A do t’i shohësh përsëri të dashurit e tu të vdekur?
XHONI ishte vetëm nëntë vjeç kur i vdiq e ëma. Më vonë, ai kujtoi se çfarë ndodhi në vendin e funeralit: «Vizatova një pikturë për të dhe shkrova një shënim të vogël sipër, duke i kërkuar asaj që të na priste të gjithëve në qiell. Ia dhashë babit që ta fuste në arkivolin e mamit e megjithëse e dija se kishte vdekur, më pëlqente të mendoja se ajo do ta merrte mesazhin e fundit prej meje.»—How it Feels When a Parent Dies, nga Jill Krementz.
Nuk mund të ketë asnjë dyshim se Xhoni e donte shumë të ëmën. Pasi përshkroi cilësitë e saj të mira, ai tha: «Ndoshta unë nuk dua të kujtoj anët e saj negative, por nuk mund të mendoj mbi asgjë të keqe për të. Ajo ishte gruaja më e bukur që kam parë në tërë jetën time.»
Ashtu si Xhoni, shumë veta kanë kujtime të shtrenjta për të dashurit e tyre të vdekur dhe e pranojnë nevojën emocionale për t’i parë ata sërish. Edit, djali 26-vjeçar i së cilës vdiq nga kanceri, tha: «E kam të nevojshme të besoj se im bir ekziston diku tjetër, por nuk di se ku. A do ta shoh përsëri? Nuk e di, por shpresoj se po.»
Sigurisht, Krijuesi i dashur i njeriut nuk është i pandjeshëm për këtë dëshirë normale njerëzore. Për këtë arsye, ai ka premtuar se do të vijë koha kur miliona njerëz do të ribashkohen me të dashurit e tyre të vdekur. Fjala e Perëndisë përmban referime të shumta mbi premtimin e një ringjalljeje të ardhshme të të vdekurve.—Isaia 26:19; Danieli 12:2, 13; Hozea 13:14; Gjoni 5:28, 29; Zbulesa 20:12, 13.
Cilët janë ringjallur në qiell?
Le të shqyrtojmë shpresën e Xhonit se mamaja e tij e dashur po e pret në qiell. Shumë nga ata që shkojnë kishave, e kanë këtë shpresë apo besim. Në përpjekje për të mbështetur pikëpamje të tilla, klerikët dhe disa të tjerë keqpërdorin tekste nga Bibla.
Për shembull, një eksperte në ndihmën për të pikëlluarit, dr. Elizabeta Kybler-Ros, thotë në një libër të saj: «Të vdesësh do të thotë thjesht të lëmë mënjanë trupin tonë, ashtu siç bëjmë me një pallto të vjetër apo kur kalojmë nga njëra dhomë në tjetrën. Në Eklisiastiun (Predikuesi) 12:7 lexojmë: ‘Pluhuri kthehet në tokë siç ishte më parë, dhe fryma kthehet te Perëndia që e ka dhënë.’ Jezui tha: ‘Po shkoj t’ju përgatit një vend, me qëllim që ku të jem unë, atje të jeni edhe ju.’ Dhe hajdutit mbi kryq i tha: ‘Sot do të jesh me mua në parajsë.’»—On Children and Death.
A tregojnë me të vërtetë vargjet e lartpërmendura se të dashurit tanë të vdekur janë gjallë dhe na presin në qiell? Le t’i analizojmë më mirë këto vargje, duke filluar me Eklisiastiun 12:7. Natyrisht, ky burrë i zgjuar që shkroi këto fjalë nuk kishte ndër mend të kundërshtonte atë që kishte shkruar më parë në të njëjtin libër biblik, pra: «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë.» (Eklisiastiu 9:5) Ai po fliste për vdekjen e njerëzimit në përgjithësi. A është e arsyeshme të besojmë se të gjithë ateistët e deklaruar dhe kriminelët e pashpirt kthehen te Perëndia pas vdekjes? Si zor është. Në fakt, kjo nuk mund të thuhet për asnjë prej nesh, pavarësisht nëse e konsiderojmë veten të mirë apo të këqinj. Pasi asnjë nga ne nuk ka qenë me Perëndinë në qiell, si mund të themi se do të kthehemi tek ai?
Atëherë, ç’kishte ndër mend shkrimtari i Biblës kur tha se pas vdekjes «fryma kthehet te Perëndia»? Duke përdorur fjalën hebreje të përkthyer «frymë», ai nuk po i referohej diçkaje unike që dallon një njeri nga një tjetër. Përkundrazi, në Eklisiastiun 3:19, i njëjti shkrimtar i frymëzuar i Biblës shpjegoi se njeriu dhe kafshët «të gjithë kanë po atë frymë». Është e dukshme se ai donte të thoshte se «frymë» është forca jetësore nëpër qelizat që përbëjnë trupat fizikë të njerëzve dhe të kafshëve. Ne nuk e marrim këtë frymë drejtpërsëdrejti nga Perëndia. Ajo kalon tek ne nëpërmjet prindërve tanë njerëzorë, kur jemi ngjizur dhe më vonë kur lindim. Për më tepër, fryma nuk udhëton në kuptimin e vërtetë të fjalës nëpër hapësirë, për t’u kthyer te Perëndia pas vdekjes. «Fryma kthehet te Perëndia» është një shprehje figurative, që do thotë se shpresa e një të vdekuri për një jetë të ardhshme, tani mbetet te Perëndia. I përket atij të vendosë cilin do të kujtojë dhe ringjallë. Vështro vetë se sa qartë e tregon Bibla këtë në Psalmin 104:29, 30.
Qëllimi i Perëndisë Jehova është që një numër i kufizuar nga ithtarët besnikë të Krishtit, gjithsej 144.000, të ringjallen në jetën qiellore si bij frymorë të Perëndisë. (Zbulesa 14:1, 3) Ata formojnë një qeveri qiellore me Krishtin, për bekimin e njerëzimit mbi tokë.
Të parët që e mësuan këtë ishin apostujt besnikë të Jezuit, të cilëve ai u tha: «Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.» (Gjoni 14:2, 3) Këta apostuj dhe të krishterë të tjerë të hershëm vdiqën dhe iu desh të pritnin të pavetëdijshëm në vdekje, derisa Jezui të vinte për t’i shpërblyer me një ringjallje qiellore. Për këtë arsye lexojmë që martiri i parë i krishterë, Stefani, «ra në gjumin e vdekjes».—Veprat 7:60, BR; 1. Selanikasve 4:13.
Ringjallje në jetën mbi tokë
Ç’mund të themi mbi premtimin që i bëri Jezui kriminelit që vdiq përkrah tij? Si shumë hebrenj në atë kohë, ai njeri besonte se Perëndia do të dërgonte një Mesi, i cili do të ngrinte një mbretëri dhe do të vendoste paqe dhe siguri për kombin hebre mbi tokë. (Krahaso 1. Mbretërve 4:20-25 me Lukën 19:11; 24:21 dhe Veprat 1:6.) Për më tepër, keqbërësi shprehu besim se Jezui ishte vetë Ai që Perëndia e kishte zgjedhur për t’u bërë Mbret. Megjithatë, në atë moment, vdekja e pashmangshme e Jezuit si i dënuar bëri që kjo të dukej e pamundur. Prandaj, Jezui e siguroi kriminelin, duke i paraprirë premtimit të tij me fjalët: «Me të vërtetë po të them sot: ti do të jesh me mua në parajsë.»—Luka 23:42, 43, BR.
Përkthimet biblike që i vendosin dy pikat përpara fjalës «sot», krijojnë një problem për njerëzit që dëshirojnë të kuptojnë fjalët e Jezuit. Jezui nuk shkoi në asnjë parajsë atë ditë. Përkundrazi, u dergj i pavetëdijshëm në vdekje për tri ditë, derisa Perëndia e ringjalli. Edhe pas ringjalljes dhe ngritjes së tij në qiell, Jezuit iu desh të priste në të djathtë të të Atit, derisa të vinte koha për të sunduar si Mbret mbi njerëzimin. (Hebrenjve 10:12, 13) Së shpejti, sundimi i Mbretërisë së Jezuit do të sjellë lehtësim për njerëzimin dhe do ta transformojë të gjithë tokën në një parajsë. (Luka 21:10, 11, 25-31) Pastaj, ai do të përmbushë premtimin që i bëri kriminelit, duke e ringjallur në jetën mbi tokë. Dhe Jezui do të jetë me atë njeri në kuptimin se Ai do ta ndihmojë me gjithçka që i nevojitet njeriut, duke përfshirë nevojën për ta vënë mënyrën e tij të jetesës në përputhshmëri me ligjet e drejta të Perëndisë.
Ringjallje për shumë veta
Ashtu si me kriminelin e penduar, ringjallja e shumë njerëzve do të ndodhë këtu mbi tokë. Kjo është në harmoni me qëllimin e Perëndisë në krijimin e njeriut. Burri dhe gruaja e parë u vendosën në një kopsht parajsor dhe atyre iu tha të nënshtronin tokën. Po t’i kishin qëndruar të bindur Perëndisë, ata kurrë s’do të plakeshin dhe vdisnin. Në kohën e caktuar prej Perëndisë, e gjithë toka do të nënshtrohej, do të bëhej një parajsë globale nga pasardhësit e përsosur të Adamit.—Zanafilla 1:28; 2:8, 9.
Megjithatë, pasi Adami dhe Eva mëkatuan vullnetarisht, sollën vdekjen mbi veten dhe mbi pasardhësit e tyre. (Zanafilla 2:16, 17; 3:17-19) Prandaj edhe Bibla pohon: «Me anë të një njeriu të vetëm [Adamit] mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan.»—Romakëve 5:12.
Ka pasur vetëm një njeri që ka qenë i lirë prej mëkatit të trashëguar. Ishte Biri i përsosur i Perëndisë, Jezu Krishti, jeta e të cilit u transferua nga qielli në mitrën e një virgjëreshe hebreje, Marijes. Për këtë, vdekja e tij pati vlerë shpërblyese për «mëkatin e botës». (Gjoni 1:29; Mateu 20:28) Ja, pra, përse Jezui mundi të thoshte: «Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.»—Gjoni 11:25.
Po, ti mund të gëzohesh me perspektivën për t’u bashkuar përsëri me të dashurit e tu të vdekur, por kjo kërkon që të ushtrosh besim në Jezuin, si Shpërblyesi yt dhe t’i bindesh atij si Mbretit të caktuar nga Perëndia. Së shpejti, Mbretëria e Perëndisë do të çrrënjosë të gjithë ligësinë nga kjo tokë. Të gjithë njerëzit që refuzojnë t’i nënshtrohen sundimit të tij do të shkatërrohen. Megjithatë, nënshtetasit e Mbretërisë së Perëndisë do të mbijetojnë dhe do të angazhohen në veprën e transformimit të tokës në një parajsë.—Psalmi 37:10, 11; Zbulesa 21:3-5.
Atëherë, do të mbërrijë koha emocionuese për të filluar ringjallja. A do të jesh aty për t’u dhënë mirëseardhjen të kthyerve nga vdekja? Gjithçka varet nga ajo që bën tani. Bekime të mrekullueshme i presin të gjithë ata që tani i nënshtrohen sundimit të Mbretërisë së Jehovait, nëpërmjet Birit të tij, Jezu Krishtit.