Libri i dytë i Mbretërve
3 Jehorami,+ biri i Akabit, u bë mbret i Izraelit në Samari në vitin e 18-të të mbretërimit të Jehozafatit, mbretit të Judës, dhe mbretëroi 12 vjet. 2 Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, por jo aq sa i ati a e ëma, sepse e hoqi kolonën e shenjtë të Baalit që kishte bërë i ati.+ 3 Mirëpo vazhdoi të bënte po ato mëkate si Jeroboami, biri i Nebatit, me të cilat kishte shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte.+ Jehorami nuk hoqi dorë prej tyre.
4 Meshai, mbreti i Moabit, ishte bari dhensh dhe i paguante mbretit të Izraelit si haraç* 100.000 qengja dhe 100.000 desh të paqethur. 5 Me të vdekur Akabi,+ mbreti i Moabit ngriti krye kundër mbretit të Izraelit.+ 6 Kështu, në atë kohë, mbreti Jehoram doli nga Samaria dhe mobilizoi gjithë Izraelin. 7 Gjithashtu i dërgoi mesazh Jehozafatit, mbretit të Judës: «Mbreti i Moabit ka ngritur krye kundër meje. A do të vish të luftosh bashkë me mua kundër Moabit?» Ai u përgjigj: «Do të vij.+ Unë e ti jemi një. Populli im është populli yt. Kuajt e mi janë kuajt e tu.»+ 8 Pastaj e pyeti: «Nga cila rrugë të shkojmë?» Ai iu përgjigj: «Nga rruga e shkretëtirës së Edomit.»
9 Kështu, mbreti i Izraelit, mbreti i Judës dhe mbreti i Edomit+ u nisën. Pasi udhëtuan shtatë ditë nga një rrugë e tërthortë, u mbaroi uji për kampin dhe për kafshët që kishin me vete. 10 Mbreti i Izraelit tha: «Mjerë ne! Jehovai na ka bashkuar ne, tre mbretër, vetëm për të na dhënë në dorë të Moabit!» 11 Por Jehozafati pyeti: «Nuk ka këtu ndonjë profet të Jehovait që të kërkojmë drejtimin e Jehovait nëpërmjet tij?»+ Kështu, një nga shërbëtorët e mbretit të Izraelit iu përgjigj: «Është Eliseu,+ biri i Shafatit, që hidhte ujë mbi duart e Elijas.»*+ 12 Atëherë Jehozafati tha: «Ai thotë fjalën e Jehovait.» Kështu, mbreti i Izraelit, Jehozafati dhe mbreti i Edomit vajtën tek ai.
13 Eliseu i tha mbretit të Izraelit: «Ç’punë ke me mua?*+ Shko te profetët e atit tënd dhe te profetët e nënës sate.»+ Por mbreti i Izraelit ia ktheu: «Jo, sepse Jehovai na ka bashkuar ne, tre mbretër, për të na dhënë në dorë të Moabit.» 14 Atëherë Eliseu tha: «Siç është e vërtetë që rron Jehovai i ushtrive, të cilit i shërbej,* po të mos kisha mendim të mirë për Jehozafatin, mbretin e Judës,+ as kisha për të t’i hedhur sytë e as kisha për të të dëgjuar.+ 15 Tani më sillni dikë që luan në harpë.»*+ Sapo ai filloi t’i binte harpës, fuqia* e Jehovait erdhi mbi Eliseun+ 16 që tha: «Kështu thotë Jehovai: “Hapni kanale pas kanalesh në këtë luginë,* 17 sepse kështu thotë Jehovai: ‘Ju nuk do të shihni as erë, as shi, e prapëseprapë kjo luginë* do të mbushet me ujë+ dhe do të pini ju, bagëtia juaj dhe kafshët tuaja të barrës.’” 18 Megjithatë kjo është fare e lehtë për Jehovain,+ sepse ai do t’ju japë në dorë edhe Moabin.+ 19 Duhet të shkatërroni çdo qytet të fortifikuar+ dhe çdo qytet të rëndësishëm, të prisni çdo pemë të mirë, të zini çdo burim uji dhe të hidhni gurë në çdo arë të mirë që të mos kultivohet.»+
20 Në mëngjes, në kohën e paraqitjes së blatimit në drithë të mëngjesit,+ nga Edomi po vërshonte papritur ujë, dhe vendi u mbush me ujë.
21 Të gjithë moabitët dëgjuan se mbretërit kishin dalë të luftonin kundër tyre. Prandaj mblodhën të gjithë burrat që mund të mbanin armë,* dhe u pozicionuan në kufi. 22 Kur u çuan herët në mëngjes, dielli rrëzëllente mbi ujë, dhe moabitëve që ishin përballë, uji iu duk i kuq si gjak. 23 Ata thanë: «Është gjak! Me siguri mbretërit kanë bërë kërdinë ndaj njëri-tjetrit me shpatë. Prandaj, të sulemi drejt plaçkës,+ o Moab!» 24 Kur hynë në kampin e Izraelit, izraelitët filluan t’i goditnin moabitët, të cilët ia mbathën para tyre.+ Izraelitët hynë në Moab dhe, ndërsa përparonin, vritnin moabitët. 25 Qytetet i shkatërruan, dhe secili hodhi nga një gur në çdo tokë të mirë, e kështu e mbushën me gurë; zunë çdo burim uji+ dhe prenë çdo pemë të mirë.+ Në fund mbetën vetëm muret e gurta të Kir-Haresetit,+ dhe hobetarët e rrethuan dhe e sulmuan.
26 Kur kuptoi se po e humbte betejën, mbreti i Moabit mori me vete 700 shpatarë për të çarë rrugën deri te mbreti i Edomit,+ por nuk ia doli. 27 Prandaj mori birin e tij të parëlindur, që do të mbretëronte në vend të tij, dhe e paraqiti si flijim të djegur+ mbi mur. Atëherë populli u indinjua kundër Izraelit, prandaj e ndali luftën kundër mbretit të Moabit dhe u kthye në vendin e vet.