Ç’duhet të bëjmë për të shpëtuar?
NJËHERË, një burrë e pyeti Jezuin: «Zot, a janë pak ata që do të shpëtohen?» Si u përgjigj Jezui? A tha vallë: ‘Vetëm më prano mua si Zotërinë dhe Shpëtimtarin tënd dhe do të shpëtohesh’? Jo! Jezui tha: «Përpiquni të hyni nëpër derën e ngushtë, sepse unë po ju them se shumë do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të munden.»—Luka 13:23, 24.
Mos vallë, Jezui nuk mundi t’i përgjigjej pyetjes së atij njeriu? Jo, ai burrë nuk pyeti se sa e vështirë do të ishte për të shpëtuar; ai pyeti nëse numri do të ishte i pakët. Pra, Jezui tregoi vetëm se edhe më pak njerëz nga sa mund të presë dikush do të përpiqen të ushtrojnë me forcë veten për të marrë këtë bekim të mrekullueshëm.
«Mua nuk më kanë thënë kështu»,—mund të kundërshtojnë disa lexues. Ata mund të citojnë Gjonin 3:16, që thotë: «Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.» Megjithatë, ne përgjigjemi: «Çfarë duhet të besojmë, pra? Se Jezui ka jetuar me të vërtetë? Natyrisht. Se ai është Biri i Perëndisë? Patjetër! Por meqë Bibla e quan Jezuin ‘Mësues’ dhe ‘Zotëri’, a nuk duhet të besojmë, gjithashtu, në ato që ai mësoi, t’i bindemi e ta ndjekim atë?»—Gjoni 13:13; Mateu 16:16.
Të ndjekim Jezuin
Ah, ja ku na dalin problemet! Shumë njerëz, të cilëve u është thënë se kanë «shpëtuar», duket se nuk kanë shumë ndër mend të ndjekin apo t’i binden Jezuit. Në fakt, një klerik protestant shkroi: «Natyrisht, besimi ynë në Krishtin duhet të vazhdojë. Por pohimi se ai duhet absolutisht të vazhdojë apo se do të vazhdojë patjetër, nuk gjen fare mbështetje në Bibël.»
Përkundrazi, Bibla rendit praktikat imorale që janë të zakonshme mes disa njerëzve që mendojnë se kanë «shpëtuar». Në lidhje me një person që vazhdon në mënyra të tilla, ajo i udhëzon të krishterët: «Nxirreni të ligun nga vetja juaj.» Sigurisht, Perëndia nuk dëshiron që njerëzit e ligj të ndotin kongregacionin e tij të krishterë!—1. Korintasve 5:11-13.
Ç’do të thotë, pra, të ndjekësh Jezuin dhe si mund ta bëjmë ne? E pra, çfarë bëri Jezui? Ishte imoral, kurvar, pijanec, gënjeshtar? A ishte i pandershëm në biznes? Sigurisht jo! «Por,—mund të pyesësh ti,—a duhet t’i flak gjithë këto gjëra nga jeta ime?» Për të pasur një përgjigje, shqyrto Efesianëve 4:17 deri 5:5. Aty nuk thuhet se Perëndia do të na pranojë, pavarësisht nga ç’bëjmë ne. Përkundrazi, na thotë të jemi të ndryshëm nga kombet e botës, të cilat kanë «kaluar çdo sens moral, . . . por ju nuk keni mësuar që Krishti ishte i tillë . . . Hiqni personalitetin e vjetër, i cili është në përputhje me mënyrën tuaj të mëparshme të sjelljes . . . Vjedhësi të mos vjedhë më . . . Kurvëria dhe papastërtia e çdo lloji apo lakmia as të mos përmenden mes jush, siç u ka hije njerëzve të shenjtë . . . Sepse dijeni këtë, duke e njohur nga vetja juaj, se asnjë kurvar apo njeri i papastër apo njeri lakmitar, që do të thotë të jesh idhujtar, nuk ka asnjë trashëgimi në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë».—BR.
A po e ndjekim Krishtin, nëse të paktën nuk përpiqemi të jetojmë në harmoni me shembullin e tij? A nuk duhet të punojmë për ta bërë jetën tonë sa më të ngjashme me të Krishtit? Kjo pyetje e rëndësishme merret rrallëherë në shqyrtim, për të mos thënë asnjëherë, nga ata njerëz që ashtu siç bënte një fletushkë fetare, thonë: «Ejani te Krishti tani, ashtu siç jeni.»
Një nga dishepujt e Jezuit paralajmëroi se njerëzit e paperëndishëm e kishin «kthyer dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë tonë në një justifikim për sjellje të shthurur, duke dalë të rremë para Pronarit dhe Zotërisë tonë të vetëm, Jezu Krishtit». (Judës 4) Si mund ta kthejmë, në fakt, mëshirën e Perëndisë «në një justifikim për sjellje të shthurur»? Mund ta bëjmë këtë, duke pohuar se sakrifica e Krishtit mbulon mëkatet e vullnetshme që vazhdojmë të kryejmë, në vend të mëkateve të papërsosmërisë njerëzore, të cilat po përpiqemi t’i hedhim prapa. Sigurisht, ne nuk jemi dakort me një nga evangjelistët më të njohur në Amerikë, i cili tha se nuk duhet «të pastrohesh, të braktisësh apo të ndryshosh».—Krahaso Veprat 17:30; Romakëve 3:25; Jakovit 5:19, 20.
Besimi nxit vepra
Shumë njerëzve u është thënë se «besimi në Jezuin» është një vepër e vetme dhe se besimi ynë nuk duhet të jetë aq i fortë, sa të nxisë bindjen. Por Bibla nuk është dakort. Jezui nuk tha se njerëzit që fillojnë rrugën e krishterë kanë shpëtuar. Përkundrazi, ai tha: «Ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë.» (Mateu 10:22) Bibla e krahason rrugën tonë të krishterë me një garë dhe shpëtimi është çmimi që marrin në fund të saj. Ajo nxit: «Vraponi në mënyrë që ta merrni»—1. Korintasve 9:24.
Prandaj, «të pranosh Jezuin» përfshin shumë më tepër se vetëm të pranosh bekimet që ofron sakrifica e shkëlqyer e Jezuit. Kërkohet bindje. Apostulli Pjetër thotë se gjykimi nis «nga shtëpia e Perëndisë» dhe shton: «Nëse fillon më përpara nga ne, cili do të jetë fundi i atyre që nuk i binden ungjillit të Perëndisë?» (1. Pjetrit 4:17) Kështu që duhet të bëjmë më shumë se vetëm të dëgjojmë e të besojmë. Bibla thotë se duhet të bëhemi «bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues që gënjejnë vetveten».—Jakovit 1:22.
Mesazhet e Jezuit
Libri biblik i Zbulesës përmban mesazhe nga Jezui, të cilat nëpërmjet Gjonit ua transmetoi shtatë kongregacioneve të hershme të krishtere. (Zbulesa 1:1, 4) A tha Jezui se meqë njerëzit në këto kongregacione e kishin «pranuar» tashmë atë, kjo ishte e mjaftueshme? Jo. Ai i lavdëroi veprat e tyre, punën e tyre, durimin e tyre dhe foli për dashurinë, besimin dhe shërbimin e tyre. Por ai tha se Djalli do t’i vinte në sprova dhe se ata do të shpërbleheshin individualisht «sipas veprave të veta».—Zbulesa 2:2, 10, 19, 23.
Kështu, Jezui përshkroi një angazhim shumë më të madh, nga sa kanë kuptuar shumica e njerëzve, kur u është thënë se shpëtimi i tyre ishte një «punë e mbaruar» sapo «të pranonin» atë në ndonjë mbledhje fetare. Jezui tha: «Në qoftë se dikush do të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet [shtyllën e vet të mundimeve, BR] dhe të më ndjekë. Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë.»—Mateu 16:24, 25.
Të mohojmë vetveten? Të ndjekim Jezuin vazhdimisht? Kjo do të kërkojë përpjekje. Do të ndryshojë jetën tonë. Por, a tha vërtet Jezui se disa prej nesh ndoshta mund të duhet madje ‘të humbim jetën tonë’, të vdesim për të? Po, ky lloj besimi vjen vetëm me njohjen e gjërave të mrekullueshme që mund të mësosh nga studimi i Fjalës së Perëndisë. Kjo u bë e dukshme ditën në të cilën Stefani u vra me gurë nga fanatikët fetarë, të cilët nuk mundën «t’i bënin ballë urtësisë dhe frymës me anë të së cilës ai fliste». (Veprat 6:8-12; 7:57-60) Një besim i tillë është treguar në kohën tonë nga qindra Dëshmitarë të Jehovait, të cilët vdiqën në kampet naziste të përqendrimit, në vend se të dhunonin ndërgjegjen e tyre të stërvitur nga Bibla.a
Zell i krishterë
Ne duhet të qëndrojmë ngushtë pas besimit tonë të krishterë, sepse, pavarësisht nga ç’mund të kesh dëgjuar në disa kisha apo programe fetare televizive, Bibla thotë se mund të dështojmë. Ajo tregon për të krishterë që e braktisën «udhën e drejtë». (2. Pjetrit 2:1, 15) Prandaj, duhet të vazhdojmë ‘të punojmë për shpëtimin tonë me frikë e me dridhje’.—Filipianëve 2:12; 2. Pjetrit 2:20.
A e kishin kuptuar kështu këtë çështje të krishterët e shekullit të parë, pra, ata njerëz që në fakt kishin dëgjuar Jezuin dhe apostujt e tij? Po. Ata e dinin se duhej të bënin diçka. Jezui tha: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt, . . . duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar.»—Mateu 28:19, 20.
Disa javë pasi Jezui tha këto fjalë, 3.000 veta u pagëzuan vetëm brenda një dite. Numri i besimtarëve u rrit shpejt në 5.000. Ata që besonin, u mësonin të tjerëve. Kur persekutimi i shpërndau, s’bëri gjë tjetër veçse shërbeu për të përhapur mesazhin e tyre. Bibla thotë se jo vetëm disa krerë, por «ata që ishin shpërndarë shkonin rreth e përqark, duke shpallur fjalën». Prandaj, gati 30 vjet më vonë, apostulli Pavël mundi të shkruante se lajmi i mirë ishte predikuar për «çdo krijesë që është nën qiell».—Veprat 2:41; 4:4; 8:4; Kolosianëve 1:23.
Pavli nuk ua ktheu fenë njerëzve, siç bëjnë disa evangjelistë në TV, duke thënë: «Pranoni Jezuin qysh tani dhe do të shpëtoni përgjithmonë.» Ai nuk kishte vetëbesimin e një kleriku amerikan, i cili shkroi: «Që kur isha një adolesht, . . . kisha shpëtuar tashmë.» Më se 20 vjet pasi Jezui e zgjodhi personalisht Pavlin për t’u çuar mesazhin e krishterë njerëzve të kombeve, ky apostull punëshumë shkroi: «E mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem për t’u përjashtuar.»—1. Korintasve 9:27; Veprat 9:5, 6, 15.
Shpëtimi është një dhuratë e lirë që na bën Perëndia. Ai nuk mund të merret si shpërblim. Megjithatë, kërkon përpjekje nga ana jonë. Nëse dikush të ofron një dhuratë me të vërtetë të çmuar e ti nuk tregon mjaft çmueshmëri për ta pranuar e për ta marrë me vete, ndoshta mungesa e mirënjohjes nga ana jote mund ta shtyjë dhuruesin që t’ia japë atë dikujt tjetër. E pra, sa i çmuar është gjaku i Jezu Krishtit? Ai është një dhuratë e lirë, por ne duhet të tregojmë çmueshmëri të thellë për të.
Të krishterët e vërtetë janë në gjendje të shpëtuar, në kuptimin që janë në një gjendje të miratuar para Perëndisë. Si një grup, shpëtimi i tyre është i sigurt. Individualisht, ata mund t’i plotësojnë kërkesat e Perëndisë. Megjithatë, mund të dështojmë, pasi Jezui tha: «Në qoftë se ndokush nuk qëndron në mua, hidhet jashtë si shermendi dhe thahet.»—Gjoni 15:6.
«Fjala e Perëndisë është e gjallë»
Biseda e përmendur në fillim të artikullit paraprak ndodhi rreth 60 vjet më parë. Xhoni ende beson se shpëtimi vjen vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit, por ai e di se ne duhet ta arrijmë atë. Ai ka mbetur i bindur se Bibla tregon burimin e vetëm të vërtetë të shpresës për njerëzimin dhe se ne duhet ta studiojmë këtë libër të mrekullueshëm, të jemi të nxitur prej tij e të na shtyjë në vepra dashurie, besimi, mirësie, bindjeje dhe durimi. Ai i ka rritur fëmijët e tij me besimin në të njëjtat gjëra e tani është i kënaqur tek sheh që edhe ata nga ana e tyre po i rrisin fëmijët po njësoj. Ai dëshiron që të gjithë të kenë këtë lloj besimi dhe bën ç’të jetë e mundur për ta ngulitur atë në zemrat e në mendjet e të tjerëve.
Apostulli Pavël u frymëzua të shkruante se «fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese». (Hebrenjve 4:12) Ajo mund të ndryshojë jetën. Ajo mund të të nxisë të kryesh vepra të sinqerta dashurie, besimi dhe bindjeje. Por ti duhet të bësh më shumë, se vetëm «të pranosh» në aspektin mendor atë që thotë Bibla. Studioje Biblën dhe lëre zemrën të motivohet prej saj. Le të të udhëheqë mençuria e saj. Më se 5.000.000 Dëshmitarë të zellshëm të Jehovait, në më shumë se 230 vende ofrojnë studime biblike në shtëpi pa pagesë. Për të parë se ç’mund të mësosh nga një studim i tillë, shkruaju botuesve të kësaj reviste. Besimi dhe forca frymore që do të fitosh, ka për të të kënaqur!
[Shënimi]
a Në një libër të saj, dr. Kristin E. King raportoi: «Një në çdo dy Dëshmitarë [të Jehovait] gjermanë u burgos, një në katër humbi jetën.»—The Nazi State and the New Religions: Five Case Studies in Non-Conformity.
[Kutia në faqen 7]
Përse «të luftojmë për besimin»?
Libri biblik i Judës u drejtohej «të thirrurve . . . të ruajtur në Jezu Krishtin». A thuhet aty, se meqë kishin ‘pranuar Jezuin’ shpëtimi i tyre ishte i sigurt? Jo, Juda u tha atyre të krishterëve: «Të luftoni për besimin.» Ai u dha atyre tri arsye për të bërë kështu. Së pari, Perëndia «e shpëtoi popullin nga vendi i Egjiptit», por më vonë shumë prej tyre dështuan. Së dyti, edhe engjëjt u rebeluan dhe u bënë demonë. Së treti, Perëndia e shkatërroi Sodomën dhe Gomorrën, për shkak të imoralitetit të madh seksual që praktikohej në ato qytete. Juda i paraqet këto tregime biblike «si shembull» paralajmërues. Po, edhe besimtarë «të ruajtur në Jezu Krishtin» duhet të bëjnë kujdes për të mos rënë nga besimi i vërtetë.—Judës 1-7.
[Kutia në faqen 8]
Cila është e drejtë?
Bibla thotë: «Njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit.» Ajo thotë edhe: «Njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi.» Cila është e drejtë? A shpallemi të drejtë nga besimi apo nga veprat?—Romakëve 3:28; Jakovit 2:24.
Përgjigjja e harmonishme e Biblës është se të dyja janë të sakta.
Për shekuj, Ligji që Perëndia dha nëpërmjet Moisiut kishte kërkuar që adhuruesit hebrenj të bënin sakrifica specifike dhe ofrime, të mbanin ditët e festave, të ishin në rregull me dietat ushqimore e me kërkesa të tjera. Këto «vepra të ligjit» apo thjesht «vepra», nuk janë më të nevojshme, pasi Jezui siguroi sakrificën më të përsosur.—Romakëve 10:4.
Por fakti që këto vepra që kryheshin nën Ligjin Moisiut u zëvendësuan nga sakrifica më e madhe e Jezuit, nuk do të thotë se mund të shpërfillim udhëzimet e Biblës. Ajo thotë: «Aq më shumë gjaku i Krishtit . . . do ta pastrojë ndërgjegjen tuaj nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë!»—Hebrenjve 9:14, BR.
Si i «shërbejmë Perëndisë së gjallë»? Ndërmjet të tjerave, Bibla na thotë të luftojmë veprat e mishit, t’i rezistojmë imoralitetit të botës e të shmangim grackat e saj. Ajo na thotë ‘të luftojmë luftën e drejtë të besimit’, të heqim ‘mëkatin që na qarkon vazhdimisht’ dhe ‘të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit’. Gjithashtu, Bibla na nxit ‘të mos lodhemi dhe të ligështohemi në shpirtrat tanë’.—1. Timoteut 6:12; Hebrenjve 12:1-3; Galatasve 5:19-21.
Ne nuk e marrim si shpërblim shpëtimin, duke bërë gjëra të tilla, pasi asnjë njeri nuk mund të bëjë kurrë aq sa për të merituar një bekim të tillë të madh. Ne nuk e meritojmë këtë dhuratë të mrekullueshme, pra, nëse nuk tregojmë dashurinë dhe bindjen tonë, duke bërë gjërat që Bibla thotë se Perëndia dhe Krishti duan që t’i bëjmë. Pa vepra që tregojnë besimin tonë, pohimi ynë se ndjekim Jezuin do të bjerë shpejt, pasi Bibla pohon qartë: «Besimi në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete.»—Jakovit 2:17.
[Figura në faqen 7]
Studioje Biblën dhe lëre veten të motivohet prej saj