GREQIA, GREKËT
Këta emra vijnë nga fjala graikói, emri i një fisi në Greqinë Veriperëndimore. Italianët e përdornin këtë emër (lat., graeci) për banorët e gjithë Greqisë. Më vonë edhe Aristoteli në shkrimet e tij e përdorte këtë term në mënyrë të ngjashme.
Një emër tjetër më i hershëm, jonët, shfaqet nga shekulli i tetë p.e.s. e më tej në dokumentet asiriane me shkrim kuneiform, si edhe në kronikat perse dhe egjiptiane. Ky emër vjen nga emri Javan (heb., Javán), biri i Jafetit dhe nipi i Noesë. Javani ishte paraardhësi jafetik i banorëve të hershëm të Greqisë dhe ishujve përreth, e me sa duket edhe i atyre të Qipros, të disa pjesëve të Italisë Jugore, të Sicilisë dhe të Spanjës.—Zn 10:1, 2, 4, 5; 1Kr 1:4, 5, 7; shih ELISHAHU; JAVANI; KITIMI.
Sot «jonian» është emri gjeografik që lidhet me detin Jon, mes Italisë Jugore e Greqisë Jugore, dhe me vargun e ishujve përgjatë bregut perëndimor të Greqisë. Mirëpo dikur ky term kishte një kuptim më të gjerë dhe më të afërt me përdorimin e fjalës «Javan» në Shkrimet Hebraike. Në shekullin e tetë p.e.s., profeti Isaia foli për një kohë kur mërgimtarët e kthyer të Judës do të dërgoheshin nëpër kombe të largëta, si «në Tubal dhe Javan, në ishujt e largët».—Is 66:19.
Kur u shkruan Shkrimet e Krishtere Greke, vendi u quajt Hellás («Greqi», Ve 20:2), dhe popullsia helene. Vetë grekët kishin nisur t’i përdornin këta emra disa shekuj para erës sonë dhe i përdorin edhe sot e kësaj dite. «Hellas» mund të ketë lidhje me ‘Elishah’, emri i njërit nga bijtë e Javanit. (Zn 10:4) Pas pushtimit romak të vitit 146 p.e.s., Greqia Qendrore e Jugore quhej edhe Akai.
Vendi dhe karakteristikat e tij. Greqia zinte pjesën jugore malore të Gadishullit Ballkanik, si edhe ishujt fqinjë të detit Jon në perëndim dhe të detit Egje në lindje. Në jug ndodhej Mesdheu. Kufiri verior nuk dihet me siguri, sidomos ngaqë në lashtësi javanitët e Greqisë nuk kishin formuar ende një komb më vete. Megjithatë, më vonë «Greqia» arriti deri në rajonin e Ilirisë, që shtrihej në brigjet e detit Adriatik, dhe atë të Maqedonisë. Në të vërtetë, maqedonët mund të kenë ardhur nga i njëjti trung gjenealogjik me ata që u quajtën më vonë grekë.
Ashtu si sot, edhe atëherë terreni ishte i thyer e shkëmbor, me male gëlqerore thepa-thepa që zinin pak a shumë treçerekun e vendit. Shpatet malore ishin të veshura me pyje të dendura. Ngaqë rrafshinat e luginat pjellore ishin të pakta dhe trualli ishte shkëmbor, prodhimtaria e tokës ishte mjaft e ulët. Megjithatë, klima e butë favorizonte rritjen e ullinjve dhe të hardhive. Prodhime të tjera ishin elbi, gruri, mollët, fiqtë dhe shegët. Në zonat e pakultivuara kullotnin tufa me dhen e dhi. Kishte shtresa mineralmbajtëse të argjendit, zinkut, bakrit e plumbit, dhe malet ishin të pasura me mermer të cilësisë së lartë. Profecia e Ezekielit (27:1-3, 13) e përfshin Javanin mes atyre që bënin tregti me Tirin dhe ndër artikujt që tregtoheshin përmend «sende bakri».
Pozitë e favorshme detare. Udhëtimi në rrugë tokësore ishte i ngadaltë dhe i vështirë për shkak të maleve. Në dimër qerret fundoseshin kollaj në baltë. Pra, deti mbetej mënyra më e mirë e transportit dhe e komunikacionit në Greqi. Vija bregdetare e gjatë dhëmbë-dhëmbë, me gjire e mëngë deti të thella, krijonte plot limane e strehë për anijet. Falë disa gjireve të thella, brenda kufijve të lashtë rrallë gjeje vende që ishin më larg se 60 km nga deti. Pjesa jugore e Greqisë kontinentale, Peloponezi, ishte gati-gati një ishull. Vetëm një rrip toke i ngushtë mes Gjirit Saronik dhe gjirit të Korintit e lidh Peloponezin me Greqinë Qendrore. (Sot kanali i Korintit, i gjatë rreth 6 km dhe pa ekluza, e pret tejpërtej këtë istëm.)
Që në lashtësi, javanitët e Greqisë u bënë njerëz të detit. Thembra e «çizmes» së Italisë gjendej vetëm 160 km larg Greqisë Veriperëndimore, në anën tjetër të ngushticës së Otrantos. Në lindje, arkipelagët (grupe ishujsh të formuar nga vargmale nënujore me majat mbi ujë) shërbenin si ndalesa gjatë lundrimit përmes detit Egje deri në Azinë e Vogël. Në skajin verilindor të detit Egje, nga ngushtica e Helespontit (e Dardaneleve) dilej në detin Marmara dhe prej andej, përmes ngushticës së Bosforit, në Detin e Zi. Gjithashtu, duke lundruar përgjatë bregut jugor të Azisë së Vogël, anijet greke arritën shpejt në brigjet e Sirisë dhe të Palestinës. Gjatë ditës një anije mund të përshkonte edhe 100 km. Kështu, për të dërguar letrat e Pavlit te selanikasit në Maqedoni, të cilat ka shumë të ngjarë të jenë shkruar në Korint, mund të jetë dashur një javë a më tepër, në varësi të motit (dhe të numrit të porteve ku ndaleshin anijet gjatë udhëtimit).
Patjetër që ndikimi i grekëve dhe ngulimet e tyre nuk kufizoheshin aspak në Greqinë kontinentale. Ishujt e shumtë të detit Jon dhe të detit Egje konsideroheshin pjesë e Greqisë po aq sa edhe pjesa kontinentale. Italia Jugore dhe Sicilia përfshiheshin në atë që u quajt Helasi i Madh ose, në latinisht, Graecia Magna. Dëshmitë historike tregojnë se javanitët e Greqisë komunikonin dhe bënin tregti me ata të Tarshishit (Spanjës) ku e ku më tepër se fenikasit. Marrëdhënie të ngjashme ekzistonin edhe mes grekëve dhe javanitëve të Qipros.
Origjina e fiseve greke. Historianët e sotëm parashtrojnë gjithfarë idesh rreth origjinës së fiseve greke dhe mënyrës si erdhën në këtë zonë. Pikëpamja e përhapur për «pushtimet» e njëpasnjëshme nga fiset veriore bazohet kryesisht në mitet greke dhe në hamendje arkeologjike. Në të vërtetë, historia e mirëfilltë e Greqisë fillon vetëm rreth shekullit të tetë p.e.s. (Olimpiada e parë u mbajt në vitin 776 p.e.s.), dhe një dokumentacion historik pa boshllëqe ekziston vetëm nga shekulli i pestë p.e.s. e më pas. Pra, kishin kaluar shumë shekuj nga Përmbytja dhe nga shpërndarja e familjeve njerëzore si pasojë e ngatërrimit të gjuhës në Babel. (Zn 11:1-9) Gjatë gjithë atyre shekujve, me trungun gjenealogjik të Javanit dhe të bijve të tij mund të jenë përzier grupe të tjera, por për periudhën para mijëvjeçarit të parë p.e.s. ekzistojnë vetëm teori të dyshimta.
Fiset kryesore greke. Ndër fiset kryesore të Greqisë ishin: akejtë në Tesali, në Peloponezin Qendror dhe në Beoti; eolët në lindje të Greqisë Qendrore, në pjesën veriperëndimore të Azisë së Vogël të quajtur Eoli, si edhe në ishujt fqinjë; dorët në Peloponezin Lindor, në ishujt jugorë të Egjeut dhe në jugperëndim të Azisë së Vogël; dhe jonët në Atikë, në ishullin Eube, në ishujt në mes të Egjeut dhe në brigjet perëndimore të Azisë së Vogël. Por për marrëdhëniet mes këtyre fiseve dhe maqedonëve në epokat më të hershme nuk dihet shumë.
Tradita patriarkale dhe qytet-shtetet. Fiset greqishtfolëse ishin mjaft të pavarura, e po ashtu edhe qytet-shtetet që u formuan brenda fiseve. Te kjo ndikonin edhe veçoritë gjeografike. Shumë grekë jetonin nëpër ishuj, kurse në pjesën kontinentale shumica jetonin në lugina të vogla mes malesh. Një enciklopedi e përshkruan kështu strukturën e tyre të hershme shoqërore: «Njësia themelore e shoqërisë ishte familja patriarkale. . . . Tradita patriarkale ishte e rrënjosur thellë në kulturën greke: vetëm meshkujt e rritur ishin qytetarë aktivë në një qytet-shtet (polis). Familja patriarkale përfshihej në një varg grupimesh familjare me të njëjtën bërthamë: klani (genos), vëllazëria [ose grupe familjesh], fisi.» (The Encyclopedia Americana, 1956, vëll. XIII, f. 377) Kjo është në harmoni me organizimin patriarkal pas Përmbytjes, që përshkruhet në librin biblik të Zanafillës.
Modeli grek ishte disi i ngjashëm me atë të Kanaanit, ku fiset e ndryshme (pasardhës të Kanaanit) formonin mbretëri të vogla, që shpesh kishin si qendër një qytet të veçantë. Një qytet-shtet grek quhej pólis. Duket se fillimisht ky term i referohej një akropoli, një lartësire të fortifikuar përqark së cilës ngriheshin vendbanime. Më vonë përdorej për mbarë zonën dhe nënshtetasit e një qytet-shteti. Thuajse gjithë qytet-shtetet greke ishin të vogla dhe zakonisht nuk kishin më shumë se 10.000 nënshtetas (përveç grave, skllevërve dhe fëmijëve). Në kulmin e lulëzimit të saj, në shekullin e pestë p.e.s., thuhet se Athina kishte vetëm rreth 43.000 nënshtetas meshkuj. Sparta kishte vetëm 5.000. Ashtu si mbretëritë e vogla kananite, qytet-shtetet greke herë lidhnin aleancë me njëra-tjetrën, herë luftonin kundër njëra-tjetrës. Vendi mbeti i përçarë politikisht deri në epokën e Filipit (II) të Maqedonisë.
Përpjekje për të vendosur demokracinë. Vetëm metodat e qeverisjes së Athinës e të Spartës njihen mirë, kurse ato të pjesës dërrmuese të qytet-shteteve greke mbeten të mjegullta. Gjithsesi, qeveritë e tyre duhet të kenë qenë shumë të ndryshme nga ato të Kanaanit, të Mesopotamisë ose të Egjiptit. Të paktën gjatë asaj që mund të përshkruhet si periudha historike, në qytet-shtetet greke në vend të mbretërve qeverisnin gjykatësit, këshillat dhe një kuvend (ekklesía) qytetarësh. Në Athinë u bënë përpjekje për të vendosur një demokraci të mirëfilltë (fjala «demokraci» vjen nga greqishtja démos që do të thotë «popull» dhe krátos që do të thotë «sundim»). Në atë lloj sundimi, të gjithë qytetarët ishin pjesë e pushtetit ligjvënës dhe kishin të drejtën të flitnin e të votonin në kuvend. Gjithsesi, «qytetarët» përbënin vetëm një pakicë, pasi gratë, banorët e ardhur dhe skllevërit nuk kishin të drejtën e qytetarisë. Mendohet se në shumë qytet-shtete, skllevërit përbënin deri në një të tretën e popullsisë, e s’ka dyshim që falë punës së këtyre skllevërve, «qytetarët» kishin kohë të lirë për t’u marrë me politikë në kuvend. Vlen të thuhet se rasti i parë kur përmendet Greqia në Shkrimet Hebraike, rreth shekullit të nëntë p.e.s., ka të bëjë me judenjtë që Tiri, Sidoni dhe Filistia ua shitën si skllevër «bijve të grekëve [fjalë për fjalë, «javanitëve» ose «jonëve»]».—Jo 3:4-6.
Zejet dhe tregtia. Përveç punës kryesore që ishte bujqësia, grekët prodhonin dhe eksportonin mjaft artikuj zejtarie. Vazot greke u bënë të famshme anekënd Mesdheut; të rëndësishëm ishin edhe artikujt prej argjendi e ari dhe copat e leshta. Kishte plot punishte të pavarura, pronë e artizanëve që punësonin disa punëtorë, skllevër a të lirë. Në qytetin grek të Korintit, apostulli Pavël punoi tok me Akuilën dhe Prishilën për të bërë tenda, e ka shumë të ngjarë që përdorën copa me lesh dhie që gjendeshin me shumicë në Greqi. (Ve 18:1-4) Falë pozitës strategjike afër gjirit të Korintit dhe Gjirit Saronik, Korinti u bë një qendër e rëndësishme tregtare. Qytete të tjera kryesore tregtare ishin Athina dhe Egina.
Kultura dhe artet greke. Në Greqi arsimimi ishte vetëm për meshkujt dhe synimi kryesor ishte të formoheshin «qytetarë të mirë». Por çdo qytet-shtet kishte konceptin e vet se çfarë nënkuptonte një qytetar i mirë. Në shkollat e Spartës bëhej thuajse vetëm stërvitje fizike (krahaso këshillën që i dha Pavli Timoteut te 1Ti 4:8) dhe djemtë e vegjël merreshin nga prindërit në moshën 7-vjeçare e jetonin nëpër kapanone derisa bëheshin 30 vjeç. Me kalimin e kohës, në Athinë u vu më shumë theksi te letërsia, matematika dhe artet. Një skllav i besuar që quhej paidagogós e shoqëronte fëmijën për në shkollë, e cila fillonte në moshën 6-vjeçare. (Vër re sesi Pavli e krahason Ligjin e Moisiut me një paidagogós te Ga 3:23-25; shih EDUKATOR.) Athinasit ishin shumë të dhënë pas poezisë dhe nxënësve u kërkohej të mësonin përmendsh mjaft poema. Ndonëse u arsimua në Tars të Kilikisë, Pavli citoi një fragment poetik që athinasit të arrinin ta kuptonin mesazhin e tij. (Ve 17:22, 28) Teatri—qoftë tragjedia, qoftë komedia—u përhap shumë.
Filozofia zinte vend të rëndësishëm në Athinë, e me kalimin e kohës në mbarë Greqinë. Një nga shkollat kryesore filozofike ishte ajo e sofistëve, sipas të cilëve e vërteta ishte çështje mendimi personal; këtë pikëpamje (që ngjasonte me atë të hinduistëve) e kundërshtonin disa filozofë të famshëm grekë, si Sokrati, nxënësi i tij Platoni dhe nxënësi i Platonit, Aristoteli. Filozofi të tjera kërkonin burimin e vërtetë të lumturisë. Sipas stoikëve, lumturia vinte kur jetoje në harmoni me arsyen dhe vetëm kjo kishte rëndësi. Epikurianët besonin se kënaqësia ishte burimi i vërtetë i lumturisë. (Krahaso atë që u tha Pavli korintasve te 1Ko 15:32.) Filozofët e këtyre dy shkollave të fundit ishin ndër ata që debatuan me Pavlin në Athinë, e prandaj e çuan në Areopag që ta pyetnin. (Ve 17:18, 19) Një shkollë tjetër filozofike ishte ajo e skeptikëve, që në thelb mendonin se në të vërtetë asgjë nuk ka vlerë në jetë.
Të paktën në periudhat e mëvonshme grekët njiheshin si popull kureshtar dhe kishin qejf sidomos të diskutonin dhe të bisedonin për gjëra të reja e të padëgjuara. (Ve 17:21) Ata u munduan të zgjidhnin disa nga çështjet kryesore të jetës e të universit thjesht me anë të logjikës (dhe hamendjeve) njerëzore. Kështu grekët e shihnin veten si ajka e inteligjencies së botës së lashtë. Në Letrën e Parë drejtuar Korintasve, Pavli nxori në pah mangësinë e mençurisë njerëzore dhe të intelektualizmit kur tha mes të tjerash: «Nëse ndonjë nga ju mendon se është i mençur në këtë botë, le të bëhet i marrë, që të bëhet i mençur. . . . ‘Jehovai e di që arsyetimet e njerëzve të mençur janë të kota.’» (1Ko 1:17-31; 2:4-13; 3:18-20) Pavarësisht nga gjithë debatet dhe hulumtimet filozofike, shkrimet e tyre tregojnë se nuk gjetën ndonjë bazë reale për shpresë. Profesorët Xh. R. S. Steret dhe Samuel Enges komentojnë: «Në asnjë literaturë tjetër nuk gjen vajtime kaq të trishta për brengat e jetës, për dashurinë që venitet, për shpresën mashtruese dhe për mizorinë e vdekjes.»—Funk and Wagnalls New Standard Bible Dictionary, 1936, f. 313.
Feja greke. Të dhënat më të hershme për fenë greke i gjejmë në poemat epike të Homerit. Historianët supozojnë se ai ishte shkrimtari i dy poemave epike Iliada dhe Odisea. Fragmentet më të lashta në papirus të këtyre poemave mendohet se datojnë diku para vitit 150 p.e.s. Profesor Xhorxh G. E. Mureji, studiues në fushën e helenistikës, thotë se këto tekste të hershme «ndryshojnë ‘tmerrësisht’ nga versioni i autorizuar», domethënë nga teksti i pranuar gjerësisht shekujt e fundit. (Encyclopædia Britannica, 1942, vëll. 11, f. 689) Pra, ndryshe nga Bibla, shkrimet e Homerit nuk janë ruajtur të pacenuara, por, siç tregon profesor Mureji, kanë pësuar pareshtur ndryshime. Poemat e Homerit flasin për heronj lufte dhe perëndi që ngjasonin shumë me njerëzit.
Në fenë greke vërehet ndikimi i fesë babilonase. Për shembull, një fabul e lashtë greke është përkthim thuajse fjalë për fjalë i fabulës origjinale akadiane.
Një tjetër poeti, Hesiodit, që ndoshta jetoi në shekullin e tetë p.e.s., i jepet merita për sistemimin e miteve dhe gojëdhënave të shumta greke. Poemat e Homerit bashkë me veprën Teogonia të Hesiodit përbënin tekstet e shenjta kryesore të grekëve, teologjinë e tyre.
Kur shqyrton mitologjinë greke, është interesante të shohësh se si Bibla mund të hedhë dritë mbi origjinën e saj. Zanafilla 6:1-13 tregon se para Përmbytjes bijtë engjëllore të Perëndisë erdhën në tokë, siç duket duke u materializuar si njerëz, dhe bashkëjetuan me gra të bukura. Kështu lindën pasardhës të quajtur nefilimë ose rrëzues, pra, «ata që rrëzojnë të tjerët». Si pasojë e këtij bashkimi të panatyrshëm mes krijesave frymore dhe njerëzve, si edhe e racës hibride që u krijua, toka u mbush me imoralitet e dhunë. (Krahaso Jd 6; 1Pj 3:19, 20; 2Pj 2:4, 5; shih NEFILIMËT.) Ashtu si të tjerë që jetuan në epokën pas Përmbytjes, edhe Javani, paraardhësi i popullit grek, pa dyshim i njihte historinë dhe rrethanat e kohës para Përmbytjes. Për to duhet t’i ketë folur i ati, Jafeti, i cili mbijetoi Përmbytjen. Le të vërejmë tani se çfarë zbulojnë shkrimet e Homerit dhe të Hesiodit.
Perënditë dhe perëndeshat e shumta që përshkruan ata, kishin trajtë njerëzore dhe bukuri të jashtëzakonshme, ndonëse shpesh ishin gjigantë dhe mbinjerëzorë. Ata hanin, pinin, kishin marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin e madje edhe me njerëzit, jetonin si familje, grindeshin e luftonin, joshnin e përdhunonin. Edhe pse gjoja të shenjtë e të pavdekshëm, ishin të aftë për çfarëdo mashtrimi e krimi. Mund të ishin të dukshëm ose të padukshëm ndërsa rrinin mes njerëzve. Shkrimtarë e filozofë të mëvonshëm grekë u orvatën t’i spastronin rrëfimet e Homerit dhe të Hesiodit nga disa prej veprimeve më të ulëta që u atribuohen perëndive.
Këto rrëfime, paçka se mjaft të fryra, të zbukuruara e të shtrembëruara, mund të pasqyrojnë tregimin autentik të Zanafillës për kushtet para Përmbytjes. Një tjetër përngjasim i rëndësishëm është se, veç perëndive kryesore, legjendat greke përshkruajnë gjysmëperëndi ose heronj që kishin edhe prejardhje hyjnore, edhe njerëzore. Gjysmëperënditë kishin fuqi mbinjerëzore, por ishin të vdekshëm (Herkuli ishte i vetmi ndër ta që iu dha privilegji të arrinte pavdekësinë). Pra, gjysmëperënditë ngjasonin shumë me nefilimët e tregimit të Zanafillës.
Duke vërejtur këtë ngjashmëri thelbësore, orientalisti E. A. Spaiser zbuloi se tema e miteve greke e ka zanafillën në Mesopotami. (The World History of the Jewish People, 1964, vëll. 1, f. 260) Mesopotamia ishte vendi ku ndodhej Babilonia, prej nga u përhap njerëzimi pas ngatërrimit të gjuhës.—Zn 11:1-9.
Thuhej se perënditë kryesore greke banonin në lartësitë e malit Olimp (2.917 m i lartë), që ndodhej në jug të qytetit të Beresë. (Pavli ishte fare pranë shpateve të Olimpit kur shërbeu në Bere gjatë udhëtimit të dytë misionar; Ve 17:10.) Ndër perënditë e Olimpit ishin: Zeusi (që romakët e quanin Jupiter; Ve 28:11), perëndia i qiellit; Hera (Junona e romakëve), gruaja e Zeusit; Gjea, perëndesha e tokës, e quajtur edhe Nëna e Madhe; Apoloni, perëndi i diellit, perëndi i vdekjes së papritur, që lëshonte nga larg shigjetat e tij vdekjeprurëse; Artemisa (Diana e romakëve), perëndesha e gjuetisë; në Efes mbizotëronte adhurimi i një Artemise tjetër si perëndeshë e pjellorisë (Ve 19:23-28, 34, 35); Aresi (Marsi i romakëve), perëndia i luftës; Hermesi (Mërkuri i romakëve), perëndia i udhëtarëve, i tregtisë dhe i gojëtarisë, lajmëtari i perëndive (në Listër të Azisë së Vogël, njerëzit e quajtën Barnabën «Zeus, kurse Pavlin Hermes, meqë ai merrte drejtimin për të folur»; Ve 14:12); Afërdita (Venera e romakëve), perëndesha e pjellorisë dhe dashurisë, që mendohej se ishte «motra e Ishtarit asiro-babilonas dhe e Astartës sirofenikase» (Greek Mythology, nga P. Hemlini, Londër, 1963, f. 63); e shumë e shumë perëndi e perëndesha të tjera. Në fakt, çdo qytet-shtet duket se kishte perënditë e veta më të vogla, që adhuroheshin sipas traditave vendëse.
Festat dhe lojërat. Festat luanin një rol të rëndësishëm në fenë greke. Garat sportive bashkë me teatrin, flijimet dhe lutjet tërhiqnin njerëz nga të katër anët, e kështu këto festa shërbenin për të bashkuar qytet-shtetet e përçara politikisht. Ndër festat më të famshme ishin Lojërat Olimpike (në Olimpia), Lojërat Istmike (që zhvilloheshin pranë Korintit), Lojërat Pitike (në Delfi) dhe Lojërat e Nemeut (afër Nemeut). Festimi i Lojërave Olimpike çdo katër vjet ishte baza për llogaritjen e kohës në epokën helene; periudha katërvjeçare mes festimit të këtyre lojërave quhej Olimpiadë.—Shih LOJËRAT.
Orakujt, astrologjia dhe faltoret. Shumë veta ishin të dhënë pas orakujve, pra ndërmjetësve me anë të të cilëve perënditë gjoja zbulonin informacione të fshehura. Orakujt më të famshëm rrinin në tempujt e Delosit, Delfit dhe Dodonës. Atje, pasi paguanin një çmim, njerëzit merrnin përgjigje për pyetjet që i bënin orakullit. Zakonisht përgjigjet ishin të mjegullta dhe duhej t’i interpretonin priftërinjtë. Në Filipi të Maqedonisë, një vajzë që kishte zanatin e parashikimit (nga e cila Pavli dëboi një demon), vepronte si orakull dhe «u sillte shumë fitime zotërinjve të saj». (Ve 16:16-19) Profesori G. Ernest Rajt tregon se astrologjia e sotme ka ardhur nëpërmjet grekëve dhe e ka zanafillën te fallxhorët e Babilonisë. (Biblical Archaeology, 1962, f. 37) Edhe faltoret ku bëheshin shërime ishin mjaft të përhapura.
Doktrina filozofike e pavdekësisë. Meqë filozofët grekë merreshin me pyetjet thelbësore të jetës, pikëpamjet e tyre ndikuan edhe në konceptet fetare të njerëzve në përgjithësi. Sokrati, që jetoi në shekullin e pestë p.e.s., mësonte se shpirti i njeriut është i pavdekshëm. Në një vepër të tij (Fedoni, 64C, 105E), Platoni citon këtë bisedë të Sokratit me dy kolegë: «‘A mendojmë se ekziston një gjë e tillë si vdekja? . . . A nuk besojmë vallë se vdekja është ndarja e shpirtit nga trupi dhe se gjendja e vdekjes është gjendja në të cilën trupi është i ndarë nga shpirti dhe ekziston më vete, e shpirti është i ndarë nga trupi dhe ekziston më vete? A është vdekja më tepër se kaq?’ ‘Jo, kaq është’,—tha ai. ‘A e pranon shpirti vdekjen?’ ‘Jo.’ Sokrati vazhdon: ‘Atëherë, a s’është i pavdekshëm shpirti?’ ‘Po.’» Krahasoje këtë me Ezekielin 18:4 dhe Eklisiastiun 9:5, 10.
Tempujt dhe idhujt. Për nder të perëndive ishin ngritur tempuj madhështorë dhe ishin skalitur statuja mermeri e bronzi me bukuri të rrallë që paraqitnin ato perëndi. Rrënojat e disa prej tempujve më të famshëm—të Partenonit, të Erekteut, si edhe të Propilesë—gjenden në Akropol të Athinës. Në po këtë qytet, kur foli në publik, Pavli përmendi frikën nga hyjnitë që vërehej qartë në Athinë. Gjithashtu, u tha shkoqur dëgjuesve se Krijuesi i qiellit dhe i tokës «nuk banon në tempuj të bërë me dorë» dhe se, meqë ishin pasardhës të Perëndisë, nuk duhej të mendonin se Krijuesi «i ngjan arit, argjendit a gurit, diçkaje të latuar me art a një sajese njeriu».—Ve 17:22-29.
Periudha e luftërave perse. Ngritja e Perandorisë Medo-Perse nën udhëheqjen e Kirit (që pushtoi Babiloninë në vitin 539 p.e.s.) përbënte një kërcënim për Greqinë. Tashmë Kiri kishte pushtuar Azinë e Vogël, bashkë me kolonitë greke të atjeshme. Vitin e tretë të mbretërimit të Kirit (me sa duket si sundimtar i Babilonisë), një lajmëtar engjëllor i Jehovait i bëri të ditur Danielit se mbreti i katërt i Persisë ‘do të ngrinte çdo gjë kundër mbretërisë së Greqisë’. (Dn 10:1; 11:1, 2) Në vitin 499 p.e.s., mbreti i tretë i Persisë (Dar Histaspisi) shoi një revoltë të kolonive greke dhe u gatit të zaptonte Greqinë. Në vitin 492 p.e.s., një stuhi fundosi flotën sulmuese perse. Pastaj, në vitin 490, një ushtri perse e madhe u dynd në Greqi, por e mundi një ushtri athinase e vogël në rrafshinën e Maratonës, në verilindje të Athinës. Biri i Darit, Kserksi, vendosi të hakmerrej për këtë disfatë. Si ‘mbreti i katërt’ i parathënë, ai mobilizoi mbarë perandorinë për të krijuar një ushtri të stërmadhe dhe në vitin 480 p.e.s. kaloi Helespontin.
Edhe pse asokohe qytet-shtetet kryesore të Greqisë u bashkuan si rrallëherë në luftën për të ndalur pushtimin, trupat perse përparuan në Greqinë Veriore e Qendrore, arritën në Athinë dhe i vunë zjarrin lartësirës së fortifikuar, Akropolit. Mirëpo në det athinasit dhe grekët që u dolën krah, me anë të manovrave të shkathëta i dhanë dërrmën flotës perse (si edhe asaj të fenikasve e të aleatëve të tjerë) në Salaminë. Kjo u pasua nga një tjetër fitore kundër persëve në tokë, në Plate, e më vonë edhe nga një tjetër në Mikal, në bregun perëndimor të Azisë së Vogël. Pas kësaj ushtria perse u largua nga Greqia.
Hegjemonia e Athinës. Në atë kohë, falë flotës së saj të fuqishme, Athina fitoi epërsi në Greqi. Periudha vijuese, deri rreth vitit 431 p.e.s., ishte epoka e artë për Athinën, koha kur u krijuan veprat më të famshme të artit dhe të arkitekturës. Athina kryesonte Lidhjen e Delosit, ku bënin pjesë disa qytete e ishuj të Greqisë. Ngaqë Lidhja e Peloponezit, që kryesohej nga Sparta, ishte tërë mllef ndaj epërsisë së Athinës, shpërtheu Lufta e Peloponezit. Ajo vazhdoi nga viti 431 deri në vitin 404 p.e.s. dhe së fundi athinasit u shpartalluan plotësisht nga spartanët. Sundimi i rreptë i Spartës zgjati deri rreth vitit 371 p.e.s., e paskëtaj fitoi epërsi Teba. Greqia hyri në një periudhë degjenerimi politik, ndonëse Athina mbeti qendra e kulturës dhe e filozofisë në Mesdhe. Përfundimisht, fuqia maqedone në lindje e sipër, e kryesuar nga Filipi II, pushtoi Greqinë, e cila u bashkua nën sundimin e Maqedonisë.
Greqia nën sundimin e Aleksandrit të Madh. Në shekullin e gjashtë p.e.s., Danielit i ishte dhënë një vegim profetik që parathoshte se Greqia do të përmbyste Perandorinë Medo-Perse. Biri i Filipit, Aleksandri, i arsimuar nga Aristoteli, pas vrasjes së të atit u bë heroi i popujve greqishtfolës. Në vitin 334 p.e.s., Aleksandri nisi fushatat që të hakmerrej për sulmet e persëve kundër qyteteve greke në bregun perëndimor të Azisë së Vogël. Ai pushtoi me shpejtësi rrufe jo vetëm mbarë Azinë e Vogël, por edhe Sirinë, Palestinën, Egjiptin dhe gjithë Perandorinë Medo-Perse deri në Indi, e kështu plotësoi profecinë e Danielit 8:5-7, 20, 21. (Krahaso Dn 7:6.) Si pushtoi Judën në vitin 332 p.e.s., Greqia u bë fuqia e pestë botërore sipas rrjedhës kronologjike në lidhje me kombin e Izraelit; katër pararendëset e saj ishin Egjipti, Asiria, Babilonia dhe Medo-Persia. Në vitin 328 p.e.s. pushtimet e Aleksandrit përfunduan dhe pas kësaj u plotësua edhe pjesa e fundit e vegimit të Danielit. Aleksandri vdiq në Babiloni në vitin 323 p.e.s. dhe, siç ishte parathënë, perandoria e tij u nda në katër mbretëri, asnjëra nga të cilat nuk kishte fuqinë e perandorisë së parë.—Dn 8:8, 21, 22; 11:3, 4; shih HARTAT, vëll. 2, f. 334 në botimin anglisht; ALEKSANDRI nr. 1.
Gjithsesi, para se të vdiste, Aleksandri e kishte përhapur kulturën dhe gjuhën greke anekënd perandorisë së tij të paanë. Në shumë prej vendeve të pushtuara ishin ngritur koloni greke. Në Egjipt u ndërtua qyteti i Aleksandrisë që matej me Athinën si vatër e dijes. Kështu zuri fill helenizimi i një pjese të madhe të Mesdheut dhe Lindjes së Mesme. Greqishtja e zakonshme ose koine u bë gjuha e përbashkët e mjaft kombësive. Në atë gjuhë studiuesit judenj në Aleksandri nxorën përkthimin Septuaginta të Shkrimeve Hebraike. Më vonë në gjuhën koine u shkruan Shkrimet e Krishtere Greke dhe ndërkombëtarizimi i kësaj gjuhe ndihmoi në përhapjen e shpejtë të lajmit të mirë të krishterë anembanë pellgut të Mesdheut.—Shih GREQISHTJA.
Pasojat e helenizimit te judenjtë. Pasi Greqia u nda mes gjeneralëve të Aleksandrit, Juda u bë shtet kufitar mes mbretërisë së Ptolemenjve në Egjipt dhe asaj të Seleukajve në Siri. Vendi në fillim ishte nën sundimin e Egjiptit, por në vitin 198 p.e.s. e bënë zap Seleukajt. Në orvatje për t’i bashkuar Judën dhe Sirinë me anë të kulturës helene, në Judë iu dha shtysë fesë, gjuhës e letërsisë greke, si dhe përdoreshin kostumet greke.
Në mbarë territorin izraelit u ngritën koloni greke, mes të cilave ato në Samari (që më pas u quajt Sebaste), në Ako (Ptolemaidë) dhe në Beth-Shean (Skithopoli), si edhe disa koloni të ngritura në vende dikur të pabanuara, në lindje të lumit Jordan. (Shih DEKAPOLI.) Një palestër e hapur në Jerusalem tërhiqte të rinjtë judenj. Meqë lojërat greke lidheshin me fenë greke, palestra shërbeu për të minuar besnikërinë e judenjve ndaj parimeve të Shkrimeve. Madje, në atë epokë ndikimi helen u ndie goxha edhe mes priftërisë. Kështu dalëngadalë hodhën rrënjë disa bindje dikur të huaja për judenjtë; ndër to ishin doktrina pagane se shpirti i njeriut është i pavdekshëm dhe koncepti për një botë të nëndheshme torturash pas vdekjes.
Përdhosja e tempullit në Jerusalem nga Antiok Epifani (168 p.e.s.), i cili futi atje adhurimin e Zeusit, shënoi kulmin e helenizimit të judenjve dhe ndezi luftërat e Makabenjve.
Edhe në Aleksandri të Egjiptit, ku lagjja judeje zinte një pjesë të madhe të qytetit, ndikimi helen ishte i fuqishëm. (Shih ALEKSANDRIA.) Disa judenj në Aleksandri lejuan të ndikoheshin nga filozofia greke mjaft e përhapur. Kishte shkrimtarë judenj që ndiheshin të detyruar t’i përshtatnin bindjet e judenjve me «prirjen moderne» të atëhershme. Ata rrekeshin të tregonin se ideve filozofike greke të kohës u kishin paraprirë ide të ngjashme në Shkrimet Hebraike a madje edhe se ato e kishin origjinën nga Shkrimet.
Sundimi romak mbi shtetet greke. Maqedoninë dhe Greqinë (një nga katër pjesët në të cilat ishte ndarë perandoria e Aleksandrit) i shtinë në dorë romakët në vitin 197 p.e.s. Vitin tjetër, pushtuesit romakë shpallën «lirinë» në gjithë qytetet greke. Kjo nënkuptonte se nuk do të kërkoheshin haraçe, por Roma priste të plotësoheshin deri më një dëshirat e saj. Urrejtja kundër Romës sa vinte e shtohej. Maqedonia u ngrit në luftë kundër romakëve, por në vitin 168 p.e.s. u mund sërish dhe rreth 20 vjet më pas u bë provincë romake. Në vitin 146 p.e.s., Lidhja Akeje e kryesuar nga Korinti u rebelua dhe ushtria romake marshoi drejt jugut të Greqisë e shkatërroi Korintin. Më pas u formua provinca e ‘Akaisë’, që në vitin 27 p.e.s. përfshinte tërë Greqinë Jugore dhe Qendrore.—Ve 19:21; Ro 15:26; shih AKAIA.
Gjatë periudhës së sundimit romak, Greqia degjeneroi politikisht dhe pësoi rënie ekonomike. Vetëm kultura greke mbeti e paprekur dhe pushtuesit romakë e përqafuan me gatishmëri. Ata morën me vete tërë kënaqësi statujat dhe letërsinë greke. Tempuj të tërë u çmontuan dhe u dërguan në Itali. Shumë të rinj romakë arsimoheshin në Athinë dhe në qendra të tjera të dijes në Greqi. Kurse Greqia u mbyll në guaskën e vet dhe rronte me kujtimet e së kaluarës së lavdishme.
«Helenët» në shekullin e parë të e.s. Në kohën e shërbimit të Jezu Krishtit dhe të apostujve të tij, grekët vendës dhe ata me origjinë greke quheshin ende helenë. Grekët i quanin njerëzit e kombësive të tjera «barbarë», që nënkuptonte të huajt ose ata që flitnin një gjuhë tjetër. Te Romakëve 1:14 apostulli Pavël i vë ‘grekët’ përkundër ‘barbarëve’.—Shih BARBAR.
Megjithatë, në disa raste Pavli e përdor termin helenë edhe në një kuptim më të gjerë. Sidomos kur i përmend bashkë me judenjtë, ai e përdor fjalën helenë ose grekë si term përgjithësues për gjithë popujt e tjerë. (Ro 1:16; 2:6, 9, 10; 3:9; 10:12; 1Ko 10:32; 12:13) Kështu në kapitullin e 1-rë të 1 Korintasve Pavli bën një paralele mes ‘grekëve’ (1Ko 1 vrg 22) dhe ‘kombeve’ (1Ko 1 vrg 23). Pa dyshim që kjo vinte si rrjedhojë e rëndësisë dhe e mbizotërimit të gjuhës e kulturës greke anembanë Perandorisë Romake. Në njëfarë kuptimi, grekët ishin ‘në ballë të listës’ së popujve jojudenj. Kjo s’do të thotë se Pavli ose shkrimtarët e tjerë të Shkrimeve të Krishtere Greke e përdornin fjalën helenë në kuptim aq të gjerë, sa me të nënkuptonin vetëm jojudenjtë, siç supozojnë disa komentues. Te Kolosianëve 3:11, Pavli bën dallimin mes një ‘greku’ dhe një ‘të huaji [bárbaros]’ e një ‘skithasi’, duke treguar kështu se fjala helenë përdorej për një popull të caktuar.
Në harmoni me sa u tha më sipër, Hans Uindishi, studiues në fushën e helenistikës, vëren: «As judaizmi helenistik, as Dhiata e Re . . . nuk mund të provojnë se kuptimi [i fjalës helen] është ‘jojude’.» (Theological Dictionary of the New Testament, nga G. Kiteli; përkthyes dhe botues, Xh. Broumëli, 1971, vëll. II, f. 516) Gjithsesi, ai jep disa dëshmi se shkrimtarët grekë hera-herës e përdornin termin helen për njerëz të popujve të tjerë që kishin përvetësuar gjuhën dhe kulturën greke, pra që ishin «helenizuar». Prandaj, kur në Bibël përmenden helenët ose grekët, në mjaft raste duhet lënë vend të paktën për mundësinë që ata nuk ishin grekë nga lindja ose nga origjina.
Gruaja «greke» që banonte në Sirofeniki, së cilës Jezui i shëroi të bijën (Mr 7:26-30), ka shumë të ngjarë që u quajt kështu ngaqë kishte origjinë greke. «Bashkë me ata që u ngjitën për të adhuruar Perëndinë në festë [pashkë], ishin edhe disa grekë» të cilët kërkuan të shihnin Jezuin. Duket se këta ishin prozelitë grekë që kishin përqafuar fenë e judenjve. (Gjo 12:20; vër re fjalët profetike të Jezuit në Gjo 12 vargun 32 se ‘do të tërhiqte pas vetes njerëz të çdo lloji’.) I ati i Timoteut quhet helen, e po kështu edhe Titi. (Ve 16:1, 3; Ga 2:3) Kjo ndoshta tregon se kishin prejardhje greke. Megjithatë, duke mbajtur parasysh që disa shkrimtarë grekë prireshin të quanin helenë edhe njerëz të kombësive të tjera që flitnin greqisht a që kishin përvetësuar kulturën greke, si edhe duke kujtuar çka u tha më lart, pra se Pavli e përdori këtë si term përgjithësues, ekziston mundësia që ata të ishin grekë në këtë kuptim. Prapëseprapë, fakti që gruaja greke jetonte në Sirofeniki, që i ati i Timoteut banonte në Listër të Azisë së Vogël ose që Titi duket se banonte në Antioki të Sirisë, nuk provon se ata s’ishin grekë nga përkatësia etnike ose nga prejardhja. Në fakt, në të gjitha ato rajone gjeje koloni dhe imigrantë grekë.
Kur Jezui i tha një grupi njerëzish se do të shkonte ‘tek ai që e dërgoi’ dhe se ‘atje ku [po shkonte] ai, ata nuk [shkonin] dot’, judenjtë pyetën njëri-tjetrin: «Ku ka ndër mend të shkojë ky njeri, që ne nuk do ta gjejmë? Mos vallë ka ndër mend të shkojë te judenjtë e shpërndarë mes grekëve e të mësojë grekët?» (Gjo 7:32-36) Kur thanë «judenjtë e shpërndarë mes grekëve» patjetër që nënkuptonin judenjtë e shpërndarë në qytetet e largëta greke dhe në kombe të tjera në perëndim, e jo judenjtë që banonin në Babiloni. Tregimet për udhëtimet misionare të Pavlit zbulojnë se në viset greke kishte një numër goxha të madh imigrantësh judenj.
Te Veprat 17:12 dhe 18:4, ku flitet për ngjarje që ndodhën në qytetet greke të Beresë dhe Korintit, patjetër që bëhet fjalë për njerëz me prejardhje greke. E njëjta gjë mund të thuhet për ‘grekët’ që jetonin në Selanik të Maqedonisë (Ve 17:4); në Efes, në bregun perëndimor të Azisë së Vogël, i kolonizuar prej kohësh nga grekët dhe dikur kryeqytet i Jonisë (Ve 19:10, 17; 20:21); e madje edhe në Ikoni, në pjesën qendrore të Azisë së Vogël (Ve 14:1). Fakti që në disa nga këto vargje ‘judenjtë dhe grekët’ përmenden bashkë, mund të tregojë se këtu Luka, ashtu si Pavli, e përdori termin ‘grekë’ për popujt jojudenj në përgjithësi. Megjithatë, në të vërtetë, vetëm Ikonia ndodhej jashtë zonës greke nga ana gjeografike.
Helenistët. Në librin e Veprave del një tjetër term: helenistái (njëjës, helenistés ). Ky term nuk gjendet as në literaturën greke, as në atë judeo-helenistike; si rrjedhojë, kuptimi nuk dihet me siguri. Sidoqoftë, shumica e leksikografëve mendojnë se te Veprat 6:1 dhe 9:29 ky term përdoret për «judenjtë që flitnin greqisht». Në të parin nga këto dy vargje bëhet dallimi mes këtyre helenistái dhe «judenjve që flitnin hebraisht» (ebraíoi [teksti grek i Uestkotit dhe Hortit]). Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. ishin të pranishëm judenj dhe prozelitë nga shumë vende. Edhe «Mbishkrimi i Teodotit», i zbuluar në kodrën e Ofelit në Jerusalem, dëshmon për faktin që në qytet shkuan shumë greqishtfolës. Në këtë mbishkrim të shkruar në greqisht thuhet: «Teodoti, bir i Vetinit, prift dhe kreu i sinagogës, bir i një kreu të sinagogës dhe nip i një kreu të sinagogës, e ka ndërtuar sinagogën që të lexohet Ligji dhe të mësohen Urdhërimet dhe (ka ndërtuar) sternat e ujit, bujtinën dhe dhomat që të strehohen ata që vijnë nga jashtë e kanë nevojë—(ja sinagoga) e themeluar nga etërit e tij, nga pleqtë dhe nga Simonidi.» (Biblical Archaeology, nga G. Ernest Rajti, 1962, f. 240) Sipas disave, ky mbishkrim ka lidhje me ‘Sinagogën e Libertëve’, disa anëtarë të së cilës ishin mes shkaktarëve të martirizimit të Stefanit.—Ve 6:9; shih LIBERT, LIRË (I, E).
Mirëpo te Veprat 11:20, termi helenistái që përdoret për disa banorë të Antiokisë së Sirisë mund t’u referohet në përgjithësi «atyre që flitnin greqisht», e jo vetëm judenjve greqishtfolës. Duket se këtë e tregon fakti që, para se të mbërrinin të krishterët nga Kirena dhe Qiproja, në Antioki fjala nuk i ishte predikuar askujt tjetër «përveç judenjve». (Ve 11:19) Kështu helenistái këtu mund të nënkuptojë njerëz të kombeve të ndryshme që ishin helenizuar, pra që flitnin greqisht (e ndoshta edhe jetonin sipas zakoneve greke).—Shih ANTIOKIA nr. 1; KIRENA, KIRENASIT.
Apostulli Pavël shkoi në Maqedoni e Greqi gjatë udhëtimit të dytë dhe të tretë misionar. (Ve 16:11–18:11; 20:1-6) Ai shërbeu në qytetet e rëndësishme maqedone të Filipisë, Selanikut e Beresë dhe në Athinë e Korint, qytetet kryesore të Akaisë. (Ve 16:11, 12; 17:1-4, 10-12, 15; 18:1, 8) Gjatë udhëtimit të dytë misionar shërbeu për një vit e gjysmë në Korint (Ve 18:11) dhe atëherë shkroi dy letrat drejtuar Selanikasve e ndoshta edhe atë drejtuar Galatasve. Gjatë udhëtimit të tretë misionar shkroi nga Korinti Letrën drejtuar Romakëve. Pasi u burgos për herë të parë në Romë dhe u lirua, Pavli duket se shkoi sërish në Maqedoni, nga viti 61 deri në vitin 64 të e.s., e ka shumë të ngjarë që prej andej shkroi Letrën e Parë drejtuar Timoteut dhe Letrën drejtuar Titit.
Në shekujt e parë të erës sonë, kultura greke vazhdoi të ndikonte në Perandorinë Romake. Greqia e ruajti epërsinë intelektuale dhe në Athinë ndodhej një ndër universitetet më të rëndësishme të Perandorisë Romake. Kostandini u përpoq ta shkrinte krishterimin me disa zakone e doktrina pagane. Pikërisht ndërhyrja e tij shtroi udhën që kjo fe e përzier të bëhej feja zyrtare e perandorisë. Kështu Greqia u bë pjesë e «krishterimit».
Sot Greqia zë një sipërfaqe prej 131.957 km2 dhe ka një popullsi prej 10.750.000 banorësh (e dhënë e vitit 2000).
[Figura në botimin e shtypur]
Zeusi. Perënditë greke kishin formë njeriu
dhe shpesh ishin tepër imoralë