A do të vazhdosh të jesh besnik?
SA HARABELA ngordhën dje? Asnjeri nuk e di dhe ka mundësi që pak njerëzve t’u interesojë. Ka kaq shumë zogj! Megjithatë, Jehovait i intereson vërtet. Duke folur për këta zogj, në dukje të parëndësishëm, Jezui u tha dishepujve të tij: «Asnjë prej tyre nuk do të bjerë përtokë pa dijeninë e Atit tuaj.» Më pas shtoi: «Mos kini frikë: Ju vleni më tepër se shumë harabela.»—Mateu 10:29, 31.
Më vonë dishepujt e kuptuan edhe më mirë se sa shumë i vlerësonte Jehovai. Një prej tyre, apostulli Gjon, shkroi: «Dashuria e Perëndisë u shfaq në rastin tonë nga fakti që Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të fitonim jetën nëpërmjet tij.» (1 Gjonit 4:9) Jehovai jo vetëm që siguron shpërblesën, por i jep siguri çdo shërbëtori të tij: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.»—Hebrenjve 13:5.
Qartë, dashuria e Jehovait për popullin e tij është e qëndrueshme. Por, lind pyetja: ‘A jemi kaq të lidhur ngushtë me Jehovain sa nuk do ta braktisim kurrë?’
Përpjekjet e Satanait për të na thyer besnikërinë
Kur Jehovai e drejtoi vëmendjen e Satanait ndaj besnikërisë së Jobit, Satanai ia ktheu: «Do të të adhuronte Jobi nëse nuk kishte asnjë përfitim nga kjo gjë?» (Jobi 1:9, Today’s English Version) Ai la të kuptohej se besnikëria e njerëzve ndaj Perëndisë varej vetëm nga përfitimi që do të kishin. Sikur kjo të ishte e vërtetë, besnikëria e çdo të krishteri mund të kompromentohej nëse oferta do të ishte mjaft tunduese.
Në rastin e Jobit, në fillim Satanai pohoi se Jobi nuk do t’i qëndronte besnik Perëndisë, nëse do të humbiste zotërimet më të çmuara. (Jobi 1:10, 11) Kur ky pohim fyes nuk u vërtetua, Satanai supozoi: «Gjithçka që zotëron, njeriu është gati ta japë për jetën e tij.» (Jobi 2:4) Ndonëse pohimi i Satanait mund të jetë i vërtetë për disa njerëz, Jobi nuk pranoi të bënte kompromis me besnikërinë e tij. Dokumentimi historik e mbështet këtë. (Jobi 27:5; 42:10-17) A je edhe ti besnik në të njëjtën mënyrë? Ose a do të lejoje që Satanai të thyente besnikërinë tënde? Mendo për veten ndërsa shqyrtojmë disa të vërteta që kanë të bëjnë me çdo të krishterë.
Apostulli Pavël besonte se besnikëria e vërtetë e krishterë mund të jetë shumë e fortë. Ai shkroi: «Jam i bindur që as vdekja, as jeta . . . as gjërat e tanishme, as gjërat që kanë për të ardhur . . . as ndonjë krijim tjetër nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Krishtin Jezu, Zotërinë tonë.» (Romakëve 8:38, 39) Ne mund të kemi të njëjtën bindje nëse dashuria jonë për Jehovain është e fortë. Një dashuri e tillë është një lidhje e pathyeshme, të cilën as vdekja nuk mund ta mposhtë.
Nëse kemi një marrëdhënie të tillë me Perëndinë nuk do të pyesim kurrë: ‘A do të jem ende duke i shërbyer Jehovait edhe pas disa vjetësh?’ Një pasiguri e tillë do të tregonte se besnikëria jonë ndaj Perëndisë varet nga ajo që mund të na ndodhë gjatë jetës. Besnikëria e vërtetë nuk ndikohet nga faktorët e jashtëm. Ajo varet nga lloji i personit që jemi përbrenda. (2 Korintasve 4:16-18) Nëse e duam Jehovain me gjithë zemër, nuk do ta zhgënjejmë kurrë.—Mateu 22:37; 1 Korintasve 13:8.
Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë se Satanai përpiqet vazhdimisht që të thyejë besnikërinë tonë. Mund të na joshë që të biem pre e dëshirave të mishit, t’i dorëzohemi presionit të bashkëmoshatarëve ose të lejojmë që të braktisim të vërtetën nga ndonjë vështirësi. Bota e larguar nga Perëndia është aleati kryesor i Satanait në këtë sulm, edhe pse papërsosmëria jonë e bën më të lehtë punën e tij. (Romakëve 7:19, 20; 1 Gjonit 2:16) Sidoqoftë, ne kemi vërtet disa përparësi në këtë luftë. Një ndër më kryesoret është fakti që nuk jemi në padije të intrigave të Satanait.—2 Korintasve 2:11.
Cilat janë intrigat e Satanait? Për të na thyer besnikërinë Satanai na pengon në rrugën tonë me anë të veprave dinake. Jemi mirënjohës që mund t’i njohim këto vepra, pasi metodat e Djallit janë regjistruar për ne në Fjalën e Perëndisë. Përpjekjet e Satanait për të rrënuar besnikërinë e Jezuit dhe të Jobit tregojnë disa nga mënyrat me anë të së cilave ai përpiqet të thyejë besnikërinë tonë të krishterë.
Besnikëria e Jezuit nuk mund të thyhej
Në fillim të shërbimit të Jezuit, Satanai me paturpësi e tundoi Birin e Perëndisë, duke e sfiduar të kthente një gur në bukë. Sa dinak! Jezui nuk kishte ngrënë për 40 ditë, kështu që pa dyshim ishte shumë i uritur. (Luka 4:2, 3) Satanai i sugjeroi Jezuit që ta plotësonte menjëherë dëshirën e tij të natyrshme në një mënyrë që ishte në kundërshtim me vullnetin e Jehovait. Ngjashëm sot, propaganda e botës nxit plotësimin në çast të dëshirave, duke menduar pak ose aspak për pasojat. Mesazhi që përcillet është: ‘E meriton tani’, ose thjesht, ‘Mos e vrit mendjen, bëje!’
Nëse Jezui do ta kishte shuar urinë pa mbajtur parasysh pasojat, Satanai do të kishte pasur sukses duke bërë që Jezui të bënte kompromis me besnikërinë e tij. Jezui i pa gjërat nga ana frymore dhe me vendosmëri u përgjigj: «Është shkruar, ‘Njeriu s’duhet të jetojë vetëm me bukë.’»—Luka 4:4; Mateu 4:4.
Atëherë, Satanai ndryshoi taktikë. Duke i bërë një zbatim të gabuar shkrimeve nga të cilat po citonte Jezui, Djalli e nxiti të hidhej nga bedeni i tempullit. ‘Një engjëll do të të ruajë’,—pohoi Satanai. Por Jezui nuk kishte si qëllim të kërkonte mbrojtje hyjnore nga Ati i tij vetëm për të tërhequr vëmendjen drejt vetes. «Nuk duhet ta vësh në provë Jehovain, Perëndinë tënd»,—tha Jezui.—Mateu 4:5-7; Luka 4:9-12.
Taktika e fundit që përdori Satanai ishte më e drejtpërdrejtë. U përpoq të bënte një marrëveshje me Jezuin duke i ofruar gjithë botën dhe lavdinë e saj vetëm për një akt adhurimi. Kjo ishte pothuajse gjithçka që Satanai mund të ofronte. Por si mund të kryente Jezui një akt adhurimi përpara armikut kryesor të Atit të tij? E pamendueshme! «Jehovain, Perëndinë tënd duhet të adhurosh dhe vetëm atij duhet t’i bësh shërbim të shenjtë»,—u përgjigj Jezui.—Mateu 4:8-11; Luka 4:5-8.
Pasi ato tri përpjekje kishin dështuar, Satanai ‘u largua nga Jezui deri në një kohë tjetër të volitshme’. (Luka 4:13) Kjo gjë tregon se Satanai ishte vazhdimisht vigjilent në kërkim të mundësive të tjera për të vënë në provë besnikërinë e Jezuit. Një kohë e volitshme erdhi gati dy vjet e gjysmë më vonë, kur Jezui filloi të përgatiste dishepujt për vdekjen e tij të afërt. Apostulli Pjetër tha: «Ji i mirë me veten, Zotëri; ti nuk do të kesh aspak këtë përfundim.»—Mateu 16:21, 22.
A mund t’i dukej tërheqëse Jezuit një këshillë e tillë me qëllim të mirë, por e gabuar, pasi vinte nga njëri prej apostujve të tij? Menjëherë Jezui e kuptoi se ato fjalë pasqyronin dëshirën e Satanait, jo të Jehovait. Me vendosmëri Jezui u përgjigj: «Dil prapa meje, Satana! Ti je një gur pengese për mua, sepse nuk mendon mendimet e Perëndisë, por ato të njerëzve.»—Mateu 16:23.
Pasi gjithmonë kishte dashuri të zjarrtë për Jehovain, Satanai nuk mundi ta thyente besnikërinë e Jezuit. Asgjë që mund të ofronte Djalli, asnjë sprovë, sado e rëndë, nuk mund ta dobësonte besnikërinë e Jezuit ndaj Atit të tij qiellor. A do të kemi edhe ne një vendosmëri të tillë kur rrethanat na e bëjnë të vështirë të mbajmë besnikërinë? Shembulli i Jobit do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë sfidat që mund të hasim.
Besnikëri përballë fatkeqësive
Ashtu siç ndodhi me Jobin, fatkeqësitë mund të na ndodhin në çdo kohë. Ai ishte një burrë i martuar e i lumtur me dhjetë fëmijë dhe me një rutinë të mirë frymore. (Jobi 1:5) Por pa dijeninë e Jobit, besnikëria e tij u bë një çështje në oborrin qiellor dhe Satanai vendosi ta thyente besnikërinë e tij me çdo mënyrë që të mundte.
Shumë shpejt, Jobi humbi pasurinë materiale. (Jobi 1:14-17) Megjithëkëtë, me besnikëri e përballoi këtë sprovë, pasi nuk e kishte vënë kurrë besimin te paratë. Duke kujtuar kohën kur ishte i pasur, Jobi tha: «Në qoftë se kam pasur besim tek ari, . . . në rast se jam gëzuar sepse pasuritë e mia ishin të mëdha, . . . edhe ky do të ishte një faj . . . , sepse do të kisha mohuar Perëndinë që rri aty lart.»—Jobi 31:24, 25, 27.
Edhe sot është e mundur që papritur, në një çast të vetëm të humbasim pothuajse çdo zotërim. Një biznesmeni, i cili është Dëshmitar i Jehovait, i morën me anë të mashtrimit një shumë të madhe parash duke bërë që të ishte afër falimentimit. Me çiltërsi ai pranon: «Për pak sa s’më ra një infarkt. Në të vërtetë, mendoj se kjo gjë do të kishte ndodhur po të mos kisha një marrëdhënie me Perëndinë. Prapëseprapë, kjo përvojë më bëri të kuptoj se vlerat frymore nuk ishin në vend të parë në jetën time. Gëzimi i madh që ndieja kur fitoja para kishte prirjen të errësonte çdo gjë tjetër.» Që nga ajo kohë ky Dëshmitar e ka pakësuar në minimum aktivitetin tregtar dhe shërben rregullisht si pionier ndihmës, duke bërë 50 ose më shumë orë në muaj në shërbimin e krishterë. Megjithatë mund të ekzistojnë probleme më të mëdha sesa humbja e zotërimeve materiale.
Jobi mezi e mblodhi veten nga lajmet që kishte marrë për humbjen e pasurive, kur i dërguan fjalë se të dhjetë fëmijët i kishin vdekur. Megjithatë, ai këmbënguli: «Qoftë i bekuar emri i Zotit.» (Jobi 1:18-21) A do të vazhdojmë të jemi besnikë, nëse humbim papritur anëtarë të familjes? Fransiskoja, një mbikëqyrës i krishterë në Spanjë, humbi dy fëmijë nga një aksident i rëndë me autobus. Gjeti ngushëllim duke iu afruar më afër Jehovait dhe duke rritur shërbimin e krishterë.
Edhe pas vdekjes tragjike të fëmijëve, për Jobin sprova e rëndë nuk kishte mbaruar ende. Satanai e goditi me një sëmundje të neveritshme e të dhimbshme. Në atë çast Jobi mori një këshillë të gabuar nga bashkëshortja. «Mallko Perëndinë dhe vdis»,—e nxiti ajo. Jobi nuk i vuri veshin këshillës së saj dhe «nuk mëkatoi me buzët e tij». (Jobi 2:9, 10) Besnikëria e tij nuk varej nga mbështetja e familjes, por nga marrëdhënia e tij me Jehovain.
Flora—burri dhe djali më i madh i së cilës e braktisën udhën e krishterë më shumë se dhjetë vjet më parë—i kupton ndjenjat që mund të ketë pasur Jobi. «Kur papritur humbet mbështetjen e familjes mund të jetë tronditëse,—pranon ajo.—Por e dija se nuk do të gjeja lumturi jashtë organizatës së Jehovait. Prandaj qëndrova e palëkundur dhe e vendosa Jehovain në vend të parë ndërsa përpiqesha të isha një bashkëshorte dhe nënë e mirë. Lutesha vazhdimisht dhe Jehovai më dha forcë. Jam e lumtur, sepse me gjithë kundërshtimin e vendosur të burrit kam mësuar të mbështetem plotësisht te Jehovai.»
Dredhia tjetër e Satanait për të thyer besnikërinë e Jobit përfshinte tre nga miqtë e tij. (Jobi 2:11-13) Sa stresuese duhet të ketë qenë kur ata filluan ta kritikonin. Nëse ai do t’i kishte pranuar argumentet e tyre, do ta kishte humbur besimin te Perëndia Jehova. Këshillat e tyre shkurajuese mund ta kishin ligështuar dhe të kishin thyer besnikërinë e tij. Në këtë mënyrë plani i Satanait do të kishte pasur sukses.
Në vend të kësaj Jobi nguli këmbë: «Derisa të vdes nuk do të heq dorë nga besnikëria ime!» (Jobi 27:5, BR) Ai nuk tha: ‘Nuk do t’ju lë ju njerëz të më hiqni besnikërinë!’ Jobi e dinte se besnikëria e tij varej nga ai dhe dashuria e tij për Jehovain.
Një dredhi e vjetër për të zënë pre të tjera
Satanai i përdor ende këshillat e gabuara ose vërejtjet e pamenduara nga miqtë ose nga bashkëbesimtarët. Shkurajimi që vjen nga brenda kongregacionit mund të na e dobësojë më lehtë besimin sesa përndjekja nga jashtë tij. Një plak i krishterë, i cili më parë kishte luftuar vetë në ushtri, e krahasoi luftën me dhembjen që i shkaktuan fjalët dhe veprimet e pamenduara të disa të krishterëve. Lidhur me këto të fundit, ai tha: «Është gjëja më e vështirë që kam provuar ndonjëherë.»
Nga një këndvështrim tjetër mund të mërzitemi kaq shumë me papërsosmëritë e bashkëbesimtarëve, saqë disave nuk i flasim më ose fillojmë të humbim mbledhjet e krishtere. Qetësimi i ndjenjave të lënduara mund të duket se është gjëja më e rëndësishme. Por sa e trishtueshme do të ishte sikur të kishim një pikëpamje të tillë dritëshkurtër dhe të lejonim që marrëdhënia me Jehovain—zotërimi më i çmuar që kemi—të dobësohej nga ajo që të tjerët bëjnë ose thonë. Nëse do të lejonim të ndodhte kjo gjë, do të binim pre e një prej dredhive të lashta të Satanait.
Me të drejtë në kongregacionin e krishterë presim të gjejmë norma të larta. Por nëse presim tepër nga bashkadhuruesit tanë, të cilët janë ende të papërsosur, me siguri që do të zhgënjehemi. Nga ana tjetër Jehovai është realist në atë që pret nga shërbëtorët e tij. Nëse imitojmë shembullin e tij, do të përgatitemi të durojmë papërsosmëritë e të tjerëve. (Efesianëve 4:2, 32) Apostulli Pavël dha këtë këshillë: «Nëse jeni të zemëruar, mos lejoni që zemërimi t’ju çojë në mëkat; mos lejoni që perëndimi i diellit t’ju gjejë ende duke e ushqyer këtë zemërim; mos lini asnjë të çarë për djallin.»—Efesianëve 4:26, 27; The New English Bible.
Siç e tregon qartë Bibla, Satanai përdor shumë vepra dinake, me qëllim që të zbulojë, nëse mundet, mënyrën për të thyer besnikërinë e një të krishteri. Disa nga dredhitë e tij janë tërheqëse për mishin mëkatar, të tjerat janë burim dhembjeje. Nga shqyrtimi që kemi bërë më sipër mund të kuptosh përse nuk duhet të kapesh kurrë në befasi. Duke pasur në zemër dashuri të patundur për Perëndinë, ji i vendosur të tregosh se Djalli është një gënjeshtar dhe gëzo zemrën e Jehovait. (Fjalët e urta 27:11; Gjoni 8:44) Mos harro, besnikëria e vërtetë e krishterë nuk duhet të komprometohet kurrë, pavarësisht nga sprovat që mund të na dalin përpara.