ARTIKULLI I STUDIMIT 8
Pse ta shprehësh çmueshmërinë?
«Tregohuni mirënjohës.»—KOLOS. 3:15.
KËNGA 46 Të falënderojmë, o Jehova!
PËRMBLEDHJEa
1. Si tregoi çmueshmëri një samaritan që shëroi Jezui?
DHJETË burrat ishin në pikë të hallit. Ata ishin me lebër, dhe e ardhmja dukej e zymtë. Por një ditë panë nga larg Jezuin, Mësuesin e Madh. Kishin dëgjuar se ai shëronte çdo lloj sëmundjeje dhe ishin të bindur se mund t’i shëronte edhe ata. Ndaj thirrën: «Jezu, Mësues, ki mëshirë për ne!» Dhjetë burrat u shëruan plotësisht. Pa dyshim, të gjithë ishin mirënjohës për dashamirësinë e Jezuit. Por një prej tyre jo thjesht ndjeu mirënjohje—ai ia shprehu Jezuit çmueshmërinëb. I shëruari, që ishte samaritan, u ndie i motivuar t’i jepte lavdi Perëndisë «me zë të lartë».—Luka 17:12-19.
2-3. (a) Pse ndonjëherë nuk tregojmë çmueshmëri? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Ashtu si samaritani, duam t’u shprehim mirënjohje atyre që janë mirëdashës. Por ndonjëherë mund të harrojmë t’i shprehim me fjalë a me vepra ndjenjat e çmueshmërisë.
3 Në këtë artikull, do të shqyrtojmë pse është e rëndësishme ta shprehim çmueshmërinë me atë që themi e që bëjmë. Do të mësojmë nga disa personazhe biblike që ishin mirënjohës e nga të tjerë që s’ishin. Pastaj do të shohim disa mënyra specifike si mund ta shprehim çmueshmërinë.
PSE DUHET TA SHPREHIM ÇMUESHMËRINË?
4-5. Pse duhet ta shprehim çmueshmërinë?
4 Jehovai na lë shembullin në shfaqjen e çmueshmërisë. Një mënyrë si e bën këtë është duke i shpërblyer ata që e kënaqin. (2 Sam. 22:21; Psal. 13:6; Mat. 10:40, 41) Dhe Shkrimet na nxitin ‘të bëhemi imitues të Perëndisë, si bij të dashur’. (Efes. 5:1) Pra, një arsye kryesore pse duhet ta shprehim çmueshmërinë është se duam të imitojmë shembullin e Jehovait.
5 Të shohim një arsye tjetër pse t’ua shprehim të tjerëve çmueshmërinë. Çmueshmëria është si një vakt i mirë—të shijon më shumë kur e ndan me të tjerët. Kur ndiejmë se na çmojnë, ne jemi të lumtur. Kur e shprehim çmueshmërinë, bëjmë të tjerët të lumtur. Personi që i tregojmë mirënjohje e di se përpjekjet e tij për të na ndihmuar ose për të na dhënë diçka që na nevojitej, ia vlejtën. Si rezultat, lidhja e miqësisë mes nesh forcohet.
6. Në ç’kuptim ngjajnë fjalët e çmueshmërisë me mollët prej ari?
6 Shprehjet tona të mirënjohjes kanë vlerë të madhe. Bibla thotë: «Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si mollët e arta në gdhendje argjendi.» (Prov. 25:11) Imagjino sa bukur do të dukej një mollë prej ari mbi gdhendje argjendi! E mendo pak sa vlerë do të kishte! Si do të ndiheshe po të merrje një dhuratë të tillë? E pra, fjalët e tua mirënjohëse mund të kenë po kaq shumë vlerë. Mendo për këtë: një mollë prej ari mund të mbetet përgjithmonë. Po kështu, shprehjet e tua të çmueshmërisë mund të kujtohen e të ruhen si thesar për gjithë jetën nga ai që i dëgjoi.
ATA SHPREHËN ÇMUESHMËRI
7. Si e shprehu çmueshmërinë Davidi, siç tregon Psalmi 27:4, dhe shkrimtarë të tjerë të psalmeve?
7 Shumë shërbëtorë të Perëndisë në të kaluarën treguan mirënjohje. Një prej tyre ishte Davidi. (Lexo Psalmin 27:4.) Ai e donte dhe e çmonte thellë adhurimin e pastër e i shprehu ndjenjat e tij me veprime konkrete. Davidi dhuroi një pasuri të tërë për ndërtimin e tempullit. Pasardhësit e Asafit e shprehën çmueshmërinë duke shkruar psalme, ose këngë lëvdimi. Në një këngë, ata falënderuan Perëndinë dhe shprehën admirim për ‘bëmat e mahnitshme’ të Jehovait. (Psal. 75:1) Është e qartë se Davidi dhe pasardhësit e Asafit, donin t’ia shprehnin Jehovait sa shumë i çmonin gjithë bekimet që u kishte dhënë. A të vijnë ndër mend mënyra si mund t’i imitosh këta psalmistë?
8-9. Si tregoi çmueshmëri apostulli Pavël për vëllezërit e motrat, dhe cili duhet të ketë qenë rezultati?
8 Apostulli Pavël i çmonte vëllezërit e motrat dhe e tregonte këtë me mënyrën si fliste për ta. Ai e falënderonte gjithmonë Perëndinë për ta në lutjet që bënte privatisht. E shprehte çmueshmërinë edhe kur u shkruante. Në 15 vargjet e para të kapitullit 16 të Romakëve, Pavli përmendi me emër 27 bashkëbesimtarë. Ai kujtonte specifikisht që Priska e Akuila «vunë kokën në rrezik» për të dhe që Feba «mbrojti shumë veta», duke përfshirë edhe Pavlin. Ai i lavdëroi ata motra e vëllezër të dashur e të palodhur.—Rom. 16:1-15.
9 Pavli e dinte mirë se vëllezërit e motrat ishin të papërsosur, por në mbyllje të letrës që u shkroi romakëve, zgjodhi të përqendrohej te cilësitë e tyre të mira. Imagjino sa shumë duhet të kenë marrë zemër ata vëllezër e motra teksa lexoheshin para kongregacionit fjalët e Pavlit! Si rezultat, lidhja e miqësisë mes tyre dhe Pavlit duhet të jetë forcuar. A e shpreh rregullisht çmueshmërinë për gjërat e mira që thonë e bëjnë pjesëtarët e kongregacionit tënd?
10. Ç’mund të mësojmë nga mënyra si ua shprehu Jezui çmueshmërinë dishepujve të tij?
10 Në mesazhet që u drejtoi kongregacioneve në Azinë e Vogël, Jezui shprehu çmueshmëri për veprën që bënin dishepujt e tij. Për shembull, ai e nisi mesazhin për kongregacionin e Tiatirës me fjalët: «I njoh veprat e tua, dashurinë, besimin, shërbimin dhe qëndrueshmërinë tënde, dhe e di që veprat e tua të fundit janë më shumë se të mëparshmet.» (Zbul. 2:19) Jezui jo vetëm përmendi se kishin shtuar aktivitetin, por edhe i lavdëroi për cilësitë që i motivonin për vepra të mira. Edhe pse i duhej të këshillonte disa në Tiatirë, Jezui e nisi dhe e përfundoi mesazhin e tij me fjalë inkurajuese. (Zbul. 2:25-28) Mendo pak sa autoritet ka Jezui si kreu i gjithë kongregacioneve. Ai s’ka pse të na falënderojë për veprën që bëjmë për të. Gjithsesi, dëshiron dhe kërkon mundësi për ta shprehur çmueshmërinë. Sa shembull i shkëlqyer për pleqtë!
ATA TREGUAN MUNGESË ÇMUESHMËRIE
11. Siç tregon Hebrenjve 12:16, çfarë qëndrimi kishte Esau ndaj gjërave të shenjta?
11 Mjerisht, disa personazhe biblike treguan mungesë çmueshmërie. Për shembull, edhe pse Esaun e rritën prindër që e donin dhe e respektonin Jehovain, ai nuk i vlerësonte gjërat e shenjta. (Lexo Hebrenjve 12:16.) Si doli në pah qëndrimi i tij mosmirënjohës? Pa u menduar gjatë, Esau ia shiti të drejtën e të parëlindurit vëllait të vogël, Jakobit, thjesht për një tas gjellë. (Zan. 25:30-34) Më vonë, u pendua tmerrësisht për zgjedhjen që bëri. Por Esau kishte qenë mosmirënjohës për atë që zotëronte, ndaj s’kishte pse të ankohej kur nuk mori bekimin që vinte nga e drejta e të parëlindurit.
12-13. Si doli në shesh mungesa e çmueshmërisë e izraelitëve, dhe cila ishte pasoja?
12 Izraelitët kishin shumë arsye për të treguar çmueshmëri. Ata u çliruan nga skllavëria pasi Jehovai e goditi Egjiptin me Dhjetë Plagë. Pastaj Perëndia i shpëtoi nga katastrofa duke shfarosur gjithë ushtrinë egjiptiane në Detin e Kuq. Izraelitët ishin aq mirënjohës, sa e lëvduan Jehovain me një këngë fitoreje. Por, a mbetën mirënjohës?
13 Kur hasën sfida të reja, izraelitët i harruan shpejt gjithë të mirat që kishte bërë Jehovai për ta. Pastaj e treguan sheshit mungesën e çmueshmërisë. (Psal. 106:7) Si? «Tërë asambleja e bijve të Izraelit nisi të murmuriste kundër Moisiut dhe Aaronit»—por në realitet, murmuritën kundër Jehovait. (Dal. 16:2, 8) Ai u zhgënjye nga qëndrimi mosmirënjohës që shfaqi populli i tij. Më vonë, Jehovai paratha se tërë ai brez izraelitësh do të merrte fund në shkretëtirë, me përjashtim të Josiut dhe Kalebit. (Num. 14:22-24; 26:65) Le të shohim ç’mund të bëjmë që të mos ndjekim këta shembuj të këqij dhe të imitojmë shembujt e mirë.
SI TË SHPREHIM ÇMUESHMËRI SOT
14-15. (a) Si mund ta tregojnë bashkëshortët se e çmojnë njëri-tjetrin? (b) Si mund t’u mësojnë prindërit fëmijëve të tregojnë çmueshmëri?
14 Në familje. Kur çdo pjesëtar shpreh çmueshmëri, nxjerr dobi gjithë familja. Sa më shumë mirënjohje i tregojnë bashkëshortët njëri-tjetrit, aq më e fortë bëhet lidhja e tyre. Po ashtu, e kanë më të lehtë të falin gabimet e njëri-tjetrit. Një burrë që e çmon gruan e tij, jo vetëm i vëren gjërat e mira që thotë e bën ajo, por edhe «çohet dhe e lëvdon». (Prov. 31:10, 28) E një grua e mençur ia thotë të shoqit çfarë çmon konkretisht tek ai.
15 Prindër, si mund t’i mësoni fëmijët tuaj të tregojnë çmueshmëri? Mos harroni se fëmijët do të imitojnë atë që thoni e bëni ju. Prandaj, lëruni shembullin duke i falënderuar kur bëjnë diçka për ju. Veç kësaj, mësojini të thonë faleminderit kur të tjerët bëjnë diçka për ta. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se shprehjet e mirënjohjes burojnë nga zemra dhe se fjalët e tyre mund të sjellin shumë dobi. Për shembull, një grua që quhet Kladi thotë: «Në moshën 32-vjeçare, ime më mbeti befas e vetme me 3 fëmijë për të rritur. Kur mbusha 32 vjeç, mendova sa të vështirë duhet ta ketë pasur ajo në atë moshë. Prandaj ia shpreha mirënjohjen e thellë për gjithë sakrificat e saj që të na rriste mua e vëllezërit. Para pak kohësh, mamaja më tha se i ruan si thesar në zemër fjalët e mia, se mendon shpesh për to dhe se gjithmonë ia ndriçojnë ditën.»
16. Jepni një shembull se si shprehjet e çmueshmërisë u japin zemër të tjerëve.
16 Në kongregacion. Kur ua shprehim çmueshmërinë vëllezërve e motrave, u japim zemër. Për shembull, një plak 28-vjeçar që quhet Horhe, u sëmur rëndë. Për një muaj nuk i ndiqte dot mbledhjet. Po edhe pasi filloi t’i ndiqte, s’ishte në gjendje të mbante pjesë në program. Ai pranon: «Ndihesha i pavlerë nga kufizimet e mia dhe ngaqë isha i paaftë të mbaja përgjegjësi në kongregacion. Por pas një mbledhjeje, një vëlla më tha: ‘Dua të të falënderoj për shembullin e shkëlqyer që i ke lënë familjes sime. S’e ke idenë sa i kemi shijuar fjalimet e tua gjatë viteve të fundit. Na kanë ndihmuar të forcojmë besimin.’ M’u mblodh një lëmsh në fyt dhe m’u mbushën sytë me lot. Fjalët e tij ishin fiks ajo që kisha nevojë të dëgjoja.»
17. Siç thotë Kolosianëve 3:15, si mund t’ia shprehim çmueshmërinë Jehovait për bujarinë e tij?
17 Ndaj Perëndisë tonë bujar. Jehovai na ka dhënë me bollëk ushqim të bazuar në Bibël. Për shembull, marrim udhëzime të dobishme nëpërmjet mbledhjeve, revistave dhe siteve tona. A të ka ndodhur të dëgjosh një fjalim, të lexosh një artikull ose të shohësh një program në televizionin tonë dhe të mendosh: «Tamam ajo që më duhej!» Si mund t’ia shprehim çmueshmërinë Jehovait? (Lexo Kolosianëve 3:15.) Një mënyrë është duke e falënderuar rregullisht në lutje për këto dhurata të mira.—Jak. 1:17.
18. Në cilat mënyra mund të tregojmë çmueshmëri për Sallën tonë të Mbretërisë?
18 E shprehim çmueshmërinë për Jehovain edhe kur mbajmë të pastër e të rregullt vendin e adhurimit. Ne marrim pjesë rregullisht në pastrimin dhe mirëmbajtjen e Sallave të Mbretërisë, dhe ata që përdorin pajisjet elektronike të kongregacionit tregohen të kujdesshëm. Kur i mirëmbajmë siç duhet, Sallat e Mbretërisë do të kenë jetë më të gjatë dhe më pak nevojë për riparime të mëdha. Kështu, kemi më shumë pará në dispozicion për të ndërtuar e restauruar Salla të tjera Mbretërie rreth botës.
19. Çfarë mësove nga përvoja e një mbikëqyrësi qarkor dhe gruas së tij?
19 Ndaj atyre që punojnë fort për ne. Kur shprehim çmueshmëri, fjalët tona mund t’i ndryshojnë ndjenjat që provon dikush ndaj sfidave që has. Mendo për përvojën e një mbikëqyrësi qarkor dhe gruas së tij. Pas një dite të gjatë dimri në shërbim, u kthyen të sfilitur në shtëpinë ku rrinin. Ishte aq ftohtë sa gruaja fjeti me pallto. Në mëngjes, i tha të shoqit se ndiente që nuk vazhdonte dot më në veprën udhëtuese. Më vonë po atë mëngjes, erdhi një letër nga zyra e degës që i drejtohej asaj. E lavdëronin përzemërsisht për shërbimin dhe qëndrueshmërinë. Aty thuhej se e kuptonin sa e vështirë mund të jetë të ndërrosh shtëpi çdo javë. I shoqi thotë: «E prekën kaq shumë ato lavdërime, sa nuk tha kurrë as edhe një fjalë për të lënë veprën udhëtuese. Madje, disa herë më dha zemër mua të vazhdoja kur më shkonte mendja të dorëzohesha.» Ky çift qëndroi gati 40 vjet në veprën udhëtuese.
20. Çfarë duhet të përpiqemi të bëjmë çdo ditë, dhe pse?
20 Le të përpiqemi çdo ditë të tregohemi mirënjohës në ato që themi e bëjmë. Veprat dhe fjalët tona nga zemra qofshin tamam ajo që i duhet dikujt për të përballuar një ditë tjetër në këtë botë mosmirënjohëse. Shprehjet tona të falënderimit do të ndërtojnë miqësi që mund të zgjatin përjetësisht. Ç’është më e rëndësishmja, do të imitojmë Atin tonë bujar e mirënjohës, Jehovain.
KËNGA 20 Të shtrenjtin Bir e dhe
a Çfarë mund të mësojmë nga Jehovai, nga Jezui dhe nga një i lebrosur samaritan për shprehjen e çmueshmërisë? Ky artikull do të shqyrtojë këta shembuj dhe të tjerë. Do të shohim pse është kaq e rëndësishme ta shprehim mirënjohjen dhe do të ndalemi te disa mënyra specifike si mund ta bëjmë këtë.
b SHPJEGIMI I FJALËS: Të çmosh dikë a diçka do të thotë të pranosh vlerën që ka ai person ose ajo gjë. Kjo fjalë mund të përdoret edhe për ndjenjat e mirënjohjes nga zemra.
c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Letra e Pavlit lexohet para kongregacionit të Romës; Akuila, Prishila, Feba dhe të tjerë kënaqen kur dëgjojnë të përmenden emrat e tyre.
d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një mama ndihmon të bijën ta shprehë çmueshmërinë për shembullin e bukur të një motre të moshuar.