Jini mirënjohës për shiun
SHIU! Ç’do të bënim pa të? Është e vërtetë se kur bie shumë shi, mund të shkaktojë përmbytje shkatërrimtare. Gjithashtu, njerëzit që jetojnë në vende me klimë të ftohtë e të lagësht ose me stinë të tilla, jo gjithmonë mund ta pëlqejnë shiun. (Ezdra 10:9) Por, ç’të themi për miliona të tjerë që pjesën më të madhe të vitit kanë mot të nxehtë e të thatë? Sa freskohen ata kur më në fund bie shi!
Kështu ishte në vendet biblike, si pjesa kontinentale e Azisë së Vogël, ku apostulli Pavël zhvilloi veprën misionare. Ndërsa ishte atje, Pavli u tha likaonasve të lashtë: «[Perëndia] nuk e la veten pa dëshmi, sepse bëri mirë: ju solli shira nga qielli dhe stinë të frytshme, ju dha ushqim me bollëk dhe jua mbushi zemrat plot hare.» (Veprat 14:17) Vini re se Pavli përmendi në fillim shiun, sepse pa të, asgjë s’do të rritej dhe nuk do të kishte «stinë të frytshme».
Bibla flet shumë për shiun. Fjalët hebraike dhe greke për shiun dalin mbi njëqind herë në të. A doni të dini më shumë për dhuratën e mrekullueshme të shiut? Në të njëjtën kohë, a doni të forconi besimin te saktësia shkencore e Biblës?
Çfarë thotë Bibla për shiun
Jezu Krishti e drejtoi vëmendjen te një masë jetësore pa të cilën nuk do të kishte shi. Ai tha: ‘Ati juaj e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët.’ (Mateu 5:45) E vutë re se Jezui foli për diellin para se të përmendte shiun? Kjo është me vend, sepse dielli jo vetëm u jep bimëve energji që të rriten, por edhe drejton ciklin e qarkullimit të ujit në tokë. Pikërisht, nxehtësia e diellit bën që çdo vit rreth 400.000 kilometra kub ujë deti të avullojnë në avuj uji të ëmbël. Ngaqë diellin e krijoi Perëndia Jehova, me të drejtë quhet ai që tërheq lart ujin që të bjerë shi.
Bibla e përshkruan kështu ciklin e qarkullimit të ujit: «Perëndia . . . tërheq lart pikat e ujit, të cilat filtrohen dhe kthehen në shi e mjegull. Kështu retë rrjedhin, derdhen me bollëk mbi njerëzit.» (Jobi 36:26-28) Gjatë mijëra viteve që kur u shkruan këto fjalë të sakta shkencërisht, njerëzit kanë pasur mjaft kohë të përpiqen të kuptojnë ciklin e qarkullimit të ujit. «Aktualisht, mekanizmi i formimit të pikave të shiut nuk dihet me siguri»,—thotë libri i vitit 2003 Water Science and Engineering.
Por shkencëtarët dinë se pikat e shiut formohen nga pjesëza mikroskopike që bëhen bërthamat e piklave të vogla në re. Secila nga këto pikla duhet të rritet një milion herë a më tepër që të formojë një pikë shiu të vetme. Është një proces i ndërlikuar që mund të zgjatë disa orë. Një libër shkencor, Hydrology in Practice, thotë: «Ka disa teori se si zmadhohen piklat e reve derisa bëhen pika shiu, dhe kërkuesit kalojnë shumë kohë duke u përpjekur të përcaktojnë hapat e saktë që përfshihen në këtë proces.»
Krijuesi i mekanizmave që prodhojnë shiun mund t’i drejtonte shërbëtorit të tij Job këto pyetje që të bëjnë të ndihesh i përulur: «A ka, vallë, baba shiu? Kush i solli në jetë bulat e vesës? Kush i dha mençuri shtresës së reve? . . . Kush mund t’i numërojë saktë retë me anë të mençurisë? Kush mund t’i përmbysë shtambat e qiellit?» (Jobi 38:28, 36, 37) Rreth 3.500 vjet më vonë, shkencëtarët ende luftojnë me këto pyetje të vështira.
Ç’drejtim ndjek cikli i qarkullimit të ujit?
Filozofët grekë thoshin se burimi i ujit të lumenjve nuk ishte shiu, por uji i detit që në ndonjë mënyrë rridhte nën tokë deri në majat e maleve, duke u bërë ujë i ëmbël burimi. Një komentues biblik pretendon se Solomoni përvetësoi këtë ide. Shqyrtoni fjalët e frymëzuara të Solomonit: «Gjithë përrenjtë shkojnë në det, megjithatë deti nuk mbushet. Përrenjtë kthehen përsëri në vendin nga i cili dalin.» (Eklisiastiu 1:7) A donte të thoshte vërtet Solomoni se uji i detit në ndonjë mënyrë përcillej në brendësi të maleve që të bëhej burim lumenjsh? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të shohim ç’besonin bashkëkombësit e Solomonit për ciklin e qarkullimit të ujit. A ishin të kushtëzuar nga idetë e gabuara?
As njëqind vjet pas kohës së Solomonit, profeti Elija tregoi se e dinte nga ç’drejtim pritej të vinte shiu. Në kohën e tij, në vend pati një thatësirë të madhe për më shumë se tre vjet. (Jakovi 5:17) Perëndia Jehova e solli këtë gjëmë mbi popullin e tij, sepse e kishin hedhur poshtë dhe në vend të tij adhuronin Baalin, perëndinë kananit të shiut. Por Elija i ndihmoi izraelitët të pendoheshin, kështu që tani donte të lutej për shi. Teksa lutej, i kërkoi ndihmësit të tij të shihte «në drejtim të detit». Pasi u informua se ‘një re e vogël si pëllëmbë njeriu po ngjitej nga deti’, Elija e kuptoi se lutja e tij kishte marrë përgjigje. Shpejt, «qielli u errësua nga retë dhe nga era e filloi një rrebesh i madh». (1 Mbretërve 18:43-45) Kështu Elija tregoi se e njihte ciklin e qarkullimit të ujit. Ai e dinte se retë do të formoheshin mbi det dhe pastaj erërat do t’i sillnin drejt lindjes mbi Tokën e Premtuar. Edhe sot e kësaj dite, toka e merr shiun në të njëjtën mënyrë.
Rreth njëqind vjet pasi Elija u lut për shiun, një bujk i përulur me emrin Amos theksoi një hollësi të rëndësishme për burimin e ciklit të qarkullimit të ujit. Perëndia e përdori Amosin që të profetizonte kundër izraelitëve, sepse po shtypnin të varfrit dhe po adhuronin perëndi të rreme. Që të mos vdisnin nga dora e Perëndisë, Amosi i nxiti: «Kërkoni Jehovain, e do të jetoni.» Pastaj shpjegoi se vetëm Jehovai duhej adhuruar sepse ai është Krijuesi, «Ai që i thërret ujërat e detit për t’i derdhur mbi faqen e dheut». (Amosi 5:6, 8) Më vonë Amosi e përsëriti këtë fakt të mrekullueshëm për ciklin e qarkullimit të ujit dhe drejtimin e tij. (Amosi 9:6) Kështu, ai tregoi se oqeanet janë burimi kryesor i shiut që merr toka.
Ky fakt u provua shkencërisht në vitin 1687 nga Edmond Hallei. Gjithsesi, u desh kohë para se të tjerët të pranonin provat e Halleit. «Ideja se ka një sistem qarkullimi brenda Tokës, me anë të të cilit uji i detit përcillet në majë të maleve dhe derdhet atje, vazhdoi deri në fillim të shekullit të 18-të»,—thotë Encyclopædia Britannica Online. Sot, e vërteta për drejtimin e ciklit të qarkullimit të ujit njihet gjerësisht. E njëjta enciklopedi shpjegon: «Uji i detit avullon, pastaj kondensohet në atmosferë, bie në Tokë në formë reshjesh dhe së fundi rrjedh në lumenj dhe kthehet prapë në det.» Është e qartë, pra, se fjalët e Solomonit për ciklin e shiut, që i gjejmë tek Eklisiastiu 1:7, i referohen të njëjtit proces që përfshin retë dhe shiun.
Ç’duhet të bëni tani që dini këtë?
Përshkrimi kaq i saktë i ciklit të qarkullimit të ujit nga disa shkrimtarë të Biblës, është një nga provat e shumta të mrekullueshme se Bibla është e frymëzuar nga Krijuesi i njeriut, Perëndia Jehova. (2 Timoteut 3:16) Vërtet, keqpërdorimi i tokës nga njeriu nga sa duket i ka çekuilibruar dukuritë e motit dhe ka sjellë përmbytje të mëdha në disa zona, e thatësira në të tjera. Por Krijuesi i ciklit të qarkullimit të ujit, Perëndia Jehova, kohë më parë premtoi se në fund do të ndërhyjë e ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’.—Zbulesa 11:18.
Ndërkohë, si mund ta tregoni vlerësimin për dhuratat e Perëndisë, siç është edhe shiu? Mund ta bëni këtë duke studiuar Fjalën e tij, Biblën, dhe duke zbatuar në jetë atë që mësoni. Kështu do të keni shpresën të mbijetoni e të hyni në botën e re të Perëndisë, ku do të mund t’i gëzoni përgjithmonë të gjitha dhuratat e Tij. Po, sepse «çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur» vjen nga Burimi i shiut, Perëndia Jehova.—Jakovi 1:17.
[Diagrami dhe figura në faqet 16, 17]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
KONDENSIMI
RESHJET
TRANSPIRIMI I BIMËVE
AVULLIMI
DERDHJET
UJËRAT TOKËSORE
[Figurat në faqen 16]
Ndërsa Elija lutej, ndihmësi i tij shihte «në drejtim të detit»