ARTIKULLI I STUDIMIT 38
«Ejani tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj»
«Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj.»—MAT. 11:28.
KËNGA 17 «Po, dua!»
PËRMBLEDHJEa
1. Sipas Mateut 11:28-30, cilin premtim bëri Jezui?
JEZUI i bëri këtë premtim të bukur një turme që po e dëgjonte: «Ejani tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj.» (Lexo Mateun 11:28-30.) Ky nuk ishte një premtim bosh. Mendo, për shembull, çfarë bëri ai për një grua që vuante nga një sëmundje e tmerrshme.
2. Çfarë bëri Jezui për një grua të sëmurë?
2 Ajo grua ishte në hall të madh. Kishte shkuar te sa e sa mjekë me shpresën që të gjente lehtësim. Pas 12 vjetësh plot vuajtje, akoma nuk ishte shëruar. Sipas Ligjit, ishte e papastër. (Lev. 15:25) Kur dëgjoi se Jezui mund t’i shëronte njerëzit që vuanin, shkoi ta gjente. Pasi e gjeti, i preku thekët e rrobës dhe u shërua në çast. Ama Jezui nuk i ktheu vetëm shëndetin, por edhe dinjitetin. Për shembull, ndërsa bisedonte me të, e quajti «bijë», një fjalë e ngrohtë e njëkohësisht plot respekt. Kushedi sa e freskuar, sa e përtërirë do të jetë ndier ajo grua!—Luka 8:43-48.
3. Cilat pyetje do të marrin përgjigje?
3 Është interesante që gruaja shkoi te Jezui. Ajo mori iniciativën. Kjo vlen edhe për kohën tonë—ne duhet të bëjmë përpjekje që të shkojmë te Jezui. Sot Jezui nuk i shëron me mrekulli sëmundjet fizike të atyre që shkojnë tek ai. Megjithatë, ende na bën ftesën: «Ejani tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj.» Në këtë artikull, do t’u përgjigjemi pesë pyetjeve: Ç’duhet të bëjmë që ta pranojmë ftesën e Jezuit «ejani tek unë»? Ç’donte të thoshte Jezui me fjalët «merrni mbi vete zgjedhën time»? Çfarë mund të mësojmë nga Jezui? Pse na sjell freskim vepra që na ka ngarkuar ai? Dhe si mund të vazhdojmë të gjejmë freskim nën zgjedhën e Jezuit?
«EJANI TEK UNË»
4-5. Cilat janë disa mënyra si mund të shkojmë te Jezui?
4 Një mënyrë si shkojmë te Jezui, është duke mësuar sa më shumë për gjërat që tha e bëri. (Luka 1:1-4) Askush tjetër s’mund ta bëjë këtë në vendin tonë—duhet t’i studiojmë vetë këto tregime. Te Jezui shkojmë edhe duke marrë vendimin që të pagëzohemi e të bëhemi dishepuj të tij.
5 Një mënyrë tjetër si shkojmë te Jezui, është duke shkuar te pleqtë e kongregacionit kur kemi nevojë për ndihmë. Jezui i përdor këto «dhurata në njerëz» që të kujdeset për delet e tij. (Efes. 4:7, 8, 11; Gjoni 21:16; 1 Pjet. 5:1-3) Duhet të marrim iniciativën t’u kërkojmë ndihmë. Nuk mund të presim që pleqtë të na lexojnë mendjen dhe të dinë ç’na nevojitet. Ja çfarë thotë një vëlla që quhet Xhulian: «M’u desh ta ndërpritja caktimin në Bethel për arsye shëndetësore dhe një mik më sugjeroi të kërkoja një vizitë baritore. Në fillim mendoja se nuk kisha nevojë për këtë. Por më vonë kërkova ndihmë, dhe ajo vizitë baritore ishte një nga dhuratat më të shkëlqyera që kam marrë në jetë.» Pleqtë besnikë, si ata të dy që i bënë vizitën Xhulianit, mund të na ndihmojnë të njohim «mendjen e Krishtit», pra të kuptojmë e të imitojmë mënyrën si mendon dhe qëndrimin e tij. (1 Kor. 2:16; 1 Pjet. 2:21) Kjo është vërtet një nga dhuratat më të shkëlqyera që mund të na bëjnë pleqtë.
«MERRNI MBI VETE ZGJEDHËN TIME»
6. Ç’donte të thoshte Jezui me fjalët «merrni mbi vete zgjedhën time»?
6 Fjalët e Jezuit «merrni mbi vete zgjedhën time», mund të kenë pasur kuptimin «pranoni autoritetin tim». Mund të kenë pasur edhe kuptimin «futuni nën zgjedhën time me mua dhe së bashku do të punojmë për Jehovain». Në të dyja rastet, zgjedha nënkupton punë.
7. Sipas Mateut 28:18-20, cila vepër na është ngarkuar, dhe për çfarë mund të jemi të sigurt?
7 E pranojmë ftesën e Jezuit kur i kushtojmë jetën Jehovait dhe pagëzohemi. Kjo ftesë u drejtohet të gjithëve—Jezui nuk do t’ia mbyllë kurrë derën dikujt që dëshiron nga zemra t’i shërbejë Perëndisë. (Gjoni 6:37, 38) Të gjithë dishepujve të Krishtit u është dhënë privilegji të marrin pjesë në veprën që i ka caktuar Jehovai Jezuit. Mund të jemi të sigurt se Jezui do të jetë gjithmonë me ne për të na ndihmuar ta kryejmë këtë vepër.—Lexo Mateun 28:18-20.
«MËSONI NGA UNË»
8-9. Pse kishin qejf të shkonin te Jezui njerëzit e përulur, dhe cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
8 Njerëzit e përulur kishin qejf të shkonin te Jezui. (Mat. 19:13, 14; Luka 7:37, 38) Pse? Mendo për kontrastin mes Jezuit dhe farisenjve. Ata krerë fetarë ishin të ftohtë dhe arrogantë. (Mat. 12:9-14) Jezui ishte i përzemërt dhe i përulur. Farisenjtë ishin ambiciozë dhe krenarë për pozitën e lartë në shoqëri. Jezui i nxiste njerëzit të mos e zhvillonin këtë qëndrim ambicioz dhe i mësonte dishepujt ta shihnin veten si shërbëtorë të thjeshtë. (Mat. 23:2, 6-11) Farisenjtë sundonin mbi të tjerët me anë të frikës dhe kërcënimeve. (Gjoni 9:13, 22) Jezui i freskonte të tjerët me anë të veprave të dashura dhe fjalëve të ngrohta.
9 A ke mësuar nga Jezui? Pyet veten: «A më njohin të tjerët si njeri të butë dhe të përulur? A jam i gatshëm të bëj punë të rëndomta për t’u shërbyer të tjerëve? A i trajtoj të tjerët me dashuri?»
10. Çfarë ambienti krijonte Jezui për ata që shërbenin përkrah tij?
10 Jezui krijonte një ambient paqësor e tërheqës për ata që shërbenin përkrah tij dhe i stërviste me kënaqësi. (Luka 10:1, 19-21) Ai i nxiste dishepujt të bënin pyetje dhe donte t’i dëgjonte opinionet e tyre. (Mat. 16:13-16) Ashtu si bimët në një kopsht të bukur, dishepujt lulëzonin. Ata i futën në zemër mësimet e Jezuit, e dhanë fryt duke bërë vepra të mira.
11. Cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
11 A ke njëfarë autoriteti mbi të tjerët? Nëse po, pyet veten: «Çfarë ambienti krijoj në punë a në shtëpi? A nxit paqen? A i inkurajoj të tjerët të bëjnë pyetje? A jam i gatshëm ta dëgjoj opinionin e tyre?» Kurrsesi nuk do të donim të ishim si farisenjtë. Ata i shihnin shtrembër njerëzit që vinin në dyshim fjalët e tyre dhe përndiqnin këdo që shprehte një opinion të ndryshëm.—Mar. 3:1-6; Gjoni 9:29-34.
«DO TË GJENI FRESKIM»
12-14. Pse na sjell freskim vepra që na ka ngarkuar Jezui?
12 Pse ndihemi të freskuar kur kryejmë veprën që na ka ngarkuar Jezui? Ka shumë arsye, por le të ndalemi vetëm te disa.
13 Kemi mbikëqyrësit më të shkëlqyer. Jehovai, Mbikëqyrësi i Madh, nuk është një zotëri mosmirënjohës ose i ashpër. Ai i çmon veprat tona. (Hebr. 6:10) Gjithashtu na jep fuqinë e nevojshme për të mbajtur ngarkesën, pra përgjegjësitë tona. (2 Kor. 4:7; Gal. 6:5) Jezui, Mbreti ynë, na udhëheq me anë të shembullit. (Gjoni 13:15) Dhe pleqtë që kujdesen për ne, përpiqen të imitojnë Jezuin, «bariun e madh». (Hebr. 13:20; 1 Pjet. 5:2) Ata bëjnë çmos të jenë të dashur, inkurajues dhe të guximshëm ndërsa na mësojnë e na mbrojnë.
14 Kemi miqtë më të shkëlqyer. Asnjë grup tjetër njerëzish nuk ka një jetë kaq domethënëse dhe një lidhje kaq të dashur si e jona. Mendo pak: kemi privilegjin të bashkëpunojmë me njerëz që, ndonëse kanë normat më të larta morale, nuk u duket vetja më të mirë se të tjerët. Ata janë të talentuar, por modestë, dhe i konsiderojnë të tjerët më të lartë se veten. Nuk na shohin thjesht si bashkëpunëtorë, por si miq. E kjo lidhje është kaq e ngushtë, sa janë gati të japin jetën për ne!
15. Si duhet të ndihemi për veprën që kryejmë?
15 Kemi veprën më të shkëlqyer. Ne u mësojmë të tjerëve të vërtetën për Jehovain dhe demaskojmë gënjeshtrat që përhap Djalli. (Gjoni 8:44) Satanai i rëndon njerëzit me barrë që nuk i mbajnë dot. Për shembull, ai dëshiron të besojmë se Jehovai nuk do të na falë për mëkatet tona dhe se nuk e meritojmë të na dojë. Çfarë barre sfilitëse dhe çfarë gënjeshtre e tmerrshme! Kur pranojmë ftesën e Krishtit «ejani tek unë», mëkatet tona falen. Gjithashtu, e vërteta është se Jehovai ka dashuri të thellë për secilin nga ne. (Rom. 8:32, 38, 39) Sa shpërblyese është t’i ndihmojmë njerëzit të mbështeten te Jehovai dhe të shohim si u përmirësohet jeta!
VAZHDO TË GJESH FRESKIM NËN ZGJEDHËN E JEZUIT
16. Si ndryshon ngarkesa që na kërkon të mbajmë Jezui nga ngarkesat e tjera që duhet të mbajmë?
16 Ngarkesa që na kërkon të mbajmë Jezui, ndryshon nga ngarkesat e tjera që duhet të mbajmë. Për shembull, në fund të ditës së punës, shumë veta ndihen jo vetëm të rraskapitur, por edhe të pakënaqur. Ama kur kalojmë kohë në shërbimin e Jehovait dhe të Krishtit, provojmë një ndjenjë të thellë kënaqësie. Mund të jemi të sfilitur në fund të ditës së punës dhe ndoshta na duhet ta detyrojmë veten të shkojmë në mbledhje atë mbrëmje. Por shpesh kthehemi nga mbledhja të freskuar dhe me forca të përtërira. Njësoj ndodh kur bëjmë përpjekje të predikojmë dhe të bëjmë studimin personal të Biblës. Shpërblimi që marrim, është ku e ku më i madh se energjitë që derdhim!
17. Pse duhet të jemi realistë dhe të kujdesshëm?
17 Duhet të jemi realistë. Asnjë nga ne nuk ka energji të pashtershme. Prandaj duhet të bëjmë kujdes çfarë marrim përsipër. Për shembull, mund t’i çojmë dëm energjitë duke u përpjekur të mbledhim të mira materiale. Në një rast, një i ri i pasur e pyeti Jezuin: «Çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përhershme?» Ai po i bindej tashmë Ligjit. E duhet të ketë qenë njeri i mirë, pasi në Ungjillin e Markut thuhet qartë se Jezui «ndjeu dashuri për të». Jezui i bëri këtë ftesë atij kreu të ri: «Shko, shit gjithçka që ke . . . . Pastaj eja e bëhu ithtari im.» I riu ishte në mëdyshje, por siç duket nuk hiqte dot dorë nga gjithë ato «zotërime» që kishte. (Mar. 10:17-22) Si pasojë, nuk e pranoi zgjedhën që i ofroi Jezui dhe vazhdoi të ishte skllav i «Pasurisë». (Mat. 6:24) Po ti, çfarë do të kishe zgjedhur?
18. Çfarë duhet të bëjmë herë pas here, dhe pse?
18 Herë pas here, bëjmë mirë të rishqyrtojmë cilat gjëra kanë përparësi në jetën tonë. Pse? Që të sigurohemi se po i përdorim me mençuri energjitë. Të marrim rastin e një të riu që quhet Mark. Ai thotë: «Për shumë vjet, mendoja se po bëja jetë të thjeshtë. Shërbeja si pionier, por gjithë kohën më rrinte mendja si të vija pará, që të bëja një jetë më të rehatshme. Vrisja mendjen pse jeta më dukej si një barrë. Pastaj kuptova se po kërkoja në radhë të parë interesat e mia dhe se Jehovait po i jepja thjesht kohën dhe energjitë që më mbeteshin.» Marku ndryshoi mënyrën si mendonte e si jetonte dhe u vu në dispozicion që të bënte më shumë në shërbim të Jehovait. Ai thotë: «Ka raste që më zë ankthi, por me ndihmën e Jehovait dhe mbështetjen e Jezuit, arrij t’i kapërcej vështirësitë.»
19. Pse është e rëndësishme të kemi pikëpamjen e duhur?
19 Do të vazhdojmë të gjejmë freskim nën zgjedhën e Jezuit nëse bëjmë tri gjëra. Së pari, të mbajmë pikëpamjen e duhur. Ne po bëjmë veprën e Jehovait, prandaj duhet ta bëjmë sipas mënyrës së tij. Ne jemi punëtorët dhe Jehovai është Zotëria. (Luka 17:10) Nëse përpiqemi ta bëjmë veprën e tij sipas mënyrës sonë, do të jetë sikur po i kundërvihemi zgjedhës. Edhe një dem i fuqishëm mund të dëmtohet e të rraskapitet nëse përpiqet vazhdimisht të shkojë nga i do qejfi dhe i kundërvihet zgjedhës që e ka nën kontroll zotëria. Ama nëse ndjekim drejtimin e Jehovait, mund të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme dhe të kapërcejmë çfarëdo pengese. Të mos harrojmë se askush nuk e pengon dot plotësimin e vullnetit të tij!—Rom. 8:31; 1 Gjon. 4:4.
20. Cili duhet të jetë motivi pse e mbajmë zgjedhën e Krishtit?
20 Së dyti, të shërbejmë me motivin e duhur. Synimi ynë është t’i japim lavdi Atit tonë të dashur, Jehovait. Në shekullin e parë, ata që motivoheshin nga lakmia ose interesat personale, e humbën shpejt gëzimin dhe e braktisën zgjedhën e Jezuit. (Gjoni 6:25-27, 51, 60, 66; Filip. 3:18, 19) Krejt ndryshe, ata që motivoheshin nga dashuria altruiste për Perëndinë e për të tjerët, e mbajtën me kënaqësi atë zgjedhë gjatë gjithë jetës në tokë, duke pasur shpresën të shërbenin me Krishtin në qiell. Ashtu si ata, nuk do ta humbim gëzimin nëse e mbajmë zgjedhën e Krishtit me motivin e duhur.
21. Sipas Mateut 6:31-33, çfarë mund të presim nga Jehovai?
21 Së treti, të vazhdojmë të kemi besim. Ne kemi zgjedhur një jetë me sakrifica dhe punë të palodhur. Jezui paralajmëroi se do të na përndiqnin. Megjithatë mund të kemi besim se Jehovai do të na japë forcë t’i bëjmë ballë çdo vështirësie. Sa më shumë të tregojmë qëndrueshmëri, aq më të fortë do të bëhemi. (Jak. 1:2-4) Mund të kemi besim edhe që Jehovai do të na sigurojë gjërat e nevojshme, që Jezui do të kujdeset për ne si bariu ynë dhe që vëllezërit e motrat do të na japin zemër. (Lexo Mateun 6:31-33; Gjoni 10:14; 1 Sel. 5:11) E ç’mund të duam më tepër se kaq?!
22. Për çfarë mund të jemi të lumtur?
22 Gruaja që shëroi Jezui, gjeti freskim po atë ditë që u shërua. Por freskim të përhershëm do të ketë gjetur vetëm nëse u bë dishepulle besnike e Krishtit. Si do të ketë vepruar? Nëse e ka pranuar zgjedhën që i ofroi Jezui, imagjino pak shpërblimin—të shërbejë me Jezuin në qiell! Çdo sakrificë që kishte bërë për të ndjekur Krishtin, do të dukej e papërfillshme para atij bekimi. Çfarëdo shprese të kemi—të jetojmë përgjithmonë në qiell a në tokë—sa të lumtur jemi që e kemi pranuar ftesën e Jezuit: «Ejani tek unë!»
KËNGA 13 Krishti, modeli ynë
a Jezui na bën ftesën: «Ejani tek unë.» Ç’duhet të bëjmë që ta pranojmë ftesën e Jezuit? Artikulli do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje dhe do të na kujtojë si të gjejmë freskim duke punuar përkrah Krishtit.
b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jezui u sillte freskim të tjerëve në sa e sa mënyra.
c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Po njësoj, një vëlla u sjell freskim të tjerëve në mënyra të ndryshme.