FAQJA
Secila nga dy pjesët anësore të fytyrës nga syri deri te nofulla; në hebraisht leħí dhe në greqisht siagón. Bibla flet për shpullat në faqe, jo aq për të sjellë dhembje fizike, sesa ndëshkim, poshtërim ose fyerje. Kështu, për shembull, profetit Mikajah i dhanë një shpullë ngaqë profetizoi pasoja të këqija për Akabin, mbretin e lig të Izraelit. (1Mb 22:24; 2Kr 18:23) Njerëzit që e përçmuan dhe e tallën Jobin gjatë sprovave që i shkaktoi Satanai, e poshtëruan duke e qëlluar me shuplaka faqeve.—Jb 16:10.
Profetët Isaia dhe Mikea profetizuan se Mesinë do ta goditnin në fytyrë dhe do t’i shkulnin mjekrën nga faqet, veprime që nënkuptonin se sa rëndë do ta poshtëronin armiqtë. (Is 50:6; Mi 5:1) Këto profeci u përmbushën në rastin e Jezu Krishtit kur judenjtë i ranë me shuplaka gjatë gjyqit të tij para Sinedrit, si dhe kur ushtarët romakë e goditën pak para se ta ekzekutonin në shtyllën e torturës. (Mt 26:67, 68; Gjo 18:22, 23; 19:3) Mirëpo Jezui nuk ua ktheu me të njëjtën monedhë dhe as iu përgjigj me fjalë të ashpra e zemërim.
Jezui u kishte dhënë dishepujve këtë këshillë: «Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Sy për sy e dhëmb për dhëmb.’ Megjithatë, unë po ju them: mos kundërvepro ndaj njeriut të lig, por atij që të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën.» (Mt 5:38, 39) Me këto fjalë Jezui nuk po mësonte pacifizmin dhe nuk po mohonte të drejtën për t’u vetëmbrojtur ndaj sulmeve fizike, por po mësonte se një i krishterë nuk duhet ta kthejë goditjen me goditje ose të marrë hak. Ai po u nguliste parimin që të shmangnin sherret e të mos përgjigjeshin ose të mos reagonin në të njëjtën mënyrë. Një shuplakë në faqe nuk jepet që të dëmtojë fizikisht, por që të fyejë ose të provokojë grindje. Nëse dikush e godiste me grusht në nofull një të krishterë, Jezui nuk tha se ky duhej të ngrihej e të bënte gati faqen tjetër që ta goditnin. Përkundrazi, Jezui po thoshte se, nëse dikush përpiqej ta provokonte një të krishterë që të zihej ose të futej në një debat, qoftë duke i dhënë një shuplakë, qoftë duke e thumbuar me fjalë fyese, do të ishte e gabuar që ai të kundërvepronte. Kjo është në përputhje me fjalët e apostujve, të cilët e theksuan edhe më tej këtë parim.—Ro 12:17-21; 1Pj 3:9.