«Jehovai, një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh»
«Jehovai, Jehovai, një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi të dashur e në të vërtetë.»—DALJA 34:6, BR.
1. (a) Çfarë ngushëllimi jep Bibla për ata që kanë parë njerëzit e tyre të dashur të devijojnë nga adhurimi i pastër? (b) Si i konsideron Jehovai ata që gabojnë?
«VAJZA ime më tha se nuk donte të ishte më pjesë e kongregacionit të krishterë,—thotë një baba i krishterë.—Për ditë, javë e madje muaj pas kësaj, në trup ndieja një dhimbje therrëse. Ishte më keq se vdekja.» Patjetër që është angështuese të shohësh një njeriun tënd të dashur të devijojë nga shtegu i adhurimit të pastër. Ndoshta ke pasur një përvojë të tillë? Nëse po, do të jesh i ngushëlluar të dish se Jehovai ka empati për ty. (Dalja [Eksodi] 3:7; Isaia 63:9) Por si i konsideron ai këta persona që gabojnë? Bibla tregon se me mëshirë Jehovai i fton ata që të rivendosen në favorin e tij. Ai iu lut judenjve rebelë të ditëve të Malakisë: «Kthehuni tek unë dhe unë do të kthehem te ju.»—Malakia 3:7.
2. Si e tregon Bibla se mëshira është një pjesë e pandashme e personalitetit të Jehovait?
2 Mëshira e Perëndisë iu theksua Moisiut në malin Sinai. Atje, Jehovai e zbuloi veten si «një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi të dashur e në të vërtetë». (Dalja 34:6, BR) Kjo deklaratë nxjerr në pah se mëshira është një pjesë e pandashme e personalitetit të Jehovait. Ai «dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin»,—shkroi apostulli i krishterë Pjetër. (2. Pjetrit 3:9, BR) Sigurisht, mëshira e Perëndisë nuk është pa kufi. «Në asnjë mënyrë ai nuk do të përjashtojë nga ndëshkimi»,—iu tha Moisiut. (Dalja 34:7, BR; 2. Pjetrit 2:9) Megjithatë, «Perëndia është dashuri» dhe mëshira është një aspekt i rëndësishëm i kësaj cilësie. (1. Gjonit 4:8; Jakovit 3:17) Jehovai nuk do ta ‘mbajë përgjithmonë zemërimin e tij’ dhe ai «kënaqet në dashamirësinë e dashur».—Mikea 7:18, 19, BR.
3. Si binte në kontrast pikëpamja e Jezuit mbi mëshirën me atë të skribëve dhe farisenjve?
3 Jezui ishte një pasqyrim i përkryer i Atit të tij qiellor. (Gjoni 5:19) Mënyra e mëshirshme me të cilën ai trajtonte keqbërësit nuk ishte një kalim pa vënë re i mëkateve të tyre, por një shprehje e të njëjtave ndjenja të dhimbsura që ai shfaqi ndaj atyre të sëmurë fizikisht. (Krahaso Markun 1:40, 41.) Po, Jezui e vendosi mëshirën ndër «gjërat më të rëndësishme» të ligjit të Perëndisë. (Mateu 23:23) Në kontrast, merr në shqyrtim skribët dhe farisenjtë, konceptet dogmatike të drejtësisë së të cilëve zakonisht e eliminonin fare mëshirën. Kur ata panë që Jezui merrej me mëkatarët, u ankuan: «Ky njeri i mirëpret mëkatarët dhe ha me ta.» (Luka 15:1, 2, BR) Jezui iu përgjigj akuzuesve të tij me tri ilustrime, ku në secilin prej tyre zbulohet mëshira e Perëndisë.
4. Cilat dy ilustrime tregoi Jezui dhe cili ishte thelbi i secilit ilustrim?
4 Së pari, Jezui foli për një burrë që la 99 dele për të kërkuar një që kishte humbur. Thelbi i tregimit? «Në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen.» Pastaj, Jezui tregoi për një grua, e cila kërkoi një monedhë dhrahmie që i kishte humbur dhe u gëzua kur e gjeti. Zbatimi? «Do të ketë gëzim mes engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet.» Ilustrimin e tretë Jezui e tregoi në formë shëmbëlltyre.a Nga shumë veta kjo shëmbëlltyrë konsiderohet si tregimi i shkurtër më i arrirë që është treguar ndonjëherë. Një shqyrtim i kësaj shëmbëlltyre do të na ndihmojë ta vlerësojmë e ta imitojmë mëshirën e Perëndisë.—Luka 15:3-10.
Një bir rebel largohet nga shtëpia
5, 6. Si e shfaqi mungesën tronditëse të çmueshmërisë biri më i ri në ilustrimin e tretë të Jezuit?
5 «Një njeri kishte dy bij. Më i riu prej tyre i tha të atit: ‘Atë, më jep pjesën e pronës që më takon mua.’ Atëherë ai ua ndau mjetet e tij të jetesës atyre. Më vonë, pas jo shumë ditësh, biri më i ri i mblodhi të gjitha gjërat së bashku dhe udhëtoi jashtë, në një vend të largët e atje e shpërdoroi pronën e tij, duke bërë një jetë të shthurur.»—Luka 15:11-13, BR.b
6 Këtu biri më i ri shfaqi një mungesë tronditëse çmueshmërie. Së pari, ai kërkoi trashëgiminë e tij dhe pastaj e shpërdoroi, «duke bërë një jetë të shthurur». Shprehja «jetë e shthurur» është përkthyer nga një fjalë greke që do të thotë «jetesë e shfrenuar». Një studiues thotë se kjo fjalë «shpreh braktisjen e plotë të karakterit». Për arsye të vlefshme, i riu në shëmbëlltyrën e Jezuit shpesh quhet plëngprishës, një fjalë që përshkruan një person, i cili është një dorëshpuar i pamatur dhe harxhues.
7. Kush i ngjan sot plëngprishësit dhe përse kaq shumë individë kërkojnë pavarësi në «një vend të largët»?
7 A ka njerëz sot që i ngjajnë plëngprishësit? Po. Është për të ardhur keq, por një numër relativisht i vogël njerëzish e ka lënë «shtëpinë» e sigurt të Atit tonë qiellor, Jehovait. (1. Timoteut 3:15) Disa prej tyre mendojnë se ambienti i shtëpisë së Perëndisë është tepër kufizues, se syri vigjilent i Jehovait është më shumë një pengesë sesa një mbrojtje. (Krahaso Psalmin 32:8.) Merr rastin e një gruaje të krishterë që u rrit sipas parimeve biblike, por më vonë u përfshi në abuzimin e alkoolit dhe të drogës. Duke rikujtuar atë periudhë të errët të jetës së saj, ajo thotë: «Doja të provoja se mund të bëja vetë një jetë më të mirë. Doja të bëja atë që më pëlqente të bëja dhe nuk dëshiroja që dikush të më thoshte ndryshe.» Ashtu si plëngprishësi, kjo grua kërkoi pavarësi. Tragjikisht, për praktikat e saj jobiblike ajo u përjashtua nga kongregacioni i krishterë.—1. Korintasve 5:11-13.
8. (a) Çfarë ndihme mund t’u ofrohet atyre që dëshirojnë të jetojnë në kundërshtim me standardet e Perëndisë? (b) Pse një person duhet t’i japë konsideratë serioze zgjedhjes në çështjen e adhurimit?
8 Të copëtohet zemra kur një bashkëbesimtar shfaq dëshirën për të jetuar në kundërshtim me standardet e Perëndisë. (Filipianëve 3:18) Kur kjo gjë ndodh, pleqtë dhe persona të tjerë me kualifikime frymore përpiqen ta ndreqin atë që ka gabuar. (Galatasve 6:1) Gjithsesi, asnjë nuk mund të detyrohet për të pranuar zgjedhën e dishepullit të krishterë. (Mateu 11:28-30; 16:24) Madje edhe të rinjtë, kur arrijnë në moshën madhore, duhet të bëjnë një zgjedhje personale në çështjen e adhurimit. Në fund të fundit, secili prej nesh është një person i lirë që do t’i japë llogari Perëndisë për veten e vet. (Romakëve 14:12) Sigurisht, ne do të ‘korrim atë që kemi mbjellë’, një mësim që plëngprishësi në shëmbëlltyrën e Jezuit do ta mësonte së shpejti.—Galatasve 6:7, 8.
Dëshpërim në një vend të largët
9, 10. (a) Çfarë ndryshimi rrethanash pati plëngprishësi dhe si reagoi ndaj këtij ndryshimi? (b) Ilustro se si disa veta sot, të cilët braktisin adhurimin e vërtetë, përjetojnë një gjendje të ngjashme me atë të plëngprishësit.
9 «Kur kishte harxhuar gjithçka, një zi e rëndë buke ra në të gjithë vendin dhe ai filloi të jetë në hall. Ai madje shkoi dhe u lidh me një prej qytetarëve të atij vendi dhe ai e dërgoi në fushat e tij të ruante derrat. Dhe ai dëshironte të mbushej me çiçibanozët që hanin derrat e askush nuk i jepte ndonjë gjë.»—Luka 15:14-16, BR.
10 Edhe pse ishte në varfëri të plotë, plëngprishësi ende nuk e kishte çuar nëpër mend të kthehej në shtëpi. Në vend të kësaj, ai takoi një qytetar që i dha një punë për të ruajtur derrat. Meqë Ligji i Moisiut përcaktonte se derrat ishin kafshë të papastra, një punësim i tillë ka të ngjarë të ishte i papranueshëm për një hebre. (Levitiku 11:7, 8) Por edhe sikur plëngprishësi të kishte ndier ndonjë brejtje të ndërgjegjes, atij iu desh ta shtypte atë. Në fund të fundit, ai nuk mund të priste që punëdhënësi i tij, një qytetar i vendit, të interesohej për ndjenjat e një të huaji të varfëruar. Gjendja e vështirë e plëngprishësit është e ngjashme me përvojën e shumë vetave sot që braktisin shtegun e drejtë të adhurimit të pastër. Shpesh, këta njerëz përfshihen në aktivitete që më parë do t’i kishin konsideruar degraduese. Për shembull, në moshën 17-vjeçare një i ri u rebelua ndaj rritjes së tij si një i krishterë. «Imoraliteti dhe abuzimi me drogën i fshinë vitet e mësimeve të bazuara në Bibël»,—pranon ai. Shpejt, ky i ri u gjend në burg për grabitje të armatosur dhe vrasje. Edhe pse më vonë ai pati një rimëkëmbje frymore, sa çmim të rëndë iu desh të paguante për «gëzimin e përkohshëm të mëkatit»!—Krahaso Hebrenjve 11:24-26, BR.
11. Si u keqësua dilema e plëngprishësit dhe si e kanë parë sot disa veta se tërheqjet e botës janë «mashtrime të kota»?
11 Dilema e plëngprishësit u keqësua nga fakti se «askush nuk i jepte ndonjë gjë». Ku ishin miqtë e tij që sapo i kishte gjetur? Tani që ishte pa asnjë dyshkë, ai ishte si «një objekt urrejtjeje» për ta. (Proverbat [Fjalët e urta] 14:20, BR) Në mënyrë të ngjashme, shumë veta sot, të cilët devijojnë nga besimi, zbulojnë se tërheqjet dhe pikëpamjet e kësaj bote janë «mashtrime të kota». (Kolosianëve 2:8) «Pata shumë dhimbje dhe pikëllim pa drejtimin e Jehovait,—shpjegon një e re që për një farë kohe u largua nga organizata e Perëndisë.—U përpoqa të përshtatesha me botën, por duke qenë se në të vërtetë nuk isha si të tjerët, ata më hodhën poshtë. U ndieva si një fëmijë i humbur, i cili kishte nevojë për të atin që ta drejtonte. Atëherë e kuptova se kisha nevojë për Jehovain. Nuk kam dëshiruar më kurrë të jetoja prapë e pavarur prej tij.» Plëngprishësi në ilustrimin e Jezuit arriti në një përfundim të ngjashëm.
Plëngprishësi vjen në vete
12, 13. Cilët faktorë i kanë ndihmuar disa veta sot për të ardhur në vete? (Shiko kutinë.)
12 «Kur erdhi në vete, ai tha: “Sa mëditës të atit tim kanë bukë me bollëk, kurse unë po vdes këtu nga uria! Do të ngrihem dhe do të udhëtoj deri tek ati im e t’i them: ‘Atë, kam mëkatuar kundër qiellit dhe kundër teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më bëj si një nga mëditësit e tu.’” Kështu, ai u ngrit dhe shkoi tek i ati.»—Luka 15:17-20, BR.
13 Plëngprishësi «erdhi në vete». Për njëfarë kohe, ai ishte zhytur në kërkimin e kënaqësive, si të jetonte në një botë ëndrrash. Por tani ai u bë i vetëdijshëm për gjendjen e tij të vërtetë frymore. Po, edhe pse kishte rënë, për këtë të ri kishte ende shpresë. Diçka e mirë mund të gjendej në të. (Proverbat 24:16; krahaso 2. Kronikave 19:2, 3.) Po për ata që largohen nga kopeja e Perëndisë sot? A do të ishte e arsyeshme të nxirrnim përfundimin se për të gjithë ata s’ka shpresë dhe se në çdo rast jeta e tyre rebele provon që kanë mëkatuar kundër frymës së shenjtë të Perëndisë? (Mateu 12:31, 32) Jo medoemos. Një numër prej tyre i torturon drejtimi rebel që kanë marrë dhe me kalimin e kohës shumë prej këtyre vijnë në vete. «Kurrë, as edhe për një ditë, nuk e harrova Jehovain,—thotë një motër, duke reflektuar mbi kohën që kaloi larg organizatës së Perëndisë.—Gjithnjë lutesha që në ndonjë mënyrë, ndonjë ditë, ai të mund të më pranonte përsëri në të vërtetën.»—Psalmi 119:176.
14. Çfarë vendimi mori plëngprishësi dhe si tregoi ai përulësi duke vepruar kështu?
14 Por, çfarë mund të bëjnë për situatën e tyre ata që kanë devijuar? Në shëmbëlltyrën e Jezuit, plëngprishësi vendosi të udhëtonte për në shtëpi dhe të lypte faljen e të atit. «Më bëj si një nga mëditësit e tu»,—vendosi të thoshte plëngprishësi. Një mëditës ishte një punëtor me bazë ditore, i cili mund të pushohej nga puna me njoftim brenda ditës. Kjo gjë ishte edhe më e ulët se një skllav që, në njëfarë kuptimi, ishte si një pjesëtar i familjes. Kështu, plëngprishësi nuk kishte ndër mend të kërkonte që të rivendosej në gjendjen e tij të mëparshme si bir. Ai do të ishte i gatshëm të pranonte pozitën më të ulët me qëllim që t’i provonte të atit besnikërinë e tij ditë për ditë. Megjithatë, plëngprishësin e priste një surprizë.
Një pritje që të ngroh zemrën
15-17. (a) Si reagoi ati kur pa birin e tij? (b) Çfarë nënkuptohet me veshjen, unazën dhe sandalet që ati i dha të birit? (c) Çfarë tregohet me organizimin e një gostie nga ana e të atit?
15 «Kur ai ishte ende larg, i ati e pikasi, u prek me mëshirë dhe vrapoi, iu hodh në qafë dhe e puthi me butësi. Pastaj biri i tha: ‘Atë, unë kam mëkatuar kundër qiellit dhe kundër teje. Nuk jam më i denjë që të quhem biri yt. Më bëj si një nga mëditësit e tu.’ Por i ati u tha skllevërve të tij: ‘Shpejt! Sillni një veshje, më të mirën dhe visheni me të, vërini një unazë në dorë dhe sandale në këmbë. Dhe sillni demin e ri të majmur, thereni dhe le të hamë e të gëzohemi, sepse ky bir i imi ishte i vdekur dhe erdhi në jetë përsëri, ai ishte i humbur dhe u gjet.’ Dhe ata filluan të gëzoheshin.»—Luka 15:20-24, BR.
16 Çdo prind i dashur do ta dëshironte me zjarr rimëkëmbjen frymore të një fëmije. Kështu, vetëm mund ta imagjinojmë të atin e plëngprishësit kur ia ngulte sytë çdo ditë shtegut përballë shtëpisë së tij, duke shpresuar me ankth që biri i tij të kthehej. Tani ai e pikas birin e tij duke ardhur nëpër atë shteg! Pamja e jashtme e djalit pa dyshim ka ndryshuar. Megjithatë, i ati e njeh kur ai është «ende larg». I ati sheh përtej veshjeve të rreckosura dhe frymës së brengosur, ai sheh birin e tij dhe vrapon për ta takuar!
17 Kur i ati arriti te biri, ai iu hodh në qafë dhe e puthi me butësi. Pastaj i urdhëroi skllevërit e tij t’i jepnin të birit një veshje, një unazë dhe sandale. Kjo veshje nuk ishte thjesht një lloj i zakontë veshjeje, por «më e mira», ndoshta një veshje e zbukuruar shumë, e një lloji që i paraqitej një mysafiri të nderuar. Meqë unaza dhe sandalet zakonisht nuk u shiheshin skllevërve, i ati po e bënte të qartë se biri i tij po mirëpritej si një pjesëtar i familjes me të drejta të plota. Por i ati bëri edhe më shumë. Ai urdhëroi një gosti për të kremtuar kthimin e birit të tij. Duket qartë se ky njeri nuk po e falte birin e vet me ngurrim ose thjesht sepse kthimi i birit të tij e bënte të detyrueshme këtë gjë. Ai dëshironte ta falte. Kjo gjë e bënte të gëzohej shumë.
18, 19. (a) Çfarë të mëson shëmbëlltyra e birit plëngprishës rreth Jehovait? (b) Siç është treguar në marrëdhëniet e tij me Judën dhe Jerusalemin, si «qëndron në pritje» Jehovai për rikthimin e një mëkatari?
18 Deri tani, çfarë na mëson shëmbëlltyra e birit plëngprishës për Perëndinë që kemi privilegjin të adhurojmë? Së pari, na mëson se Jehovai është «i mëshirshëm dhe hirmadh, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi të dashur e në të vërtetë». (Dalja 34:6, BR) Në fakt, mëshira është një cilësi e spikatshme e Perëndisë. Ajo është mënyra normale me të cilën ai reagon ndaj atyre që janë në hall. Pastaj, shëmbëlltyra e Jezuit na mëson se Jehovai është ‘i gatshëm që të falë’. (Psalmi 86:5) Ai, si të thuash, është në vëzhgim, për të vërejtur në njerëzit mëkatarë çdo ndryshim zemre që do të siguronte një bazë ku ai të tregonte mëshirën.—2. Kronikave 12:12; 16:9.
19 Mendo, për shembull, për marrëdhëniet e Perëndisë me Izraelin. Profeti Isaia u frymëzua nga Jehovai për t’i përshkruar Judën dhe Jerusalemin si ‘të sëmurë, nga koka gjer te këmbët’. E megjithatë, ai tha edhe: «Jehovai do të qëndrojë në pritje për t’ju treguar favor dhe do të ngrihet për t’ju treguar mëshirë.» (Isaia 1:5, 6, BR; 30:18, BR; 55:7; Ezekieli 33:11) Ashtu si ati në shëmbëlltyrën e Jezuit, Jehovai si të thuash është duke ‘ruajtur shtegun’. Ai pret me shpresën se ndonjë që ka lënë shtëpinë e tij do të kthehet përsëri. A nuk është kjo ajo që do të pritnim nga një atë i dashur?—Psalmi 103:13.
20, 21. (a) Në ç’mënyrë shumë veta sot po tërhiqen nga mëshira e Jehovait? (b) Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?
20 Çdo vit, mëshira e Jehovait i tërheq shumë veta që të vijnë në vete dhe të rikthehen në adhurimin e vërtetë. Sa gëzim u sjell kjo gjë njerëzve të tyre të dashur! Merr, për shembull, rastin e babait të krishterë që u përmend në hyrje. Lumturisht, vajza e tij pati një rimëkëmbje frymore dhe tani shërben si një shërbëtore në kohë të plotë. «Provoj lumturinë më të madhe që mund të provojë një njeri në këtë sistem të vjetër gjërash,—thotë ai.—Lotët e trishtimit tim janë kthyer në lot gëzimi.» Patjetër që edhe Jehovai gëzohet!—Proverbat 27:11.
21 Por shëmbëlltyra e plëngprishësit shkon më tej. Jezui e vazhdoi tregimin e tij që të mund të vinte në kontrast mëshirën e Jehovait me qëndrimin e ngurtë dhe gjykues që ishte i zakonshëm mes skribëve e farisenjve. Se si e bëri këtë dhe çfarë do të thotë kjo për ne, do të trajtohet në artikullin vijues.
[Shënimet]
a Shëmbëlltyrat dhe ilustrimet e tjera të treguara në Bibël nuk kanë ndodhur domosdoshmërisht me të vërtetë. Më tej, meqë synimi i këtyre tregimeve është nxjerrja e një mësimi moral, nuk ka nevojë të kërkojmë një domethënie simbolike në çdo hollësi.
b Kuptimi profetik i kësaj shëmbëlltyre trajtohet në Kullën e Rojës, 15 shkurt 1989, anglisht, faqet 16, 17.
Rishikim
◻ Si është në kontrast qëndrimi që kishte Jezui ndaj mëshirës me qëndrimin e farisenjve?
◻ Kush i ngjan sot plëngprishësit dhe si?
◻ Cilat rrethana bënë që plëngprishësi të vinte në vete?
◻ Si tregoi mëshirë ati ndaj birit të tij të penduar?
[Kutia në faqen 11]
ATA ERDHËN NË VETE
Çfarë i ka ndihmuar disa që më parë ishin përjashtuar nga kongregacioni i krishterë, për të ardhur në vete? Komentet e mëposhtme hedhin dritë mbi çështjen.
«Në zemrën time e dija ende se ku gjendej e vërteta. Vite të tëra studimi të Biblës dhe vajtjeje në mbledhjet e krishtere kishin pasur një ndikim thelbësor në mua. Si mund t’i ktheja më kurrizin Jehovait? Nuk më kishte lënë ai mua, unë e kisha lënë atë. Më në fund, e pranova se sa gabim e kisha pasur, sa kokëfortë kisha qenë dhe se Fjala e Jehovait kishte pasur gjithnjë të drejtë, ‘do të korrësh atë që mbjell’.»—K.U.
«Vazja ime e vogël filloi të fliste dhe kjo gjë më preku zemrën, ngaqë doja t’i mësoja gjëra si: kush është Jehovai dhe si t’i lutej atij. Nuk më zinte gjumi dhe një natë vonë shkova me makinë në park dhe qava e qava. Qava dhe iu luta Jehovait për herën e parë pas një kohe të gjatë. Gjithçka që dija ishte se kisha nevojë përsëri për Jehovain në jetën time dhe shpresoja që ai të më falte.»—G.H.
«Kur binte fjala në bisedë për fenë, u thosha njerëzve se po të duhej të zgjidhja fenë që mësonte të vërtetën, do të isha një Dëshmitare e Jehovait. Pastaj thosha se më parë isha një prej tyre, por nuk munda të jetoja në lartësinë e duhur, kështu që u largova. Duke kuptuar këtë, shpesh ndihesha fajtore dhe jo e lumtur. Më në fund e pranova: ‘Jam njeri i mjerë. Duhet të bëj disa ndryshime rrënjësore.’»—K.N.
«Tridhjetepesë vjet më parë unë dhe burri im u përjashtuam. Pastaj, në vitin 1991, patëm një surprizë të këndshme kur na vizituan dy pleq, të cilët na informuan për mundësinë që të riktheheshim te Jehovai. Gjashtë muaj më vonë u mbushëm me gëzim për faktin se u rivendosëm. Burri im është 79 vjeç dhe unë jam 63.»—K.A.