Një det bekime për ata që kthehen në vendlindje
SHUMË vëllezër e motra nga vendet në zhvillim që kishin emigruar në Perëndim janë kthyer në vendlindje. Të shtyrë nga dashuria për Jehovain dhe për njerëzit, ata janë transferuar në zona ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. (Mat. 22:37-39) Çfarë sakrificash bënë dhe çfarë bekimesh morën? Le ta zbulojmë duke bërë një vizitë në Kamerun, në Afrikën Perëndimore.
‘VENDI I DUHUR PËR TË PESHKUAR’
Në vitin 1998, Onesimi, një vëlla nga Kameruni, emigroi në një vend tjetër ku jetoi 14 vjet. Një ditë dëgjoi në mbledhje një ilustrim për veprën e predikimit. Oratori tha: «Ta zëmë se dy shokë po peshkojnë në dy vende të ndryshme, dhe njëri po zë më shumë peshq. A nuk do të shkojë edhe ai që po kap më pak peshq te vendi ku mund të zërë më shumë?»
Pas atij ilustrimi, Onesimi nisi të mendonte për t’u kthyer në Kamerun—një «zonë peshkimi» e frytshme—që të ndihmonte lajmëtarët atje. Por e brente një merak: a do të arrinte të përshtatej në vendlindje pas gjithë atyre viteve që kishte jetuar jashtë shtetit? Për ta zbuluar këtë, Onesimi shkoi për gjashtë muaj në Kamerun. Pastaj, në vitin 2012, u transferua atje përfundimisht.
Ai tregon: «M’u desh të përshtatesha me vapën dhe me kushtet e jetesës. Në Sallën e Mbretërisë duhej të mësohesha me stolat e parehatshëm. Por,—shton ai me një buzëqeshje,—sa më shumë përqendrohesha te programi, aq më shumë më fshiheshin nga mendja karriget e rehatshme ku ulesha dikur.»
Në 2013-n, Onesimi u martua me Zheraldinën, e cila ishte kthyer në Kamerun pasi kishte jetuar nëntë vjet në Francë. Çfarë bekimesh përjetuan së bashku ngaqë vunë në qendër të jetës aktivitetet teokratike? Onesimi thotë: «Si çift, ndoqëm Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë dhe shërbyem në Bethel. Vitin e kaluar, u pagëzuan 20 studentë nga kongregacioni ynë. Tani jam në vendin e duhur ‘për të peshkuar’.» (Mar. 1:17, 18) Zheraldina shton: «Bekimet që kam shijuar, tejkalojnë çdo gjë që kisha përfytyruar.»
PROVOJNË GËZIM NDËRSA BËJNË DISHEPUJ
Xhudita kishte shkuar të jetonte në Shtetet e Bashkuara, por donte të bënte më tepër për Jehovain. Ajo tregon: «Çdo herë që shkoja për vizitë te familja në Kamerun, në fund qaja, se më duhej të ndahesha nga disa veta me të cilët kisha filluar të studioja Biblën.» Megjithatë, Xhudita ngurronte të transferohej në Kamerun. I ati kishte nevojë për kujdes shëndetësor, dhe ajo kishte një punë me rrogë të mirë që i jepte mundësi të mbulonte shpenzimet për të. Gjithsesi, tregoi besim te Jehovai dhe u transferua në Kamerun. Ajo e pranon se i mungonin disa rehati që gëzonte jashtë shtetit. Iu lut Jehovait ta ndihmonte të përshtatej, dhe një mënyrë si e ndihmoi Ai, ishte inkurajimi që i dhanë një mbikëqyrës qarkor dhe gruaja e tij.
Kur hedh vështrimin pas, Xhudita thotë: «Brenda tri vjetësh, pata gëzimin të ndihmoja katër veta të bëheshin dishepuj.» Më vonë, ajo nisi shërbimin si pioniere speciale dhe tani shërben me të shoqin, Sam-Kastelin, në veprën qarkore. Po me babanë e Xhuditës, çfarë ndodhi? Ajo dhe familja e saj arritën të gjenin një spital në një shtet tjetër, ku personeli u tregua i gatshëm ta bënte falas operacionin e të atit. E operacioni doli me sukses.
SHOHIN DORËN E JEHOVAIT
Një vëlla që quhet Viktor ishte transferuar në Kanada. Pasi lexoi një artikull për arsimin e lartë në Kullën e Rojës, mendoi për shkollën që po bënte. Kështu e la universitetin dhe filloi një kurs ku mësoi një zanat. Viktori thotë: «Kjo më dha mundësi të gjeja punë më shpejt dhe të bëja diçka që e kisha pasur në zemër prej kohësh—të shërbeja si pionier.» Më vonë, ai u martua me Karolinën, dhe të dy shkuan për një vizitë në Kamerun. Gjatë vizitës në zyrën e degës, i inkurajuan të shqyrtonin mundësinë për të shërbyer në Kamerun. Viktori thotë: «Nuk kishim asnjë arsye për të refuzuar dhe, meqë kishim mbajtur një jetë të thjeshtë, patëm mundësi ta pranonim ftesën.» Edhe pse Karolina kishte disa probleme me shëndetin, vendosën të transferoheshin.
Viktori dhe Karolina filluan të shërbenin si pionierë të rregullt për të ndihmuar gjithë ata njerëz në territor që donin të mësonin më shumë nga Bibla. Për njëfarë kohe arritën të jetonin me kursimet e tyre. Pas kësaj, punuan disa muaj në Kanada, e kjo u dha dorë të ktheheshin në Kamerun e të vazhdonin shërbimin si pionierë. Çfarë bekimesh kanë marrë? Ata ndoqën Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë, shërbyen si pionierë specialë dhe tani janë shërbëtorë ndërtimi. Viktori thotë: «Ngaqë lamë pas rehatinë tonë, kemi pasur mundësi të provojmë dorën e Jehovait në jetë.»
PROVOJNË GËZIM NDËRSA NDIHMOJNË TË TJERËT T’I KUSHTOHEN JEHOVAIT
Në vitin 2002, Aleni, një vëlla që ndiqte studimet universitare në Gjermani, lexoi fletushkën Të rinj: Çfarë do të bëni me jetën tuaj? Ajo që lexoi, e nxiti të vinte synime të reja. Në 2006-n ndoqi Shkollën e Stërvitjes për Shërbim, dhe e caktuan në Kamerun, në vendlindjen e tij.
Në Kamerun, Aleni gjeti punë me orar të reduktuar. Më vonë, gjeti punë me rrogë më të mirë, por kishte merak se ajo do t’i vidhte kohë nga shërbimi. Prandaj, kur e ftuan të shërbente si pionier special, pranoi pa ngurruar. Punëdhënësi ofroi t’i rriste rrogën, por Aleni nuk luajti nga vendimi i tij. Më vonë, ai u martua me Stefaninë, që kishte jetuar shumë vjet në Francë. Çfarë vështirësish ndeshi ajo pasi u transferuan në Kamerun?
Stefania thotë: «Pata disa probleme të vogla shëndetësore dhe alergji, por falë trajtimit të rregullt mjekësor kam gjetur lehtësim.» E Jehovai i shpërbleu për qëndrueshmërinë. Aleni tregon: «Shkuam të predikonim në Katé, një fshat i izoluar, dhe atje takuam disa veta që donin të studionin Biblën. Më vonë, arritëm të studionim Biblën me ta nëpërmjet telefonit. Dy nga studentët u pagëzuan, dhe atje u formua një grup lajmëtarësh.» Stefania shton: «Nuk ka gëzim më të madh se t’i ndihmosh njerëzit të njohin Jehovain e t’i kushtojnë jetën. Falë shërbimit këtu, e kemi provuar shumë herë një gëzim të tillë.» Sot, Aleni dhe Stefania shërbejnë në veprën qarkore.
«BËMË TAMAM ATË QË DUHEJ TË BËNIM»
Zhizela u pagëzua ndërsa studionte për mjekësi në Itali. Asaj i la mbresë jeta e thjeshtë e çiftit pionier që i kishte bërë studimin e Biblës. E nga dëshira për të bërë më shumë në shërbim, nisi të shërbente si pioniere e rregullt ndërkohë që përfundonte shkollën.
Zhizela donte të kthehej në Kamerun për t’i shërbyer më shumë Jehovait, por kishte disa meraqe. Ajo thotë: «Do të humbja lejeqëndrimin në Itali e duhej të ndahesha me miqtë dhe familjarët që kisha atje.» Megjithatë, në maj të 2016-s, Zhizela u transferua në Kamerun. Më vonë, ajo u martua me një vëlla që quhet Leons. Zyra e degës në Kamerun u sugjeroi të transferoheshin në Ajos, një qytezë ku kishte shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë.
Si ishte jeta në Ajos? Zhizela tregon: «Shpesh nuk kishte korrent për javë të tëra, prandaj celularët ishin thuajse gjithë kohën të fikur ngaqë nuk mund t’i karikonim. Unë mësova të gatuaja në zjarr me dru. Gjithashtu, shkonim me karroca dore dhe elektrikë për të mbushur ujë te përroi në mbrëmje kur kishte më pak radhë.» Çfarë i ndihmoi t’ia dilnin mbanë? Zhizela thotë: «Falë frymës së Jehovait, mbështetjes së njëri-tjetrit, inkurajimit e disa herë edhe ndihmës financiare nga familja e miqtë, ia dolëm të përballonim vështirësitë.»
A ndihet e lumtur Zhizela që është kthyer në vendlindje? «Po! Pa pikë dyshimi!—thotë ajo.—Në fillim luftuam me shkurajimin dhe vështirësitë, por pasi i kapërcyem, im shoq dhe unë ishim të sigurt se ‘bëmë tamam atë që duhej të bënim’. Mbështetemi me besim te Jehovai dhe jemi lidhur më fort me të.» Leonsi dhe Zhizela ndoqën Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë dhe tani shërbejnë si pionierë specialë të përkohshëm.
Ashtu si peshkatarët që përballojnë me guxim vështirësitë për të zënë shumë peshq, ata që kthehen në vendlindje bëjnë me gatishmëri sakrifica për të ndihmuar njerëzit me zemër të drejtë që e mirëpresin mesazhin për Mbretërinë. S’ka dyshim se Jehovai do t’i kujtojë për mirë këta lajmëtarë të palodhur, ngaqë kanë treguar dashuri për emrin e tij. (Neh. 5:19; Hebr. 6:10) Nëse jeton jashtë shtetit dhe në vendlindjen tënde ka nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë, a ke mundësi të kthehesh? Nëse kthehesh, të pret një det me bekime nga Jehovai.—Prov. 10:22.