Si i stërvitin pleqtë të tjerët që të jenë të kualifikuar
«Gjërat që dëgjove nga unë, . . . besojua njerëzve të besueshëm.»—2 TIM. 2:2.
1. (a) Çfarë kanë kuptuar prej kohësh për stërvitjen shërbëtorët e Perëndisë, dhe si zbatohet kjo në ditët tona? (b) Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?
SHËRBËTORËT e Perëndisë e kanë kuptuar prej kohësh se stërvitja çon drejt suksesit. Patriarku Abram «mobilizoi njerëzit e stërvitur» për të shpëtuar Lotin, dhe ata burra korrën fitore. (Zan. 14:14-16) Në kohën e mbretit David, këngëtarët në shtëpinë e Perëndisë ishin «stërvitur për t’i kënduar Jehovait» dhe i thurnin lavde Atij. (1 Kron. 25:7) Sot ne kemi një luftë frymore me Satanain dhe larot e tij. (Efes. 6:11-13) Gjithashtu punojmë me mish e me shpirt për të lëvduar Jehovain. (Hebr. 13:15, 16) Prandaj, njësoj si shërbëtorët e Perëndisë në të kaluarën, na duhet stërvitje që të kemi sukses. Brenda kongregacionit, Jehovai ua beson pleqve përgjegjësinë që të stërvitin të tjerët. (2 Tim. 2:2) Ç’metoda përdorin pleqtë me përvojë që t’i stërvitin vëllezërit të jenë të kualifikuar të kujdesen për kopenë?
FORCOJE NXËNËSIN FRYMËSISHT
2. Çfarë mund t’i duhet të bëjë një plaku para se t’i mësojë disa aftësi një nxënësi, dhe pse?
2 Ti si plak i ngjason një kopshtari. Para se të mbjellë farë, kopshtari mund të vërejë se duhet t’i shtojë dheut lëndë ushqyese që ta bëjë më pjellor. Po njësoj, para se t’i mësosh disa aftësi një vëllai me më pak përvojë, ti mund të dallosh se duhet t’i japësh diçka ushqyese nga Shkrimet. Kështu zemra e tij do të reagojë më mirë ndaj stërvitjes që do të marrë.—1 Tim. 4:6.
3. (a) Si mund të përdoren fjalët e Jezuit te Marku 12:29, 30 gjatë një bisede me dikë që po stërvitet? (b) Si mund të ndikojë te nxënësi lutja e një plaku?
3 Që të kuptosh sa rol luan e vërteta për Mbretërinë te mënyra si mendon e si vepron ky vëlla, mund ta pyesësh: «Si ka ndikuar kushtimi yt ndaj Jehovait te mënyra si e përdor jetën?» Kjo pyetje mund të çelë një bisedë domethënëse se ç’duhet bërë që t’i shërbejmë Jehovait me gjithë shpirt. (Lexo Markun 12:29, 30.) Ndoshta në fund të bisedës, mund të bësh një lutje e t’i kërkosh Jehovait t’i japë nxënësit frymën e shenjtë që i nevojitet për ta çuar gjer në fund stërvitjen. Si do t’i ngrihet zemra peshë vëllait kur të dëgjojë këtë lutje nga zemra!
4. (a) Jepni shembuj biblikë që e nxitin një nxënës të përparojë frymësisht. (b) Çfarë synimi kanë pleqtë kur stërvitin?
4 Nga fillimi i stërvitjes, shqyrtoni disa tregime biblike që mund ta ndihmojnë nxënësin të kuptojë se duhet të jetë i gatshëm, i besueshëm dhe i përulur. (1 Mbret. 19:19-21; Neh. 7:2; 13:13; Vep. 18:24-26) Cilësi të tilla janë të domosdoshme për nxënësin porsi lëndët ushqyese për tokën. Ato shpejtojnë rritjen frymore. Zhan-Klodi, një plak nga Franca, thotë: «Synimi im kryesor kur stërvit dikë, është ta ndihmoj t’i shohë gjërat siç i sheh Jehovai. Kërkoj raste kur mund të lexojmë bashkë ndonjë shkrim specifik për ‘t’i hapur sytë’ nxënësit të shohë ‘mrekullitë’ që përmban Fjala e Perëndisë.» (Psal. 119:18) Cilat janë disa mënyra të tjera për ta forcuar nxënësin?
SUGJEROJI SYNIME—TREGOJI ARSYET
5. (a) Sa rëndësi ka të flasësh me nxënësin për synimet frymore? (b) Pse pleqtë duhet t’i stërvitin vëllezërit që janë ende të vegjël në moshë? (Shih shënimin.)
5 Pyete nxënësin: «Çfarë synimesh frymore ke?» Nëse nuk ka asnjë synim të qartë në mend, ndihmoje të vërë një synim të arsyeshëm dhe të arritshëm. Tregoji për ndonjë synim frymor specifik që i vure vetes dikur dhe përshkruaji me entuziazëm si u bëre me krahë nga gëzimi kur e arrite. Kjo mbase duket metodë e thjeshtë, ama bën punë. Viktori, një plak dhe pionier në Afrikë, kujton: «Kur isha i ri, një plak më bëri ca pyetje të menduara mirë për synimet e mia. Falë atyre pyetjeve, nisa të mendoja seriozisht për shërbimin tim.» Pleqtë me përvojë theksojnë edhe sa e rëndësishme është që stërvitja të fillojë qysh në moshë të vogël—në fillim të adoleshencës—duke u dhënë vëllezërve caktime në kongregacion sipas moshës. Kjo stërvitje që në moshë të njomë do t’i ndihmojë që, kur të jenë nga fundi i adoleshencës e të bombardohen me shpërqendrime, t’i mbajnë sytë te synimet frymore.—Lexo Psalmin 71:5, 17.a
6. Cilën metodë të rëndësishme përdorte Jezui ndërsa stërviste të tjerët?
6 Veç kësaj, nxënësi motivohet të shërbejë kur i shpjegon jo vetëm çfarë të bëjë, por edhe pse ta bëjë. Kur i tregon arsyet, imiton Mësuesin e Madh, Jezuin. Për shembull, para se t’u ngarkonte apostujve detyrën që të bënin dishepuj, Jezui u tregoi një arsye pse duhej të bindeshin, kur tha: «Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.» Më tej shtoi: «Prandaj, shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.» (Mat. 28:18, 19) Si mund ta imitosh mënyrën si stërviste Jezui?
7, 8. (a) Si mund ta imitojnë pleqtë sot mënyrën si stërviste Jezui? (b) Sa rëndësi ka ta lavdërosh nxënësin? (c) Cilat sugjerime mund t’i ndihmojnë pleqtë ndërsa stërvitin? (Shih kutinë «Si të stërvitësh».)
7 Shpjegoji nxënësit arsyen biblike të asaj që i kërkohet. Kështu e mëson të udhëhiqet nga parimet biblike. Për shembull, ta zëmë se i kërkon një vëllai të kujdeset që hyrja e Sallës së Mbretërisë të jetë e pastër dhe e sigurt për të kaluar. Mund të shqyrtosh me të Titin 2:10 dhe t’i shpjegosh si ‘do ta stolisë mësimin e Shpëtimtarit tonë, Perëndisë’ puna që do të bëjë ai për Sallën e Mbretërisë. Gjithashtu, kërkoji nxënësit të mendojë për të moshuarit në kongregacion dhe si do të nxjerrin dobi ata nga caktimi që do të kryejë. Duke bërë biseda të tilla me nxënësin si pjesë e stërvitjes, do ta ndihmosh të përqendrohet më tepër te njerëzit sesa te rregullat. Kur të shohë si nxjerrin dobi vëllezërit dhe motrat në kongregacion nga shërbimi që bën ai, do t’i gëzojë zemra.
8 Veç kësaj, mos harro ta lavdërosh nxënësin për përpjekjet e tij që të zbatojë sugjerimet që jep ti. Sa peshë ka kjo? Lavdërimet e sinqerta janë për nxënësin ashtu si uji për bimën—e çelin.—Krahaso Mateun 3:17.
NJË VËSHTIRËSI TJETËR
9. (a) Çfarë vështirësie ndeshin disa pleq në vendet e zhvilluara lidhur me stërvitjen? (b) Pse e vërteta nuk ka zënë vend të parë në jetën e disa vëllezërve të rinj?
9 Pleqtë në vendet e zhvilluara mund të ndeshin një vështirësi tjetër: si të motivojnë vëllezër të pagëzuar në të 20-at a në të 30-at që të përfshihen në aktivitetet e kongregacionit. U kërkuam pleqve me përvojë në rreth 20 vende perëndimore të na tregonin për ç’arsye, sipas tyre, disa vëllezër në moshë të re ngurrojnë të pranojnë privilegje në kongregacion. Ndër përgjigjet që dhanë, spikat kjo: gjatë fëmijërisë, disa nuk u inkurajuan të ndiqnin synime frymore. Ç’është e vërteta, kishte raste kur fëmijët ishin të prirur të vinin synime të tilla, por prindërit i inkurajuan të ndiqnin synime në botë. Kështu, e vërteta nuk zuri kurrë vend të parë në jetën e këtyre vëllezërve.—Mat. 10:24.
10, 11. (a) Kur një vëlla duket disi indiferent, si mund ta ndihmojë pak nga pak një plak që t’i shohë gjërat me sy tjetër? (b) Cilat shkrime mund të shqyrtojë një plak me këtë vëlla, dhe pse? (Shih shënimin.)
10 Nëse një vëlla duket disi indiferent, ose sikur s’e prish terezinë, do të duhen goxha përpjekje dhe durim për t’i ndryshuar pikëpamje. Por mund t’ia dalësh. Ashtu si një kopshtar mund t’i ndihmojë disa bimë të rriten mbarë duke ua drejtuar pak nga pak kërcellin, edhe ti mund t’i ndihmosh pak nga pak disa vëllezër që të kuptojnë se duhet të ndryshojnë qëndrim kur bëhet fjalë për të pranuar privilegje. Por si ta arrish këtë?
11 Lër kohë që të krijosh një marrëdhënie miqësore me vëllanë. Thuaji se kongregacioni ka nevojë për të. Pastaj, me kalimin e kohës, uluni bashkë që të arsyetoni për shkrime specifike dhe ndihmoje të mendojë për kushtimin që i ka bërë Jehovait. (Ekl. 5:4; Isa. 6:8; Mat. 6:24, 33; Luka 9:57-62; 1 Kor. 15:58; 2 Kor. 5:15; 13:5) Mund ta pyesësh: «Kur iu kushtove Jehovait, çfarë i premtove?» Përpiqu t’i prekësh zemrën me këto pyetje: «Si mendon se duhet të jetë ndier Jehovai kur u pagëzove?» (Prov. 27:11) «Si u ndie Satanai?» (1 Pjet. 5:8) Kurrë mos e nënvlerëso ndikimin e thellë që mund të ketë te një vëlla leximi i vargjeve biblike të zgjedhura me kujdes.—Lexo Hebrenjve 4:12.b
NXËNËS, TREGOHUNI BESNIKË
12, 13. (a) Çfarë qëndrimi shfaqi Eliseu si nxënës? (b) Si e shpërbleu Jehovai Eliseun për besnikërinë e tij?
12 Vëllezër të rinj, kongregacioni ka nevojë për ndihmën tuaj. Cili qëndrim do t’ju ndihmojë të keni sukses? Për të gjetur përgjigjen, le të shohim disa ngjarje nga jeta e një nxënësi të kohëve të lashta.
13 Thuajse 3.000 vjet më parë, profeti Elija e ftoi Eliseun e ri të bëhej shërbëtori i tij. Eliseu e pranoi ftesën pa një pa dy dhe i shërbeu me besnikëri profetit të moshuar duke kryer punë të rëndomta që kërkonin përulësi. (2 Mbret. 3:11) Pasi u stërvit për afro gjashtë vjet, Eliseu mori vesh se vepra e Elijas në Izrael po mbaronte. Atëherë Elija e nxiti shokun e tij të stërvitur mirë të mos e ndiqte më, por Eliseu i tha tri herë: «Unë nuk do të të lë.» Ishte i vendosur të qëndronte sa më gjatë me mësuesin e tij. E Jehovai e shpërbleu Eliseun për besnikërinë duke e lejuar të shihte me sytë e vet largimin mbresëlënës të Elijas.—2 Mbret. 2:1-12.
14. (a) Si mund ta imitojë një nxënës sot Eliseun? (b) Pse ka shumë rëndësi që nxënësi të jetë besnik?
14 Si mund ta imitosh Eliseun sot? Pranoji menjëherë caktimet, përfshirë edhe detyrat e rëndomta që kërkojnë përulësi. Shikoje si shok mësuesin tënd dhe thuaja sa shumë i çmon përpjekjet që bën për ty. E me mënyrën si reagon është sikur i thua: «Unë nuk do të të lë.» Mbi të gjitha, kryeje me besnikëri çdo caktim që të jepet. Pse është kaq e rëndësishme kjo? Sepse vetëm pasi të tregosh se je besnik dhe i besueshëm, pleqtë do të jenë të sigurt se Jehovai dëshiron të të besohen më shumë përgjegjësi në kongregacion.—Psal. 101:6; lexo 2 Timoteut 2:2.
TREGONI RESPEKTIN E DUHUR
15, 16. (a) Si tregoi respekt Eliseu për mësuesin e tij? (Shih figurën hapëse.) (b) Si u ngjalli besim Eliseu profetëve të tjerë?
15 Tregimi për Eliseun, pasuesin e Elijas, nxjerr në pah edhe si mund të tregojnë vëllezërit sot respektin e duhur për pleqtë me përvojë. Pasi vizituan një grup profetësh në Jeriko, Elija dhe Eliseu morën udhën drejt lumit Jordan. Atje, «Elija mori veshjen e vet zyrtare, e mbështolli dhe rrahu ujërat me të, të cilat pak e nga pak u ndanë». Si kaluan nëpër shtratin e thatë të lumit, dy burrat «ecnin udhës e po bisedonin». Është e qartë që Eliseu nuk mendonte se tani dinte gjithçka. Gjer në momentin kur Elija u largua, ia vuri veshin çdo fjale që thoshte mësuesi i tij. Pastaj Elija u ngjit në qiell me anë të një stuhie. Më vonë, kur u kthye në Jordan, Eliseu rrahu ujërat me veshjen e Elijas dhe thirri: «Ku është Jehovai, Perëndia i Elijas?» E ujërat u ndanë sërish.—2 Mbret. 2:8-14.
16 A e vure re se mrekullia e parë që kreu Eliseu ishte fiks si mrekullia e fundit e Elijas? Ç’gjë interesante ka këtu? Me sa duket Eliseu nuk mendonte se meqë tani ishte ai në timon, duhej të ndryshonte drejtim sakaq. Përkundrazi, duke vijuar udhën ose mënyrën e Elijas për të kryer shërbimin, Eliseu tregoi respektin e duhur për mësuesin e vet, e kjo u ngjalli besim profetëve të tjerë. (2 Mbret. 2:15) Gjithsesi, më vonë, gjatë shërbimit 60-vjeçar si profet, Jehovai e nxiti Eliseun të kryente shumë më tepër mrekulli nga ç’kishte bërë Elija. Ç’mësim nxjerr ti sot si nxënës?
17. (a) Si mund ta imitojnë nxënësit sot qëndrimin e Eliseut? (b) Si mund t’i përdorë Jehovai nxënësit besnikë me kalimin e kohës?
17 Mos mendo se me të marrë ndonjë përgjegjësi në kongregacion, duhet ta përdorësh për të ndryshuar drejtim—pra për t’i bërë gjërat në një mënyrë krejt tjetër nga ç’bëheshin më parë. Nëse nevojiten apo jo ndryshime, kjo varet nga nevojat e kongregacionit dhe nga drejtimi që jep organizata e Jehovait, jo nga dëshira jote për të bërë ndryshime. Eliseu u ngjalli besim profetëve të tjerë me veprimet e veta dhe tregoi respekt për pararendësin e tij, duke vazhduar të përdorte metodat e Elijas. Edhe ti mund t’u ngjallësh besim bashkëbesimtarëve dhe të tregosh respekt për pleqtë me përvojë, duke vazhduar të përdorësh metodat e tyre të bazuara në Bibël. (Lexo 1 Korintasve 4:17.) Megjithatë, dora-dorës që fiton përvojë, patjetër do të mbështetësh një sërë ndryshimesh që kongregacioni të jetë në një hap me organizatën e Jehovait, e cila ecën para vazhdimisht. Në fakt, siç ndodhi me Eliseun, me kalimin e kohës Jehovai mund t’ju nxitë ju nxënës besnikë të bëni vepra edhe më të mëdha se ato të mësuesve tuaj.—Gjoni 14:12.
18. Pse sot është urgjente të stërviten vëllezër në kongregacione?
18 Shpresojmë që sugjerimet në këtë artikull dhe në artikullin e kaluar të nxitin më shumë pleq që të lënë kohë për të stërvitur të tjerët. Vëllezërit e kualifikuar e pranofshin me gatishmëri këtë stërvitje dhe e përdorshin me mençuri ndërsa kujdesen për delet e Jehovait! Kjo do të forcojë kongregacionet anekënd botës dhe do ta ndihmojë secilin prej nesh të qëndrojë besnik në ngjarjet historike që na presin.
a Në rast se një i ri shfaq pjekuri të krishtere, është i përulur dhe plotëson kualifikime të tjera biblike, pleqtë mund ta rekomandojnë të emërohet shërbëtor ndihmës edhe nëse nuk ka mbushur 20 vjeç.—1 Tim. 3:8-10, 12; shih Kullën e Rojës të 1 korrikut 1989, faqja 29 (anglisht).
b Gjatë diskutimit mund të përdorësh pika nga Kulla e Rojës e 15 prillit 2012, faqet 14-16, paragrafët 8-13 dhe nga libri ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’, kapitulli 16, paragrafët 1-3.