Perëndia dhe Cezari
«I jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë.»—LUKA 20:25.
1. (a) Cila është pozita e lartësuar e Jehovait? (b) Për ç’gjë i detyrohemi Jehovait, të cilën nuk mund t’ia japim kurrë Cezarit?
KUR Jezu Krishti dha këtë udhëzim, në mendjen e tij nuk kishte asnjë pikë dyshimi se kërkesat e Perëndisë për shërbëtorët e Tij kanë përparësi mbi çdo gjë që Cezari apo shteti mund të kërkojë prej tyre. Jezui e dinte më mirë se kushdo vërtetësinë e lutjes së psalmistit drejtuar Jehovait: «Mbretëria jote është një mbretëri përjetë dhe sundimi [sovraniteti]a yt vazhdon brez pas brezi.» (Psalmi 145:13) Kur Djalli i ofroi Jezuit autoritet mbi të gjitha mbretëritë e tokës së banuar, Jezui u përgjigj: «Është shkruar: ‘Jehovai është Perëndia yt, që duhet të adhurosh dhe vetëm atij duhet t’i kushtosh shërbim të shenjtë.’» (Luka 4:5-8, BR) Adhurimi nuk duhet t’i jepet kurrë «Cezarit», edhe nëse Cezari është perandori romak, ndonjë qeveritar tjetër njerëzor apo shteti vetë.
2. (a) Cila është pozita e Satanait në lidhje me këtë botë? (b) Kush ka lejuar që Satanai të mbajë pozitën e tij?
2 Jezui nuk e mohoi që mbretëritë e botës i përkisnin Satanait. Më vonë, ai e quajti Satanain «sundimtari i kësaj bote». (Gjoni 12:31; 16:11, BR) Nga fundi i shekullit të parë të e.s., apostulli Gjon shkroi: «Ne dimë se jemi nga Perëndia dhe se gjithë bota dergjet në ligësi.» (1. Gjonit 5:19) Kjo nuk do të thotë që Jehovai ka hequr dorë nga sovraniteti i tij mbi tokën. Mos harro se kur i ofroi Jezuit sundimin mbi mbretëritë politike, Satanai tha: «Unë do të të jap gjithë pushtetin . . . sepse m’u dha mua.» (Luka 4:6) Satanai ushtron autoritet mbi mbretëritë e botës, vetëm sepse Perëndia e ka lejuar.
3. (a) Çfarë pozite kanë qeveritë e kombeve para Jehovait? (b) Në ç’mënyrë mund të themi se nënshtrimi ndaj qeverive të kësaj bote nuk do të thotë se i jemi nënshtruar Satanait, perëndisë së kësaj bote?
3 Në mënyrë të ngjashme, shteti ushtron autoritetin e tij, vetëm sepse Perëndia si Sundimtar Sovran, ia ka lejuar këtë gjë. (Gjoni 19:11) Prandaj, për «autoritetet ekzistuese» mund të thuhet «se qëndrojnë në pozitat e tyre relative nga Perëndia». Në lidhje me autoritetin suprem sovran të Jehovait, autoriteti i tyre është shumë më i vogël. Megjithatë, ata janë «shërbëtorë të Perëndisë», «shërbëtorë publikë të Perëndisë», për faktin se sigurojnë shërbimet e nevojshme, mbajnë ligjin e rregullin dhe ndëshkojnë keqbërësit. (Romakëve 13:1, 4, 6, BR) Për këtë arsye, të krishterët duhet të kuptojnë se edhe pse Satanai është sundimtar i padukshëm i kësaj bote apo i këtij sistemi, ata nuk i nënshtrohen atij, kur pranojnë nënshtrimin e tyre relativ ndaj shtetit. Në fakt, ata po i binden Perëndisë. Këtë vit, në 1996-n, shteti politik është akoma pjesë e «rregullimit të Perëndisë», një rregullim i përkohshëm, të cilin Perëndia e lejon të ekzistojë dhe ai duhet pranuar si i tillë nga shërbëtorët tokësorë të Jehovait.—Romakëve 13:2, BR.
Shërbëtorët e Jehovait në lashtësi dhe shteti
4. Përse Jehovai lejoi që Jozefi të bëhej me pozitë në qeverinë egjiptase?
4 Në kohët para krishterimit, Jehovai lejoi që disa nga shërbëtorët e tij të zinin poste të larta në qeveritë shtetërore. Për shembull, në shekullin e 18-të p.e.s., Jozefi u bë kryeministër i Egjiptit, i dyti pas Faraonit që mbretëronte. (Zanafilla 41:39-43) Ngjarjet e mëvonshme e bënë të dukshme se Jehovai përdori këtë taktikë, në mënyrë që Jozefi të shërbente si një mjet për mbrojtjen e ‘farës së Abrahamit’, pasardhësve të tij, për plotësimin e qëllimeve të Tij. Pa dyshim, duhet të ketë kujtuar që Jozefi ishte shitur si skllav në Egjipt dhe jetoi në një kohë kur shërbëtorët e Perëndisë nuk kishin as Ligjin e Moisiut, as «ligjin e Krishtit».—Zanafilla 15:5-7; 50:19-21; Galatasve 6:2.
5. Përse të mërguarit hebrenj ishin urdhëruar ‘të kërkonin paqe’ për Babiloninë?
5 Shekuj më vonë, profeti i besuar, Jeremia, u frymëzua nga Jehovai për t’u thënë të mërguarve judenj t’u nënshtroheshin sundimtarëve, kur kishin mërguar në Babiloni dhe madje të luteshin për paqen e atij qyteti. Në letrën që u shkroi atyre, ai thotë: «Kështu ka thënë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit, gjithë popullit të mërguar, . . . ‘Kërkoni paqen e qytetit, në të cilin ju kam bërë të shkoni në mërgim dhe lutjuni Jehovait në emër të tij, sepse në paqen e tij do të tregohet se është paqja për veten tuaj.’» (Jeremia 29:4, 7, BR) Gjithmonë populli i Jehovait ka arsye për ‘të kërkuar paqen’ për vete dhe për kombet ku ata jetojnë, me qëllim që të jenë të lirë të adhurojnë Jehovain.—1. Pjetrit 3:11.
6. Në cilat mënyra Danieli dhe tre shokët e tij refuzuan të bënin kompromis me Ligjin e Perëndisë, edhe pse u ishin dhënë pozita të larta qeveritare?
6 Gjatë mërgimit në Babiloni, Danieli dhe tre judenj të tjerë plot besim, që ishin skllavëruar si robër në Babiloni, iu nënshtruan stërvitjes së shtetit dhe u bënë nëpunës civilë të rangut të lartë në Babiloni. (Danieli 1:3-7; 2:48, 49) Megjithatë, edhe gjatë stërvitjes së tyre, ata mbajtën një qëndrim të vendosur në lidhje me dietën, gjë që mund t’i kishte çuar në thyerjen e Ligjit, që Perëndia i tyre, Jehovai, u kishte siguruar përmes Moisiut. Për këtë, ata u bekuan. (Danieli 1:8-17) Kur mbreti Nabukodonosor ngriti një figurë shtetërore, tre shokët hebrenj të Danielit, siç duket, ishin detyruar të merrnin pjesë në ceremoni bashkë me administruesit e tjerë shtetërorë. Megjithatë, ata nuk pranuan të ‘binin përmbys për të adhuruar’ idhullin e shtetit. Përsëri, Jehovai i shpërbleu për integritetin e tyre. (Danieli 3:1-6, 13-28) Po kështu, edhe sot, Dëshmitarët e Jehovait respektojnë flamurin e kombit në të cilin jetojnë, por nuk kryejnë asnjë akt adhurimi në lidhje me të.—Dalja 20:4, 5; 1. Gjonit 5:21.
7. (a) Ç’qëndrim të shkëlqyer mbajti Danieli, pavarësisht se kishte një pozitë të lartë në strukturën qeveritare të Babilonisë? (b) Çfarë ndryshimesh ndodhën në kohët e krishtere?
7 Pas rënies së dinastisë neo-babilonase, Danielit iu dha një post i lartë qeveritar nën regjimin e ri medo-pers, që zëvendësoi dinastinë e rënë në Babiloni. (Danieli 5:30, 31; 6:1-3) Por, ai nuk lejoi që pozita e tij e lartë ta çonte në kompromentimin e integritetit të tij. Kur një ligj shtetëror kërkonte që ai të adhuronte mbretin Dar në vend të Jehovait, ai refuzoi. Për atë që bëri, ai u flak tek luanët, por Jehovai e çliroi. (Danieli 6:4-24) Pa dyshim, kjo ishte për kohët para krishterimit. Pas krijimit të kongregacionit të krishterë, shërbëtorët e Perëndisë ishin «nën ligjin e Krishtit». Shumë gjëra që lejoheshin nën sistemin jude duheshin parë ndryshe: të bazuara në mënyrën në të cilën Jehovai po trajtonte popullin e tij.—1. Korintasve 9:21; Mateu 5:31, 32; 19:3-9.
Qëndrimi i Jezuit në lidhje me shtetin
8. Cila ndodhi tregon se Jezui ishte i vendosur të shmangte përzierjen në politikë?
8 Kur ishte në tokë, Jezu Krishti vuri norma më të larta për ithtarët e tij dhe refuzoi çdo përzierje në çështjet politike apo ushtarake. Pasi Jezui kishte ushqyer në mënyrë të mrekullueshme disa mijëra njerëz me pak kuleçë dhe dy peshq të vegjël, judenjtë deshën ta kapnin dhe ta bënin një mbret politik. Por Jezui iu largua atyre me të shpejtë, duke u tërhequr në male. (Gjoni 6:5-15) Në lidhje me këtë ndodhi, një komentues deklaron: «Mes judenjve të asaj periudhe kishte dëshira të ethshme nacionaliste dhe pa dyshim shumë prej atyre që panë mrekullinë, menduan se ishte një udhëheqës i ngarkuar në mënyrë hyjnore, i cili ishte ideal për t’i udhëhequr ata kundër romakëve. Prandaj, vendosën ta bënin mbret.» (The New International Commentary on the New Testament) Ky komentues shton se Jezui «e hodhi poshtë me vendosmëri» këtë ofertë për qeverisje politike. Krishti nuk mbështeti asnjë kryengritje judeje kundër sundimit romak. Në të vërtetë, ai paratha se cila do të ishte pasoja e revoltës që do të ndodhte pas vdekjes së tij: brenga të patregueshme për banorët e Jerusalemit dhe shkatërrim për atë qytet.—Luka 21:20-24.
9. (a) Si e përshkroi Jezui lidhjen e Mbretërisë së tij me botën? (b) Çfarë udhëzimi u dha Jezui ithtarëve të tij në lidhje me marrëdhënien e tyre me qeveritë e botës?
9 Pak para vdekjes së tij, Jezui i tha përfaqësuesit të posaçëm të perandorit romak në Jude: «Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej.» (Gjoni 18:36) Derisa Mbretëria e tij t’i japë fund sundimit të qeverive politike, dishepujt e Krishtit ndjekin shembullin e tij. Ata u binden këtyre autoriteteve të vendosura, por nuk ndërhyjnë në zotimet e tyre politike. (Danieli 2:44; Mateu 4:8-10) Jezui siguroi udhëzime për dishepujt e tij, duke thënë: «Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë.» (Mateu 22:21) Më parë, në Predikimin e tij në Mal, Jezui kishte thënë: «Në qoftë se dikush të detyron të ecësh një milje, ti bëji dy me të.» (Mateu 5:41) Në kontekstin e predikimit të tij, Jezui po ilustronte parimin e nënshtrimit të gatshëm ndaj kërkesave të ligjshme, qofshin ato në lidhjet njerëzore apo në kërkesat qeveritare që janë në harmoni me ligjin e Perëndisë.—Luka 6:27-31; Gjoni 17:14, 15.
Të krishterët dhe Cezari
10. Sipas një historiani, cilën pozitë të ndërgjegjshme mbajtën të krishterët e hershëm në lidhje me Cezarin?
10 Këto udhëzime të përmbledhura ishin për të drejtuar marrëdhënien ndërmjet të krishterëve dhe shtetit. Në një libër të tij, historiani E. W. Barnes shkroi: «Në shekujt që do të vinin, kurdoherë që një i krishterë kishte dyshim në lidhje me detyrat e tij ndaj shtetit, ai i drejtohej mësimit autoritar të Krishtit. Ai do të paguante taksat: tatimet e vëna mund të ishin të rënda; taksat u bënë të padurueshme para përmbysjes së perandorisë perëndimore, por megjithatë, i krishteri duhej t’i paguante ato një për një. Në mënyrë të ngjashme, ai duhej të pranonte të gjitha detyrimet e tjera shtetërore, me kusht që të mos i kërkohej t’i kthente Cezarit gjërat që i përkisnin Perëndisë.»—The Rise of Christianity.
11. Si i këshilloi Pavli të krishterët për sjelljen me sundimtarët botërorë?
11 Në harmoni me këtë parim, mbi 20 vjet pas vdekjes së Krishtit, apostulli Pavël u tha të krishterëve në Romë: «Çdo njeri le t’i nënshtrohet pushteteve të sipërm.» (Romakëve 13:1) Gati dhjetë vjet më vonë, pak para se të burgosej për herë të dytë dhe të ekzekutohej në Romë, Pavli i shkroi Titit: «U kujto atyre [të krishterëve nga Kreta] që t’u nënshtrohen pushtetarëve dhe autoriteteve, të jenë të bindur, gati për çdo vepër të mirë, të mos flasin keq për asnjeri, të jenë paqësorë dhe të butë, duke treguar mirësjellje të madhe kundrejt të gjithë njerëzve.»—Titit 3:1, 2.
Kuptueshmëri progresive për «autoritetet më të larta»
12. (a) Cilën pikëpamje shikonte Charles Taze Russell si një pozitë të përshtatshme për një të krishterë në lidhje me autoritetet qeveritare? (b) Cilat pikëpamje të ndryshme patën të krishterët e mirosur gjatë Luftës I Botërore, në lidhje me shërbimin në forcat e armatosura?
12 Nga fillimi i vitit 1886, Charles Taze Russell shkroi në një libër: «As Jezui dhe as apostujt nuk u përzien në ndonjë mënyrë me sundimtarët tokësorë. . . . Ata e mësuan Kishën që t’i bindej ligjeve dhe të respektonte ata që ishin me autoritet, për shkak të pozitës së tyre, . . . të paguanin taksat që u ishin caktuar, me përjashtim të rastit kur ligjet e shtetit binin ndesh me ligjet e Perëndisë, (Veprat 4:19; 5:29) të mos i bënin qëndrim çdo ligji të vendosur. (Rom. 13:1-7; Mat. 22:21) Jezui, apostujt dhe kisha e hershme i përmbaheshin të gjithë ligjit, edhe pse ishin të ndarë dhe nuk merrnin pjesë në qeveritë e kësaj bote.» (The Plan of the Ages) Në mënyrë të saktë, ky libër identifikonte «pushtetet e sipërm» ose «autoritetet më të larta», të përmendura nga apostulli Pavël, si autoritete qeveritare njerëzore. (Romakëve 13:1, King James Version) Në 1904-n, një libër tjetër deklaronte se të krishterët e vërtetë «duhej të ishin ndër ata që në kohën aktuale e respektonin ligjin më shumë; jo agjitatorë, jo grindavecë, jo si ata që gjejnë kleçka». Kjo gjë u kuptua prej disave sikur nënkuptonte nënshtrim të plotë ndaj pushteteve qeveritare, madje deri në atë pikë sa të pranonin që të shërbenin në forcat e armatosura gjatë Luftës I Botërore. Ndërsa të tjerë e shikonin atë si në kundërshtim me shpalljen e Jezuit: «Të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.» (Mateu 26:52) Siç duket, nevojitej një kuptueshmëri më e qartë, në lidhje me nënshtrimin e të krishterëve ndaj autoriteteve më të larta.
13. Çfarë ndryshimi në kuptueshmërinë e identitetit të pushteteve më të larta u paraqit në vitin 1929 dhe si u tregua i dobishëm ai?
13 Në vitin 1929, në një kohë kur ligjet e qeverive të ndryshme po fillonin të ndalonin gjërat që Perëndia urdhëronte apo kërkonin gjëra që ligjet e Perëndisë i ndalonin, u besua se pushtetet më të larta duhej të ishin Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti.b Kjo ishte kuptueshmëria që shërbëtorët e Jehovait patën gjatë periudhës vendimtare para e gjatë Luftës II Botërore dhe në Luftën e Ftohtë me barazinë e saj të terrorit dhe gatishmërinë e saj ushtarake. Me vështrimin prapa, është e dukshme se kjo pikëpamje mbi gjërat, e cila lartësonte pushtetin suprem të Jehovait dhe të Krishtit të tij, e ndihmoi popullin e Perëndisë të mbante një qëndrim të pakompromentueshëm asnjanës gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Nënshtrim relativ
14. Si u hodh dritë në rritje, në vitin 1962 mbi Romakëve 13:1, 2 dhe mbi shkrimet që lidhen me të?
14 Në 1961-shin, u kompletua Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta. Përgatitja e këtij përkthimi kishte kërkuar një studim rrënjësor fjalë për fjalë të gjuhës së përdorur në Shkrime. Përkthimi i saktë i fjalëve të përdorura jo vetëm në kreun 13 të Romakëve, por edhe në fragmente të tilla si Titit 3:1, 2 dhe 1. Pjetrit 2:13, 17 e bënë të qartë se termi «autoritetet më të larta» nuk i referohej Autoritetit Suprem, Jehovait dhe birit të tij, Jezuit, por i referohej autoriteteve qeveritare njerëzore. Nga fundi i vitit 1962, në Kullën e Rojës u botuan artikuj që jepnin një shpjegim të saktë të kreut 13 të Romakëve dhe siguronin, gjithashtu, një pikëpamje më të qartë se ajo që ishte mbajtur në kohën e C. T. Russell. Këta artikuj tregonin se nënshtrimi i krishterë ndaj autoriteteve nuk mund të jetë absolut. Ai duhet të jetë relativ, nënshtrim që nuk i kushtëzon shërbëtorët e Perëndisë të bien në kundërshtim me ligjet e Perëndisë. Këtë pikë të rëndësishme e kanë theksuar artikuj të tjerë në Kullën e Rojës.c
15, 16. (a) Në cilin ekuilibër më të mirë çoi kuptueshmëria e re e kreut 13 të Romakëve? (b) Cilave pyetje mbetet për t’u dhënë përgjigje?
15 Ky çelës i kuptueshmërisë së saktë të kreut 13 të Romakëve i ka mundësuar popullit të Jehovait të ekuilibrojë respektin e duhur për autoritetet politike, me një qëndrim të pakompromentueshëm ndaj parimeve të domosdoshme biblike. (Psalmi 97:11; Jeremia 3:15) E ka lejuar atë që të ketë një pikëpamje të përshtatshme mbi lidhjen me Perëndinë dhe mbi marrëdhëniet e tyre me shtetin. Ai i ka siguruar se ndërkohë që i paguajnë Cezarit gjërat e Cezarit, ata nuk lënë pa i paguar Perëndisë gjërat e Perëndisë.
16 Por, çfarë janë saktësisht gjërat e Cezarit? Cilat kërkesa të ligjshme mund t’i bëjë shteti një të krishteri? Këto pyetje do të trajtohen në artikullin vijues.
[Shënimet]
a Shiko Psalmin 103:22, shënimi.
b Kulla e Rojës, 1 dhe 15 qershor 1929, botuar në anglisht.
c Shiko Kullën e Rojës 1 dhe 15 nëntor, 1 dhjetor 1962; 1 nëntor 1990; 1 shkurt 1993; 1 korrik 1994, botuar në anglisht.
Është interesante se në komentuesin e tij mbi kreun 13 të Romakëve, profesor F. F. Brus shkruan: «Nga konteksti i kreut 13 të Romakëve si edhe nga konteksti i përgjithshëm i shkrimeve apostolike është e qartë se shteti mund të urdhëronte me të drejtë bindje vetëm brenda kufijve të qëllimeve, për të cilat ishte vendosur në mënyrë hyjnore; në veçanti, shtetit jo vetëm që mund por duhej t’i rezistoje, kur kërkonte besnikërinë që i detyrohej vetëm Perëndisë.»
A mund të shpjegosh?
◻ Përse nënshtrimi ndaj autoriteteve më të larta nuk do të thotë nënshtrim ndaj Satanait?
◻ Cili ishte qëndrimi i Jezuit ndaj politikës së ditëve të tij?
◻ Cilën këshillë u dha Jezui ithtarëve të tij, në lidhje me marrëdhëniet e tyre me Cezarin?
◻ Si këshilloi Pavli të silleshin të krishterët me sundimtarët e kombeve?
◻ Në ç’mënyrë identiteti i autoriteve më të larta është zhvilluar me kalimin e viteve?
[Figura në faqen 10]
Kur Satanai i ofroi Jezuit fuqi politike, ai ia ktheu mbrapsht
[Figura në faqen 13]
Russell shkroi se të krishterët «duhej të ishin ndër ata që në kohën aktuale e respektonin ligjin më shumë»