Sa e çmuar është jeta jote?
NDËRSA në Evropë, gjatë Luftës I Botërore, sakrifikoheshin jetë të panumërta, në Antarktidë bëheshin përpjekje të jashtëzakonshme për të shpëtuar jetën e disa njerëzve. Eksploruesi anglo-irlandez Ernest Shekëlton dhe ekuipazhi i tij pësuan një katastrofë kur anija e tyre «Endurans» u ça nga akujt dhe u fundos. Shekëltoni arriti t’u gjente pjesëtarëve të ekuipazhit një vend disi të sigurt në Ishullin e Elefantit, në Atlantikun Jugor. Por jeta e tyre ishte ende në rrezik.
Shekëltoni e kuptoi se e vetmja shpresë për të mbijetuar ishte të kërkonin ndihmë në një stacion të gjuetarëve të balenave që ndodhej në ishullin e Xhorxhias Jugore. Ishulli ishte 1.100 kilometra larg dhe ekuipazhi kishte vetëm një varkë shpëtimi 6,7 metra të gjatë, që e kishte marrë nga anija «Endurans». Shpresat ishin të pakta.
Por, më 10 maj 1916, pas 17 ditësh të mundimshme, Shekëltoni dhe një grup i vogël arritën në Xhorxhian Jugore, por për shkak të detit të keq, ishin të detyruar të zbrisnin në anën tjetër të ishullit. Për të shkuar në destinacion, iu desh të përshkonin 30 kilometra nëpër male të panjohura e të mbuluara me borë. Ndonëse në temperaturën nën zero dhe pa mjetet e përshtatshme për ngjitje, kundër gjithë parashikimeve, Shekëltoni dhe grupi jo vetëm që arritën në destinacion, por shpëtuan edhe shokët që kishin ngelur në Ishullin e Elefantit. Pse u mundua kaq shumë Shekëltoni? Biografi Roland Hantford shkruan: «Qëllimi i tij kryesor ishte t’i nxirrte gjallë prej andej të gjithë pjesëtarët e ekuipazhit të tij.»
«Asnjë nuk mungon»
Çfarë i ruajti shokët e Shekëltonit nga dëshpërimi ndërsa mblidheshin kruspull nga të ftohtët dhe prisnin në «një pjesë shkëmbore dhe akullnajore 30 kilometra të gjatë, ku bënte acar dhe ishte e pamundur të kaloje? Ishte besimi se komandanti i tyre do ta mbante premtimin dhe do t’i shpëtonte.
Njerëzimi sot është pak a shumë si këta burra që ishin bllokuar në Ishullin e Elefantit. Shumë njerëz jetojnë në kushte tmerrësisht të këqija, duke luftuar vetëm për të mbijetuar. Megjithatë mund të krijojnë besim të plotë se Perëndia ‘do t’i çlirojë të pikëlluarit’ nga shtypja dhe vuajtjet. (Jobi 36:15) Të jesh i sigurt se për Perëndinë çdo jetë njeriu është e çmuar. Perëndia Jehova, Krijuesi ynë, thotë: «Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj.»—Psalmi 50:15.
A e ke të vështirë të besosh se, megjithëse je një ndër miliarda njerëz të tjerë, Krijuesi të çmon ty si individ? Shiko se çfarë shkroi profeti Isaia për miliarda yjet që gjenden në miliarda galaktikat e universit të stërmadh që na rrethon. Ai thotë: «Ngrini sytë tuaja përpjetë dhe shikoni: Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre me shumicë dhe thërret gjithçka me emër; për madhështinë e fuqisë së tij dhe forcën e tij, asnjë nuk mungon.»—Isaia 40:26.
A e kupton se ç’do të thotë kjo? Galaktika jonë Udha e Qumështit, ku sistemi ynë diellor përbën vetëm një pjesë, ka të paktën 100 miliardë yje. Po sa galaktika të tjera ka? Askush nuk e di me siguri, por, nga disa llogaritje, rezultojnë rreth 125 miliardë galaktika. Imagjino numrin marramendës të yjeve që duhet të ketë në këto galaktika! E megjithatë Bibla na thotë që Krijuesi i universit e njeh me emër çdo yll.
«Vetë fijet e flokëve të kokës suaj janë të gjitha të numëruara»
‘Por,—mund të kundërshtojë dikush,—fakti që njeh emrat e miliarda yjeve apo të miliarda njerëzve, nuk do të thotë medoemos se interesohet për secilin prej tyre.’ Një kompjuter që ka kapacitet të mjaftueshëm, mund të regjistrojë emrat e miliarda njerëzve. Megjithatë, askush nuk mendon se kompjuteri interesohet për ndonjërin prej tyre. Kurse Bibla tregon se Perëndia Jehova jo vetëm që di emrat e miliarda njerëzve, por edhe interesohet për secilin prej tyre. Apostulli Pjetër shkroi: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai interesohet për ju.»—1 Pjetrit 5:7.
Jezu Krishti tha: «A nuk shiten dy harabela për një monedhë me vlerë të vogël? E megjithatë, asnjë prej tyre nuk do të bjerë përtokë pa dijeninë e Atit tuaj. Por vetë fijet e flokëve të kokës suaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj, mos kini frikë: Ju vleni më tepër se shumë harabela.» (Mateu 10:29-31) Siç e shohim, Jezui nuk tha që Perëndia vetëm do të ishte në dijeni të asaj që u ndodhte harabelave dhe njerëzve. Ai tha: «Ju vleni më tepër se shumë harabela.» Përse? Sepse je krijuar sipas «shëmbëlltyrës së Perëndisë», me aftësinë për të zhvilluar dhe për të shfaqur cilësi të mira morale, intelektuale dhe frymore, që pasqyrojnë cilësitë e mrekullueshme të Perëndisë.—Zanafilla 1:26, 27.
«Rezultat i një veprimtarie inteligjente»
Mos u gënje nga pohimet e njerëzve që mohojnë ekzistencën e një Krijuesi. Sipas tyre, ti je krijuar nga forcat e verbra e të panjohura të natyrës. Ata pretendojnë se nuk je bërë aspak «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë», por përkundrazi nuk ndryshon fare nga kafshët e këtij planeti, përfshirë edhe harabelat.
A të duket e arsyeshme që jeta të ketë ardhur krejt rastësisht në tokë ose si rezultat i forcave të verbra? Sipas Majkëll Bihit, profesor i biologjisë molekulare, «proceset e komplikuara dhe mahnitëse biokimike» që drejtojnë jetën, e hedhin poshtë krejtësisht këtë ide. Sipas këtij profesori, ajo që dëshmon biokimia të çon drejt përfundimit të pashmangshëm se «jeta në tokë, në nivelin e saj më themelor, . . . është rezultat i një veprimtarie inteligjente».—Kutia e zezë e Darvinit—Sfida biokimike ndaj evolucionit (anglisht).
Bibla tregon se në çdo nivel ose shkallë zhvillimi, jeta në tokë është rezultat i një veprimtarie inteligjente. Ajo thotë edhe se Burimi i të gjithë kësaj veprimtarie inteligjente është Perëndia Jehova, Krijuesi i universit.—Psalmi 36:9; Zbulesa 4:11.
Mos lejo që dhembjet dhe vuajtjet e jetës në këtë botë të të pengojnë të besosh se ka një Krijues dhe Projektues të tokës dhe të gjithçkaje të gjallë në të. Mos harro dy të vërteta themelore. E para është se papërsosmëria që na rrethon nuk bënte pjesë në qëllimin fillestar të Perëndisë. Dhe e dyta është se Krijuesi ynë ka arsye të forta pse po e lejon përkohësisht këtë papërsosmëri. Ashtu siç është thënë shpesh në këtë revistë, Perëndia Jehova e ka lejuar ligësinë vetëm për njëfarë kohe, me qëllim që të zgjidhë njëherë e përgjithmonë çështjet morale që u ngritën në kohën kur njerëzit hodhën poshtë sovranitetin e tij.a—Zanafilla 3:1-7; Ligji i përtërirë 32:4, 5; Predikuesi 7:29; 2 Pjetrit 3:8, 9.
«Ai do ta çlirojë nevojtarin»
Pavarësisht nga kushtet e mjera në të cilat shumë njerëz vuajnë sot, prapëseprapë jeta është një dhuratë e mrekullueshme. Dhe bëjmë gjithçka mundemi për ta ruajtur. Jeta e ardhshme që na premton Perëndia nuk është një luftë vetëm për të mbijetuar në kushte të këqija dhe plot vuajtje, ashtu si burrat e Shekëltonit në Ishullin e Elefantit. Qëllimi i Perëndisë është të na shpëtojë nga vuajtjet dhe kotësia e tanishme, në mënyrë që të mund ‘të rrokim jetën e vërtetë’ që Perëndia kishte planifikuar që në fillim të krijimit të njeriut.—1 Timoteut 6:19.
Perëndia do ta bëjë këtë, sepse secili prej nesh është i çmuar në sytë e tij. Ai mori masa që Biri i tij, Jezu Krishti, të siguronte flijimin shpërblyes që nevojitej për të na çliruar nga mëkati, papërsosmëria dhe vdekja që trashëguam nga prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva. (Mateu 20:28) Jezu Krishti tha: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai . . . të ketë jetë të përhershme.»—Gjoni 3:16.
Çfarë do të bëjë Perëndia për ata që tani kanë një jetë plot dhembje dhe shtypje? Duke iu referuar Birit të tij, Fjala e frymëzuar e Perëndisë thotë: «Ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve. Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna.» Pse do ta bëjë ai këtë? Sepse «gjaku i tyre [ose jeta e tyre] do të jetë i çmuar para syve të tij».—Psalmi 72:12-14.
Për shekuj të tërë njerëzimi ka lënguar nën barrën e mëkatit dhe të papërsosmërisë dhe vazhdon «të rënkojë» nga dhembja dhe vuajtjet. Perëndia e lejoi këtë gjendje vetëm duke e ditur se ai mund të zhbënte çdo dëm që do të vinte prej saj. (Romakëve 8:18-22) Shumë shpejt ai do të sjellë ‘rivendosjen e të gjitha gjërave’ nëpërmjet Mbretërisë së tij me Birin e tij, Jezu Krishtin si Mbret.—Veprat 3:21; Mateu 6:9, 10.
Këtu përfshihet edhe ringjallja e atyre njerëzve që kanë vuajtur dhe kanë vdekur në të kaluarën. Perëndia nuk i ka harruar. (Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15) Së shpejti, ata do të kenë jetë «me bollëk», do të jetojnë përgjithmonë në përsosmëri, në një tokë parajsore pa vuajtje e mundime. (Gjoni 10:10; Zbulesa 21:3-5) Të gjithë që do të jetojnë do ta shijojnë plotësisht jetën e do të fitojnë cilësitë dhe aftësitë e mrekullueshme që karakterizojnë ata që janë bërë «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë».
A do të jesh aty për të gëzuar jetën që Jehovai ka premtuar? Kjo varet nga ti. Të inkurajojmë që të përfitosh edhe ti nga masat që ka marrë Perëndia për të sjellë gjithë këto bekime. Botuesit e kësaj reviste do të të ndihmonin me kënaqësi për këtë.
[Shënimi]
a Për një shqyrtim të hollësishëm të kësaj çështjeje, shih kapitullin 8 me titull «Përse i lejon Perëndia vuajtjet?» në librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqet 4, 5]
Ata që kishin ngelur në ishull kishin besim se Shekëltoni do ta mbante fjalën dhe do t’i shpëtonte
[Burimi]
© CORBIS
[Figura në faqen 6]
«Ju vleni më tepër se shumë harabela»