LUGINA E HINOMIT
Luginë në jug dhe jugperëndim të Jerusalemit; duke nisur afër Portës së sotme të Jafës, ajo shtrihet drejt jugut, pastaj bën një kthesë të fortë drejt lindjes në qoshen jugperëndimore të qytetit dhe vazhdon përgjatë anës jugore derisa bashkohet me luginat e Tiropeonit e të Kidronit diku afër qoshes juglindore të qytetit. Quhet edhe ‘lugina e birit (bijve) të Hinomit’; ‘Lugina’, si në shprehjen ‘Porta e Luginës’ (Js 15:8; 2Mb 23:10; Ne 3:13); e ndoshta «ultësira e kufomave dhe e hirit të lyrosur» te Jeremia 31:40. Nuk njihet as personi nga i cili mund ta ketë marrë emrin, as kuptimi i emrit Hinom.—FIGURA, vëll. 2, f. 949 në botimin anglisht.
Tamam sipër vendit ku bashkohet me luginën e Tiropeonit dhe luginën e Kidronit, Hinomi zgjerohet. Ka të ngjarë që këtu ndodhej Tofeti. (2Mb 23:10) Në anën jugore të luginës, afër skajit lindor të saj, është vendi ku, sipas traditës, ndodhej Akeldama, «Ara e Gjakut», ara e poçarit e blerë me 30 monedhat e argjendta të Judës. (Mt 27:3-10; Ve 1:18, 19) Më lart, lugina është mjaft e ngushtë dhe e thellë, plot dhoma varrimi të hapura në brezaret e saj shkëmbore.
Lugina e Hinomit ishte pjesë e kufirit mes fiseve të Judës dhe të Beniaminit; territori i Judës ishte në jug, ndaj Jerusalemi binte në territorin e Beniaminit, siç tregon Josiu 15:1, 8; 18:11, 16. Sot lugina quhet Vadi-er-Rababi (Ge-Ben-Hinom).
Në këtë luginë, Akazi apostat, mbreti i Judës, paraqiti tym blatimi dhe dogji në zjarr birin (ose bijtë) e tij. (2Kr 28:1-3) Të zezat që bëri nipi i tij, mbreti Manase, ia kaluan atyre të Akazit. Manaseu nxiti ligësinë në masë të madhe, e po ashtu «i kaloi bijtë e tij në zjarr në luginën e birit të Hinomit». (2Kr 33:1, 6, 9) Mbreti Josia, nip i Manaseut, i dha fund kësaj praktike të pështirë në Tofet, duke e ndotur ose përdhosur atë vend—ndoshta duke përhapur atje eshtra a mbeturina—e kështu e bëri të papërshtatshëm për adhurim.—2Mb 23:10.
Jeremia, që profetizoi në ditët e mbretërve Josia, Jehoahaz, Jehojakim, Jehojakin dhe Zedekia, shpalli gjykimin e Jehovait për mëkatet e kombit, ndër të cilat spikaste flijimi i neveritshëm i fëmijëve të tyre për Molekun. Ai mori urdhër t’i nxirrte disa pleq të popullit e priftërinj jashtë Portës së Copave të Poçeve (Portës së Togjeve të Hirit), që ndodhej në qoshen juglindore të Jerusalemit, e t’i çonte në luginën e Hinomit, në zonën e Tofetit. Atje shpalli këto fjalë të Jehovait: «Ja, po vijnë ditët . . . kur ky vend nuk do të quhet më Tofeti dhe lugina e bijve të Hinomit, por lugina e vrasjes.» Pastaj, si theu një poç balte para syve të tyre, vazhdoi të shpallte gjykimin e Jehovait: «Po kështu do ta thyej këtë popull dhe këtë qytet; dhe ata do të varrosin në Tofet, derisa ai të stërmbushet.» (Jr 19:1, 2, 6, 10, 11) Me fjalë të tjera, vrasja—jo e viktimave që i flijoheshin Molekut, por e të ligjve të gjykuar nga Perëndia—do të kishte përmasa aq të mëdha, sa disa kufoma do të dergjeshin të pavarrosura në luginë. Kjo do ta ndotte luginën akoma më shumë nga ç’kish bërë Josia.
Fjalët profetike të Jeremisë nuk nënkuptojnë medoemos se në kohën e Jeremisë i bëheshin ende flijime të tilla Molekut, por se Jehovai do ta ndëshkonte kombin për praktikat e tyre, të kaluara a të tashme, dhe për gjakun e pafajshëm që kishin derdhur, sidomos për flijimet në njerëz gjatë mbretërimit të Manaseut. Në një shpallje tjetër, profeti i tha kombit se do të ndëshkoheshin për atë që kishte bërë Manaseu. (Jr 15:4; krahaso 2Mb 23:26; Jr 32:30-35.) Gjithashtu, deklarata e Jeremisë në kapitullin 19, vargu 3, është paralele me fjalët e 2 Mbretërve 21:12. Megjithatë, s’ka dyshim se në ditët e Jeremisë populli vazhdonte të merrej me idhujtari, çka tregonte se nuk ishin penduar asnjë fije për mëkatet e rënda në të cilat ishin përfshirë gjatë mbretërimit të Manaseut. Te Jeremia 2:23, ka të ngjarë që Jeremia ta ketë fjalën për Hinomin kur i tërheq vëmendjen Judës për mëkatet e saj të idhujtarisë.
Portat e mureve të Jerusalemit që ndodheshin nga ana e luginës së Hinomit, duhet të kenë qenë: Porta e Qoshes në qoshen veriperëndimore të qytetit, Porta e Luginës në qoshen jugperëndimore të tij dhe Porta e Copave të Poçeve afër vendit ku lugina e Hinomit bashkohej me luginat e Tiropeonit dhe të Kidronit. (2Mb 14:13; Ne 2:13; 12:31; Jr 19:2) Midis Portës së Qoshes dhe Portës së Luginës, shpatet e luginës së Hinomit janë aq të rrëpirëta, sa nuk ishte praktike të bëheshin porta të tjera në atë pjesë të mureve të Jerusalemit. Mbreti Uziah ndërtoi kulla pranë Portës së Qoshes dhe Portës së Luginës, meqë ato ishin pikat më të dobëta nga ajo anë e luginës.—2Kr 26:9.
Në këtë luginë, në jug të Jerusalemit, Nehemia doli natën për të këqyrur muret e qytetit. Ai shkoi drejt lindjes nga Porta e Luginës deri te Porta e Togjeve të Hirit, pastaj u ngjit një copë rrugë nëpër Kidron dhe në fund u kthye e hyri prapë në qytet nga Porta e Luginës. (Ne 2:13-15) Në kohën e Nehemisë, lugina e Hinomit me sa duket shënonte kufirin verior të vendbanimeve të bijve të Judës (me përjashtim të atyre që banonin në Jerusalem).—Ne 11:25, 30.
Në Shkrimet e Krishtere Greke, për luginën e Hinomit përdoret termi përkatës në greqisht Géenna.—Mt 5:22; Mr 9:47; shih GEHENA.