‘Të kemi dashuri mes nesh’
«Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.»—GJONI 13:35.
1. Çfarë cilësie theksoi Jezui pak para se të vdiste?
«FËMIJË të vegjël.» (Gjoni 13:33) Me këtë shprehje të përzemërt Jezui iu drejtua apostujve mbrëmjen para se të vdiste. Nuk kemi asnjë dokumentim në tregimet e Ungjijve që Jezui të ketë përdorur ndonjëherë më parë këtë shprehje të dhembshur kur u fliste atyre. Gjithsesi, atë natë të veçantë u ndie i nxitur ta përdorte këtë shprehje të përzemërt për t’u përcjellë ithtarëve dashurinë e thellë që kishte për ta. Në fakt, atë natë, Jezui foli për dashurinë rreth 30 herë. Pse e theksoi kaq shumë këtë cilësi?
2. Pse shfaqja e dashurisë është kaq e rëndësishme për të krishterët?
2 Jezui shpjegoi përse dashuria është kaq e rëndësishme. Ai tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.» (Gjoni 13:35; 15:12, 17) Të qenët ithtar i Krishtit është e lidhur ngushtë me shfaqjen e dashurisë vëllazërore. Të krishterët e vërtetë nuk identifikohen nga ndonjë lloj i veçantë veshjeje ose nga disa zakone të veçanta, por nga dashuria e ngrohtë dhe e përzemërt që shfaqin ndaj njëri-tjetrit. Nga të tria kërkesat kryesore që nevojiten për të qenë dishepull i Krishtit, të cilat u përmendën në fillim të artikullit të mëparshëm, ky lloj i jashtëzakonshëm dashurie është kërkesa e dytë. Çfarë do të na ndihmojë që të vazhdojmë ta përmbushim këtë kërkesë?
‘Ta bëjmë në masë më të plotë’
3. Çfarë këshille për dashurinë dha apostulli Pavël?
3 Ashtu siç ishte e dukshme midis ithtarëve të Krishtit në shekullin e parë, kjo dashuri e jashtëzakonshme është e dukshme edhe sot midis dishepujve të vërtetë të Krishtit. Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve të shekullit të parë: «Lidhur me dashurinë vëllazërore, nuk keni nevojë t’ju shkruajmë, sepse ju vetë jeni mësuar nga Perëndia që të doni njëri-tjetrin; dhe në fakt po e bëni ndaj të gjithë vëllezërve.» Gjithsesi Pavli shtoi: «Vazhdoni ta bëni në masë më të plotë.» (1 Selanikasve 3:12; 4:9, 10) Edhe ne duhet ta marrim për zemër këshillën e Pavlit dhe të përpiqemi të shfaqim dashuri «në masë më të plotë» ndaj njëri-tjetrit.
4. Ndaj kujt duhet të tregojmë kujdes të veçantë sipas Pavlit dhe Jezuit?
4 Në të njëjtën letër të frymëzuar, Pavli i inkurajoi bashkëbesimtarët që ‘t’u flitnin në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të ligështuar’ dhe ‘të mbështetnin të dobëtit’. (1 Selanikasve 5:14) Në një rast tjetër, ai u kujtoi të krishterëve që ata ‘që janë të fortë duhet të mbajnë dobësitë e atyre që s’janë të fortë’. (Romakëve 15:1) Edhe Jezui dha udhëzime se si të ndihmohen ata që janë të dobët frymësisht. Pasi paratha se Pjetri do ta braktiste natën që do të arrestohej, Jezui i tha atij: «Kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu.» Përse? Sepse edhe ata do ta kishin braktisur Jezuin dhe si pasojë do të kishin nevojë për ndihmë. (Luka 22:32; Gjoni 21:15-17) Kështu, Fjala e Perëndisë na urdhëron që ta shtrijmë dashurinë tonë ndaj atyre që janë të dobët frymësisht dhe që mund të kenë humbur lidhjet me kongregacionin e krishterë. (Hebrenjve 12:12) Pse duhet të veprojmë kështu? Përgjigjen na e japin dy ilustrime të gjalla të Jezuit.
Delja e humbur dhe monedha e humbur
5, 6. (a) Cilat janë dy ilustrimet e shkurtra që dha Jezui? (b) Çfarë zbulojnë këto ilustrime për Jehovain?
5 Për t’u mësuar dëgjuesve të tij pikëpamjen e Jehovait për ata që kanë humbur lidhjet me kongregacionin, Jezui dha dy ilustrime të shkurtra. Njëri ishte rreth një bariu. Jezui tha: «Cili prej jush, që ka njëqind dele, po të humbasë njërën prej tyre, nuk do t’i lërë të nëntëdhjetë e nëntat mbrapa në shkretëtirë dhe nuk do të shkojë pas së humburës derisa ta gjejë? Edhe kur e ka gjetur, e vë mbi supe dhe gëzon. Dhe kur mbërrin në shtëpi, mbledh miqtë dhe fqinjët e tij e u thotë: ‘Gëzoni bashkë me mua, sepse e kam gjetur delen që më kishte humbur.’ Unë ju them se kështu do të ketë më shumë gëzim në qiell për një mëkatar që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë që s’kanë nevojë për pendim.»—Luka 15:4-7.
6 Ilustrimi i dytë ishte rreth një gruaje. Jezui tha: «Cila grua që ka dhjetë monedha dhrahmish, po të humbasë një monedhë dhrahmie, nuk ndez një llambë, nuk fshin shtëpinë e nuk kërkon me kujdes derisa ta gjejë? Dhe kur e ka gjetur, mbledh gratë që janë mikeshat e saj dhe fqinjët e u thotë: ‘Gëzoni bashkë me mua, sepse e kam gjetur monedhën e dhrahmisë që humba.’ Unë po ju them se kështu bëhet gëzim mes engjëjve të Perëndisë për një mëkatar që pendohet.»—Luka 15:8-10.
7. Cilat janë dy mësimet që përmbajnë ilustrimet e deles së humbur dhe të monedhës së humbur?
7 Çfarë mund të mësojmë nga këto ilustrime të shkurtra? Ato na tregojnë (1) se si duhet të ndihemi ndaj atyre që janë bërë të dobët frymësisht (2) dhe çfarë duhet të bëjmë për t’i ndihmuar. Le të shqyrtojmë këto pika.
I humbur, por i çmuar
8. (a) Si reaguan bariu dhe gruaja për atë që kishin humbur? (b) Çfarë na tregon reagimi i tyre për mënyrën se si e shihnin objektin që u mungonte?
8 Në të dy ilustrimet kishte humbur diçka, por vini re reagimin e personave që e kanë humbur atë. Bariu nuk tha: ‘Ç’është një dele kur kam ende 99 të tjera? Mund t’ia dal mbanë fare mirë pa të.’ Gruaja nuk tha: ‘Pse të shqetësohem për atë monedhë? Jam e kënaqur me nëntë të tjerat që kam ende.’ Përkundrazi, bariu e kërkoi delen e humbur sikur të ishte e vetmja që kishte. Po ashtu gruaja ndihej për humbjen e monedhës sikur të mos kishte asnjë tjetër. Në të dy shembujt gjëja e humbur mbetej e çmuar në mendjen e pronarit të tij. Çfarë ilustron kjo?
9. Çfarë ilustrohet nga shqetësimi që treguan bariu dhe gruaja?
9 Vini re përfundimin e Jezuit në të dyja rastet: «Kështu do të ketë më shumë gëzim në qiell për një mëkatar që pendohet» dhe «kështu bëhet gëzim mes engjëjve të Perëndisë për një mëkatar që pendohet». Pra, shqetësimi i bariut dhe i gruas pasqyron në një masë të vogël ndjenjat e Jehovait dhe të krijesave të tij qiellore. Ashtu si ajo që kishte humbur mbetej e çmuar në sytë e bariut dhe të gruas, edhe ata që janë larguar nga kongregacioni dhe kanë humbur lidhjet me popullin e Perëndisë mbeten të çmuar në sytë e Jehovait. (Jeremia 31:3) Këta individë mund të jenë të dobët frymësisht, por nuk janë medoemos rebelë. Me gjithë gjendjen e tyre të dobët, ata mund të jenë ende duke iu përmbajtur deri në një farë mase kërkesave të Jehovait. (Psalmi 119:176; Veprat 15:29) Prandaj, ashtu si në të kaluarën, edhe sot Jehovai është i ngadalshëm për ‘t’i larguar nga prania e tij’.—2 Mbretërve 13:23.
10, 11. (a) Si duam t’i shohim ata që janë larguar nga kongregacioni? (b) Sipas dy ilustrimeve të Jezuit, si mund ta shprehim shqetësimin tonë për ta?
10 Ashtu si Jehovai e Jezui, edhe ne shqetësohemi thellë për ata që janë të dobët frymësisht dhe mungojnë nga kongregacioni i krishterë. (Ezekieli 34:16; Luka 19:10) E shohim një individ të dobët frymësisht si një dele të humbur dhe jo si diçka të pashpresë. Nuk bëjmë këtë arsyetim: ‘Pse të shqetësohemi për një të dobët? Kongregacioni po ecën shkëlqyeshëm edhe pa të.’ Përkundrazi, ashtu si Jehovai, edhe ne i shohim si të çmuar ata që janë larguar, por që duan të kthehen.
11 Megjithatë, si mund t’i shprehim ndjenjat e shqetësimit? Dy ilustrimet e Jezuit tregojnë se mund ta bëjmë këtë: (1) duke marrë iniciativën, (2) duke qenë të butë dhe (3) duke qenë të zellshëm. Le t’i shohim me radhë këto fusha.
Të marrim iniciativën
12. Çfarë na tregojnë fjalët «do të shkojë pas së humburës» për qëndrimin e bariut?
12 Në ilustrimin e parë Jezui thotë se bariu «do të shkojë pas së humburës». Bariu merr iniciativën dhe bën përpjekje të menduara mirë për ta gjetur delen e humbur. Atë nuk e ndalin vështirësitë, rreziqet dhe largësia. Përkundrazi, bariu ngulmon «derisa ta gjejë».—Luka 15:4.
13. Si iu përgjigjën burrat besnikë të lashtësisë nevojave të të dobëtve frymësisht dhe në ç’mënyrë mund t’i imitojmë këta shembuj biblikë?
13 Në të njëjtën mënyrë, që të ndihmohet një person që ka nevojë për inkurajim shpesh kërkohet që personi më i fortë të marrë iniciativën. Burrat besnikë të lashtësisë e kuptonin këtë. Për shembull, kur Jonatani, biri i mbretit Saul, vuri re se miku i tij i ngushtë Davidi kishte nevojë për inkurajim, «u ngrit dhe shkoi te Davidi në pyll; dhe e ndihmoi të gjejë forcë te Perëndia». (1 Samuelit 23:15, 16) Shekuj më vonë, kur guvernatori Nehemia pa se disa nga vëllezërit e tij judenj ishin bërë të dobët frymësisht, edhe ai ‘u ngrit menjëherë’ dhe u dha zemër atyre që ‘të mbanin në mend Jehovain’. (Nehemia 4:14, BR) Po kështu edhe sot ne duhet të ‘ngrihemi’, pra të marrim iniciativën, për të forcuar ata që janë të dobët frymësisht. Por, cilët në kongregacion duhet ta bëjnë këtë?
14. Cilët në kongregacionin e krishterë duhet t’u japin ndihmë aktive atyre që janë të dobët frymësisht?
14 Në veçanti pleqtë e krishterë kanë përgjegjësinë ‘për të forcuar duart e dobësuara, për t’i bërë të qëndrueshëm gjunjët e pasigurt [që dridhen, BR]’ dhe ‘për t’u thënë atyre që e kanë humbur zemrën [që kanë ankth në zemër, BR]: «Bëhuni të fortë, mos kini frikë!» ’ (Isaia 35:3, 4; 1 Pjetrit 5:1, 2) Sidoqoftë, vini re se këshilla e Pavlit ‘për t’u folur në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të ligështuar’ dhe ‘për të mbështetur të dobëtit’ nuk iu dha vetëm pleqve. Përkundrazi, fjalët e Pavlit iu drejtuan krejt «kongregacionit të selanikasve». (1 Selanikasve 1:1; 5:14) Pra, dhënia e ndihmës atyre që janë të dobët frymësisht është një detyrë për të gjithë të krishterët. Ashtu si bariu tek ilustrimi, çdo i krishterë duhet të ndihet i nxitur që «të shkojë pas së humburës». Patjetër që kjo bëhet në mënyrë më të efektshme në bashkëpunim me pleqtë. A mund të bëni diçka për të ndihmuar një të dobët frymësisht në kongregacionin tuaj?
Të jemi të butë
15. Përse bariu mund të ketë vepruar sipas kësaj mënyre që është treguar më lart?
15 Çfarë bën bariu kur më në fund e gjen delen e humbur? «E vë mbi supe.» (Luka 15:5) Sa hollësi prekëse dhe domethënëse! Delja mund të jetë endur për ditë e netë të tëra nëpër territor të panjohur, ndoshta madje duke qenë nën kërcënimin e luanëve që kërkojnë pre. (Jobi 38:39, 40) Pa dyshim delja është dobësuar nga mungesa e ushqimit. Ajo thjesht është tepër e brishtë për t’i kapërcyer vetë pengesat që do të hasë rrugës për në vathë. Prandaj bariu përkulet, e ngre me butësi delen, kalon përmes pengesave dhe e kthen te kopeja. Si mund ta pasqyrojmë kujdesin e treguar nga ky bari?
16. Pse duhet të pasqyrojmë butësinë që shfaqi bariu ndaj deles që kishte humbur rrugën?
16 Një person që ka humbur lidhjet me kongregacionin mund të jetë i sfilitur në kuptimin frymor. Ashtu si ajo dele e ndarë nga bariu, edhe ky individ mund të jetë endur pa asnjë qëllim nëpër territorin armiqësor të kësaj bote. Pa pasur mbrojtjen që siguron vatha, pra kongregacioni i krishterë, ai gjendet më shumë se kurrë nën sulmet e Djallit, i cili «vjen rrotull si një luan që vrumbullit, duke kërkuar të përpijë dikë». (1 Pjetrit 5:8) Veç kësaj, ai është dobësuar nga mungesa e ushqimit frymor. Kështu ka mundësi që të jetë tepër i dobët frymësisht për t’i kapërcyer vetë pengesat që do të hasë për t’u kthyer përsëri në kongregacion. Prandaj duhet të përkulemi, si të thuash, ta ngremë me butësi të dobëtin dhe ta kthejmë përsëri. (Galatasve 6:2) Si mund ta bëjmë këtë?
17. Si mund ta imitojmë apostullin Pavël kur vizitojmë dikë që është i dobët frymësisht?
17 Apostulli Pavël tha: «Nëse dikush është i dobët, a nuk e mbaj edhe unë dobësinë e tij bashkë me të?» (2 Korintasve 11:29, The New English Bible; 1 Korintasve 9:22) Pavli kishte empati për njerëzit, përfshirë të dobëtit frymësisht. Edhe ne duhet të shfaqim ndjenja të tilla të përbashkëta ndaj atyre që janë të dobët frymësisht. Kur të vizitojmë një të krishterë të dobët frymësisht, duhet ta sigurojmë se ai është i vlefshëm në sytë e Jehovait dhe u mungon shumë Dëshmitarëve të tjerë. (1 Selanikasve 2:17) Duhet t’ia bëjmë të ditur se ata janë gati për ta përkrahur dhe janë të gatshëm që të jenë për të ‘një vëlla i lindur për ditë të vështira’. (Fjalët e urta [Proverbat] 17:17, BR; Psalmi 34:18) Shprehjet tona të sinqerta mund ta ngrenë butësisht dhe pak nga pak, deri në pikën që të mund të kthehet te kopeja. Çfarë duhet të bëjmë më pas? Ilustrimi i gruas dhe i monedhës së humbur na ndihmon për këtë.
Të jemi të zellshëm
18. (a) Pse gruaja tek ilustrimi nuk ndihej e pashpresë? (b) Çfarë përpjekjesh të zellshme bëri gruaja dhe me cilin rezultat?
18 Gruaja që ka humbur monedhën e di se gjendja është e vështirë, por jo e pashpresë. Sikur monedha të kishte rënë në një fushë të madhe me shkurre ose në një pellg të thellë e me baltë ajo ndoshta do të kishte menduar se ishte e pamundur ta gjente më atë. Megjithatë, duke e ditur se monedha duhet të jetë në ndonjë vend në shtëpi ku mund të gjendet, ajo fillon të kontrollojë me imtësi dhe me zell. (Luka 15:8) Së pari, ndez llambën për të bërë dritë në shtëpinë e errët. Pastaj fshin dyshemenë me fshesë, duke shpresuar se mos dëgjon një tringëllimë. Së fundi, me llambë kërkon me kujdes cep më cep, derisa sheh vezullimën e monedhës së argjendtë. Përpjekjet e zellshme të gruas janë shpërblyer!
19. Çfarë mësimesh për të ndihmuar të dobëtit frymësisht mund të nxjerrim nga mënyra se si veproi gruaja tek ilustrimi i monedhës së humbur?
19 Siç na e kujton edhe kjo hollësi e ilustrimit, detyrimi që kemi nga Shkrimet për të ndihmuar një të krishterë të dobët frymësisht nuk është përtej aftësive tona. Por njëkohësisht e kuptojmë se kërkohen përpjekje. Në fakt, apostulli Pavël u tha pleqve efesianë: «Duke u munduar kështu duhet të ndihmoni ata që janë të dobët.» (Veprat 20:35a) Kujtoni se gruaja nuk e gjen monedhën duke parë rastësisht tek-tuk ose vende-vende nëpër shtëpi. Jo, ajo ia del mbanë, sepse kërkon sistematikisht «derisa ta gjejë». Në të njëjtën mënyrë, kur përpiqemi të rimëkëmbim një individ të dobët frymësisht duhet ta bëjmë këtë me zell dhe vendosmëri. Çfarë mund të bëjmë?
20. Çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar të dobëtit frymësisht?
20 Si mund ta ndihmojmë një të dobët frymësisht që ta rritë besimin dhe çmueshmërinë? Ajo që mund të nevojitet mund të jetë pikërisht një studim biblik me ndihmën e një botimi të përshtatshëm të krishterë. Në fakt, duke drejtuar një studim biblik me një individ të dobët frymësisht, e ndihmojmë me kujdes dhe në mënyrë të vazhdueshme. Ndoshta mbikëqyrësi i shërbimit mund ta përcaktojë më mirë se kush duhet t’i japë ndihmën e duhur. Ai mund të sugjerojë se cilat tema mund të studiohen dhe cili botim do të ishte më i dobishëm. Ashtu si gruaja tek ilustrimi përdor vegla të dobishme për të kryer punën, edhe ne sot kemi mjete që na ndihmojnë të përmbushim përgjegjësinë që na ka dhënë Perëndia për të ndihmuar ata që janë të dobët frymësisht. Gjatë këtyre përpjekjeve do të jenë veçanërisht të dobishme dy mjete ose botime të reja. Ato janë librat Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë dhe T’i afrohemi Jehovait.a
21. Në ç’mënyrë duke ndihmuar ata që janë të dobët frymësisht vijnë bekime për të gjithë?
21 Duke ndihmuar ata që janë të dobët frymësisht vijnë bekime për të gjithë. Ata që marrin ndihmën gëzojnë lumturinë që të bashkohen përsëri me miqtë e vërtetë. Ne përjetojmë gëzim në zemër, i cili vjen vetëm kur japim. (Luka 15:6, 9; Veprat 20:35b) Atmosfera e kongregacionit si një i tërë bëhet më e ngrohtë, ndërkohë që çdo pjesëtar i tij interesohet me dashuri për të tjerët. Dhe mbi të gjitha, kur dëshira për të përkrahur të dobëtit frymësisht pasqyrohet te shërbëtorët e tyre tokësorë, nderi u shkon Barinjve tanë të kujdesshëm, Jehovait dhe Jezuit. (Psalmi 72:12-14; Mateu 11:28-30; 1 Korintasve 11:1; Efesianëve 5:1) Sa arsye të vlefshme kemi, pra, që të vazhdojmë ‘të kemi dashuri mes nesh’!
[Shënimi]
a Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
A mund të shpjegoni?
• Pse shfaqja e dashurisë është thelbësore për secilin prej nesh?
• Pse duhet ta shtrijmë dashurinë ndaj atyre që janë të dobët frymësisht?
• Çfarë mësimesh nxjerrim nga ilustrimet e deles së humbur dhe të monedhës së humbur?
• Çfarë hapash praktikë mund të marrim për të ndihmuar dikë që është i dobët frymësisht?
[Figurat në faqet 16, 17]
Për të ndihmuar të dobëtit frymësisht marrim iniciativën dhe jemi të butë e të zellshëm
[Figura në faqet 16, 17]
Kur ndihmojmë ata që janë të dobët frymësisht vijnë bekime për të gjithë