GJUMI
Gjendje pushimi gjatë së cilës ndërpritet veprimtaria e vetëdijshme. I domosdoshëm për jetën dhe shëndetin e njeriut. Plotësisht i vetëdijshëm për rëndësinë e pushimit, Jezu Krishti kujdesej që dishepujt e tij të kishin kohë për të pushuar pak. (Mr 6:31) Shembulli i Jezuit tregon se edhe një njeri i përsosur ka nevojë për gjumë e pushim.—Krahaso Mr 4:38.
Puna e lodhshme (Ek 5:12), ndërgjegjja e pastër (krahaso Ps 32:3-5), mospasja e një ankthi të tepërt dhe besimi te Jehovai (Ps 3:5; 4:8; Pr 3:24-26) ndihmojnë shumë që njeriu të bëjë një gjumë të këndshëm e ripërtëritës. Kur kënaqet me gjërat e nevojshme për jetën (krahaso 1Ti 6:8), shërbëtori i Perëndisë nuk ka pse të rraskapitet për orë të gjata në punë duke sakrifikuar gjumin e nevojshëm, e prapëseprapë të mos nxjerrë dobi të vërtetë nga puna.—Krahaso Ps 127:1, 2.
Pa dyshim, ka periudha kur shërbëtorët e Perëndisë kalojnë net pa gjumë. Nëse nuk varet nga rrethanat e këqija ose sprovuese, pagjumësia mund t’u vijë nga meraku për bashkëbesimtarët dhe për përparimin e adhurimit të pastër. (2Ko 6:3-5; 11:23, 27; krahaso Ps 132:3-5, ku nuk bëhet fjalë për gjumin, por për pushimin, ndërprerjen e aktivitetit.) Sidoqoftë është e kotë që të shqetësohen për të mirat materiale e t’u ikë gjumi. (Ek 5:12; krahaso Mt 6:25-34.) Nga ana tjetër, shkelja u sjell kënaqësi të ligjve. «Ata nuk flenë po të mos bëjnë të keqen dhe gjumi u tretet po të mos pengojnë dikë.»—Pr 4:16.
Edhe pse gjumi është i rëndësishëm, njeriu s’duhet të jetë gjumash. (Pr 20:13) «Përtacia të bën të biesh në gjumë të thellë» dhe të bën të plogët kur duhet të bësh diçka. (Pr 19:15) Kush dëshiron të flejë e të jetë i plogët, kur duhet të jetë duke punuar, merr një rrugë që në fund e çon në varfëri.—Pr 6:9-11; 10:5; 24:33, 34.
Ndryshe nga njerëzit, Perëndisë Jehova nuk i vjen gjumë e s’ka nevojë të flejë. Prandaj shërbëtorët e tij mund të jenë të sigurt se ai mund t’u japë ndihmën e nevojshme në çdo kohë. (Ps 121:3, 4) Vetëm kur vonon ose nuk vepron për arsye të vlefshme, si për shembull në lidhje me ata që hiqen si shërbëtorët e tij por që nuk janë besnikë, Jehovai krahasohet me dikë që fle.—Ps 44:23; 78:65.
Të zgjuar frymësisht. Kur i inkurajoi të krishterët në Romë të mos ishin të përgjumur ose joaktivë e të pandjeshëm ndaj përgjegjësive të tyre, apostulli Pavël shkroi: «Tashmë është ora që të zgjoheni nga gjumi, sepse tani shpëtimi ynë është edhe më afër se kur u bëmë besimtarë. Nata është thyer dhe dita është afruar. Prandaj, të zhveshim veprat që i përkasin errësirës dhe të veshim armët e dritës. Të ecim si na ka hije, si ditën, jo në ahengje të shfrenuara e në dehje, jo në marrëdhënie seksuale të paligjshme dhe sjellje të shthurur, jo në konflikte e xhelozi.» (Ro 13:11-13; krahaso Ef 5:6-14; 1Se 5:6-8; Zb 16:15.) Ata që merren me praktika të gabuara ose mbështetin mësime të rreme janë të përgjumur në lidhje me drejtësinë dhe duhet të zgjohen, nëse duan miratimin e Perëndisë.
Vdekja është si gjumi. Gjumi ka disa faza. Çdo fazë përbëhet nga një gjumë i thellë që pasohet nga një gjumë më i lehtë. Gjatë periudhave të gjumit të thellë është shumë e vështirë ta zgjosh një njeri. Ai është i pavetëdijshëm për atë që e rrethon dhe se çfarë po i ndodh. Nuk kryen asnjë veprimtari të vetëdijshme. Po njësoj edhe të vdekurit «s’janë të vetëdijshëm për asgjë». (Ek 9:5, 10; Ps 146:4) Pra, vdekja e njeriut ose e kafshës është si gjumi. (Ps 13:3; Gjo 11:11-14; Ve 7:60; 1Ko 7:39; 15:51; 1Se 4:13) Psalmisti shkroi: «Nga ndëshkimi yt, o Perëndi i Jakobit, karrocieri bashkë me kalin kanë rënë në gjumë të thellë.» (Ps 76:6; krahaso Is 43:17.) Nëse Perëndia nuk do të kishte për qëllim t’i zgjonte të vdekurit nga gjumi i vdekjes, ata s’do të zgjoheshin kurrë.—Krahaso Jb 14:10-15; Jr 51:39, 57; shih RINGJALLJA.
Megjithatë, «vdekja» dhe «gjumi» mund të tregojnë edhe dy gjëra të ndryshme. Krishti Jezu tha për një vajzë të vdekur: «Vogëlushja nuk ka vdekur, por po fle.» (Mt 9:24; Mr 5:39; Lu 8:52) Meqenëse do ta ringjallte, Jezui mbase donte të thoshte se vajza nuk kishte pushuar së ekzistuari përgjithmonë, por ishte sikur të kishte qenë në gjumë e të ishte zgjuar. Veç kësaj, ajo nuk ishte varrosur ende dhe trupi i saj nuk kishte filluar të dekompozohej, siç kishte ndodhur me Lazarin. (Gjo 11:39, 43, 44) Me autoritetin që i kishte dhënë Ati, Jezui mund ta thoshte atë njësoj si Ati «që ngjall të vdekurit dhe i thërret gjërat që s’janë sikur të ishin».—Ro 4:17; krahaso Mt 22:32.
Duhet thënë se në Shkrime shprehja «në gjumë» përdoret për ata që vdesin për shkak të vdekjes së trashëguar nga Adami. Për ata që pësojnë ‘vdekjen e dytë’ nuk thuhet se janë në gjumë. Përkundrazi, sipas Biblës ata janë shfarosur plotësisht, nuk ekzistojnë, si të ishin djegur krejt nga një zjarr që s’shuhet.—Zb 20:14, 15; krahaso He 10:26-31, ku bëhet kontrasti mes vdekjes së atyre që shkelën Ligjin e Moisiut dhe ndëshkimit më të ashpër për të krishterët që me vullnet i kthehen praktikimit të mëkatit; He 6:4-8.