ARTIKULLI I STUDIMIT 46
Merr zemër—Jehovai është Ndihma jote
«Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.»—HEBR. 13:5.
KËNGA 55 Mos kini frikë!
PËRMBLEDHJEa
1. Çfarë do të na e qetësojë zemrën nëse ndihemi të vetmuar ose të dërrmuar nga problemet? (Psalmi 118:5-7)
A JE NDIER ndonjëherë fillikat përballë një vështirësie dhe sikur s’kishe askënd që të të ndihmonte? Shumë veta janë ndier kështu, madje edhe shërbëtorë besnikë të Jehovait. (1 Mbret. 19:14) Po të provosh ndonjëherë ndjenja të tilla, kujto premtimin e Jehovait: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» Prandaj mund të thuash plot besim: «Jehovai është ndihma ime, nuk do të kem frikë.» (Hebr. 13:5, 6) Apostulli Pavël ua shkroi këto fjalë bashkëbesimtarëve në Jude rreth vitit 61 të e.s. Fjalët e tij na kujtojnë ndjenjat e shprehura te Psalmi 118:5-7.—Lexoje.
2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull, dhe pse?
2 Ashtu si psalmisti, Pavli e kishte provuar shumë herë në jetë se Jehovai ishte Ndihma e tij. Për shembull, mbi dy vjet para se t’u shkruante letrën hebrenjve, Pavli kishte bërë një udhëtim të rrezikshëm në një det të stuhishëm. (Veprat 27:4, 15, 20) Gjatë udhëtimit dhe në vitet para tij, Jehovai tregoi në gjithfarë mënyrash se ishte Ndihma e Pavlit. Në këtë artikull do të shohim tri nga këto mënyra: Jehovai e ndihmoi nëpërmjet Jezuit dhe engjëve, nëpërmjet njerëzve me autoritet dhe nëpërmjet vëllezërve e motrave. Shqyrtimi i këtyre ngjarjeve nga jeta e Pavlit do të na forcojë besimin te premtimi i Perëndisë se Ai do t’u përgjigjet edhe thirrjeve tona për ndihmë.
NDIHMË NGA JEZUI DHE ENGJËJT
3. Çfarë mund të ketë menduar Pavli, dhe pse?
3 Pavli kishte nevojë për ndihmë. Rreth vitit 56 të e.s., një turmë njerëzish e nxorën zvarrë nga tempulli në Jerusalem dhe u përpoqën ta vritnin. Të nesërmen, kur e nxorën para Sinedrit, armiqtë sa nuk e bënë copë-copë. (Vep. 21:30-32; 22:30; 23:6-10) Në atë pikë, Pavli mund të ketë pyetur veten: «Edhe sa mund ta duroj këtë keqtrajtim?»
4. Si e ndihmoi Jehovai Pavlin me anë të Jezuit?
4 Çfarë ndihme mori Pavli? Natën pas arrestimit, «Zotëria», Jezui, iu afrua Pavlit dhe i tha: «Merr zemër, sepse siç dhe dëshmi të plotë për mua në Jerusalem, po ashtu duhet të japësh edhe në Romë.» (Vep. 23:11) Inkurajim tamam në kohën e duhur! Jezui e lavdëroi Pavlin për dëshminë që kishte dhënë në Jerusalem. Gjithashtu i premtoi se do të mbërrinte shëndoshë e mirë në Romë e do të jepte dëshmi edhe atje. Pas atyre fjalëve inkurajuese, Pavli duhet të jetë ndier po aq i sigurt sa një fëmijë i strukur në krahët e ngrohtë të të atit.
5. Si e ndihmoi Jehovai Pavlin me anë të një engjëlli? (Shih figurën e kopertinës.)
5 Çfarë vështirësish të tjera hasi Pavli? Rreth dy vjet pas atyre ngjarjeve në Jerusalem, ai po udhëtonte me anije për në Itali kur shpërtheu një furtunë aq e egër, sa ekuipazhi dhe pasagjerët pandehën se u erdhi fundi. Mirëpo, Pavli nuk kishte frikë. Pse? Ai u tha të gjithëve: «Këtë natë një engjëll i Perëndisë që i përkas dhe i bëj shërbim të shenjtë, më qëndroi pranë e më tha: ‘Mos ki frikë, Pavël! Ti duhet të dalësh para Cezarit, dhe Perëndia do t’ua kursejë jetën të gjithë atyre që lundrojnë me ty.’» Nëpërmjet një engjëlli, Jehovai i përsëriti Pavlit premtimin që i kishte bërë nëpërmjet Jezuit. E Pavli arriti në Romë, tamam siç premtoi Jehovai.—Vep. 27:20-25; 28:16.
6. Cili premtim i Jezuit na jep forcë, dhe pse?
6 Çfarë ndihme marrim ne? Jezui do të na mbështetë edhe ne, siç mbështeti Pavlin. Për shembull, ai u premton tërë dishepujve të tij: «Unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mat. 28:20) Fjalët e Jezuit janë burim force për ne. Pse? Sepse ka ditë në jetën tonë që e kemi të vështirë t’i përballojmë. Për shembull, kur vdes një njeri i dashur, hapet një plagë që na dhemb jo vetëm për disa ditë, por ndoshta për vite të tëra. Disa të tjerë kalojnë ditë të vështira për shkak të moshës së thyer. Kurse disa ka ditë që i mbytin ndjenjat e depresionit. Prapëseprapë, ne marrim forcë të mos dorëzohemi, sepse e dimë se Jezui është me ne «gjithë ditët», pra edhe në ditët më të errëta të jetës sonë.—Mat. 11:28-30.
7. Sipas Zbulesës 14:6, si na ndihmon Jehovai sot?
7 Fjala e Perëndisë na siguron se Jehovai na ndihmon me anë të engjëjve të tij. (Hebr. 1:7, 14) Për shembull, engjëjt na mbështetin e na drejtojnë ndërsa u predikojmë ‘lajmin e mirë për Mbretërinë’ njerëzve nga ‘çdo komb, fis dhe gjuhë’.—Mat. 24:13, 14; lexo Zbulesën 14:6.
NDIHMË NGA NJERËZIT ME AUTORITET
8. Si e ndihmoi Jehovai Pavlin nëpërmjet një komandanti ushtarak?
8 Çfarë ndihme mori Pavli? Në vitin 56 të e.s., Jezui e siguroi Pavlin se do të arrinte në Romë. Mirëpo, disa judenj në Jerusalem i ngritën kurth Pavlit për ta vrarë. Komandantit ushtarak Klaud Lisia i ra në vesh plani i tyre dhe i doli krah Pavlit. Me të shpejtë, Klaudi e çoi Pavlin—të mbrojtur nga shumë ushtarë—në Cezare, një udhëtim prej afro 105 kilometrash nga Jerusalemi. Në Cezare, guvernatori Feliks urdhëroi që Pavli «të ruhej në pallatin e Herodit». Kështu ai ishte i sigurt, larg atyre që donin ta vritnin.—Vep. 23:12-35.
9. Si e ndihmoi guvernatori Fest Pavlin?
9 Dy vjet më vonë, Pavli akoma mbahej në arrest në Cezare. Feliksit ia kishte zënë vendin guvernatori Fest. Judenjtë iu përgjëruan Festit të urdhëronte që Pavlin ta çonin në Jerusalem për ta gjykuar, por Festi refuzoi. Ndoshta guvernatori e dinte se judenjtë «po planifikonin t’i ngrinin kurth Pavlit për ta vrarë gjatë rrugës».—Vep. 24:27–25:5.
10. Çfarë bëri guvernatori Fest kur Pavli kërkoi ta gjykonte Cezari?
10 Gjyqi i Pavlit u zhvillua më vonë në Cezare. Ngaqë donte «të fitonte pëlqimin e judenjve», Festi e pyeti Pavlin: «A do që të ngjitesh në Jerusalem e të gjykohesh atje para meje?» Por Pavli e dinte se kishte shumë gjasa që në Jerusalem ta vritnin. Dinte edhe çfarë duhej të bënte që të shpëtonte jetën, të arrinte në Romë e të vazhdonte shërbimin. Ai tha: «Unë i apelohem Cezarit!» Pasi u konsultua me këshilltarët e tij, Festi i tha Pavlit: «Cezarit i je apeluar, te Cezari do të shkosh!» Vendimi i favorshëm i Festit e shpëtoi Pavlin nga armiqtë. Së shpejti ai do të ishte në Romë—shumë larg nga judenjtë që po orvateshin ta vrisnin.—Vep. 25:6-12.
11. Cilat fjalë qetësuese të Isaisë mund të ketë bluar në mendje Pavli?
11 Ndërsa priste të udhëtonte për në Itali, Pavli mund të ketë bluar në mendje këtë paralajmërim që profeti Isaia ua dha nën frymëzim atyre që i kundërviheshin Jehovait: «Thurni një plan, por ai do të prishet! Thoni çfarë të doni, por nuk do të realizohet, sepse Perëndia është me ne!» (Isa. 8:10) Pavli ishte i sigurt se Perëndia do ta ndihmonte, e kjo duhet t’i ketë dhënë forcë përballë sprovave që e pritnin.
12. Si e trajtoi Juli Pavlin, dhe çfarë mund të ketë dalluar Pavli te veprimet e Julit?
12 Në vitin 58 të e.s., Pavli nisi udhëtimin drejt Italisë. Si i burgosur, ishte nën mbikëqyrjen e një oficeri romak që quhej Jul. Qysh nga ai moment, Juli kishte në dorë që ose t’ia nxinte jetën Pavlit, ose t’ia lehtësonte disi. Si do ta përdorte autoritetin e tij? Kur zbritën në breg të nesërmen, «Juli e trajtoi Pavlin me zemërmirësi [dhe] e lejoi të shkonte te miqtë e tij». Madje më vonë, Juli i shpëtoi jetën Pavlit. Si? Ushtarët donin t’i vritnin të gjithë të burgosurit në anije, por Juli nuk i lejoi. Pse? Sepse «ishte i vendosur ta shpëtonte Pavlin». Pavli duhet të ketë dalluar dorën e Jehovait te veprimet e atij oficeri zemërmirë.—Vep. 27:1-3, 42-44.
13. Si mund t’i përdorë Jehovai njerëzit me autoritet?
13 Çfarë ndihme marrim ne? Kur e sheh të udhës, Jehovai mund të përdorë frymën e tij të fuqishme për t’i shtyrë njerëzit me autoritet të veprojnë siç dëshiron Ai. Mbreti Solomon shkroi: «Zemra e mbretit është si rrëke uji në dorën e Jehovait; Ai e drejton nga t’i pëlqejë.» (Prov. 21:1) Ç’kuptim ka ky proverb? Njerëzit mund të hapin një kanal për t’i çuar ujërat e një rrëkeje në një drejtim që përkon me planet e tyre. Po njësoj, Jehovai mund të përdorë frymën e tij për t’i çuar mendimet e qeveritarëve në një drejtim që përputhet me qëllimin e tij. Atëherë, njerëzit me autoritet ndihen të nxitur të marrin vendime në të mirë të popullit të Perëndisë.—Krahaso Ezdrën 7:21, 25, 26.
14. Në harmoni me Veprat 12:5, për cilët mund të lutemi?
14 Çfarë mund të bëjmë? Ne mund të lutemi «për mbretërit dhe për të gjithë ata që janë në pozita autoriteti» kur marrin vendime që ndikojnë te jeta dhe shërbimi ynë si shërbëtorë të Perëndisë. (1 Tim. 2:1, 2, shën.; Neh. 1:11) Ashtu si të krishterët e shekullit të parë, i lutemi me zjarr Perëndisë për vëllezërit e motrat që janë në burg. (Lexo Veprat 12:5; Hebr. 13:3) Mund të lutemi edhe për rojat e burgut që kanë nën mbikëqyrje vëllezërit e motrat tona. Mund t’i kërkojmë Jehovait të ndikojë te mendimet e këtyre individëve, në mënyrë që të ndihen të nxitur të veprojnë si oficeri Jul, pra t’i trajtojnë «me zemërmirësi» ose «njerëzisht» motrat dhe vëllezërit e burgosur.—Vep. 27:3, shën.
NDIHMË NGA VËLLEZËRIT E MOTRAT
15-16. Si e ndihmoi Jehovai Pavlin nëpërmjet Aristarkut dhe Lukës?
15 Çfarë ndihme mori Pavli? Gjatë udhëtimit për në Romë, Jehovai e ndihmoi shpeshherë Pavlin me anë të vëllezërve e motrave. Të shohim disa shembuj.
16 Dy shokë besnikë të Pavlit, Aristarku dhe Luka, vendosën të udhëtonin bashkë me të për në Romë.b Nga sa thonë Shkrimet, Jezui nuk i kishte premtuar asnjërit prej tyre se do të arrinte shëndoshë e mirë në Romë. Pra, me gatishmëri, Aristarku dhe Luka vunë jetën në rrezik për t’i qëndruar pranë Pavlit. Vetëm ndërsa udhëtonin mes detit të egërsuar, ata morën vesh se Perëndia do t’ua kursente jetën. Prandaj, kur i pa të hipnin në anije në Cezare, Pavli duhet të ketë falënderuar me gjithë shpirt Jehovain që po e ndihmonte nëpërmjet atyre dy vëllezërve të guximshëm.—Vep. 27:1, 2, 20-25.
17. Si e ndihmoi Jehovai Pavlin nëpërmjet vëllezërve e motrave?
17 Gjatë udhëtimit, Pavli gjeti disa herë mbështetje te bashkëbesimtarët. Për shembull, në qytetin-port të Sidonit, Juli e lejoi Pavlin «të shkonte te miqtë e tij që të kujdeseshin për të». Më vonë, në qytetin e Puteolit, Pavli dhe shokët e tij ‘gjetën disa vëllezër që iu përgjëruan të qëndronin me ta shtatë ditë’. Vëllezërit e motrat në ato vende i mikpritnin dhe kujdeseshin për ta. E pa dyshim që Pavli ua mbushte zemrat me gëzim ndërsa u tregonte ngjarje inkurajuese nga udhëtimet. (Krahaso Veprat 15:2, 3.) Pastaj Pavli dhe shokët e tij vazhdonin udhëtimin me forca të përtërira.—Vep. 27:3; 28:13, 14.
18. Cila ishte arsyeja që Pavli mori zemër dhe falënderoi Perëndinë?
18 Rrugës për në Romë, Pavli duhet të ketë menduar për atë që i kishte shkruar kongregacionit të atij qyteti tri vjet më parë: «Për shumë vjet mezi kam pritur të vij te ju.» (Rom. 15:23) Por s’ia kishte marrë mendja që do të shkonte atje si i burgosur. Prandaj, kushedi sa iu ngroh zemra kur pa disa vëllezër nga Roma që kishin dalë ta përshëndetnin rrugës! Në fakt, Shkrimet thonë: «Sa i pa, Pavli falënderoi Perëndinë dhe mori zemër.» (Vep. 28:15) Pse falënderoi Perëndinë Pavli për inkurajimin që mori nga ata vëllezër? Sepse edhe një herë e kuptoi se Jehovai po i bëhej krah me anë të bashkëbesimtarëve.
19. Siç tregon 1 Pjetrit 4:10, si mund të na përdorë Jehovai për të ndihmuar dikë që është në vështirësi?
19 Çfarë mund të bëjmë? A ka në kongregacionin tënd vëllezër a motra që vuajnë nga një sëmundje, nga vdekja e një njeriu të dashur ose nga rrethana të tjera sprovuese? Në rast se marrim vesh që dikush po kalon një situatë të vështirë, mund t’i lutemi Jehovait të na ndihmojë që t’i themi një fjalë të ngrohtë a të bëjmë diçka të mirë për të. Fjalët dhe veprimet tona mund të jenë fiks inkurajimi që i nevojitet vëllait ose motrës. (Lexo 1 Pjetrit 4:10.)c Si rezultat, mund t’i përtërihet besimi se Jehovai do ta mbajë premtimin «kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis» edhe në rastin e tij. E pa dyshim që kjo do të na e mbushë zemrën me gëzim!
20. Pse mund të themi plot besim «Jehovai është ndihma ime»?
20 Ashtu si Pavli dhe shokët e tij, ne përballemi me stuhi në udhën e jetës. Megjithatë marrim zemër se e dimë që Jehovai është me ne. Ai na ndihmon nëpërmjet Jezuit dhe engjëve. Veç kësaj, Jehovai mund të përdorë njerëzit me autoritet për të na ndihmuar kur kjo përputhet me qëllimin e tij. Gjithashtu, siç mund ta ketë provuar secili nga ne, Jehovai përdor frymën e shenjtë për t’u ngjallur në zemër shërbëtorëve të tij dëshirën që t’i bëhen krah njëri-tjetrit. Prandaj, njësoj si Pavli, kemi arsye të forta që të themi plot besim: «Jehovai është ndihma ime, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?!»—Hebr. 13:6.
KËNGA 38 Jehovai të jep fuqi
a Në këtë artikull do të shohim tri mënyra si e ndihmoi Jehovai apostullin Pavël teksa përballej me sprova të vështira. Ndërsa shqyrtojmë si i ndihmoi Jehovai shërbëtorët e tij në të kaluarën, do të na forcohet siguria se do të na ndihmojë edhe ne sot sa herë të përballojmë stuhi në jetë.
b Aristarku dhe Luka kishin qenë edhe më parë shokë udhëtimi të Pavlit. Ata vëllezër besnikë i ndenjën përkrah Pavlit edhe kur ishte i burgosur në Romë.—Vep. 16:10-12; 20:4; Kolos. 4:10, 14.