Zgjidhi mosmarrëveshjet me frymë dashurie
«Ruani paqen me njëri-tjetrin.»—MAR. 9:50.
1, 2. Cilat përplasje mes njerëzve spikatin te libri i Zanafillës, dhe pse na intereson kjo?
A KE menduar ndonjëherë për konfliktet personale të dokumentuara në Bibël? Shiko ç’ndodh vetëm në disa nga kapitujt e parë të Zanafillës: Kaini vret Abelin (Zan. 4:3-8); Lameku vret një djalë të ri ngaqë e goditi (Zan. 4:23); çobanët e Abrahamit (Abramit) dhe të Lotit grinden (Zan. 13:5-7); Agara sheh me përbuzje Sarën (Sarajën), e cila mërzitet me Abrahamin (Zan. 16:3-6); Ismaeli ngrihet kundër të gjithëve, dhe të gjithë ngrihen kundër tij.—Zan. 16:12.
2 Pse përmenden konflikte të tilla në Bibël? Një arsye është për t’i ndihmuar njerëzit e papërsosur të kuptojnë përse duhet të ruajnë paqen. Gjithashtu na tregon mënyrën si ta bëjmë këtë. Nxjerrim dobi kur lexojmë tregime biblike për njerëz realë që luftuan me probleme reale. Shohim çfarë frytesh sollën përpjekjet e tyre, e kështu mund t’i zbatojmë mësime të tilla në situatat që ndeshim në jetë. Vërtet, e gjithë kjo na ndihmon të dallojmë çfarë duhet të bëjmë e çfarë jo kur përballemi me probleme të ngjashme.—Rom. 15:4.
3. Cilat pika do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Ky artikull shqyrton pse shërbëtorët e Jehovait duhet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet dhe si t’ia dalin mbanë. Veç kësaj, tregon disa parime biblike që mund t’i ndihmojnë të sheshojnë konfliktet e të mbajnë marrëdhënie të mira me të tjerët dhe me Perëndinë Jehova.
PSE SHËRBËTORËT E PERËNDISË DUHET T’I ZGJIDHIN MOSMARRËVESHJET
4. Cili qëndrim u përhap anekënd botës, dhe cila ka qenë pasoja?
4 Satanai është fajtori kryesor për fërkimet dhe mosmarrëveshjet mes njerëzve. Arsyetimi i tij në Eden ishte që çdo individ mund dhe duhet të vendosë ç’është e mirë dhe ç’është e keqe, i pavarur nga Perëndia. (Zan. 3:1-5) Frytet e një arsyetimi të tillë duken sheshit. Bota është plot e përplot me njerëz dhe shoqata të motivuara nga një frymë pavarësie që ushqen krenarinë, egoizmin dhe rivalitetin. Çdokush që lejon ta rrëmbejë kjo frymë, në thelb po pranon arsyetimin e Satanait se është gjë e mençur të ndjekë interesat e veta, pavarësisht si mund të ndikojë kjo te të tjerët. Kjo sjellje egoiste çon në fërkime. E bëjmë mirë të kujtojmë se «njeriu zemërak ndez grindje, dhe kush nxehet kollaj, bën shumë shkelje».—Prov. 29:22.
5. Siç na mëson Jezui, si duhet t’i sheshojmë mosmarrëveshjet?
5 Krejt ndryshe nga kjo, Jezui i mësoi njerëzit të kërkonin paqen, edhe nëse kjo dukej se ishte në dëm të interesave të tyre. Në Predikimin në Mal, Jezui dha këshilla të shkëlqyera se si t’i sheshojmë mosmarrëveshjet ose konfliktet e mundshme. Për shembull, ai i nxiste dishepujt e tij të ishin me natyrë të butë, paqebërës, të shuanin ndjenjat që ngjallnin zemërim, t’i rregullonin shpejt punët me të tjerët dhe t’i donin armiqtë.—Mat. 5:5, 9, 22, 25, 44.
6, 7. (a) Pse është e rëndësishme t’i zgjidhim pa vonesë mosmarrëveshjet? (b) Cilat pyetje duhet t’i bëjnë vetes të gjithë shërbëtorët e Jehovait?
6 Përpjekjet tona për t’i shërbyer Perëndisë—me anë të lutjeve, pjesëmarrjes në mbledhje, shërbimit dhe aspekteve të tjera të adhurimit—janë të kota nëse nuk pranojmë të bëjmë paqe me të tjerët. (Mar. 11:25) S’mund të jemi miq me Perëndinë nëse nuk jemi të gatshëm të falim të metat e të tjerëve.—Lexo Lukën 11:4; Efesianëve 4:32.
7 Çdo i krishterë duhet të mendojë me kujdes dhe sinqerisht se si është ai vetë kur bëhet fjalë për faljen dhe për marrëdhëniet paqësore me të tjerët. Pyet veten: «A i fal bujarisht bashkëbesimtarët? A kam qejf të shoqërohem me ta?» Jehovai pret që shërbëtorët e tij të jenë të gatshëm të falin. Nëse ndërgjegjja të thotë se duhet të përmirësohesh në këtë pikë, lutju Jehovait të të ndihmojë që t’i bësh këto përmirësime. Ati ynë qiellor do t’i dëgjojë dhe do t’u përgjigjet këtyre lutjeve të përulura.—1 Gjon. 5:14, 15.
A MUND TA ANASHKALOSH NJË FYERJE?
8, 9. Ç’duhet të bëjmë nëse na fyen dikush?
8 Përderisa të gjithë njerëzit janë të papërsosur, herët a vonë dikush do të thotë a do të bëjë diçka që do të të fyejë. Kjo s’ka si të shmanget. (Ekl. 7:20; Mat. 18:7) Si do të reagosh? Mendo për atë që ndodhi në situatën e mëposhtme: në një rast shoqëror ku ishin mbledhur disa Dëshmitarë, një motër përshëndeti dy vëllezër, por njërit prej tyre iu duk e pavend mënyra si i përshëndeti. Kur dy vëllezërit ishin vetëm, vëllai që u fye, nisi ta kritikonte motrën për atë që tha. Por, vëllai tjetër i kujtoi se ajo i kishte shërbyer besnikërisht Jehovait në rrethana të vështira për 40 vjet dhe ishte i sigurt se nuk e kishte me të keq. Pasi mendoi pak për këtë, vëllai i parë ia ktheu: «Ke të drejtë.» Si rrjedhojë, problemi u mbyll me aq.
9 Ç’tregon kjo përvojë? E ke vetë në dorë si do të reagosh ndaj situatave që mund të jenë lënduese. Një njeri i dashur i mbulon mëkatet e vogla. (Lexo Proverbat 10:12; 1 Pjetrit 4:8.) Jehovai e quan ‘gjë të bukur’ nga ana jote ‘të kapërcesh një shkelje’ ose një fyerje. (Prov. 19:11; Ekl. 7:9) Prandaj, pyetja e parë që duhet t’i bësh vetes kur dikush të trajton në një mënyrë që mund të duket e panjerëzishme ose pa respekt është: «A mund ta anashkaloj këtë? A ka vërtet nevojë ta bëj problem të madh?»
10. (a) Si reagoi në fillim një motër ndaj kritikave të të tjerëve? (b) Cili mendim nga Shkrimet e ndihmoi motrën të mos humbte paqen në zemër?
10 Mund të jetë e vështirë të mos e vrasim mendjen shumë për kritikat e të tjerëve. Të marrim rastin e një pioniereje, që do ta quajmë Lusi. Disa kishin bërë komente negative për shërbimin e saj dhe për mënyrën si e përdorte kohën. Tepër e lënduar, Lusi kërkoi këshilla nga vëllezër të pjekur. Ajo tregon: «Këshillat e tyre nga Shkrimet më ndihmuan të mbaja pikëpamjen e duhur për opinionin e të tjerëve dhe të përqendrohesha tek ai që ka më shumë rëndësi, te Jehovai.» Lusi mori zemër kur lexoi Mateun 6:1-4. (Lexoje.) Ai fragment i kujtoi se synimi i saj duhej të ishte të bënte të lumtur Jehovain. Ajo thotë: «Edhe nëse të tjerët bëjnë komente negative për shërbimin tim, nuk e humb gëzimin, sepse e di se po bëj më të mirën për të marrë një buzëqeshje miratimi nga Jehovai.» Pasi arriti në këtë përfundim, Lusi zgjodhi me mençuri të mos u kushtonte vëmendje komenteve negative.
KUR S’MUND T’I MBYLLËSH SYTË PARA NJË FYERJEJE
11, 12. (a) Si duhet të veprojë një i krishterë nëse mendon se një vëlla «ka diçka kundër» tij? (b) Ç’mund të mësojmë nga mënyra si e përballoi Abrahami një problem? (Shih figurën hapëse.)
11 «Të gjithë ne pengohemi shumë herë.» (Jak. 3:2) Ta zëmë se merr vesh që një vëlla është fyer nga diçka që ke thënë a ke bërë ti. Ç’duhet të bësh? Jezui tha: «Nëse ti po sjell flinë tënde në altar, dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre flinë atje, para altarit, dhe ik. Bëj më parë paqe me vëllanë tënd, dhe pastaj, kur të jesh kthyer, paraqit flinë tënde.» (Mat. 5:23, 24) Në harmoni me këshillën e Jezuit, fol me vëllanë tënd. Mos harro cili duhet të jetë synimi yt. Nuk është t’ia hedhësh fajin vëllait, por të pranosh fajin tënd dhe të bësh paqe. Paqja me bashkëbesimtarët është gjëja më e rëndësishme nga të gjitha.
12 Një tregim biblik ku shërbëtorët e Perëndisë e zgjidhën paqësisht një problem që mund t’i kishte përçarë është rasti që përmendëm më sipër për Abrahamin dhe nipin e tij, Lotin. Që të dy burrat kishin shumë bagëti dhe, me sa duket, çobanët e tyre u grindën për kullota. Abrahami donte me çdo kusht të shuante tensionet, ndaj i ofroi Lotit të zgjidhte i pari në cilën zonë do të shkonte për të banuar me familjen e vet. (Zan. 13:1, 2, 5-9) Çfarë shembulli i bukur! Abrahami kërkoi paqen, jo interesat e veta. A doli i humbur ngaqë u tregua bujar? Aspak. Fill pas ngjarjes me Lotin, Jehovai i premtoi bekime të mëdha Abrahamit. (Zan. 13:14-17) Perëndia nuk do të lejojë kurrë që shërbëtorët e tij të pësojnë humbje të përhershme ngaqë veprojnë në harmoni me parimet e tij dhe i zgjidhin mosmarrëveshjet me frymë dashurie.[1]
13. Si reagoi një mbikëqyrës ndaj fjalëve të ashpra, dhe ç’mund të mësojmë nga shembulli i tij?
13 Të shohim një situatë në kohën tonë. Mbikëqyrësi i ri i një reparti në kongres i telefonoi një vëllai për ta pyetur nëse mund të punonte si vullnetar, por vëllai bëri disa komente therëse dhe e mbylli telefonin. Ishte lënduar nga marrëdhëniet me mbikëqyrësin e mëparshëm dhe ushqente mëri. Mbikëqyrësi i ri nuk u ofendua nga ai shpërthim mllefi, por as nuk mund ta shpërfillte. Një orë më vonë, e mori prapë në telefon dhe i tha se, meqë s’ishin takuar asnjëherë, mund të uleshin e t’i zgjidhnin bashkë problemet. Kështu u takuan pas një jave në një Sallë Mbretërie. Pasi u lutën, ata biseduan për një orë, dhe vëllai tregoi historinë e tij. Mbikëqyrësi e dëgjoi me mirëdashje, pastaj i tregoi disa mendime nga Shkrimet dhe dy vëllezërit u ndanë miqësisht. Pas kësaj, vëllai shërbeu si vullnetar në kongres dhe tani shpreh mirënjohjen që mbikëqyrësi u tregua i qetë e i dhembshur në rastin e tij.
A DUHET T’I PËRFSHISH PLEQTË?
14, 15. (a) Kur duhet ta zbatojmë këshillën e Mateut 18:15-17? (b) Cilët janë tre hapat që përmendi Jezui, dhe çfarë synimi duhet të kemi kur i ndjekim?
14 Shumica e mosmarrëveshjeve mes të krishterëve mund dhe duhet të zgjidhen privatisht nga individët e përfshirë. Megjithatë, Jezui tha se disa situata mund të kërkojnë që të përfshihet kongregacioni. (Lexo Mateun 18:15-17.) Cili do të ishte përfundimi nëse fajtori nuk do të pranonte ta dëgjonte as vëllanë e tij, as dëshmitarët dhe as kongregacionin? Duhej trajtuar «tamam si një njeri nga bota dhe si një taksambledhës». Ose, siç do të shpreheshim sot, duhej përjashtuar. Përderisa flitej për një hap kaq serioz, atëherë ‘mëkati’ nuk ishte një mosmarrëveshje e vogël. Përkundrazi, ishte (1) një mëkat që mund të zgjidhej mes individëve të përfshirë, por ishte edhe (2) një mëkat aq serioz sa, po të mos zgjidhej, meritonte përjashtimin. Mëkate të tilla mund të përfshinin njëfarë mashtrimi ose dëmtimin e emrit të mirë të dikujt me anë të shpifjes. Tre hapat që tregoi Jezui zbatohen vetëm atëherë kur ekzistojnë këto kushte. Megjithatë, këtu nuk bëhej fjalë për një mëkat të tillë, si kurorëshkelja, homoseksualizmi, apostazia, idhujtaria ose ndonjë mëkat tjetër të rëndë që duhej trajtuar pa diskutim nga pleqtë e kongregacionit.
15 Synimi i këshillës së Jezuit është që vëllai të ndihmohet me frymë dashurie. (Mat. 18:12-14) Së pari, duhen bërë përpjekje që problemi të zgjidhet pa përfshirë të tjerët. Mund të jetë e nevojshme të arsyetohet më shumë se një herë me mëkatarin. Nëse nuk arrihet gjë nga kjo, fol me fajtorin në prani të atyre që janë dëshmitarë të keqbërjes ose të të tjerëve që mund të ndihmojnë të përcaktohet në është kryer vërtet një mëkat. Nëse ia del ta zgjidhësh problemin me ndihmën e tyre, ‘do ta kesh fituar vëllanë tënd’. Duhet të flasësh me pleqtë për këtë çështje vetëm pasi je përpjekur mjaft herë dhe nuk e ke ndihmuar dot fajtorin.
16. Ç’gjë tregon se është praktike dhe e dashur të ndjekim këshillën e Jezuit?
16 Janë të rralla rastet kur vëllezërve u duhet t’i bëjnë që të tre hapat e treguar te Mateu 18:15-17. Kjo është inkurajuese, se do të thotë që zakonisht gjendet një zgjidhje para se situata të arrijë deri në pikën ku një mëkatar i papenduar duhet përjashtuar nga kongregacioni. Shpesh fajtori e kupton gabimin dhe i ndreq gjërat. Ai që është lënduar mund të shohë se nuk ka më arsye reale për ta fajësuar dhe mund të zgjedhë ta falë. Sido që të jetë, fjalët e Jezuit tregojnë se nuk duhet të nxitojmë ta përfshijmë kongregacionin kur kemi mosmarrëveshje. Pleqtë mund të ndërhyjnë vetëm nëse janë bërë dy hapat e parë dhe nëse mund të sillen prova të forta për të treguar qartë çfarë ka ndodhur.
17. Çfarë bekimesh do të shijojmë kur ‘kërkojmë paqen’ me të tjerët?
17 Për sa kohë të zgjatë ky sistem, do të jemi të papërsosur dhe do të vazhdojmë t’i fyejmë të tjerët. Dishepulli Jakov shkroi me të drejtë: «Nëse dikush nuk pengohet në fjalë, është njeri i përsosur, i zoti t’i vërë fre edhe gjithë trupit.» (Jak. 3:2) Për të zgjidhur mosmarrëveshjet, duhet të bëjmë çmos ‘të kërkojmë paqen dhe ta ndjekim’. (Psal. 34:14) Si paqebërës, do të gëzojmë marrëdhënie të mira me bashkëbesimtarët dhe do të nxitim unitetin në kongregacion. (Psal. 133:1-3) Mbi të gjitha, do të kemi një marrëdhënie të mirë me Jehovain, ‘Perëndinë që jep paqe’. (Rom. 15:33) Bekime të tilla i shijojnë ata që i zgjidhin mosmarrëveshjet me frymë dashurie.
^ [1] (paragrafi 12) Disa të tjerë që i zgjidhën problemet paqësisht janë: Jakobi ndaj Esaut (Zan. 27:41-45; 33:1-11); Jozefi ndaj vëllezërve të tij (Zan. 45:1-15) dhe Gideoni ndaj efraimitëve (Gjyk. 8:1-3). Mbase mund të të vijnë në mend shembuj të tjerë të ngjashëm nga Bibla.