JAKOVI
[ekuivalenti në shqip i emrit hebraik Jakob që do të thotë «një që kap thembrën; një që i zë vendin»].
1. I ati i apostullit Judë (jo i Judë Iskariotit).—Lu 6:16; Ve 1:13.
2. Bir i Zebedeut; vëllai i Gjonit dhe një nga 12 apostujt e Jezu Krishtit. (Mt 10:2) Duket se e ëma ishte Saloma, siç mund të vërehet duke krahasuar dy tregimet që flasin për të njëjtën ngjarje. Në njërin quhet «nëna e bijve të Zebedeut», kurse në tjetrin «Saloma». (Mt 27:55, 56; Mr 15:40, 41; shih SALOMA nr. 1.) Një krahasim tjetër me Gjonin 19:25 mund të tregojë se Saloma ishte motra e Marisë, nënës së Jezuit. Nëse është kështu, i bie që Jakovi të ketë qenë kushëriri i parë i Jezuit.
Në vitin 30 të e.s., Jakovi dhe i vëllai ishin duke peshkuar me të atin kur Jezui i ftoi bashkë me ortakët e tyre, Pjetrin dhe Andrean, që të bëheshin dishepuj të tij dhe «peshkatarë njerëzish». Jakovi dhe Gjoni iu përgjigjën ftesës së Jezuit. Ata lanë aktivitetin e peshkimit që e drejtonin bashkë me Pjetrin e Andrean dhe që ishte aq i madh sa për të punësuar mëditës.—Mt 4:18-22; Mr 1:19, 20; Lu 5:7-10.
Një vit më vonë, në vitin 31 të e.s., kur Jezui zgjodhi si apostuj 12 nga dishepujt e tij, Jakovi ishte një ndër ta.—Mr 3:13-19; Lu 6:12-16.
Shpesh Pjetri, Jakovi dhe Gjoni janë përmendur bashkë në shoqëri të ngushtë me Krishtin. Për shembull, këta të tre ishin të vetmit që panë shpërfytyrimin e Krishtit në mal (Mt 17:1, 2), të vetmit apostuj që hynë bashkë me Jezuin në shtëpinë e Jairit për të parë ringjalljen e vajzës së tij (Lu 8:51) dhe ata që ishin më afër Jezuit në Getsemani kur po lutej natën e fundit (Mr 14:32-34). Pjetri, Jakovi dhe Gjoni, bashkë me Andrean, pyetën Jezuin se kur do të ndodhte shkatërrimi i parathënë i tempullit të Jerusalemit dhe cila do të ishte shenja e pranisë së tij dhe e përfundimit të sistemit. (Mr 13:3, 4) Jakovi përmendet gjithmonë me të vëllanë, Gjonin, dhe në të shumtën e rasteve përmendet i pari. Kjo mund të tregojë se ishte më i madhi nga të dy.—Mt 4:21; 10:2; 17:1; Mr 1:19, 29; 3:17; 5:37; 9:2; 10:35, 41; 13:3; 14:33; Lu 5:10; 6:14; 8:51; 9:28, 54; Ve 1:13.
Jakovin dhe të vëllanë, Jezui i quajti Boanerges, term aramaik që do të thotë «bij të bubullimës» (Mr 3:17), ndoshta për shkak të natyrës së tyre energjike, të gjallë dhe entuziaste. Për shembull, në një rast, kur disa samaritanë nuk i treguan mikpritje Jezuit, Jakovi dhe Gjoni deshën të binte zjarr nga qielli për t’i shfarosur. Megjithëse Jezui i qortoi për këtë frymë hakmarrjeje, qëndrimi i tyre tregonte indinjatë me vend dhe besim. (Lu 9:51-55) Gjithashtu, ata lakmonin pozitat më të rëndësishme në Mbretëri, në të djathtë e në të majtë të Jezuit, dhe me sa duket nxitën të ëmën (ndoshta tezen e Jezuit) për t’i kërkuar këtë nder. Pasi shpjegoi se këto vendime i takonin Atit, Jezui përfitoi nga rasti të tregonte se ‘kushdo që dëshironte të ishte i pari ndër ta, duhej të ishte skllavi i tyre’.—Mt 20:20-28.
Duket se Jakovi vdiq në vitin 44 të e.s. Herod Agripa I e ekzekutoi me shpatë. Ai ishte i pari nga 12 apostujt që vdiq si martir.—Ve 12:1-3.
3. Një tjetër apostull i Jezu Krishtit dhe bir i Alfeut. (Mt 10:2, 3; Mr 3:18; Lu 6:15; Ve 1:13) Në përgjithësi mendohet se Alfeu ishte Klopa dhe ka shumë mundësi të ketë qenë kështu. Kjo do të thotë se nëna e Jakovit ishte Maria, ajo që quhej «nëna e Jakovit të Vogël dhe e Jozeut». (Gjo 19:25; Mr 15:40; Mt 27:56) Mund ta kenë quajtur Jakovi i Vogël meqë ishte më shtatvogël ose më i ri në moshë se apostulli tjetër me emrin Jakov, biri i Zebedeut.
4. Bir i Jozefit e i Marisë dhe gjysmëvëlla i Jezuit. (Mr 6:3; Ga 1:19) Megjithëse nuk ishte apostull, duket qartë se ai ishte një mbikëqyrës i kongregacionit të krishterë në Jerusalem (Ve 12:17) dhe shkrimtari i librit biblik që mban emrin e tij. (Jk 1:1) Mund të ketë qenë më i madhi pas Jezuit, pasi përmendet i pari nga katër bijtë e Marisë: Jakovi, Jozefi, Simoni dhe Juda. (Mt 13:55; shih VËLLAI.) Në letrën që u çoi korintasve, rreth vitit 55 të e.s., Pavli lë të kuptohet se Jakovi ishte i martuar.—1Ko 9:5.
Duket se gjatë shërbimit të Jezuit, Jakovi e njihte mirë aktivitetin e të vëllait (Lu 8:19; Gjo 2:12), por, megjithëse nuk e kundërshtonte, s’ishte as dishepull, as ithtar i Krishtit. (Mt 12:46-50; Gjo 7:5) Ai mund të ketë qenë me vëllezërit e tij jobesimtarë kur e nxitën Jezuin të shkonte pa frikë në festën e Tabernakujve, në një kohë kur krerët e judenjve po e kërkonin për ta vrarë. (Gjo 7:1-10) Jakovi mund të ketë qenë një nga të afërmit që thanë për Jezuin: «Ai ka luajtur mendsh.»—Mr 3:21.
Megjithatë, pas vdekjes së Jezuit dhe para festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., Jakovi ishte bashkë me të ëmën, vëllezërit dhe apostujt në dhomën e sipërme të një shtëpie në Jerusalem për t’u lutur. (Ve 1:13, 14) Siç tregohet te 1 Korintasve 15:7, me sa duket këtij Jakovi iu shfaq Jezui i ringjallur. Pikërisht kjo e bindi atë që dikur s’kishte besuar se Jezui ishte vërtet Mesia. Kjo na kujton rastin kur Jezui iu shfaq Pavlit.—Ve 9:3-5.
Më pas, Jakovi luajti një rol të rëndësishëm në kongregacionin e Jerusalemit dhe, me sa duket, u bë «apostull». (Shih APOSTULL [Apostuj të kongregacioneve].) Kështu, kur shkoi për herë të parë te vëllezërit në Jerusalem (rreth vitit 36 të e.s.), Pavli tha se kaloi 15 ditë me Pjetrin, por ‘nuk pa asnjë apostull tjetër, përveç Jakovit, vëllait të Zotërisë’. (Ga 1:18, 19) Pasi u lirua nga burgu me anë të një mrekullie, Pjetri nënvizoi rolin e rëndësishëm të Jakovit duke i porositur vëllezërit në shtëpinë e Gjon Markut: «Tregojuani këto Jakovit dhe vëllezërve.» (Ve 12:12, 17) Rreth vitit 49 të e.s., çështja e rrethprerjes doli para ‘apostujve dhe pleqve’ në Jerusalem. Pasi dëshmuan Pjetri, Barnaba dhe Pavli, Jakovi mori fjalën dhe propozoi një vendim që e miratuan dhe e përqafuan të gjithë të pranishmit. (Ve 15:6-29; krahaso Ve 16:4.) Duke iu referuar këtij rasti, Pavli tha se mes të krishterëve në Jerusalem Jakovi, Kefa dhe Gjoni ishin «pranuar si shtylla të kongregacionit». (Ga 2:1-9) Në fund të udhëtimit të mëvonshëm misionar, Pavli raportoi për shërbimin e tij para Jakovit dhe ‘gjithë pleqve’ në Jerusalem, e ata i dhanë disa këshilla.—Ve 21:15-26; shih edhe Ga 2:11-14.
Fillimi i letrës së Jakovit duket se tregon që këtë libër e shkroi pikërisht ky ‘vëlla i Jezuit’ dhe jo ndonjë nga apostujt me të njëjtin emër (si për shembull biri i Zebedeut ose biri i Alfeut). Shkrimtari paraqitet si «skllav i Perëndisë dhe i Zotërisë Jezu Krisht» dhe jo si apostull. Edhe vëllai i tij, Juda, paraqitet si «skllav i Jezu Krishtit, por vëlla i Jakovit». (Jk 1:1; Jd 1) Me përulësi, të dy vëllezërit nuk e identifikuan veten si vëllezër të Zotërisë Jezu Krisht.
Sipas disa traditave, ai është quajtur «Jakovi i Drejtë» për shkak të mënyrës së jetesës. Shkrimet nuk flasin për vdekjen e Jakovit. Megjithatë, historiani Jozef Flavi thotë se nga vdekja e guvernator Festit, rreth vitit 62 të e.s., deri te mbërritja e pasuesit të tij, Albinit, kryeprifti Anani (Anania), «mblodhi gjykatësit e Sinedrit dhe nxori para tyre një burrë me emrin Jakov, vëllanë e Jezuit që quhej Krisht, bashkë me disa të tjerë. Ai i akuzoi për shkelje të ligjit dhe i vrau me gurë».—Antikitete judaike, XX, 200 (ix, 1).