T’i bëjmë ballë ‘frymës së botës’
«Ne nuk morëm frymën e botës, por frymën që është nga Perëndia.»—1 KOR. 2:12.
1, 2. (a) Pse dikur në minierat britanike mbanin kanarina? (b) Me çfarë rreziku përballen të krishterët?
NË VITIN 1911, autoritetet britanike miratuan një ligj për mbrojtjen e jetës së minatorëve në minierat e qymyrit. Në çdo minierë kërkohej të mbaheshin dy kanarina. Për çfarë? Nëse në minierë binte zjarr, skuadra e shpëtimit i merrte kanarinat me vete nën tokë. Këta zogj të vegjël janë të ndjeshëm ndaj gazeve helmuese, si për shembull, monoksidit të karbonit. Nëse ajri ndotej, zogjtë shfaqnin shenja shqetësimi, madje binin nga shkopi ku qëndronin. Ky paralajmërim ishte jetësor. Monoksidi i karbonit është një gaz pa ngjyrë e pa erë që nuk lejon rruazat e kuqe të gjakut të furnizojnë trupin me oksigjen, duke shkaktuar kështu vdekjen e njeriut. Po të mos paralajmërohen për rrezikun, pjesëtarëve të skuadrës së shpëtimit mund t’u bjerë të fikët e më pas të vdesin pa e kuptuar se janë helmuar.
2 Në kuptimin frymor, të krishterët janë në një situatë të ngjashme me minatorët. Si? Kur Jezui u dha dishepujve caktimin për të predikuar lajmin e mirë në mbarë botën, e dinte se po i dërgonte në një mjedis të rrezikshëm ku sundonte Satanai dhe fryma e botës. (Mat. 10:16; 1 Gjon. 5:19) Jezui ishte kaq i shqetësuar për dishepujt, sa natën para se të vdiste iu lut Atit: «Nuk po të lutem që t’i heqësh nga bota, por që t’i ruash nga i ligu.»—Gjoni 17:15.
3, 4. Ç’paralajmërim u dha Jezui dishepujve dhe pse duhet të na interesojë?
3 Jezui i paralajmëroi dishepujt të ruheshin nga rreziku i përgjumjes frymore vdekjeprurëse. Fjalët e tij kanë domethënie të veçantë për ne, meqë po jetojmë gjatë përfundimit të sistemit. Ai i nxiti dishepujt: «Rrini zgjuar . . . që t’ia dilni mbanë të shpëtoni nga të gjitha këto gjëra që do të ndodhin dhe të qëndroni para Birit të njeriut.» (Luka 21:34-36) Por, jemi të lumtur që Jezui premtoi edhe se Ati i tij do t’u jepte frymë të shenjtë për t’u freskuar kujtesën dhe për t’i ndihmuar të qëndronin zgjuar e të fortë.—Gjoni 14:26.
4 Ç’të themi për ne sot? A mund të kemi edhe ne të njëjtën frymë të shenjtë për të na ndihmuar? Nëse po, çfarë duhet të bëjmë për ta marrë? Çfarë është fryma e botës dhe si vepron ajo? Si mund të arrijmë t’i bëjmë ballë frymës së botës?—Lexo 1 Korintasve 2:12.
Frymën e shenjtë apo frymën e botës?
5, 6. Ç’ndikim mund të ketë te ne fryma e shenjtë, por çfarë duhet të bëjmë për ta marrë?
5 Fryma e shenjtë nuk u dha vetëm në shekullin e parë. Atë mund ta marrim lehtë edhe sot, dhe fryma e Perëndisë mund të na japë forcë për të bërë atë që është e drejtë, si dhe energji për të kryer shërbimin e tij. (Rom. 12:11; Filip. 4:13) Gjithashtu ajo mund të na bëjë të shfaqim cilësi të bukura, si dashuria, mirëdashja dhe mirësia, që janë aspekte të ‘frytit të frymës’. (Gal. 5:22, 23) Megjithatë, Perëndia Jehova nuk ua jep me pahir frymën e tij të shenjtë atyre që nuk e duan.
6 Prandaj do të ishte e arsyeshme nëse do të bënim pyetjen: «Ç’mund të bëj për të marrë frymën e shenjtë?» E pra, Bibla tregon se ka një sërë gjërash që mund të bëjmë. Një hap i rëndësishëm është t’ia kërkojmë drejtpërdrejt Perëndisë. (Lexo Lukën 11:13.) Hap tjetër i dobishëm është studimi e zbatimi i këshillave që gjenden në Fjalën e Perëndisë të frymëzuar nga fryma. (2 Tim. 3:16) Sigurisht, jo kushdo që thjesht lexon Biblën merr frymën e Perëndisë. Por, kur një i krishterë i sinqertë studion Fjalën e Perëndisë, ai mund të përvetësojë ndjenjat dhe pikëpamjet që pasqyrohen në Fjalën e frymëzuar. Po ashtu, është jetësore të pranojmë se Jehovai ka emëruar Jezuin si përfaqësuesin e tij dhe si personin nëpërmjet të cilit ka siguruar frymën e shenjtë. (Kolos. 2:6) Prandaj, duhet ta modelojmë jetën tonë sipas shembullit dhe mësimeve të Jezuit. (1 Pjet. 2:21) Sa më shumë të përpiqemi të jemi si Krishti, aq më shumë frymë të shenjtë do të marrim.
7. Si ndikon te njerëzit fryma e botës?
7 Ndryshe nga kjo, fryma e botës i bën njerëzit të pasqyrojnë personalitetin e Satanait. (Lexo Efesianëve 2:1-3.) Ajo vepron në një sërë mënyrash. Siç e shohim kudo rreth nesh, kjo frymë nxit rebelim kundër normave të Perëndisë. Ajo ushqen ‘dëshirat e mishit, dëshirat e syve dhe kapardisjen për t’u dukur me të mirat materiale’. (1 Gjon. 2:16) Ajo i bën njerëzit të shfaqin veprat e mishit, si: kurvërinë, idhujtarinë, spiritizmin, xhelozinë, shpërthimet e zemërimit dhe dehjen. (Gal. 5:19-21) Dhe nxit të folurit apostat që dhunon atë që është e shenjtë. (2 Tim. 2:14-18) Është e pashmangshme: sa më shumë lejon një njeri të ndikohet nga fryma e botës, aq më shumë bëhet si Satanai.
8. Me ç’vendim përballet secili prej nesh?
8 Është e pamundur të izolohemi frymësisht nga çdo ndikim i jashtëm. Çdo njeri duhet të vendosë se nga cila do të drejtohet në jetë: nga fryma e shenjtë apo nga fryma e botës. Ata që drejtohen nga fryma e botës mund të çlirohen nga ndikimi i saj dhe të lejojnë që t’i drejtojë fryma e shenjtë. Por mund të ndodhë edhe e kundërta. Ata që për njëfarë kohe drejtoheshin nga fryma e shenjtë, mund të zihen në grackë nga fryma e botës. (Filip. 3:18, 19) Le të shqyrtojmë se si mund t’i bëjmë ballë frymës së botës.
Të dallojmë shenjat paralajmëruese
9-11. Cilat janë disa shenja paralajmëruese që tregojnë se ndoshta po ndikohemi nga fryma e botës?
9 Minatorët britanikë që përmendëm më parë, mbanin kanarina që t’i paralajmëronin për praninë e gazit helmues. Nëse një minator e shihte zogun të binte, e dinte se duhej të vepronte me shpejtësi për të mbijetuar. Po në kuptimin frymor, cilat janë disa shenja paralajmëruese që tregojnë se po ndikohemi nga fryma e botës?
10 Kur mësuam të vërtetat në Fjalën e Perëndisë e më pas ia kushtuam jetën Jehovait, me siguri që e lexonim Biblën me zell. Po ashtu luteshim shpesh e me ngulm. Kënaqeshim kur shkonim në mbledhjet e kongregacionit, ku e shihnim njëri-tjetrin si burim freskimi frymor, si oaz për një njeri të etur. Këto gjëra na ndihmuan të çliroheshim e të qëndronim larg nga fryma e botës.
11 A përpiqemi ende ta lexojmë Biblën çdo ditë? (Psal. 1:2) A lutemi shpesh dhe me gjithë zemër? A i duam mbledhjet e kongregacionit, duke i ndjekur të gjitha çdo javë? (Psal. 84:10) Apo ndoshta i kemi humbur disa prej këtyre zakoneve të mira? Patjetër, mund të kemi shumë përgjegjësi që kërkojnë kohë e energji, dhe mund të jetë e vështirë të mbajmë një rutinë frymore të shëndetshme. Por, nëse me kalimin e kohës kemi çaluar në disa nga këto zakone të mira, mos vallë arsyeja është se jemi ndikuar nga fryma e botës? A do të përpiqemi fort tani të ripërtërijmë zakonet e mira që kishim dikur?
‘Të mos na rëndohen zemrat’
12. Kujt tha Jezui se duhet ‘t’i kushtonin vëmendje’ dishepujt dhe pse?
12 Çfarë mund të bëjmë tjetër për t’i bërë ballë frymës së botës? Kur Jezui i këshilloi dishepujt që ‘të rrinin zgjuar’, ai sapo i kishte paralajmëruar për disa rreziqe specifike. Ai tha: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga të ngrënët e tepërt, nga pirja e tepërt dhe nga ankthet e jetës, që ajo ditë të mos bjerë befas mbi ju si një lak.»—Luka 21:34, 35.
13, 14. Çfarë pyetjesh do të ishte me vend t’i bënim vetes lidhur me të ngrënët e të pirët?
13 Të mendojmë pak për këtë paralajmërim. A ishte Jezui kundër kënaqësisë që vjen nga ngrënia dhe pirja? Jo! Ai i dinte fjalët e Solomonit: «Kam arritur të kuptoj se s’ka gjë më të mirë për [bijtë e njerëzve], se të gëzojnë dhe të bëjnë mirë gjatë jetës së tyre; dhe që çdo njeri të hajë e të pijë e të shohë të mira për gjithë mundin e tij. Është dhuratë nga Perëndia.» (Ekl. 3:12, 13) Gjithsesi, Jezui e dinte se fryma e botës bën që njerëzit të mos kenë vetëkontroll në këto gjëra.
14 Si mund të sigurohemi se fryma e botës nuk na e ka helmuar ndjeshmërinë e shqisave ndaj rreziqeve të teprimit në të ngrënë e në të pirë? Mund të pyesim veten: «Si reagoj kur lexoj në Bibël ose në botimet tona këshilla rreth grykësisë? A kam prirjen të mos u jap rëndësi duke menduar se s’janë për mua ose janë të ekzagjeruara, mbase duke justifikuar veten?a Ç’mendoj për këshillat që sugjerojnë përdorimin e alkoolit me karar ose mospërdorimin e tij, si edhe këshillat kundër ‘dehjeve’? A i nënvlerësoj këto këshilla me mendimin se nuk vlejnë për mua? Nëse të tjerët më shprehin merakun e tyre për sasinë që pi, a përpiqem të mbrohem ose a nxehem? A i shtyj të tjerët të mos u japin shumë rëndësi këtyre këshillave biblike?» Po, qëndrimi i dikujt tregon nëse po ndikohet nga fryma e botës.—Krahaso Romakëve 13:11-14.
Të mos na mbytë ankthi
15. Për ç’prirje njerëzore na paralajmëroi Jezui?
15 Një hap tjetër jetësor për t’i bërë ballë frymës së botës ka të bëjë me mënyrën se si e kontrollojmë ankthin. Jezui e dinte se si krijesa të papërsosura kemi prirjen të na zërë ankthi për nevojat e përditshme. Me dashuri u tha dishepujve: «Mos jini më në ankth.» (Mat. 6:25) Është normale të shqetësohemi për çështje të rëndësishme, si për shembull t’i pëlqejmë Perëndisë, të kujdesemi për përgjegjësitë e krishtere dhe të sigurojmë nevojat e familjes. (1 Kor. 7:32-34) Atëherë, ç’mund të mësojmë nga paralajmërimi i Jezuit?
16. Ç’ndikim ka fryma e botës te shumë njerëz?
16 Fryma e botës, me rëndësinë që i jep kapardisjes për t’u dukur me mjetet e jetesës, i infekton shumë njerëz me ankth jo të shëndetshëm. Bota dëshiron të besojmë se paraja sjell siguri dhe se vlera e njeriut nuk matet nga cilësitë frymore, por nga sasia dhe cilësia e gjërave që zotëron. Ata që mashtrohen nga kjo propagandë, skllavërohen për të fituar pasuri dhe janë vazhdimisht në ankth për të blerë produktet më të reja, më të mëdha dhe më të sofistikuara. (Prov. 18:11) Një pikëpamje e tillë e shtrembëruar për gjërat materiale sjell ankthe që pengojnë përparimin frymor të individit.—Lexo Mateun 13:18, 22.
17. Si mund të mos e lejojmë ankthin të na mbytë?
17 Mund të mos e lejojmë ankthin të na mbytë nëse i bindemi urdhrit të Jezuit: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë.» Jezui na siguron se, po të veprojmë kështu, gjërat që na nevojiten vërtet, do të na shtohen. (Mat. 6:33) Si mund të tregojmë se besojmë te ky premtim? Një mënyrë është duke kërkuar në radhë të parë drejtësinë e Perëndisë, domethënë, duke iu bindur normave të tij në lidhje me atë që është e drejtë në çështjet financiare. Për shembull, ne nuk pranojmë të falsifikojmë dokumentet për pagimin e taksave dhe as të themi gënjeshtra, sikur edhe «të vogla», në marrëdhënie biznesi. Bëjmë gjithçka kemi në dorë për të përmbushur detyrimet financiare dhe, kur bëhet fjalë për shlyerjen e borxheve, nëse kemi thënë «Po», e mbajmë fjalën. (Mat. 5:37; Psal. 37:21) Një ndershmëri e tillë mund të mos e bëjë dikë të pasur, por ajo sjell miratimin e Perëndisë, një ndërgjegje të pastër dhe pakëson ndjeshëm ankthin.
18. Çfarë shembulli të shkëlqyer la Jezui për ne dhe çfarë bekimesh kemi kur e imitojmë?
18 Të kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë do të thotë të dimë se ç’gjë duhet të jetë më e rëndësishme në jetën tonë. Të shqyrtojmë shembullin e Jezuit. Ndonjëherë ai mbante një veshje cilësore. (Gjoni 19:23) Atij i pëlqente të hante dhe të pinte verë në shoqëri të mirë. (Mat. 11:18, 19) Por për të, gjërat që zotëronte dhe zbavitja ishin në jetën e tij si erëzat në ushqim, dhe jo vetë ushqimi. Ushqimi i Jezuit ishte të bënte vullnetin e Jehovait. (Gjoni 4:34-36) Ç’bekime kemi në jetë kur imitojmë shembullin e Jezuit! Kemi kënaqësinë të ndihmojmë njerëzit e nëpërkëmbur të gjejnë ngushëllim nga Shkrimet. Fitojmë dashurinë dhe mbështetjen e kongregacionit. Dhe i gëzojmë zemrën Jehovait. Kur kemi përparësitë e duhura në jetë, nuk bëhemi skllevër të zotërimeve dhe kënaqësive. Përkundrazi, ato janë mjete që na shërbejnë ose na ndihmojnë në adhurimin e Jehovait. Dhe sa më aktivë jemi në veprën që mbështet Mbretërinë e Perëndisë, aq më pak rrezikojmë të na mundë fryma e botës.
Të vazhdojmë ‘ta mbajmë mendjen te fryma’
19-21. Si mund të vazhdojmë ‘ta mbajmë mendjen te fryma’ dhe pse duhet të veprojmë kështu?
19 Mendimet u paraprijnë veprimeve. Ato që shumë i quajnë veprime të pamenda, shpesh janë veprime të nxitura nga mendime mishore. Ja pse apostulli Pavël na kujton se është e nevojshme t’u kushtojmë kujdes mendimeve tona. Ai shkroi: «Ata që janë sipas mishit, e kanë mendjen te gjërat e mishit, por ata që janë sipas frymës, e kanë mendjen te gjërat e frymës.»—Rom. 8:5.
20 Çfarë mund të bëjmë që mendimet, e si rrjedhojë edhe veprimet tona, të mos drejtohen nga fryma e botës? Duhet, si të thuash, të filtrojmë mendimet, duke u përpjekur sa më shumë të jetë e mundur të mos futim në mendje propagandën e botës. Për shembull, kur zgjedhim zbavitjen, nuk lejojmë që mendja jonë të ndotet nga programe që lartësojnë imoralitetin dhe dhunën. E kuptojmë që fryma e shenjtë ose e pastër e Perëndisë nuk mund të banojë ose të gjejë vend në një mendje të ndotur. (Psal. 11:5; 2 Kor. 6:15-18) Për më tepër, e ftojmë frymën e Perëndisë në mendjen tonë kur rregullisht lexojmë Biblën, lutemi, meditojmë dhe shkojmë në mbledhje. Dhe bashkëpunojmë me këtë frymë ndërsa marrim pjesë rregullisht në veprën e predikimit.
21 Sigurisht, na duhet t’i bëjmë ballë frymës së botës dhe dëshirave të mishit që ajo ushqen. Por ia vlen të përpiqemi sepse, siç thotë Pavli, «të mbash mendjen te mishi, kjo do të thotë vdekje, kurse po ta mbash mendjen te fryma, kjo do të thotë jetë dhe paqe».—Rom. 8:6.
[Shënimi]
a Grykësia është një qëndrim mendor që karakterizohet nga dhënia me lakmi ose tepri pas ngrënies ose pirjes. Pra, ajo nuk përcaktohet nga përmasat e dikujt, por nga qëndrimi i tij ndaj ushqimit. Një njeri mund të jetë me trup normal, madje i dobët, e megjithatë të jetë grykës. Nga ana tjetër, disa janë mbi peshë si pasojë e një sëmundjeje, ose dhjamosja mund të jetë e trashëgueshme. Çështja kryesore është nëse dikush, pavarësisht nga pesha, është tejet lakmitar në të ngrënë.—Shih artikullin «Pyetje nga lexuesit», në revistën Kulla e Rojës 1 nëntor 2004.
A ju kujtohet?
• Çfarë duhet të bëjmë që të marrim frymën e shenjtë?
• Në ç’mënyra mund të ndikojë te ne fryma e botës?
• Si mund t’i bëjmë ballë frymës së botës?
[Figura në faqen 21]
Para se të shkojmë në punë ose në shkollë, të lutemi për frymën e shenjtë
[Figurat në faqen 23]
Duhet ta mbajmë mendjen të pastër, të jemi të ndershëm në marrëdhënie biznesi dhe të jemi të përkorë në zakone