Pikëpamja e Biblës
Çfarë ndodh kur vdesim?
NJERËZIT, si bij të Perëndisë, nuk u krijuan që të vdisnin. (Romakëve 8:20, 21) Kur Perëndia Jehova i foli për herë të parë Adamit për vdekjen, nuk e përmendi si një përfundim të natyrshëm për njeriun, por si një ndëshkim nëse nuk do t’i bindej Atij. (Zanafilla 2:17) Adami e kuptonte çfarë do të thoshte vdekje, pasi kishte parë kafshë që ngordhnin.
Adami mëkatoi dhe e pagoi këtë, duke vdekur në moshën 930-vjeçare. (Zanafilla 5:5; Romakëve 6:23) Meqë u dëbua nga familja e Perëndisë për shkak të mosbindjes, ai nuk konsiderohej më bir i Perëndisë. (Ligji i përtërirë 32:5) Ja se çfarë thotë Bibla për pasojat e mjerueshme që ranë mbi njerëzimin: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit.»—Romakëve 5:12.
Çfarë ndodh me aftësinë e të menduarit?
Bibla thotë: «Ka një fund, si për bijtë e njerëzve, ashtu edhe për kafshët. Ata kanë të njëjtin fund. Si vdes njëri, ashtu vdes edhe tjetri. Të gjithë kanë vetëm një frymë, kështu që njeriu s’ka asnjë epërsi mbi kafshët, sepse çdo gjë është kotësi. Të gjithë shkojnë në një vend. Të gjithë janë bërë nga pluhuri dhe në pluhur kthehen të gjithë.» (Eklisiastiu 3:19, 20) Çfarë do të thotë të kthehesh në pluhur?
Shprehja ‘kthehen në pluhur’ na kujton atë që i tha Perëndia njeriut të parë: «Ti je pluhur, dhe në pluhur do të kthehesh.» (Zanafilla 3:19) Kjo do të thotë se njerëzit, ashtu si edhe kafshët, janë krijesa fizike. Ne nuk jemi frymëra që vetëm sa banojmë brenda një trupi prej mishi. Aftësia e të menduarit s’ka si të ekzistojë kur trupi s’është më. Bibla thotë për dikë që vdes: «Ai jep frymën e fundit, kthehet në pluhur; dhe po në atë orë e gjithë aftësia e tij e të menduarit merr fund.»—Psalmi 146:4, The New English Bible.
Nëse ndodh kjo, atëherë në çfarë gjendjeje janë të vdekurit? Fjala e Perëndisë jep një përgjigje të qartë: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.» (Eklisiastiu 9:5) Vdekja nuk është një mik që na mirëpret në një jetë më të mirë, përkundrazi, Bibla e quan «armiku i fundit», pasi ajo i jep fund gjithë veprimtarisë sonë. (1 Korintasve 15:26; Eklisiastiu 9:10) A do të thotë kjo se vdekja është një gjendje e pashpresë?
Lajme të mira
Për miliona njerëz që kanë vdekur, vdekja është si një gjumë nga i cili do të zgjohen. Një herë Jezui u tha dishepujve për mikun e tyre që kishte vdekur: «Lazari, miku ynë, ka shkuar të pushojë, prandaj unë po shkoj atje që ta zgjoj nga gjumi.» Kur Jezui po shkonte te varri përkujtimor, rrugës takoi një turmë njerëzish që vajtonin. Kur arriti atje, ai tha të hapej varri dhe thërriti: «Lazar, dil jashtë!» Njeriu që kishte qenë i vdekur për katër ditë, doli. (Gjoni 11:11-14, 39, 43, 44) Meqë trupi i Lazarit kishte nisur të dekompozohej, në këtë rast Jezui dha prova se Perëndia mban mend gjithçka për të vdekurit: personalitetin, kujtimet dhe pamjen e tyre. Ai mund t’i kthejë sërish në jetë. Një herë tjetër Jezui tha: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij [pra të Jezuit] dhe do të dalin.»—Gjoni 5:28, 29.
Bibla na jep edhe një lajm tjetër të mirë kur thotë: «Armiku i fundit që do të asgjësohet, është vdekja.» (1 Korintasve 15:26) Kurrë më nuk do të ketë njerëz të dërrmuar nga pikëllimi që shkojnë për të varrosur një njeri të afërt. Bibla thotë: «Nuk do të ketë më vdekje.» (Zbulesa 21:4) A nuk jeni dakord se pikëpamja e Biblës për gjendjen e të vdekurve është ngushëlluese?
A DONI TË DINI?
◼ A janë të vetëdijshëm të vdekurit?—Eklisiastiu 9:5.
◼ A është vdekja e njeriut një gjendje e pashpresë?—Gjoni 5:28, 29.
[Diçitura në faqen 29]
«Ai jep frymën e fundit, kthehet në pluhur; dhe po në atë orë e gjithë aftësia e tij e të menduarit merr fund.»—Psalmi 146:4, The New English Bible