Të forcojmë sigurinë tonë te drejtësia e Perëndisë
«Që siguria jote të jetë te vetë Jehovai, të kam dhënë njohuri.»—PROVERBAT 22:19, BR.
1, 2. (a) Pse Dëshmitarët e Jehovait shfaqin siguri te Jehovai? (Proverbat 22:19) (b) Ç’gjë tregon se disa individë kanë nevojë ta forcojnë sigurinë e tyre te Jehovai?
TË KRISHTERËT e vërtetë janë bekuar me një njohuri të saktë për Jehovain dhe qëllimet e tij. Një «skllav i besueshëm dhe i matur», me dashuri i furnizon me ‘ushqim frymor në kohën e duhur’. (Mateu 24:45, BR) Njohuria që fitojnë u siguron një themel të fortë, mbi të cilin bazojnë sigurinë te Perëndia. Kështu, Dëshmitarët e Jehovait si grup shfaqin një siguri të jashtëzakonshme te Jehovai dhe te drejtësia e tij.
2 Megjithatë, duket se si individë, disa Dëshmitarë mund të kenë nevojë ta forcojnë këtë siguri. Herë pas here, Shoqata merr letra ku shprehen pasiguri në lidhje me disa shpjegime që jepen në botimet e saj. Këto dyshime mund të jenë reagime ndaj rregullimeve në kuptueshmëri ose kanë të bëjnë me çështje që prekin atë që pyet, sidomos në aspektin emocional.—Krahaso Gjonin 6:60, 61.
3. Çfarë mund t’u ndodhë edhe shërbëtorëve besimplotë të Jehovait dhe pse?
3 Edhe shërbëtorët e vërtetë të Jehovait e përjetojnë vërtetësinë e Eklisiastiut (Predikuesi) 9:11: «U ktheva të shoh nën diell që garën nuk e fitojnë të shpejtët, as betejën të fuqishmit, as edhe të mençurit ushqimin, as ata me kuptueshmëri pasuritë, as ata që kanë njohuri, favorin, sepse koha dhe ngjarja e paparashikuar u ndodhin të gjithë atyre.» (BR) Si mund të dalë e vërtetë kjo gjë, në një kuptim të gjerë apo frymor? Ndoshta kemi njohur të krishterë që ishin të shpejtë në aplikimin e këshillave biblike, të fuqishëm në mbrojtjen e së vërtetës, të mençur në aplikimin e parimeve biblike dhe të zellshëm për të marrë vazhdimisht njohuri të saktë. Por, për shkak të «kohës dhe ngjarjes së paparashikuar», tani disa mund të gjenden të kufizuar nga ndonjë aksident ose nga mosha e thyer. Ndoshta pyesin veten nëse do të hyjnë apo jo në botën e re të Perëndisë, pa provuar vdekjen.
4, 5. Pse të krishterët nuk kanë asnjë arsye ta humbasin sigurinë e tyre te drejtësia e Jehovait?
4 Kur një i krishterë humbet bashkëshortin, dhembja dhe ndjenja e humbjes është e rëndë. Si çift, ata mund t’i kenë shërbyer Jehovait për vite apo edhe për dekada të tëra. Bashkëshorti që jeton e di se vdekja e prish lidhjen martesore.a (1. Korintasve 7:39) Tani, që të mos i minohet siguria, ai duhet të mbajë nën kontroll emocionet.—Krahaso Markun 16:8.
5 Sa gjë e mençur është që vdekjen e një bashkëshorti, prindi, fëmije ose miku të ngushtë të krishterë, ta konsiderosh si një mundësi për të treguar sigurinë te drejtësia e Jehovait! Edhe kur hasim humbje personale, mund të jemi të sigurt se Jehovai nuk është i padrejtë. Mund të jemi të sigurt se kushdo që fiton jetën e përhershme, qoftë duke mbijetuar, qoftë me anë të ringjalljes, do të jetë i lumtur. Për Perëndinë, psalmisti tha: «Ti hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo gjëje të gjallë. Jehovai është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe besnik në të gjitha veprat e tij. Jehovai është pranë gjithë atyre që e thërrasin, pranë gjithë atyre që e thërrasin në vërtetësi. Ai do të kryejë dëshirën e të gjithë atyre që e druajnë, do ta dëgjojë britmën e tyre për ndihmë dhe do t’i shpëtojë.»—Psalmi 145:16-19, BR.
Kur mendon se ke vuajtur më kot
6, 7. (a) Pse disa Dëshmitarë që kanë vuajtur në të kaluarën, mund të kenë tani një kuptueshmëri të ndryshme? (b) Pse nuk duhet ta konsiderojmë padrejtësi nga ana e Jehovait lejimin e vuajtjeve të tilla në të kaluarën?
6 Në të kaluarën, disa Dëshmitarë kanë vuajtur sepse kanë refuzuar të marrin pjesë në një aktivitet, që tani ndërgjegjja mund t’ua lejojë. Për shembull, vite më parë mund të kenë bërë një zgjedhje të tillë për sa u përket disa llojeve të shërbimit civil. Tani, një vëlla mund të mendojë se një gjë të tillë mund ta bënte me ndërgjegje, pa shkelur asnjanësinë e tij të krishterë në lidhje me sistemin e tanishëm të gjërave.
7 Mos është padrejtësi nga ana e Jehovait që lejoi të vuante ai vëlla, për shkak se hodhi poshtë diçka që tani mund ta bëjë pa pasoja? Shumica e atyre që kanë pasur një përvojë të tillë nuk do të mendonin kështu. Përkundrazi, ata gëzojnë që patën mundësinë për të demonstruar publikisht dhe qartë se ishin të vendosur të qëndronin të patundur për çështjen e sovranitetit universal. (Krahaso Jobin 27:5.) Për ç’arsye mund t’i vijë keq dikujt se ka ndjekur ndërgjegjen e vet, duke marrë një qëndrim të patundur për Jehovain? Duke mbështetur besnikërisht parimet e krishtere, siç i kishin kuptuar, ose duke iu përgjigjur shtytjes së ndërgjegjes, ata kanë provuar se janë të denjë për miqësinë e Jehovait. Sigurisht, është e mençur ta shmangim atë rrugë që do të shqetësonte ndërgjegjen e personit ose që ka të ngjarë t’i pengonte të tjerët. Në lidhje me këtë aspekt, mund të mendojmë për shembullin që la apostulli Pavël.—1. Korintasve 8:12, 13; 10:31-33.
8. Pse të krishterët judenj, që më parë i përmbaheshin Ligjit, nuk patën arsye për ta vënë në dyshim drejtësinë e Jehovait?
8 Që t’i pëlqenin Jehovait, judenjve u kërkohej t’u bindeshin Dhjetë Urdhërimeve si dhe një shumëllojshmërie të madhe prej 600 ligjesh shtesë. Më vonë, nën rregullimin e krishterë, për t’i shërbyer Jehovait bindja ndaj këtyre ligjeve nuk ishte më një kërkesë, madje as për judenjtë sipas mishit. Ligjet që nuk ishin më të detyrueshme përfshinin ato që kishin të bënin me rrethprerjen, respektimin e sabatit, ofrimin e flijimeve në kafshë dhe zbatimin e disa kufizimeve në lidhje me ushqimin. (1. Korintasve 7:19; 10:25; Kolosianëve 2:16, 17; Hebrenjve 10:1, 11-14) Judenjtë, përfshirë edhe apostujt që u bënë të krishterë, u çliruan nga detyrimi për të zbatuar ligjet, të cilave u kërkohej t’u bindeshin kur ishin nën besëlidhjen e Ligjit. A u ankuan ata për padrejtësi në këtë rregullim nga ana e Perëndisë, sepse më parë u kishte kërkuar gjëra që nuk ishin më të nevojshme? Jo, ata u gëzuan për kuptueshmërinë e zgjeruar që patën për sa u përkiste qëllimeve të Jehovait.—Veprat 16:4, 5.
9. Çfarë ka qenë e vërtetë për disa të krishterë, por pse ata nuk kanë shkak për keqardhje?
9 Në kohët moderne, ka pasur disa Dëshmitarë që kishin pikëpamje shumë strikte në lidhje me atë që duhej ose nuk duhej të bënin. Për këtë arsye, vuajtën më shumë se të tjerët. Më vonë, njohuria në rritje i ndihmoi ta zgjeronin pikëpamjen e tyre mbi çështje të ndryshme. Por ata nuk kanë asnjë arsye për t’u ardhur keq që më parë kanë vepruar në harmoni me ndërgjegjen e tyre, edhe në ato raste kur kjo gjë u ka shkaktuar ndoshta vuajtje plus. Është vërtet për t’u lavdëruar fakti që demonstruan gatishmërinë e tyre për të vuajtur besimplotë ndaj Jehovait, për të «bërë gjithçka për hir të lajmit të mirë». Jehovai e bekon këtë lloj devocioni hyjnor. (1. Korintasve 9:23, BR; Hebrenjve 6:10) Apostulli Pjetër, me mendjehollësi shkroi: «Nëse kur bëni mirë dhe vuani, duroni, kjo është një gjë e pëlqyeshme për Perëndinë.»—1. Pjetrit 2:20, BR.
Të mësojmë nga Jonai
10, 11. Si tregoi Jonai mungesë sigurie te Jehovai (a) kur iu dha caktimi për të shkuar në Ninive? (b) kur Perëndia nuk i shkatërroi niniveasit?
10 Kur iu dha drejtimi që të shkonte në Ninive, Jonai tregoi mungesë çmueshmërie për sigurinë që Jehovai po tregonte ndaj tij. Pas një përvoje të tmerrshme, të shkaktuar sepse ngurroi të bindej, Jonai erdhi në vete, kuptoi gabimin, pranoi caktimin e tij në vend të huaj dhe i paralajmëroi niniveasit për shkatërrimin që po afrohej. Atëherë ndodhi e papritura: për shkak të qëndrimit pendues të niniveasve, Jehovai vendosi të hiqte dorë nga shkatërrimi i tyre.—Jonai 1:1–3:10.
11 Reagimi i Jonait? I pakënaqur, duke iu lutur Perëndisë u ankua. Thelbi i ankesës së tij ishte: ‘Ma mori mendja që kështu do të përfundonte. Prandaj në fillim nuk desha të vija në Ninive. E tani, pas gjithë asaj që kam kaluar, tmerrit dhe poshtërimit që u përpiva nga një peshk i madh dhe pas gjithë asaj pune të vështirë për të paralajmëruar niniveasit për shkatërrimin që po vinte, ky na qenka rezultati! Gjithë puna dhe vuajtjet e mia shkuan kot! Më mirë të vdes!’—Jonai 4:1-3.
12. Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Jonait?
12 A kishte arsye të vlefshme për t’u ankuar Jonai? A po tregohej i padrejtë Jehovai, që po u ofronte mëshirën keqbërësve të penduar? Faktikisht, Jonai duhej të gëzohej; dhjetëra mijë njerëz do të shpëtonin nga ekzekutimi! (Jonai 4:11) Por qëndrimi pa respekt dhe ankues tregoi se nuk po shprehte siguri të thellë te drejtësia e Jehovait. Po mendonte tepër shumë për veten dhe tepër pak për të tjerët. Le të mësojmë nga Jonai, duke e kaluar veten dhe ndjenjat personale në plan të dytë! Le të jemi të sigurt se bindja ndaj Jehovait, duke ndjekur drejtimin e dhënë nëpërmjet organizatës së tij dhe duke pranuar vendimet e tij, është gjëja e drejtë që duhet bërë. Jemi të bindur se ‘atyre që druajnë Perëndinë e vërtetë do t’u dalë për mirë’.—Eklisiastiu 8:12, BR.
Tani është koha ta forcojmë sigurinë tonë!
13. Si mund ta forcojmë të gjithë ne sigurinë tonë te Jehovai?
13 Forcimi i sigurisë te Jehovai është rruga e mençurisë. (Proverbat [Fjalët e urta] 3:5-8) Natyrisht, që Jehovai të na ndihmojë për të pasur më shumë siguri, duhet të bëjmë më shumë sesa vetëm të lutemi. Siguria rritet, kur bazohet në njohurinë e saktë. Kështu që studimin personal të Biblës, duke lexuar si Biblën, ashtu edhe literaturën që e shpjegon atë, duhet ta bëjmë pjesë të rutinës sonë të përditshme. Ndjekja rregullisht e mbledhjeve të krishtere është po aq jetësore sa edhe përgatitja dhe pjesëmarrja e mirë aktive deri në masën e mundshme. Besimi ynë te Jehovai dhe te Fjala e tij thellohet edhe kur e bëjmë zakon t’i ndajmë të vërtetat e Biblës me të tjerët dhe të kapërcejmë me takt kundërshtimet. Kështu, përditë lidhemi edhe më ngushtë me Jehovain.
14. Pse pas pak kohësh popullit të Perëndisë do t’i kërkohet ta shfaqë sigurinë te Jehovai si kurrë më parë?
14 Në të ardhmen e afërt, do të shpërthejë papritur koha më e madhe e mjerimit që ka goditur ndonjëherë racën njerëzore. (Mateu 24:21, BR) Kur të vijë ajo kohë, shërbëtorët e Perëndisë do të duhet të shfaqin më shumë se kurrë siguri te drejtësia e Jehovait dhe te drejtimi i siguruar nga organizata e tij. Atëherë, simbolikisht do t’i binden të sigurt urdhrit të Perëndisë: «Shko, populli im, hyr në dhomat e tua të brendshme dhe mbyll dyert e tua pas vetes. Fshihu veç për një çast, derisa të kalojë denoncimi.» (Isaia 26:20, BR) Tashmë ata kanë hyrë në atmosferën mbrojtëse të mbi 85.000 kongregacioneve në 232 vende. Çfarëdo gjëje tjetër që të përfshihet në urdhrin «hyr në dhomat e tua të brendshme», mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na ndihmojë ta zbatojmë.
15. Si është theksuar gjatë vitit 1998 çështja e sigurisë dhe pse ka ndodhur me të drejtë kështu?
15 Forcimi i sigurisë tani, është i domosdoshëm. Pa pasur siguri te vëllezërit tanë të krishterë, tek organizata e Jehovait dhe mbi të gjitha te vetë Jehovai, është e pamundur të mbijetojmë. Sa e përshtatshme është, pra, që gjatë vitit 1998, me anë të fjalëve të shkrimit të vitit, Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën u është kujtuar herë pas here se «gjithkush që thërret emrin e Jehovait do të shpëtojë»! (Romakëve 10:13, BR) Për këtë, duhet të vazhdojmë të jemi të sigurt. Nëse zbulojmë edhe nuancën më të lehtë të dyshimit te kjo siguri, duhet të punojmë për ta ndrequr tani, po, sot.
Gjykimi i Jehovait do të jetë i drejtë
16. Çfarë mund t’i ndodhë sigurisë nëse nuk kultivohet dhe si mund ta pengojmë këtë gjë?
16 Në Hebrenjve 3:14, të krishterët e mirosur paralajmërohen: «Ne, në të vërtetë, bëhemi pjesëtarë të Krishtit vetëm nëse mbajmë të patundur deri në fund sigurinë që patëm në fillim.» (BR) Në parim, këto fjalë u aplikohen edhe të krishterëve që kanë shpresë tokësore. Nëse nuk zhvillohet, siguria fillestare mund të gërryhet. Sa jetësore është pra, që të vazhdojmë të marrim njohurinë e saktë, duke forcuar kështu themelin mbi të cilin bazohet siguria jonë!
17. Pse mund të jemi të sigurt se për sa i përket mbijetesës, Jezui do të gjykojë me korrektësi?
17 Pas pak kohësh, të gjitha kombet do të merren në pyetje nga Krishti, që ai të mund t’i «ndajë njerëzit nga njëri-tjetri, ashtu si një bari ndan delet nga cjeptë». (Mateu 25:31-33, BR) Mund të jemi të sigurt se kur të gjykojë se kush është i denjë për të mbijetuar dhe kush jo, Krishti do të jetë i drejtë. Jehovai i ka dhënë atij mençuri, mendjehollësi dhe cilësi të tjera të nevojshme «për të gjykuar në drejtësi tokën e banuar». (Veprat 17:30, 31, BR) Besimi ynë le të jetë si ai i Abrahamit, i cili tha: «Është e pamendueshme që ti [Jehova] të veprosh në këtë mënyrë, të dënosh me vdekje njeriun e drejtë me të ligun, kështu që njeriut të drejtë t’i ndodhë si të ligut! Është e pamendueshme për ty. A nuk do të bëjë atë që është e drejtë Gjykatësi i gjithë tokës?»—Zanafilla 18:25, BR.
18. Pse nuk duhet të shqetësohemi së tepërmi për atë që tani për tani ndoshta nuk e dimë?
18 Me siguri të plotë te drejtësia e Jehovait, nuk duhet të merakosemi për të gjetur përgjigjet e pyetjeve të tilla, si: ‘Si do të gjykohen foshnjat dhe fëmijët e vegjël? Kur të vijë Harmagedoni, a ka mundësi që shumë njerëz të mos kenë dëgjuar ende për lajmin e mirë? Ç’do të bëhet me ata që kanë sëmundje mendore? Po me . . . ?’ Qartë, tani për tani ndoshta nuk e dimë se si do t’i zgjidhë Jehovai këto çështje. Megjithatë, ai do ta bëjë këtë me drejtësi dhe mëshirë. Këtë nuk duhet ta vëmë kurrë në dyshim. Në fakt, mund të mahnitemi dhe të kënaqemi kur të vërejmë se Ai do t’i zgjidhë, në një mënyrë që ne as na ka shkuar nëpër mend.—Krahaso Jobin 42:3; Psalmin 78:11-16; 136:4-9; Mateu 15:31; Luka 2:47.
19, 20. (a) Pse nuk është e gabuar të bëjmë pyetje të arsyeshme? (b) Kur do t’i sigurojë Jehovai përgjigjet e nevojshme?
19 Organizata e Jehovait nuk është kundër pyetjeve të sinqerta në kohën e duhur, siç deklarojnë gabimisht disa kundërshtarë. (1. Pjetrit 1:10-12) Megjithatë, Bibla këshillon që të shmangim pyetjet e marra dhe spekuluese. (Titit 3:9) Kur bëjmë pyetje të arsyeshme dhe për të gjetur përgjigje biblike kërkojmë në Fjalën e Perëndisë e në botimet e krishtere, njohuria jonë e saktë mund të rritet dhe kështu mund të forcohet siguria jonë te Jehovai. Organizata ndjek shembullin e Jezuit. Ai nuk bëri komente mbi pyetjet, për përgjigjet e të cilave nuk kishte ardhur ende koha e duhur. Ai shpjegoi: «Kam ende shumë gjëra për t’ju thënë, por tani për tani nuk jeni në gjendje t’i mbani.» (Gjoni 16:12, BR) Ai pranoi edhe se deri në atë çast, disa gjëra nuk i dinte as ai vetë.—Mateu 24:36.
20 Jehovai ka ende shumë gjëra për të na zbuluar. Sa e mençur është të presim prej tij, të sigurt se koha që ka caktuar për të manifestuar qëllimet e tij, do të jetë tamam kur duhen përmbushur nevojat e rastit! Mund të jemi të sigurt se sapo të ketë mbërritur koha e duhur sipas Jehovait, do të kemi gëzimin të fitojmë më shumë mendjehollësi mbi rrugët e tij. Po, do të shpërblehemi, me kusht që të ushtrojmë një siguri absolute te Jehovai dhe tek organizata që po përdor ai. Proverbat 14:26 na siguron: «Në druajtjen prej Jehovait ka siguri të fortë dhe për bijtë e tij do të ketë një strehim.»—BR.
[Shënimi]
a Shiko Kullën e Rojës, 15 tetor 1967, faqe 638, anglisht; 1 korrik 1987, faqe 30, anglisht.
Si mendon?
◻ Pse nuk është e mençur t’i lejojmë emocionet që të na minojnë sigurinë te Jehovai?
◻ Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Jonait?
◻ Pse studimi i Biblës dhe ndjekja e mbledhjeve janë kaq të rëndësishme?
[Figura në faqen 16]
Edhe përballë humbjeve personale, mund të jemi të sigurt se Jehovai është i drejtë
[Figurat në faqen 18]
A je i bindur se siguria jote është te Jehovai?