Të mbështetim besnikërisht Fjalën e frymëzuar të Perëndisë
«Ne kemi hequr dorë nga gjërat e fshehta, për të cilat të turpërohemi, duke mos ecur me dinakëri dhe duke mos bastarduar fjalën e Perëndisë.»—2. KORINTASVE 4:2, BR.
1. (a) Çfarë është kërkuar që të kryhet vepra e paraqitur në Mateun 24:14 dhe 28:19, 20? (b) Deri në ç’masë ishte në dispozicion Bibla në gjuhët e njerëzve, kur filluan ditët e fundit?
NË PROFECINË e tij madhështore në lidhje me periudhën kohore të pranisë së tij mbretërore dhe përfundimin e sistemit të vjetër të gjërave, Jezu Krishti paratha: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar për dëshmi ndaj të gjitha kombeve dhe atëherë do të vijë fundi.» Ai udhëzoi, gjithashtu, ithtarët e tij: «Bëni dishepuj nga njerëzit e të gjitha kombeve, . . . duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 24:14; 28:19, 20, BR) Përmbushja e atyre profecive përfshin shumë punë për përkthimin dhe shtypjen e Biblës, për t’u mësuar njerëzve se ç’do të thotë ajo dhe për t’i ndihmuar që ta aplikojnë në jetën e tyre. Çfarë privilegji të marrësh pjesë në një aktivitet të tillë! Tashmë deri më 1914-n, Bibla ose ndonjë pjesë e saj ishte botuar në 570 gjuhë. Por që atëherë, janë shtuar qindra gjuhë dhe dialekte të shumta dhe në shumë gjuhë është vënë në dispozicion më shumë se një përkthim.a
2. Çfarë motivesh të ndryshme kanë ndikuar në punën e përkthyesve dhe botuesve të Biblës?
2 Për çdo përkthyes është një sfidë që ta marrë materialin në një gjuhë dhe t’ua bëjë të kuptueshëm atyre që lexojnë dhe dëgjojnë një gjuhë tjetër. Disa përkthyes të Biblës e kanë bërë punën e tyre me një vetëdije të thellë se ajo që po përkthenin ishte Fjala e Perëndisë. Të tjerë janë magjepsur thjesht nga interesi studimor që ngjall projekti. Ata mund ta kenë konsideruar përmbajtjen e Biblës thjesht si një trashëgimi të çmuar kulturore. Për disa, feja është biznesi i tyre dhe angazhimi në botimin e një libri që mban emrin e tyre si përkthyes apo botues, është pjesë e sigurimit të jetesës. Motivet e tyre ndikojnë dukshëm në mënyrën se si e kryejnë punën.
3. Si e konsideron punën e tij Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re?
3 Vlen të përmendet pohimi i bërë nga Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re: «Të përkthesh Shkrimet e Shenjta do të thotë të përkthesh në një gjuhë tjetër mendimet dhe thëniet e Perëndisë Jehova . . . Kjo është diçka që të bën të mendosh thellë. Përkthyesit e kësaj vepre, që kanë frikë dhe duan Autorin Hyjnor të Shkrimeve të Shenjta, ndiejnë një përgjegjësi të veçantë ndaj tij, për t’i transmetuar mendimet dhe deklaratat e tij sa më saktë që të jetë e mundur. Ata ndiejnë përgjegjësi edhe ndaj lexuesve shqyrtues, që për shpëtimin e tyre të përhershëm, mbështeten në një përkthim të Fjalës së frymëzuar të Perëndisë më të Lartë. Me një ndjenjë të tillë përgjegjësie solemne, në rrjedhën e shumë viteve, ky komitet burrash të dedikuar ka nxjerrë Përkthimin Bota e Re të Shkrimeve të Shenjta.» Synimi i komitetit ishte pasja e një përkthimi të Biblës, që do të ishte i qartë dhe i kuptueshëm, si dhe që do t’i përmbahej kaq ngushtësisht hebraishtes dhe greqishtes origjinale, saqë do të siguronte një themel për rritje të vazhdueshme në njohurinë e saktë.
Çfarë i ka ndodhur emrit të Perëndisë?
4. Sa i rëndësishëm është emri i Perëndisë në Bibël?
4 Njëri prej objektivave kryesorë të Biblës është që t’i ndihmojë njerëzit të arrijnë të njohin Perëndinë e vërtetë. (Dalja [Eksodi] 20:2-7; 34:1-7; Isaia 52:6) Jezu Krishti i mësoi ithtarët e tij të luteshin që emri i Atit të tij të «shenjtërohet», të mbahet i shenjtë apo të trajtohet si i shenjtë. (Mateu 6:9) Në Bibël, Perëndia e ka të përfshirë emrin e tij personal më shumë se 7.000 herë. Ai dëshiron që njerëzit ta njohin atë emër dhe cilësitë e Atij që e mban atë.—Malakia 1:11.
5. Si e kanë paraqitur përkthyes të ndryshëm emrin hyjnor?
5 Shumë përkthyes të Biblës kanë treguar respekt të sinqertë për emrin hyjnor dhe e kanë përdorur atë në mënyrë të vazhdueshme në punën e tyre. Disa përkthyes preferojnë Jahveh. Të tjerë kanë zgjedhur një formë të emrit hyjnor, e cila është e përshtatshme për gjuhën e tyre dhe që megjithatë identifikohet qartë me atë që shfaqet në tekstin hebraik, ndoshta një formë që njihet mirë, me anë të përdorimit për një kohë të gjatë. Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta, e përdor Jehova 7.210 herë në tekstin e tij kryesor.
6. (a) Në vitet e fundit, çfarë kanë bërë përkthyesit me referimet ndaj emrit hyjnor? (b) Sa e përhapur është kjo praktikë?
6 Vitet e fundit, megjithëse përkthyesit e Biblës i mbajnë emrat e perëndive pagane të tilla si Baali dhe Moleku, me një shpeshtësi në rritje janë duke hequr emrin personal të Perëndisë së vërtetë nga përkthimet e Fjalës së tij të frymëzuar. (Dalja 3:15; Jeremia 32:25) Në fragmente të tilla si Mateu 6:9 dhe Gjoni 17:6, 26, një version i përhapur gjerësisht në shqip, e përkthen shprehjen greke për «emrin tënd» (pra emrin e Perëndisë) thjesht si «ty», sikur ato shkrime të mos përmendnin fare një emër. Në Psalmin 83:18, The New English Bible dhe Today’s English Version, eliminojnë si emrin personal të Perëndisë, ashtu edhe çdo referim që i bëhet faktit se Perëndia ka një emër. Megjithëse emri hyjnor është shfaqur në përkthime më të vjetra të Shkrimeve Hebraike në shumë gjuhë, përkthime më të reja shpesh e eliminojnë ose e përmendin tek shënimet anësore. Kështu ndodh në anglisht, si dhe në shumë gjuhë të Evropës, Afrikës, Amerikës Jugore, Indisë dhe ishujve të Paqësorit.
7. (a) Si po veprojnë përkthyesit e disa Biblave afrikane me emrin hyjnor? (b) Si ndihesh në lidhje me këtë?
7 Përkthyes të Biblës në disa gjuhë afrikane, po shkojnë një hap më tej. Në vend që të bëjnë thjesht një zëvendësim të emrit hyjnor me një titull biblik, të tillë si Perëndi ose Zotëri, po fusin emra që janë marrë nga besimet fetare lokale. Në The New Testament and Psalms in Zulu (version i 1986-s), titulli Perëndi (uNkulunkulu) ishte përdorur në mënyrë të këmbyeshme me një emër personal (uMvelinqangi), me të cilën zulutë kuptojnë se i referohet ‘paraardhësit madhështor, që adhurohet nëpërmjet të parëve njerëzorë’. Një artikull në revistën Përkthyesi i Biblës, e tetorit 1992, raportonte se gjatë përgatitjes së Biblës në gjuhën kikeva, që duhet quajtur Buku Loyera, përkthyesit po përdornin Çauta si një emër personal, për të zënë vendin e Jehova. Çauta, shpjegonte artikulli, është «Perëndia që ata kanë njohur dhe adhuruar gjithmonë». Megjithatë, shumë prej këtyre njerëzve adhurojnë, gjithashtu, ata për të cilët besojnë se janë frymërat e të vdekurve. A është e vërtetë që nëse njerëzit i drejtojnë lutje një «Qënieje Supreme», atëherë çfarëdo emri që të përdorin për «Qenien Supreme» është një ekuivalent i vlefshëm për emrin personal Jehova, pavarësisht se çfarë gjëje tjetër mund të përfshijë adhurimi i tyre? Patjetër që jo! (Isaia 42:8; 1. Korintasve 10:20) Zëvendësimi i emrit personal të Perëndisë me diçka që i bën njerëzit të mendojnë se besimet e tyre tradicionale janë në fakt të drejta, nuk i ndihmon t’i afrohen më shumë Perëndisë së vërtetë.
8. Përse qëllimi i Perëndisë që emri i tij të bëhet i njohur, nuk është prishur?
8 E gjithë kjo as nuk e ka ndryshuar dhe as nuk e ka prishur qëllimin e Jehovait, që të bëjë të njihet emri i tij. Në gjuhët e Evropës, Afrikës, Amerikës Veriore, Qendrore dhe Jugore, në ato të Lindjes dhe në ishujt e detit, ende janë në qarkullim shumë Bibla që përfshijnë emrin hyjnor. Gjithashtu, në 233 shtete dhe territore, ka mbi 5.400.000 Dëshmitarë të Jehovait, që të marrë së bashku dedikojnë më shumë se një miliard orë në vit për t’u folur të tjerëve mbi emrin dhe qëllimin e Perëndisë së vërtetë. Ata shtypin dhe shpërndajnë Bibla, ato që përdorin emrin hyjnor, në gjuhë që fliten nga pothuajse 3.600.000.000 persona të popullsisë së tokës, duke përfshirë këtu gjuhën angleze, kineze, ruse, spanjolle, portugeze, frënge dhe hollandeze. Ata shtypin, gjithashtu, literaturë ndihmëse për studimin e Biblës, në gjuhë që njihen nga pjesa më e madhe e popullsisë së tokës. Së shpejti, vetë Perëndia do të ndërmarrë veprime, në një mënyrë që do të përmbushë përfundimisht deklaratën e tij se kombeve «do t’u duhet ta dinë se [ai është] Jehovai».—Ezekieli 38:23, BR.
Kur besimet personale u japin formën përkthimeve
9. Si e tregon Bibla përgjegjësinë serioze që bie mbi ata që merren me Fjalën e Perëndisë?
9 Një përgjegjësi serioze qëndron mbi ata që përkthejnë Fjalën e Perëndisë, si dhe mbi ata që ua mësojnë atë të tjerëve. Në lidhje me shërbimin e tij dhe me atë të shokëve të tij, apostulli Pavël tha: «Ne kemi hequr dorë nga gjërat e fshehta, për të cilat të turpërohemi, duke mos ecur me dinakëri dhe duke mos bastarduar fjalën e Perëndisë, por duke bërë të qartë të vërtetën, duke ia rekomanduar veten çdo ndërgjegjeje njerëzore në sytë e Perëndisë.» (2. Korintasve 4:2, BR) Të bastardosh, do të thotë të korruptosh nëpërmjet përzierjes me diçka të huaj apo të një shkalle më të ulët. Apostulli Pavël nuk ishte si barinjtë e pabesueshëm të Izraelit në ditët e Jeremisë, që u qortuan nga Jehovai sepse predikonin idetë e tyre në vend të asaj që thoshte Perëndia. (Jeremia 23:16, 22) Por, çfarë ka ndodhur në kohët moderne?
10. (a) Si kanë ndikuar mbi disa përkthyes motive të ndryshme nga besnikëria ndaj Perëndisë, në kohët moderne? (b) Çfarë roli po merrnin ata përsipër në mënyrë të papërshtatshme?
10 Gjatë Luftës II Botërore, një komitet teologësh dhe pastorësh bashkëpunoi me qeverinë naziste në Gjermani, për të nxjerrë një «Besëlidhje të Re» të rishikuar, që eliminoi të gjitha referimet e favorshme për çifutët dhe të gjithë treguesit e prejardhjes çifute të Jezu Krishtit. Në kohët e mëvonshme, përkthyesit që nxorrën The New Testament and Psalms: An Inclusive Version, u prirën në një drejtim të ndryshëm, duke u përpjekur ta spastronin nga të gjithë treguesit se çifutët mbajnë përgjegjësi në lidhje me vdekjen e Krishtit. Ata përkthyes menduan, gjithashtu, se lexueset femra do të ishin më të lumtura nëse për Perëndinë do të flitej jo si për Atin, por si për Atin-Nënë dhe nëse për Jezuin do të thuhej se ishte jo Biri i Perëndisë, por Fëmija i tij. (Mateu 11:27) Ishin që ishin, ata hoqën parimin e nënshtrimit të grave ndaj burrave dhe të bindjes së fëmijëve ndaj prindërve. (Kolosianëve 3:18, 20) Është e qartë se ata që bënë këto përkthime, nuk patën vendosmërinë e apostullit Pavël për të mos ‘bastarduar fjalën e Perëndisë’. Ata po e harronin rolin e përkthyesit, duke marrë pozitën e autorit, duke nxjerrë libra që e përdornin reputacionin e Biblës si një mjet për të mbrojtur opinionet e veta.
11. Si bien në konflikt mësimet e të ashtuquajturit krishterim me atë që thotë Bibla për shpirtin dhe vdekjen?
11 Kishat e të ashtuquajturit krishterim, në përgjithësi mësojnë se shpirti njerëzor është frymë, i cili me vdekjen e lë trupin dhe që është i pavdekshëm. Në kontrast me këtë, përkthimet më të vjetra të Biblës në shumicën e gjuhëve pohojnë qartë se njerëzit janë shpirtra, se kafshët janë shpirtra dhe se shpirti vdes. (Zanafilla 12:5; 36:6; Numrat 31:28; Jakovit 5:20) Kjo gjë e ka vënë në siklet klerin.
12. Në ç’mënyrë disa versione të kohëve të fundit i errësojnë të vërtetat biblike bazë?
12 Tani disa versione më të reja i errësojnë këto të vërteta. Si? Ato thjesht shmangin një përkthim të drejtpërdrejtë të emrit hebraik neʹphesh (shpirt) në disa shkrime. Në Zanafillën 2:7, ata mund të thonë se njeriu i parë «filloi të jetojë» (në vend se «u bë një shpirt i gjallë»). Ose mund t’i referohen «krijesës» në vend se «shpirtit», në rastin e jetës së kafshëve. (Zanafilla 1:21) Në shkrime të tilla si Ezekieli 18:4, 20, ato i referohen «personit» apo «individit» (në vend se «shpirtit») si atij që vdes. Ndoshta përkthime të tilla janë të justifikueshme për përkthyesin. Por sa e ndihmojnë ato kërkuesin e sinqertë të së vërtetës, mënyra e të menduarit të të cilit ka qenë tashmë e kushtëzuar nga mësimet jobiblike të të ashtuquajturit krishterim?b
13. Në ç’mënyra e kanë fshehur disa versione të Biblës qëllimin e Perëndisë në lidhje me tokën?
13 Në përpjekjen për të mbështetur besimin e tyre se njerëzit e mirë shkojnë në qiell, përkthyesit ose teologët që rishikojnë punën e tyre, mund të përpiqen, gjithashtu, që të fshehin atë që thotë Bibla në lidhje me qëllimin e Perëndisë për tokën. Në Psalmin 37:11, në disa versione lexohet se të përulurit do të zotërojnë «vendin». «Vend» është një përkthim i mundshëm i fjalës (ʼeʹrets), që përdoret në tekstin hebraik. Megjithatë, Today’s English Version (i cili ka siguruar bazën për përkthime në shumë gjuhë të tjera), shkon më tej. Megjithëse ky version e përkthen fjalën greke ge si «tokë» 17 herë në ungjillin e Mateut, në Mateun 5:5 e zëvendëson «tokën» me frazën «atë që ka premtuar Perëndia». Natyrisht që anëtarët e kishës mendojnë se është fjala për qiellin. Ata nuk janë duke u informuar në mënyrë të ndershme se në Predikimin e tij në Mal, Jezu Krishti tha se ata me natyrë të butë, zemërbutët apo të përulurit do të «trashëgojnë tokën».
14. Çfarë motivimi egoist është i dukshëm në disa versione të Biblës?
14 Disa përkthime të Shkrimeve janë formuluar në mënyrë të dukshme me qëllimin për t’i ndihmuar predikuesit që të marrin një pagë të mirë. Është e vërtetë që Bibla thotë: «Punëtori është i denjë për pagën e tij.» (1. Timoteut 5:18, BR) Por në 1. Timoteut 5:17, ku thuhet se pleqtë që drejtojnë në mënyrë të shkëlqyer duhen «konsideruar të denjë për nderim të dyfishtë», i vetmi nderim që disa prej tyre e konsiderojnë se ia vlen të përmendet, është ai monetar. (Krahaso 1. Pjetrit 5:2.) Kështu, The New English Bible thotë se pleqtë «duhen konsideruar të denjë për një pagë të dyfishtë» dhe Contemporary English Version thotë se ata «meritojnë të paguhen dyfish».
Të mbështetim besnikërisht Fjalën e Perëndisë
15. Si mund ta përcaktojmë se cilat përkthime të Biblës të përdorim?
15 Çfarë do të thotë e gjithë kjo për lexuesin individual të Biblës dhe për ata që e përdorin Biblën për të mësuar të tjerët? Në shumicën e gjuhëve të përdorura gjerësisht, ka më shumë se një përkthim të Biblës, prej të cilëve mund të zgjedhësh. Trego aftësi shquese në përzgjedhjen e Biblës që përdor. (Proverbat [Fjalët e urta] 19:8) Nëse një përkthim nuk është i ndershëm në lidhje me identitetin e vetë Perëndisë, duke ia hequr emrin nga Fjala e tij e frymëzuar me çfarëdo preteksti, a është e mundur që përkthyesit të kenë vënë dorë edhe në pjesë të tjera të tekstit të Biblës? Kur ke dyshim për vlefshmërinë e një përkthimi, përpiqu ta krahasosh me përkthime më të vjetra. Nëse je mësues i Fjalës së Perëndisë, prefero versionet që i përmbahen ngushtësisht asaj që ndodhet në tekstin origjinal hebraik dhe grek.
16. Si mund të tregojmë individualisht besnikëri në përdorimin që i bëjmë Fjalës së frymëzuar të Perëndisë?
16 Të gjithë ne duhet që individualisht të jemi besnikë ndaj Fjalës së Perëndisë. E bëjmë këtë duke u kujdesur mjaft për atë që përmban ajo, kështu që nëse është e mundur, kalojmë çdo ditë një pjesë kohe duke lexuar Biblën. (Psalmi 1:1-3) E bëjmë këtë, duke aplikuar plotësisht në jetën tonë atë që thotë, duke mësuar të përdorim parimet dhe shembujt e saj, si bazë për marrjen e vendimeve të shëndosha. (Romakëve 12:2; Hebrenjve 5:14) Ne tregojmë se jemi mbrojtës besnikë të Fjalës së Perëndisë, duke ua predikuar atë me zell të tjerëve. Gjithashtu, e bëjmë këtë duke e përdorur me kujdes Biblën, pa e shtrembëruar apo pa e zgjeruar kurrë atë që thotë, që t’ia përshtatim ideve tona. (2. Timoteut 2:15) Ajo që ka parathënë Perëndia, do të ndodhë patjetër. Ai është besnik në përmbushjen e Fjalës së tij. Qofshim besnikë në mbështetjen e saj!
[Shënimet]
a Në vitin 1997, Shoqatat e Bashkuara Biblike renditnin 2.167 gjuhë dhe dialekte në të cilat është botuar Bibla, e tëra ose pjesërisht. Kjo shifër përfshin shumë dialekte të disa gjuhëve.
b Ky trajtim përqendrohet në gjuhët që kanë aftësinë për ta bërë të qartë çështjen, por në të cilat përkthyesit zgjedhin të mos veprojnë kështu. Fjalorët në dispozicion kufizojnë rreptësisht atë që mund të bëjnë përkthyesit në disa gjuhë. Atëherë, mësuesit e ndershëm fetarë do të shpjegojnë se ndonëse përkthyesi ka përdorur një shumëllojshmëri termash apo edhe nëse ka përdorur një term që ka ngjyrime jobiblike, termi në gjuhën origjinale, neʹphesh, i aplikohet si njerëzve, ashtu dhe kafshëve dhe përfaqëson diçka që merr frymë, ha dhe mund të vdesë.
A të kujtohet?
◻ Cilat motive kanë ndikuar në punën e përkthyesve të Biblës në kohët moderne?
◻ Përse prirjet e përkthimeve moderne nuk e kanë prishur qëllimin e Perëndisë në lidhje me emrin e tij?
◻ Si i errësojnë disa përkthime të vërtetat biblike në lidhje me shpirtin, vdekjen dhe tokën?
◻ Në cilat mënyra mund të tregojmë se e mbështetim besnikërisht Fjalën e Perëndisë?
[Figura në faqen 16]
Cilin përkthim të Biblës duhet të përdorësh?