Të zhvillojmë frymën e më të voglit
«Ai që sillet si më i vogli mes jush, është i madh.»—LUKA 9:48.
1, 2. Ç’këshillë u dha Jezui apostujve dhe pse?
ISHTE viti 32 i e.s. Jezui ishte në krahinën e Galilesë kur lindën disa probleme. Apostujt e tij po debatonin me njëri-tjetrin se cili ishte më i madhi. Luka, shkrimtar i njërit prej ungjijve, thotë: «Ata nisën të arsyetonin me njëri-tjetrin se kush do të ishte më i madhi. Duke i njohur arsyetimet e zemrës së tyre, Jezui mori një fëmijë të vogël, e afroi pranë dhe u tha: ‘Kushdo që e pranon këtë fëmijë të vogël në emrin tim, më pranon edhe mua. Dhe kushdo që më pranon mua, pranon edhe atë që më dërgoi. Sepse ai që sillet si më i vogli mes jush, është i madh.’» (Luka 9:46-48) Me durim, por me vendosmëri, Jezui i ndihmoi apostujt të kuptonin se duhej të ishin të përulur.
2 A përkonte këshilla e Jezuit për t’u sjellë si më i vogli me qëndrimin e judenjve të shekullit të parë? Jo, aspak. Ja çfarë thuhet në një fjalor për shoqërinë e asaj kohe: «Për çdo gjë ngrihej vazhdimisht pyetja se kush ishte më i madhi dhe gjithnjë ekzistonte meraku a po i jepnin secilit nderin që i takonte.» (Theological Dictionary of the New Testament) Jezui po i këshillonte apostujt të ishin të ndryshëm nga njerëzit që i rrethonin.
3. (a) Çfarë do të thotë të sillesh si më i vogli dhe pse kjo mund të jetë e vështirë? (b) Cilat pyetje lindin për frymën e më të voglit që duhet të zhvillojmë?
3 Fjala greke që përkthehet «më i vogli» do të thotë të jesh modest, i përulur, i thjeshtë, i papeshë ose njeri që s’i japin rëndësi e s’ka autoritet. Jezui mori një fëmijë të vogël që t’ua bënte të qartë apostujve se duhej të ishin të përulur e modestë. Këshilla e tij vlen për të krishterët e vërtetë sot, po aq sa edhe në shekullin e parë. Mund të jetë e vështirë të sillemi si më i vogli, sidomos në disa rrethana. Papërsosmëria na shtyn të jemi krenarë e t’i japim rëndësi vetes. Shoqëria konkurruese në të cilën jetojmë dhe fryma e botës mund të na nxitin të jemi egoistë, agresivë ose manipulues. Çfarë mund të na ndihmojë të zhvillojmë frymën e më të voglit? Në ç’mënyrë ‘më i vogli mes nesh është i madh’? Në cilat fusha duhet të përpiqemi të shfaqim frymën e përulësisë?
«O THELLËSI E PASURISË, E MENÇURISË DHE E NJOHURISË SË PERËNDISË!»
4, 5. Çfarë mund të na nxitë të zhvillojmë përulësi? Ilustrojeni.
4 Një mënyrë se si të zhvillojmë përulësi është të mendojmë thellë çfarë jemi ne para madhështisë së Jehovait. Faktikisht, «kuptueshmëria e tij është e pahetueshme». (Isa. 40:28) Ja si i përshkroi apostulli Pavël disa aspekte të madhështisë së Jehovait: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë! Sa të pahetueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme janë udhët e tij!» (Rom. 11:33) Megjithëse njohuria e njeriut në mjaft fusha është rritur goxha që nga koha kur Pavli shkroi këto fjalë rreth 2.000 vjet më parë, ky pohim mbetet i vërtetë. Pavarësisht sa shumë dimë, dijenia se nuk kanë fund gjërat që mund të mësojmë për Jehovain, veprat dhe udhët e tij, duhet të na bëjë të përulur.
5 Leoa arriti ta shihte veten si më i vogli kur e kuptoi se është e pamundur që njerëzit të zbulojnë udhët e Perëndisë. Kur ishte i ri, ai ishte i magjepsur pas shkencës. Nga dëshira për ta njohur sa më mirë universin, iu fut studimit të astrofizikës dhe arriti në një përfundim të rëndësishëm. Ai thotë: «Falë studimeve, arrita të kuptoj se vetëm teoritë shkencore bashkëkohore nuk i japin mundësi njeriut të kuptojë plotësisht universin. Prandaj iu futa studimeve për drejtësi.» Pas ca kohësh, Leo u bë prokuror e më vonë gjykatës. Në fund, ai dhe e shoqja studiuan Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, pranuan të vërtetën dhe i kushtuan jetën Perëndisë. Çfarë e ndihmoi Leon të sillej si më i vogli, pavarësisht nga gjithë ai bagazh njohurish? Ai vetë përgjigjet pa asnjë fije ngurrimi: «Kuptova se, sado që të mësojmë për Jehovain dhe për universin, mbetet shumë më tepër për të zbuluar.»
6, 7. (a) Ç’shembull të mahnitshëm përulësie na ka dhënë Jehovai? (b) Si mund ta bëjë ‘të madh’ dikë përulësia e Perëndisë?
6 Një gjë tjetër që na ndihmon të jemi të përulur është shembulli që lë vetë Jehovai në lidhje me përulësinë. Mendo pak: «Ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë.» (1 Kor. 3:9) A e imagjinon dot: Jehovai, Perëndia me madhështi të pashoqe, na jep në këtë mënyrë dinjitet, duke na dhënë mundësi ta kryejmë shërbimin me anë të Fjalës së tij, Biblës. Megjithëse Jehovai i rrit farat që mbjellim e ujitim ne, ai na nderon duke na lejuar të bashkëpunojmë me të. (1 Kor. 3:6, 7) A nuk është ky një shembull i mahnitshëm përulësie nga ana e Perëndisë? Patjetër, përulësia e Jehovait duhet ta nxitë shumë secilin prej nesh që të sillet si më i vogli.
7 Përulësia e Perëndisë pati një ndikim të jashtëzakonshëm te psalmisti David. Ai i këndoi Jehovait: «Ti do të më japësh mburojën tënde të shpëtimit. Përulësia jote më bën të madh.» (2 Sam. 22:36) Davidi ishte i vetëdijshëm se arriti të bënte gjëra të mëdha në Izrael, vetëm falë përulësisë së Jehovait, i cili i kushtoi vëmendje dhe e ndihmoi. (Psal. 113:5-7) A nuk është njësoj edhe me ne? Cilat cilësi, aftësi e privilegje ka secili prej nesh që nuk i ‘ka marrë’ nga Jehovai? (1 Kor. 4:7) Ai që sillet si më i vogli është «i madh» në kuptimin që bëhet shërbëtor më i çmuar për Jehovain. (Luka 9:48) Le të shohim si është e mundur kjo.
«MË I VOGLI MES JUSH, ËSHTË I MADH»
8. Si ndikon përulësia te qëndrimi ynë ndaj organizatës së Jehovait?
8 Përulësia është një cilësi e domosdoshme për t’u ndier të kënaqur në organizatën teokratike të Perëndisë dhe për të mbështetur mënyrën si bëhen gjërat në kongregacion. Për shembull, një e re me emrin Petra u rrit në një familje Dëshmitarësh. Ajo donte të vepronte sipas kokës së vet, prandaj u largua nga kongregacioni. Vite më vonë, nisi të shoqërohej sërish me kongregacionin. Tani është e lumtur që bën pjesë në organizatën e Jehovait dhe e mbështet me zell mënyrën si bëhen gjërat në kongregacion. Pse ka tjetër qëndrim këtë herë? Ajo shkruan: «Që të ndihesha pjesë e organizatës së Perëndisë, duhej të kuptoja e të zhvilloja dy cilësi mjaft të rëndësishme: përulësinë dhe modestinë.»
9. Ç’qëndrim ka një i përulur për ushqimin frymor dhe pse kjo e bën më të çmuar?
9 Një i përulur ka mirënjohje nga zemra për sigurimet e Jehovait, duke përfshirë edhe ushqimin frymor. Prandaj, e studion me zell Biblën dhe i lexon me etje revistat Kulla e Rojës e Zgjohuni! Njësoj si shumë shërbëtorë të tjerë besnikë të Jehovait, ai mund ta bëjë zakon të lexojë çdo botim të ri para se ta vërë mënjanë në bibliotekën personale. Nëse me përulësi shfaqim mirënjohje duke lexuar e studiuar botimet tona të bazuara në Bibël, përparojmë frymësisht dhe Jehovai na përdor më plotësisht në shërbim të tij.—Hebr. 5:13, 14.
10. Si mund të shfaqim qëndrimin e më të voglit në kongregacion?
10 Ai që sillet si më i vogli është «i madh» edhe në një kuptim tjetër. Në çdo kongregacion ka burra të kualifikuar, të caktuar që të shërbejnë si pleq nën drejtimin e frymës së shenjtë të Jehovait. Ata marrin masa për çështje frymore, si mbledhjet e kongregacionit, shërbimi në fushë dhe vepra baritore. Kur shfaqim qëndrimin e më të voglit duke mbështetur me dëshirë këto masa, i kontribuojmë gëzimit, paqes dhe unitetit në kongregacion. (Lexo Hebrenjve 13:7, 17.) Nëse shërben si plak ose si shërbëtor ndihmës, a nuk i je përulësisht mirënjohës Jehovait që të ka besuar një privilegj të tillë shërbimi?
11, 12. Cili qëndrim na bën më të çmuar për organizatën e Jehovait dhe pse?
11 Ai që sillet si më i vogli është «i madh» ose më i çmuar për organizatën e Jehovait, sepse përulësia e bën një shërbëtor të mirë e të dobishëm për Të. Jezuit iu desh t’i këshillonte dishepujt e vet që të silleshin si më të vegjël, sepse te disa prej tyre kishte ndikuar fryma e krenarisë që mbizotëronte asokohe. «Ata nisën të arsyetonin me njëri-tjetrin se kush do të ishte më i madhi»,—thuhet te Luka 9:46. A mund të ndodhë që edhe ne të fillojmë të arsyetojmë se në ndonjë mënyrë jemi më të mirë se bashkëbesimtarët ose se të tjerët në përgjithësi? Shumica e njerëzve në botë janë krenarë e egoistë. Le të distancohemi nga krenarët duke u treguar të përulur. Kur veprojmë kështu dhe vëmë në vend të parë vullnetin e Jehovait, bëhemi shoqëri më freskuese për vëllezërit dhe motrat.
12 Kur kuptojmë siç duhet këshillën e Jezuit që të sillemi si më i vogli, motivohemi të tregojmë përulësi në të gjitha fushat e jetës. Le t’u kushtojmë vëmendje të veçantë tri fushave.
PËRPIQU TË JESH MË I VOGLI
13, 14. Si mund të sillet burri ose gruaja si më i vogli dhe si mund të ndikojë kjo në martesë?
13 Në martesë. Shumica e njerëzve sot shqetësohen shumë për të drejtat e tyre dhe i kërkojnë me ngulm, edhe nëse kjo do të cenonte të drejtat e të tjerëve. Megjithatë, ai që sillet si më i vogli shfaq qëndrimin që na nxit të kemi apostulli Pavël. Në Letrën drejtuar Romakëve, ai shkruan: «Le të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes dhe që ndërtojnë njëri-tjetrin.» (Rom. 14:19) Ai që sillet si më i vogli ndjek paqen me këdo, sidomos me njeriun më të shtrenjtë, bashkëshortin ose bashkëshorten.
14 Le të flasim për zbavitjen. Gruaja dhe burri mund të kenë preferenca të ndryshme për argëtimin. Mbase burrit i pëlqen që në kohën e lirë të rrijë rehat në shtëpi e të lexojë diçka. Kurse gruaja mund të parapëlqejë të dalë për të ngrënë jashtë ose të vizitojë miqtë. A nuk do ta kishte më të lehtë gruaja ta respektonte të shoqin, nëse sheh se ai shfaq përulësi dhe i mban parasysh sinqerisht dëshirat dhe mospëlqimet e saj, në vend që të mendojë vetëm për atë që pëlqen vetë? Gjithashtu, a nuk do ta dojë e do ta vlerësojë burri gruan, nëse sheh se ajo nuk mendon t’i dalë vetëm e vetja, por mban parasysh edhe dëshirat e tij? Lidhja martesore forcohet kur secili nga bashkëshortët sillet si më i vogli.—Lexo Filipianëve 2:1-4.
15, 16. Ç’qëndrim inkurajoi Davidi te Psalmi 131? Si duhet të ndikojë kjo te sjellja jonë në kongregacion?
15 Në kongregacion. Shumë njerëz në botë duan ta arrijnë në çast atë që dëshirojnë. S’kanë durim dhe, sipas tyre, pritja është torturë. Kur zhvillojmë frymën e më të voglit e kemi më të lehtë të presim Jehovain. (Lexo Psalmin 131:1-3.) Nëse jemi të përulur dhe presim Jehovain, do të marrim bekime, siç janë siguria, ngushëllimi dhe kënaqësia. Ja pse Davidi i inkurajoi izraelitët të pritnin me durim Perëndinë.
16 Mund të marrësh të njëjtën mbështetje si Davidi, nëse pret me përulësi Jehovain. (Psal. 42:5) Ndoshta dëshiron të punosh më shumë në kongregacion, prandaj po «synon detyrën e mbikëqyrësit». (1 Tim. 3:1-7) Sigurisht, duhet të bësh gjithë sa mundesh që, falë frymës së shenjtë, të zhvillosh cilësitë që i nevojiten një plaku. Po nëse të duhet të presësh pak më shumë se të tjerët? Ai që sillet si më i vogli e pret me durim një privilegj shërbimi dhe vazhdon t’i shërbejë Jehovait me gëzim e kënaqet me çfarëdo caktimi që i jepet.
17, 18. (a) Ç’dobi vijnë kur kërkojmë falje dhe jemi gati të falim të tjerët? (b) Ç’këshillë marrim nga Proverbat 6:1-5?
17 Në marrëdhëniet me të tjerët. Shumë njerëz e kanë të vështirë të kërkojnë falje. Megjithatë, shërbëtorët e Perëndisë zhvillojnë frymën e më të voglit duke i pranuar gabimet e duke kërkuar falje. Gjithashtu, janë gati t’i falin ata që kanë gabuar ndaj tyre. Krenaria nxit grindje e përçarje, kurse falja nxit paqen në kongregacion.
18 Mund të jetë e nevojshme ‘të përulemi’ duke kërkuar sinqerisht falje kur nuk arrijmë t’i përmbahemi një marrëveshjeje për shkak të rrethanave që s’i kemi në dorë. Edhe pse, sipas tij, një pjesë të fajit mund ta ketë pala tjetër, i krishteri i përulur mendon për fajin e vet dhe është gati ta pranojë.—Lexo Proverbat 6:1-5.
19. Pse duhet të jemi mirënjohës që Bibla na inkurajon të sillemi si më i vogli?
19 Bibla na nxit të sillemi si më i vogli dhe jemi shumë mirënjohës për këtë. Megjithëse ndonjëherë mund të jetë e vështirë ta shfaqim këtë frymë, pikëpamja e duhur për pozitën tonë në krahasim me Krijuesin dhe çmueshmëria për përulësinë e tij mund të na nxitin ta zhvillojmë këtë cilësi të mrekullueshme. Kështu do të jemi vërtet shërbëtorë më të çmuar në sytë e Jehovait. Prandaj, secili prej nesh le të përpiqet të sillet si më i vogli!
a Emrat janë ndryshuar.