin për te barka, pa tufanin të fashitej. Një qetësi ra mbi detin e Galilesë. Pjetri dhe dishepujt e tjerë thanë: «Ti je vërtet Biri i Perëndisë!» (Mateu 14:33) Ndërsa mbi liqen nisi të agonte, me siguri Pjetrit iu mbush zemra me mirënjohje. Kishte mësuar të mos i lëshonte pe dyshimit e frikës. Natyrisht, i duhej edhe shumë punë që të bëhej ai i krishterë si shkëmb që kishte parashikuar Jezui. Por ishte i vendosur të vazhdonte të përpiqej, të vazhdonte të rritej në besim. A ke edhe ti të njëjtën vendosmëri? Do të shohësh me siguri se besimi i Pjetrit ia vlen të imitohet.
[Figura në faqet 22, 23]
Jezui pa shumë potencial te ky peshkatar i përulur
[Figura në faqen 23]
‘Zotëri, jam njeri mëkatar’
[Figura në faqet 24, 25]
«Kur pa stuhinë, u frikësua»