KAPITULLI 2
Të pranojmë rolin që Perëndia i ka caktuar Krishtit
«NË FILLIM Perëndia krijoi qiejt dhe tokën» e çdo gjë që bëri ishte «shumë mirë». (Zan. 1:1, 31) Jehovai i krijoi njerëzit me perspektiva të mrekullueshme për të ardhmen. Mirëpo, rebelimi në Eden ia ndërpreu përkohësisht lumturinë njerëzimit. Megjithatë, qëllimi i Jehovait për tokën dhe për njerëzimin nuk ndryshoi. Perëndia tregoi se do t’u sillte çlirim pasardhësve të bindur të Adamit. Do të rivendosej adhurimi i vërtetë dhe Perëndia do ta shkatërronte të ligun bashkë me gjithë veprat e tij të liga. (Zan. 3:15) Gjërat do të ishin përsëri «shumë mirë». Jehovai do ta realizonte këtë me anë të Birit të tij, Jezu Krishtit. (1 Gjon. 3:8) Prandaj është e domosdoshme të pranojmë rolin që Perëndia i ka caktuar Krishtit.—Vep. 4:12; Filip. 2:9, 11.
CILI ËSHTË ROLI I KRISHTIT?
2 Kur mendojmë për rolin që Perëndia i ka caktuar Krishtit, kuptojmë se ky rol përfshin shumë aspekte. Jezui është Shpenguesi i njerëzimit, Kryeprifti, Kreu i kongregacionit të krishterë e tani edhe Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë. Kur meditojmë për këto aspekte, na shtohet çmueshmëria për mënyrën si i ka organizuar gjërat Perëndia dhe na thellohet dashuria për Krishtin Jezu. Bibla përshkruan disa nga aspektet e larmishme të rolit të tij.
Jezui është figura kyçe në përmbushjen e qëllimit të Jehovait për njerëzimin
3 Gjatë shërbimit të Krishtit në tokë, u bë e qartë se pajtimi i njerëzimit të bindur me Perëndinë do të arrihej nëpërmjet Jezuit. (Gjoni 14:6) Si Shpenguesi i njerëzimit, Jezui dha jetën si shpërblesë për shumë njerëz. (Mat. 20:28) Pra, ai nuk është vetëm një shembull i sjelljes që i pëlqen Perëndisë. Është figura kyçe në përmbushjen e qëllimit të Jehovait për njerëzimin. Jezui është mjeti i vetëm nëpërmjet të cilit mund të rifitojmë miratimin e Perëndisë. (Vep. 5:31; 2 Kor. 5:18, 19) Vdekja flijuese e Jezuit dhe ringjallja e tij i kanë hapur rrugën njerëzimit të bindur të shijojë bekime të përjetshme nën qeverisjen e Mbretërisë qiellore të Perëndisë.
4 Si Kryeprift, Jezui është në gjendje ‘të na kuptojë për dobësitë tona’ dhe të shlyejë mëkatet e dishepujve të tij të kushtuar këtu në tokë. Apostulli Pavël shpjegoi: «Ne nuk kemi si kryeprift një njeri që nuk na kupton dot për dobësitë tona, por kemi dikë që është sprovuar në çdo aspekt si ne, por pa mëkatuar.» Pastaj, Pavli i nxiti ata që tregojnë besim te Jezu Krishti të përfitojnë plotësisht nga kjo masë për t’u pajtuar me Perëndinë. Ai tha: «Prandaj, le t’i afrohemi pa ndrojtje fronit të mirësisë së pamerituar, që Perëndia të na tregojë mëshirë e mirësi të pamerituar për të na ardhur në ndihmë në kohën e duhur.»—Hebr. 4:14-16; 1 Gjon. 2:2.
5 Jezui është edhe Kreu i kongregacionit të krishterë. Ashtu si dishepujt e tij në shekullin e parë, as ne sot nuk kemi nevojë për ndonjë udhëheqës njerëzor. Jezui na drejton nëpërmjet frymës së shenjtë dhe nënbarinjve të kualifikuar, të cilët i japin llogari atij dhe Atit të tij qiellor për mënyrën si kujdesen për kopenë e Perëndisë. (Hebr. 13:17; 1 Pjet. 5:2, 3) Duke folur në mënyrë profetike për Jezuin, Jehovai tha: «Unë e bëra atë dëshmitar për kombet, e bëra kreun dhe komandantin e kombeve.» (Isa. 55:4) Jezui pohoi se kjo profeci u përmbush kur u tha dishepujve: «As mos lejoni t’ju quajnë ‘krerë’, sepse Kreu juaj është një i vetëm, Krishti.»—Mat. 23:10.
6 Duke shprehur qëndrimin e tij mendor dhe gatishmërinë për të na ndihmuar, Jezui bën këtë ftesë: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, se jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin, sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.» (Mat. 11:28-30) Duke u kujdesur për kongregacionin e krishterë me butësi dhe në një mënyrë që na freskon, Jezu Krishti ka dhënë prova se është «bariu i shkëlqyer», ashtu si Ati i tij qiellor, Perëndia Jehova.—Gjoni 10:11; Isa. 40:11.
7 Në Letrën e parë drejtuar korintasve, Pavli shpjegoi një aspekt tjetër të rolit të Jezu Krishtit: «Ai duhet të mbretërojë derisa Perëndia t’i vërë të gjithë armiqtë nën këmbët e tij. Por, kur çdo gjë t’i jetë nënshtruar Birit, atëherë edhe vetë Biri do t’i nënshtrohet Atit që ia nënshtroi çdo gjë atij, që Perëndia të jetë kreu i të gjithëve.» (1 Kor. 15:25, 28) Si krijimi i parë i Perëndisë, Jezui ishte ‘kryemjeshtri’ i Tij para se të vinte në tokë. (Prov. 8:22-31) Kur Perëndia e dërgoi në tokë, Jezui bënte gjithnjë vullnetin e Tij. Përballoi edhe sprovën më të madhe dhe vdiq besnik ndaj Atit. (Gjoni 4:34; 15:10) Ngaqë Biri ishte besnik deri në vdekje, Perëndia e ringjalli në qiell dhe i dha të drejtën të ishte Mbreti i Mbretërisë qiellore. (Vep. 2:32-36) Si i tillë, Krishti Jezu ka marrë një caktim madhështor nga Perëndia: të udhëheqë mijëra e mijëra krijesa të fuqishme qiellore për të shfarosur sundimin njerëzor dhe për ta çliruar tokën nga gjithë ligësia. (Prov. 2:21, 22; 2 Sel. 1:6-9; Zbul. 19:11-21; 20:1-3) Pastaj, Mbretëria qiellore e Perëndisë nën drejtimin e Krishtit, do të jetë i vetmi autoritet që do të qeverisë mbarë tokën.—Zbul. 11:15.
Ç’DO TË THOTË TË PRANOJMË ROLIN E KRISHTIT?
8 Jezu Krishti, Shembulli ynë, është i përsosur. Ai është caktuar të kujdeset për ne. Që të nxjerrim dobi nga kujdesi i tij i dashur dhe vigjilent, duhet t’i qëndrojmë besnikë Jehovait dhe të ecim në një hap me organizatën e Tij, e cila shkon gjithnjë përpara.
9 Dishepujt e Jezuit në shekullin e parë e pranuan plotësisht rolin që Perëndia i kishte caktuar Krishtit. Këtë e treguan duke punuar së bashku në unitet nën kryesinë e Krishtit, duke iu nënshtruar drejtimit që ai jepte me anë të frymës së shenjtë. (Vep. 15:12-21) Apostulli Pavël foli për unitetin e kongregacionit të krishterë të mirosur kur shkroi: «Duke thënë të vërtetën, le të rritemi me dashuri në çdo gjë, që t’i ngjajmë kreut, Krishtit. Nëpërmjet tij, i gjithë trupi është i lidhur në mënyrë të harmonishme dhe çdo gjymtyrë bashkëvepron falë mbështetjes së të gjitha nyjave, e kur çdo gjymtyrë funksionon siç duhet, trupi rritet teksa ndërtohet me dashuri.»—Efes. 4:15, 16.
10 Kur secili në kongregacion bashkëpunon me të tjerët dhe të gjithë shërbejnë në harmoni nën kryesinë e Krishtit, rritemi në pjekurinë e krishterë dhe ka një frymë të përzemërt dashurie, e cila është «një lidhje e përsosur bashkimi».—Gjoni 10:16; Kolos. 3:14; 1 Kor. 12:14-26.
11 Ngjarjet botërore që po përmbushin profecitë e Biblës, vërtetojnë pa asnjë dyshim se që nga viti 1914, Jezu Krishtit i është besuar pushteti i Mbretërisë. Tani ai po mbretëron mes armiqve. (Psal. 2:1-12; 110:1, 2) Çfarë do të thotë kjo për ata që jetojnë në tokë? Së shpejti, Jezui do ta përmbushë rolin që ka si Mbret i mbretërve dhe Zotëri i zotërinjve kur të ekzekutojë gjykimin hyjnor kundër armiqve të tij. (Zbul. 11:15; 12:10; 19:16) Pastaj, premtimi i Jehovait për çlirimin, të cilin e bëri që kur u rebelua njeriu, do të plotësohet në dobi të atyre që janë në të djathtë të Krishtit si të miratuar. (Mat. 25:34) Sa të lumtur jemi që e kemi pranuar rolin që Perëndia i ka caktuar Krishtit! Qëndrofshim në unitet ndërsa kryejmë një shërbim mbarëbotëror nën udhëheqjen e Krishtit gjatë këtyre ditëve të fundit!