«Eja e bëhu ithtari im»
«Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë ditë për ditë shtyllën e vet të torturës dhe të më ndjekë.»—LUKA 9:23.
1, 2. (a) Cilën ftesë të përzemërt bëri Jezui? (b) Si i je përgjigjur ftesës së Jezuit?
NGA fundi i shërbimit, Jezui po dëshmonte në Pere, një krahinë matanë Jordanit, në verilindje të Judesë. Atij iu afrua një i ri që e pyeti se ç’duhej të bënte për të trashëguar jetën e përhershme. Pasi u sigurua se i riu po zbatonte me besnikëri Ligjin e Moisiut, Jezui i bëri një ftesë të jashtëzakonshme. Ai i tha: «Shko, shit gjithçka që ke, jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e bëhu ithtari im.» (Mar. 10:21) Mendo pak: një ftesë për të ndjekur Jezuin, Birin e vetëmlindur të Perëndisë Më të Lartë.
2 Ai i ri e refuzoi ftesën, por pati të tjerë që e pranuan. Më parë, Jezui i kishte thënë Filipit: «Bëhu ithtari im.» (Gjoni 1:43) Filipi pranoi dhe më vonë u bë apostull. Jezui i bëri të njëjtën ftesë Mateut që gjithashtu e pranoi. (Mat. 9:9; 10:2-4) Në fakt, Jezui u bëri të njëjtën ftesë të gjithë atyre që e duan drejtësinë, kur tha: «Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë ditë për ditë shtyllën e vet të torturës dhe të më ndjekë vazhdimisht.» (Luka 9:23) Pra, kushdo mund të bëhet ithtar ose dishepull i Jezuit nëse dëshiron vërtet. A e ke këtë dëshirë edhe ti? Shumica prej nesh tashmë e ka pranuar ftesën e përzemërt të Jezuit dhe, kur jemi në shërbim, ua çojmë këtë ftesë edhe të tjerëve.
3. Ç’mund të bëjmë që të mos na marrë rryma e si pasojë të mos e ndjekim më Jezuin?
3 Por disa që tregojnë interes për të vërtetën biblike, mjerisht nuk vazhdojnë më. Ngadalësojnë ritmin e në fund ‘i merr rryma’ dhe nuk e ndjekin më Jezuin. (Hebr. 2:1) Ç’mund të bëjmë që të mos biem në këtë grackë? Është mirë të pyesim veten: «Para së gjithash, pse zgjodha të ndjek Jezuin? Ç’do të thotë ta ndjekësh atë?» Nëse mbajmë në mendje përgjigjet e këtyre dy pyetjeve, do të jemi edhe më të vendosur të qëndrojmë në udhën e shkëlqyer që kemi zgjedhur. Gjithashtu, kjo do të na ndihmojë t’i nxitim të tjerët që të ndjekin Jezuin.
Pse ta ndjekim Jezuin?
4, 5. Pse Jezui është i kualifikuar për të na udhëhequr?
4 Profeti Jeremia tha: «Unë e di mirë, o Jehova, se nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jer. 10:23) Historia i ka vërtetuar këto fjalë të Jeremisë. Është bërë gjithnjë e më e dukshme se njerëzimi i papërsosur nuk mund ta drejtojë dot veten siç duhet. Ne pranuam ftesën për të ndjekur Jezuin, sepse mësuam se ai është i kualifikuar për të qenë Udhëheqësi ynë. Asnjë njeri nuk mund të ketë kualifikime të tilla. Le të shqyrtojmë pse është kështu.
5 Së pari, Jezui u zgjodh nga vetë Jehovai si Mesia, Udhëheqësi. Kush e di më mirë se Krijuesi se kë të caktojë si Udhëheqësin tonë? Së dyti, Jezui ka cilësi që mund t’i admirojmë e t’i imitojmë. (Lexo Isainë 11:2, 3.) Ai është një shembull i përsosur. (1 Pjet. 2:21) Së treti, Jezui interesohet thellësisht për ata që e ndjekin, siç e tregoi edhe kur dha jetën për ta. (Lexo Gjonin 10:14, 15.) Dhe ai tregon se është një bari i kujdesshëm teksa na udhëheq drejt një jete që na bën të lumtur tani dhe na çon drejt një të ardhmeje të përhershme e të lavdishme. (Gjoni 10:10, 11; Zbul. 7:16, 17) Për këto dhe për arsye të tjera, morëm një vendim të mençur kur zgjodhëm ta ndiqnim. Por, çfarë do të thotë të ndjekësh Jezuin?
6. Ç’do të thotë të ndjekësh Jezuin?
6 Të jesh dishepull i Krishtit nuk do të thotë thjesht të quhesh i krishterë. Rreth 2 miliardë veta pretendojnë se janë të krishterë, por veprimet e tyre tregojnë se janë njerëz që ‘bëjnë paligjshmëri’. (Lexo Mateun 7:21-23.) Kur dikush tregon interes ndaj ftesës për të ndjekur Jezuin, i shpjegojmë se të krishterët e vërtetë e modelojnë tërë mënyrën e tyre të jetesës sipas mësimeve dhe shembullit të tij, dhe këtë e bëjnë çdo ditë të jetës. Për ta ilustruar se ç’do të thotë kjo, le të shqyrtojmë disa nga gjërat që dimë për Jezuin.
Të imitojmë mençurinë e Jezuit
7, 8. (a) Çfarë është mençuria dhe pse ishte aq i mençur Jezui? (b) Si tregoi mençuri Jezui dhe si mund ta imitojmë?
7 Jezui shfaqi shumë cilësi të jashtëzakonshme, por do të përqendrohemi te katër prej tyre: mençuria, përulësia, zelli dhe dashuria. Së pari, le të shqyrtojmë mençurinë, domethënë aftësinë e tij për të zbatuar në mënyrë praktike njohurinë dhe kuptueshmërinë. Apostulli Pavël shkroi: «Tek [Jezui] janë fshehur me kujdes të gjitha thesaret e mençurisë e të njohurisë.» (Kolos. 2:3) Ku e gjeti Jezui këtë mençuri? Ai vetë pohoi: «I them këto gjëra ashtu si më mësoi Ati.» (Gjoni 8:28) Mençuria e tij vinte nga Jehovai, prandaj nuk habitemi që Jezui kishte gjykim të shëndoshë.
8 Për shembull, Jezui tregoi gjykim të mirë kur zgjodhi mënyrën e tij të jetesës. Ai vendosi të bënte një jetë të thjeshtë, duke u përqendruar vetëm te një gjë: bërja e vullnetit të Perëndisë. Me mençuri përdori kohën dhe energjitë për të çuar përpara interesat e Mbretërisë. E ndjekim shembullin e Jezuit duke u përpjekur të mbajmë ‘një sy të thjeshtë’ dhe kështu nuk rëndohemi me gjëra të panevojshme që na thithin energjitë e na shpërqendrojnë. (Mat. 6:22) Shumë të krishterë kanë bërë hapat e nevojshëm për të thjeshtuar mënyrën e tyre të jetesës që t’i kushtojnë më shumë kohë shërbimit. Disa kanë arritur të fillojnë shërbimin si pionierë. Nëse je një prej tyre, je për t’u lavdëruar. Kur ‘kërkojmë në radhë të parë mbretërinë’, kjo na sjell shumë lumturi dhe kënaqësi.—Mat. 6:33.
Të jemi të përulur si Jezui
9, 10. Si tregoi Jezui përulësi?
9 Aspekti i dytë i personalitetit të Jezuit që do të shqyrtojmë është përulësia. Kur njerëzve të papërsosur u jepet autoritet, shpesh u rritet mendja. Sa ndryshe ishte Jezui! Pavarësisht nga roli kyç në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë, Jezui nuk kishte as edhe një grimë fodullëku. Le ta imitojmë Jezuin edhe në këtë drejtim! Apostulli Pavël shkroi: «Mbani po atë qëndrim mendor që kishte edhe Krishti Jezu, i cili, edhe pse ishte në formë Perëndie, as që e çoi nëpër mend të bënte ndonjë rrëmbim, domethënë, të ishte i barabartë me Perëndinë. Jo, përkundrazi e zbrazi veten dhe mori formë skllavi, duke u bërë ngjashëm njerëzve.» (Filip. 2:5-7) Ç’do të thoshte kjo?
10 Jezui kishte privilegjin e lavdishëm që të banonte në praninë e Atit të tij në qiell, por «e zbrazi veten» vullnetarisht. Jeta e tij u transferua në barkun e një virgjëreshe judeje dhe aty u zhvillua për nëntë muaj derisa lindi si një foshnjë e brishtë në familjen e një marangozi të thjeshtë. Atje, në shtëpinë e Jozefit, Jezui i vogël dalëngadalë filloi të ecte, kaloi fëmijërinë e më pas adoleshencën. Edhe pse ishte pa mëkat, gjatë rinisë ai qëndroi i nënshtruar ndaj prindërve të tij mëkatarë dhe të papërsosur. (Luka 2:51, 52) Ç’përulësi e jashtëzakonshme!
11. Në ç’mënyra mund të imitojmë përulësinë e Krishtit?
11 E imitojmë përulësinë e Jezuit kur me gatishmëri pranojmë caktime që mund të duken të rëndomta. Për shembull, mendo për predikimin e lajmit të mirë. Ai mund të duket i rëndomtë, sidomos kur njerëzit reagojnë me indiferentizëm, tallen ose tregohen armiqësorë. Megjithatë, duke ngulmuar në këtë vepër, i ndihmojmë të tjerët të pranojnë ftesën për të ndjekur Jezuin. Kështu japim ndihmesën tonë për të shpëtuar jetë njerëzish. (Lexo 2 Timoteut 4:1-5.) Një shembull tjetër është mirëmbajtja e Sallës së Mbretërisë. Kjo mund të përfshijë punë të tilla, si zbrazja e koshave të plehrave, larja e dyshemesë dhe pastrimi i banjave—të gjitha këto detyra që kërkojnë përulësi. Sidoqoftë, e kuptojmë se mirëmbajtja e Sallës së Mbretërisë, pra, qendrës së adhurimit të pastër në zonën ku ndodhet, është pjesë e shërbimit tonë të shenjtë. Duke përmbushur me gatishmëri detyra që duken të rëndomta, tregojmë përulësi dhe kështu ndjekim gjurmët e Krishtit.
Të jemi të zellshëm si Jezui
12, 13. (a) Si tregoi zell Jezui dhe çfarë e motivonte? (b) Çfarë do të na motivojë që të jemi të zellshëm në shërbim?
12 Të shqyrtojmë zellin e Jezuit në shërbim. Ai bëri shumë gjëra kur ishte në tokë. Në vitet e para të jetës, ka mundësi të ketë punuar si zdrukthëtar me babanë birësues, Jozefin. Gjatë shërbimit, Jezui kreu mrekulli, për shembull shëroi të sëmurë dhe ringjalli disa të vdekur. Por, vepra e tij kryesore ishte të predikonte lajmin e mirë dhe të mësonte ata që ishin të gatshëm të dëgjonin. (Mat. 4:23) Si dishepuj të tij, edhe ne kemi për të bërë të njëjtën vepër. Si mund ta ndjekim shembullin e tij? Një nga gjërat që mund të bëjmë, është të përpiqemi të kemi po ato motive që kishte Jezui.
13 Para së gjithash, ishte dashuria për Perëndinë që e motivonte Jezuin të predikonte e të mësonte të tjerët. Gjithashtu, Jezui i donte të vërtetat që u predikonte të tjerëve. Për të, ato ishin thesare tejet të çmuara dhe ai mezi priste t’ua tregonte njerëzve. Edhe ne si ‘mësues që mësojmë në publik’, ndihemi po njësoj. Të mendojmë vetëm për disa nga të vërtetat e çmuara që kemi mësuar nga Fjala e Perëndisë. Kemi mësuar për çështjen e sovranitetit universal dhe se si do të zgjidhet. E kuptojmë mirë çfarë mësojnë Shkrimet për gjendjen e të vdekurve dhe për bekimet që do të vijnë në botën e re të Perëndisë. Pavarësisht nëse këto të vërteta i kemi mësuar së fundi ose shumë kohë më parë, atyre nuk u humbet kurrë vlera. Të reja a të vjetra për ne, këto të vërteta janë me siguri thesare tejet të çmuara. (Lexo Mateun 13:52.) Duke predikuar me entuziazëm të përzemërt, u përçojmë të tjerëve dashurinë tonë për atë që na ka mësuar Jehovai.
14. Si mund të imitojmë mënyrën si mësonte Jezui?
14 Të shqyrtojmë edhe mënyrën se si i mësonte Jezui të tjerët. Ai i drejtonte vazhdimisht te Shkrimet ata që e dëgjonin. Shpesh e paraprinte një pikë të rëndësishme me shprehjen: «Është shkruar.» (Mat. 4:4; 21:13) Në fjalët e tij të dokumentuara, gjejmë citimet e tij të drejtpërdrejta ose të tërthorta nga më tepër se gjysma e librave të Shkrimeve Hebraike. Ashtu si Jezui, edhe ne bazohemi gjithmonë te Bibla në shërbim dhe përpiqemi të nxjerrim në pah Shkrimet kurdoherë që është e mundur. Në këtë mënyrë, i ndihmojmë njerëzit e drejtë që të shohin me sytë e tyre se po u mësojmë mendimet e Perëndisë, e jo tonat. Sa kënaqemi kur dikush pranon të lexojë nga Bibla e të shqyrtojë vlerën dhe kuptimin e Fjalës së Perëndisë! Dhe kur individë të tillë pranojnë ftesën për të ndjekur Jezuin, provojmë gëzim të pamasë.
Të ndjekësh Jezuin do të thotë të duash të tjerët
15. Cila ishte një cilësi e jashtëzakonshme e Jezuit dhe si ndikon te ne meditimi rreth saj?
15 Aspekti i fundit i personalitetit të Jezuit që do të shqyrtojmë, është ai që na e ngroh më shumë zemrën—dashuria e tij për të tjerët. Apostulli Pavël shkroi: «Dashuria që ka Krishti, na detyron.» (2 Kor. 5:14) Kur meditojmë për dashurinë që ka Krishti për njerëzimin në përgjithësi dhe për ne individualisht, prekemi në zemër dhe ndihemi të detyruar të ndjekim shembullin e tij.
16, 17. Në ç’mënyra e tregoi Jezui dashurinë për të tjerët?
16 Si tregoi Jezui dashuri për të tjerët? Gatishmëria për të dhënë shpirtin për njerëzimin ishte shprehja më e madhe e dashurisë së tij. (Gjoni 15:13) Por gjatë shërbimit të tij, Jezui tregoi dashuri edhe në mënyra të tjera. Për shembull, ai tregoi ndjenja të përbashkëta me ata që vuanin. Kur pa Marinë dhe të tjerët që po vajtonin për vdekjen e Lazarit, ai u prek thellë nga pikëllimi i tyre. Megjithëse pas pak do ta ringjallte Lazarin, Jezui u prek aq shumë, sa «nuk i mbajti dot lotët».—Gjoni 11:32-35.
17 Në fillimet e shërbimit të tij, Jezuit iu afrua një i lebrosur dhe i tha: «Po të duash, ti mund të më pastrosh.» Si reagoi Jezui? Tregimi thotë se ai ‘u shty nga keqardhja’ dhe bëri diçka të jashtëzakonshme. «Ai shtriu dorën, e preku dhe i tha: ‘Dua. Pastrohu.’ Lebra iu zhduk menjëherë, dhe ai u pastrua.» Nën Ligjin e Moisiut, të lebrosurit ishin të papastër, dhe patjetër Jezui mund ta kishte shëruar atë burrë pa e prekur. Mirëpo, teksa Jezui e shëronte të lebrosurin, i dha mundësi të ndiente prekjen e një njeriu, ndoshta për herë të parë pas shumë vitesh. Ç’veprim i përzemërt e i dhembshur!—Mar. 1:40-42.
18. Si mund të tregojmë «ndjenja të përbashkëta»?
18 Si dishepuj të Krishtit, nga ne kërkohet ta shfaqim dashurinë tonë duke treguar «ndjenja të përbashkëta». (1 Pjet. 3:8) Mund të mos jetë e lehtë të kuptojmë ndjenjat e një bashkëbesimtari që vuan nga një sëmundje kronike ose depresioni i rëndë, sidomos nëse nuk i kemi përjetuar kurrë këto gjëra. Jezui tregoi empati ndaj të sëmurëve, edhe pse nuk ishte sëmurur kurrë. Si mund të zhvillojmë një empati të ngjashme? Duke i dëgjuar me durim ata që vuajnë teksa na hapin zemrën. Gjithashtu mund të pyesim veten: «Si do të ndihesha, po të isha në vend të tyre?» Nëse zhvillojmë ndjeshmëri ndaj ndjenjave të të tjerëve, do të jemi më të aftë ‘t’u flasim në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar’. (1 Sel. 5:14) Kështu do të ndjekim Jezuin.
19. Në ç’mënyra ndikohemi nga shembulli i Jezuit?
19 Sa shumë gjëra emocionuese mund të gjejmë duke studiuar fjalët dhe veprat e Jezu Krishtit! Sa më shumë mësojmë për të, aq më shumë duam të jemi si ai—dhe aq më shumë duam t’i ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Prandaj, le të bëjmë çmos të gjejmë kënaqësi duke ndjekur Mbretin mesianik—tani dhe përgjithmonë!
A mund të shpjegosh?
• Si mund të tregojmë mençuri siç tregoi Jezui?
• Në ç’mënyra mund të tregojmë përulësi?
• Si mund ta zhvillojmë zellin për shërbimin?
• Në ç’mënyra mund ta imitojmë Jezuin duke treguar dashuri për të tjerët?
[Kutia dhe figura në faqen 5]
NJË BOTIM I RI QË NA NDIHMON TË IMITOJMË KRISHTIN
Gjatë kongresit krahinor 2007, doli një libër me 192 faqe i titulluar «Eja e bëhu ithtari im». Ky botim është përgatitur për t’i ndihmuar të krishterët të përqendrohen te Jezui, sidomos te cilësitë dhe veprat e tij. Pas dy kapitujve hyrës, pjesa e parë bën një përmbledhje të cilësive të jashtëzakonshme të Jezuit—përulësisë, guximit, mençurisë, bindjes dhe qëndrueshmërisë së tij.
Më pas, vijojnë pjesët ku flitet për veprimtaritë e Jezuit si mësues e predikues i lajmit të mirë, dhe për disa nga mënyrat se si e shfaqi dashurinë e tij të madhe. Në të gjithë librin, informacioni paraqitet në një mënyrë që e ndihmon një të krishterë të imitojë Jezuin.
Sigurisht, ky botim do të na nxitë të gjithëve të shqyrtojmë veten e të bëjmë pyetjet: «A po e ndjek vërtet Jezuin? Si mund ta ndjek më nga afër?» Gjithashtu do t’i ndihmojë «të gjithë ata që [janë] të prirur për jetën e përhershme» të bëhen dishepuj të Krishtit.—Vep. 13:48.
[Figura në faqen 4]
Jezui pranoi të vinte në tokë e të lindte si një foshnjë njerëzore. Çfarë cilësie kërkonte kjo?
[Figura në faqen 6]
Çfarë do të na motivojë të jemi të zellshëm në shërbim?