KAPITULLI 76
Për drekë te një farise
JEZUI DËNON HIPOKRIZINË E FARISENJVE
Ndërsa është në Jude, Jezui pranon ftesën për drekë te një farise. (Luka 11:37, 38) Para se të hanë, farisenjtë ndjekin ritualin e larjes së duarve deri te bërrylat. Por Jezui nuk bën ashtu. (Mateu 15:1, 2) Ky ritual nuk shkel Ligjin e Perëndisë, e megjithatë Perëndia nuk e kërkon diçka të tillë.
Fariseu çuditet që Jezui nuk e ndjek këtë traditë. Jezui e kupton dhe thotë: «Ju farisenjtë pastroni nga jashtë kupën dhe pjatën, por brenda jeni plot lakmi dhe ligësi. Të paarsyeshëm! Ai që bëri anën e jashtme, a nuk bëri edhe anën e brendshme?»—Luka 11:39, 40.
Problemi nuk është te larja e duarve para vaktit, por te hipokrizia fetare. Farisenjtë dhe të tjerët që i lajnë ceremonialisht duart, nuk i kanë pastruar zemrat nga ligësia. Prandaj Jezui i këshillon: «Jepuni, pra, të varfërve si dhuratë gjërat që keni brenda në zemër, dhe pastaj do të jeni të pastër në çdo gjë.» (Luka 11:41) Sa e vërtetë! Dhënia duhet të burojë nga një zemër plot dashuri, dhe jo nga dëshira për t’u bërë përshtypje të tjerëve, duke u shtirur si të drejtë.
Kjo nuk do të thotë se ata s’japin, pasi Jezui pranon: «[Ju] jepni të dhjetën e mendrës, të ryzës dhe të çdo erëze tjetër, por shpërfillni drejtësinë e Perëndisë dhe dashurinë për Të! Është e vërtetë që këto gjëra duhej t’i bënit, por pa shpërfillur gjërat e tjera.» (Luka 11:42) Ligji kërkonte që çdokush të jepte të dhjetën e prodhimeve. (Ligji i përtërirë 14:22) Kjo përfshinte edhe mendrën dhe ryzën, erëza që përdoreshin për gatim. Farisenjtë ishin shumë të përpiktë kur jepnin të dhjetën e këtyre erëzave, por ç’të themi për kërkesat më të rëndësishme të Ligjit, si të qenët të drejtë dhe modestë para Perëndisë?—Mikea 6:8.
Më tej, Jezui thotë: «Mjerë ju, farisenj, sepse vdisni të zini vendet e para në sinagoga dhe t’ju përshëndetin nëpër sheshe pazari! Mjerë ju, sepse jeni si ato varret që mezi dallohen, mbi të cilat njerëzit ecin pa e kuptuar!» (Luka 11:43, 44) Po, njerëzit mund t’i shkelnin këto varre dhe të bëheshin të papastër ceremonialisht. Me anë të kësaj, Jezui tregon se farisenjtë janë të papastër, edhe pse në pamje të parë nuk duket.—Mateu 23:27.
Një njohës i mirë i Ligjit ankohet: «Mësues, me këto fjalë ti na fyen edhe ne.» Megjithatë, këta burra duhet të kuptojnë se nuk kanë arritur t’i ndihmojnë njerëzit. Ja pse Jezui ua kthen: «Mjerë edhe ju që e njihni mirë Ligjin, sepse u vini njerëzve ngarkesa të rënda për të mbajtur, por vetë nuk lëvizni as gishtin për t’i prekur! Mjerë ju, sepse ndërtoni varret e profetëve, kur faktikisht vetë paraardhësit tuaj i vranë!»—Luka 11:45-47.
Ngarkesat e rënda që përmend Jezui, janë traditat gojore dhe interpretimet që farisenjtë i bëjnë Ligjit. Ata po ia vështirësojnë jetën popullit dhe këmbëngulin se të gjithë duhet t’i ndjekin këto tradita, të cilat kthehen në ngarkesa të rënda. Paraardhësit e tyre vranë profetët e Perëndisë, duke filluar që nga Abeli. Farisenjtë bëjnë sikur i nderojnë profetët duke u ndërtuar varre, por në realitet po imitojnë qëndrimin dhe veprimet e paraardhësve të tyre. Madje po përpiqen të vrasin profetin kryesor të Perëndisë. Jezui thotë se Perëndia do t’i kërkojë llogari këtij brezi. Kjo ndodh rreth 38 vjet më vonë, në vitin 70 e.s.
Jezui vazhdon: «Mjerë ju që e njihni mirë Ligjin, sepse e keni hequr çelësin që hap derën e njohurisë! Mirë që vetë nuk keni hyrë, por pengoni edhe ata që duan të hyjnë!» (Luka 11:52) Edhe pse këta burra kanë përgjegjësinë t’u shpjegojnë njerëzve domethënien e Fjalës së Perëndisë, në të vërtetë po i pengojnë që ta njohin dhe ta kuptojnë.
Si reagojnë farisenjtë dhe skribët? Ndërsa Jezui del nga shtëpia, i kundërvihen të zemëruar dhe e sulmojnë me pyetje. Nuk e pyesin ngaqë duan të mësojnë, por duan ta zënë në grackë me fjalët e veta e kështu të gjejnë një shkak që të arrestohet.