VËLLAI
Djali kundrejt fëmijëve të tjerë që kanë njërin ose të dy prindërit të njëjtë; në hebraisht ʼah, kurse në greqisht adelfós. Bibla përmend disa vëllezër që kishin të njëjtin baba dhe të njëjtën nënë, si Kainin dhe Abelin, djemtë e Adamit dhe të Evës (Zn 4:1, 2; 1Gjo 3:12); Jakobin dhe Esaun, djemtë binjakë të Isakut dhe të Rebekës (Zn 25:24-26); Jakovin dhe Gjonin, djemtë e Zebedeut dhe të gruas së tij (Mt 4:21; 27:56; krahaso Gjy 8:19). Moisiu dhe Aaroni ishin vëllezërit e Miriamit (Nu 26:59); Lazari ishte vëllai i Martës dhe i Marisë. (Gjo 11:1, 19) Termi «vëllezër» përcakton edhe gjysmëvëllezërit, ata me baba të njëjtë, por me nënë tjetër, si në rastin e 12 bijve të Jakobit që lindën nga katër gra të ndryshme (Zn 35:22-26; 37:4; 42:3, 4, 13); përdoret edhe për fëmijë me nënë të njëjtë, por me etër të ndryshëm, siç ishin Jezui dhe vëllezërit e tij, si dhe, ndoshta, Davidi e motrat e tij.—Mt 13:55; 1Kr 2:13-16; 2Sa 17:25; shih «Vëllezërit e Jezuit» më poshtë.
Sidoqoftë, termi «vëlla» nuk kufizohej vetëm me lidhjet e ngushta të gjakut. Për shembull, Abrahami dhe Labani i quajtën vëllezër nipërit e tyre, përkatësisht Lotin dhe Jakobin. (Zn 11:27; 13:8; 14:14, 16; 29:10, 12, 15; krahaso Le 10:4.) Në Izrael, anëtarët e të njëjtit fis kishin marrëdhënie vëllazërore mes tyre (2Sa 19:12, 13; Nu 8:26) dhe, në kuptimin më të gjerë, të gjithë ata që ishin pjesë e kombit të Izraelit ishin vëllezër, përderisa ishin pasardhës të një ati të përbashkët, Jakobit, dhe të bashkuar në adhurimin e të njëjtit Perëndi, Jehovait. (Da 2:11; Lp 15:12; Mt 5:47; Ve 3:17, 22; 7:23; Ro 9:3) Edhe edomitët u quajtën vëllezër të Izraelit meqë ishin pasardhës të Abrahamit nga Esau, vëllai binjak i Jakobit. (Nu 20:14) Mbretëritë e bashkuara sërish të Judës dhe të Izraelit u quajtën ‘vëllazëri’ (heb., ʼahaváh).—Za 11:14.
Termi «vëlla» përdoret edhe për individë që i bashkon një kauzë e përbashkët dhe kanë synime e qëllime të ngjashme. Për shembull, Hirami, mbreti i Tirit, e quajti vëlla mbretin Solomon, jo thjesht ngaqë ishte i barabartë me të në rang e pozitë, por ndoshta edhe sepse kishin interesa reciproke në sigurimin e lëndës drusore dhe të materialeve të tjera për tempullin. (1Mb 9:13; 5:1-12) «Ja, sa mirë dhe sa bukur është që vëllezërit të banojnë së bashku në unitet!»—shkroi Davidi, duke treguar se nuk mjaftojnë vetëm lidhjet e gjakut që vëllezërit të kenë paqe e unitet. (Ps 133:1) Faktikisht, Davidi u nxit ta quante Jonatanin «vëllai im» jo nga prejardhja e përbashkët, por nga përzemërsia për njëri-tjetrin dhe interesat e përbashkëta. (2Sa 1:26) Shokët që kanë natyrë e prirje të ngjashme, qoftë edhe të këqija, janë quajtur me të drejtë vëllezër.—Pr 18:9.
Në shoqërinë patriarkale dhe në Ligjin e Moisiut vëllezërit e një gjaku kishin disa privilegje e detyrime. Kur vdiste babai, vëllai më i madh, i parëlinduri, merrte dy pjesë nga trashëgimia e familjes dhe kishte përgjegjësinë të vepronte si kreu i familjes. Vëllai ishte i pari që kishte të drejtën e riblerjes, që duhej të plotësonte detyrën që i takonte kunatit dhe të merrte gjakun. (Le 25:48, 49; Lp 25:5) Ligji i Moisiut e ndalonte rreptësisht incestin mes vëllait e motrës.—Le 18:9; Lp 27:22.
Pjesëtarët e kongregacionit të krishterë gëzojnë mes tyre një marrëdhënie frymore të ngjashme me marrëdhëniet që kanë vëllezërit. Jezui i quajti vëllezër dishepujt e tij. (Mt 25:40; 28:10; Gjo 20:17) Ai e theksoi me forcë këtë marrëdhënie kur tha: «Vëllai im dhe motra e nëna ime është kushdo që bën vullnetin e Atit tim.» (Mt 12:48-50) Pra, të afërmit e gjakut nuk duhet t’i duam më shumë se Krishtin dhe mund të ketë disa rrethana kur një i krishterë mund të jetë i detyruar të presë lidhjet me të afërmit për hir të Krishtit. (Mt 10:37; 19:29; Lu 14:26) Në fakt mund të ndodhë që vëllai të dorëzojë vëllanë që ta vrasin. (Mr 13:12) Termi «vëlla» nuk përfshin vetëm dishepujt e ngushtë të Jezuit, por gjithë kongregacionin e besimtarëve (Mt 23:8; He 2:17), «gjithë vëllazërinë» që ‘jep dëshmi për Jezuin’. (1Pj 2:17; 5:9; Zb 19:10) Kjo vëllazëri frymore tregon «dashuri vëllazërore» në masën më të plotë.—Ro 12:10; He 13:1.
Në festën e Ditës së Pesëdhjetë, Pjetri i quajti «vëllezër» të gjithë ata që kishin ardhur nga vende të largëta, përfshirë edhe prozelitët. (Ve 2:8-10, 29, 37) Edhe pse disa herë të krishterët meshkuj thirreshin «vëllezër» dhe femrat «motra» (1Ko 7:14, 15), në përgjithësi termi «vëllezër» përdorej për t’iu drejtuar grupeve ku nuk kishte vetëm meshkuj, por edhe femra. (Ve 1:15; Ro 1:13; 1Se 1:4) Me përjashtim të letrave të Titit, të 2 Gjonit dhe të Judës, ky term është përdorur në këtë kuptim në të gjitha letrat e frymëzuara të krishtere dhe në veprat e shkrimtarëve të hershëm të kishës. Apostujt i paralajmëruan të krishterët të ruheshin nga ‘vëllezërit e rremë’ që ishin futur nëpër kongregacione.—2Ko 11:26; Ga 2:4.
Vëllezërit e Jezuit. Katër ungjijtë, Veprat e apostujve dhe dy nga letrat e Pavlit përmbajnë shprehje, si «vëllezërit e Zotërisë», «vëllait të Zotërisë», «vëllezërit e tij», «motrat e tij» dhe japin emrat e katër ‘vëllezërve’: Jakovit, Jozefit, Simonit dhe Judës. (Mt 12:46; 13:55, 56; Mr 3:31; Lu 8:19; Gjo 2:12; Ve 1:14; 1Ko 9:5; Ga 1:19) Shumica e studiuesve të Biblës i pranojnë provat plotësuese që tregojnë se Jezui kishte së paku katër vëllezër e dy motra, të gjithë të lindur në mënyrë të natyrshme nga Jozefi e Maria, pas lindjes së Jezuit me anë të një mrekullie.
Idetë e pabaza se këta vëllezër të Jezuit ishin bij të Jozefit nga një martesë e mëparshme apo nga një martesë me kunatën e tij, sipas ligjit të martesës me kunatin, duhen parë thjesht si trillime. Në Shkrimet e Shenjta nuk ka asnjë fakt për këtë, madje nuk lihet vend për asnjë hamendje të tillë. Pretendimi se termi «vëlla» (adelfós) në këto vargje do të thotë «kushëri» (anepsiós) është një teori spekuluese që mendohet se e ka nxjerrë Jeronimi dhe daton jo më herët se viti 383 i e.s. Jeronimi jo vetëm që nuk citon asnjë burim që të mbështetë hipotezën e tij të re, por në shkrimet e mëvonshme tregohet i lëkundur e madje shpreh disa dyshime për «teorinë e kushërinjve». Xh. B. Lajtfuti thotë se «shën Jeronimi nuk i drejtohet asnjë autoriteti tradicional për të mbështetur teorinë e tij, prandaj provat në favor të saj duhen kërkuar vetëm te Shkrimet. Unë i kam shqyrtuar dëshmitë biblike dhe . . . vështirësitë e shumta . . . vetëm sa u kundërvihen argumenteve dytësore që janë në favor të saj e, në fakt, duhet të na bëjnë ta hedhim poshtë».—St. Paul’s Epistle to the Galatians, Londër, 1874, f. 258.
Në Shkrimet Greke, në ato tregime ku flitet për ndonjë nip a kushëri, nuk përdoret fjala adelfós. Përkundrazi, lloji i lidhjes shpjegohet me shprehje, si «djali i motrës së Pavlit» ose «Marku, kushëriri [anepsiós] i Barnabës». (Ve 23:16; Kl 4:10) Te Luka 21:16 përdoren të dyja fjalët greke, siggenón (farefisi, si kushërinjtë) dhe adelfón (vëllezërit), dhe kjo tregon se në Shkrimet Greke këta terma nuk përdoren vend e pa vend apo pa dallim.
Gjatë shërbimit të Jezuit, «vëllezërit e tij nuk tregonin besim tek ai» dhe kjo e përjashton mundësinë që të ishin vëllezërit e tij në kuptimin frymor. (Gjo 7:3-5) Jezui vetë bëri dallimin mes vëllezërve të gjakut dhe dishepujve, të cilët besonin tek ai dhe ishin vëllezërit e tij frymorë. (Mt 12:46-50; Mr 3:31-35; Lu 8:19-21) Pikërisht kjo mungesë besimi nga ana e vëllezërve të vet nuk na lejon t’i identifikojmë si apostujt që mbanin të njëjtët emra, pra, Jakovi, Simoni dhe Juda; ata dallohen kryekëput nga dishepujt e Jezuit.—Gjo 2:12.
Edhe marrëdhënia që kishin vëllezërit e gjakut të Jezuit me Marinë, nënën e tij, tregon se ata ishin fëmijë të saj dhe jo farefis më i largët. Zakonisht, ata përmenden bashkë me të. Po kështu, pohime të tilla, si Jezui ishte ‘i parëlinduri’ i Marisë (Lu 2:7) apo Jozefi «nuk pati marrëdhënie seksuale me të, derisa ajo lindi një djalë», mbështetin mendimin se Jozefi dhe Maria patën edhe fëmijë të tjerë. (Mt 1:25) Edhe fqinjët e tij nazareas e pranuan se Jezui ishte «vëllai i Jakovit, i Jozefit, i Judës dhe i Simonit», e pastaj shtuan: «Po motrat e tij, a nuk janë këtu me ne?»—Mr 6:3.
Nën dritën e këtyre shkrimeve, lind pyetja: përse, atëherë, Jezui pak para se të vdiste e la të ëmën, Marinë, nën kujdesin e apostullit Gjon e jo të vëllezërve të gjakut? (Gjo 19:26, 27) Me sa duket, sepse kushëriri i tij, apostulli Gjon, kishte treguar se kishte besim, ishte dishepulli që Jezui e donte shumë dhe kjo marrëdhënie frymore e tejkalonte atë njerëzore; në fakt, nuk ka ndonjë provë që të tregojë se deri në atë kohë vëllezërit e Jezuit ishin edhe dishepuj të tij.
Pas ringjalljes së Jezuit, vëllezërit e tij e ndryshuan qëndrimin e tyre dyshues, sepse, pasi Jezui u ngjit në qiell, ishin të pranishëm bashkë me nënën e tyre dhe apostujt për t’u lutur. (Ve 1:14) Kjo të bën të mendosh se ata ishin të pranishëm edhe kur u derdh fryma e shenjtë në festën e Ditës së Pesëdhjetë. Vëllai i Jezuit, Jakovi, që pati një rol të spikatshëm mes pleqve të trupit udhëheqës në Jerusalem, shkroi letrën që mban emrin e tij. (Ve 12:17; 15:13; 21:18; Ga 1:19; Jk 1:1) Vëllai i Jezuit, Juda, shkroi letrën që mban emrin e tij. (Jd 1, 17) Pavli tregon se të paktën disa nga vëllezërit e Jezuit ishin të martuar.—1Ko 9:5.