MATEU
[ka të ngjarë formë e shkurtuar e emrit hebraik Matitia që do të thotë «dhuratë nga Jehovai»].
Jude që njihej ndryshe si Levi, i cili u bë apostull i Jezu Krishtit e shkrimtar i Ungjillit që mban emrin e tij. Ishte i biri i një burri me emrin Alfe dhe, para se të bëhej dishepull i Jezuit, ishte taksambledhës. (Mt 10:3; Mr 2:14; shih TAKSAMBLEDHËS.) Në Shkrime nuk thuhet nëse Levi quhej Mate edhe para se të bëhej dishepull i Jezuit, e mori këtë emër kur u bë dishepull apo ia vuri Jezui kur u bë apostull.
Duket se Jezu Krishti e thirri Mateun në fillim të shërbimit në Galile (në vitin 30 ose në fillim të vitit 31 të e.s.), kur ai punonte në zyrën e taksave në Kapernaum ose jo larg prej tij. (Mt 9:1, 9; Mr 2:1, 13, 14) Mateu «la pas çdo gjë, u çua dhe e ndoqi» Jezuin. (Lu 5:27, 28) Mbase për të festuar këtë rast, Mateu «shtroi . . . një gosti të madhe» ku morën pjesë Jezui, dishepujt e tij, si dhe shumë taksambledhës e mëkatarë. Kjo i irritoi farisenjtë dhe skribët, të cilët zunë të murmuritnin duke e qortuar Krishtin se hante dhe pinte me taksambledhësit e mëkatarët.—Lu 5:29, 30; Mt 9:10, 11; Mr 2:15, 16.
Më vonë, pas Pashkës së vitit 31 të e.s., Jezui zgjodhi 12 apostujt dhe Mateu ishte njëri prej tyre. (Mr 3:13-19; Lu 6:12-16) Megjithëse në Bibël apostujt përmenden disa herë si grup, Mateu nuk përmendet me emër deri pas ngjitjes së Krishtit në qiell. Mateu e pa Jezu Krishtin të ringjallur (1Ko 15:3-6), mori udhëzimet e fundit prej tij dhe e pa të ngjitej në qiell. Pas kësaj, ai dhe apostujt e tjerë u kthyen në Jerusalem. Ata ishin mbledhur në një dhomë në katin e sipërm të një shtëpie dhe mes tyre përmendet edhe Mateu. Pra, ai mund të ketë qenë një nga rreth 120 dishepujt që morën frymën e shenjtë gjatë festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.—Ve 1:4-15; 2:1-4.