Kthimi i Krishtit
Përkufizimi: Para se të linte tokën, Jezu Krishti premtoi se do të kthehej sërish. Me këtë premtim lidhen ngjarje të shënuara që kanë të bëjnë me Mbretërinë e Perëndisë. Duhet vërejtur se ka një ndryshim mes ardhjes dhe pranisë. Kështu, ardhja e dikujt (që ka të bëjë me mbërritjen ose kthimin e tij) ndodh në një kohë të caktuar, kurse prania e tij mund të zgjatë një periudhë disavjeçare. Në Bibël, fjala greke erʹkhomai (që do të thotë «të vish»), përdoret edhe për Jezuin. Në këtë rast lidhet me një kohë të caktuar gjatë pranisë së tij, kur ai do ta drejtojë vëmendjen drejt një detyre të rëndësishme: domethënë, drejt ndërhyrjes së tij si ekzekutues i caktuar nga Jehovai në luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm.
A zhvillohen ngjarjet që lidhen me praninë e Krishtit, në një periudhë kohe fare të shkurtër apo në një periudhë disavjeçare?
Mat. 24:37-39: «Ashtu siç ishin ditët e Noesë, ashtu do të jetë edhe prania [«ardhja», Dio, DSF; greqisht, parousía] e Birit të njeriut. Ashtu si njerëzit në ato ditë përpara përmbytjes, hanin e pinin dhe burrat e gratë martoheshin, deri ditën që Noeja hyri në arkë, dhe nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë, kështu do të jetë prania e Birit të njeriut.» (Ngjarjet e ‘ditëve të Noesë’ që përshkruhen këtu, ndodhën gjatë një periudhe disavjeçare. Jezui e krahasoi praninë e tij me gjërat që kishin ndodhur në atë kohë.)
Te Mateu 24:37 përdoret fjala greke parousía, që fjalë për fjalë do të thotë «të jesh pranë». Fjalori i autorëve Lidëll dhe Skot (Greek-English Lexicon, Oksford, 1968) jep si përkufizim të parë për fjalën parousía «prani, në lidhje me njerëzit». Kuptimi i fjalës tregohet qartë te Filipianëve 2:12, ku Pavli bën dallimin mes pranisë së tij (parousía) dhe mungesës së tij (apousía). Kurse te Mateu 24:30, ku flitet për «Birin e njeriut që do të vijë në retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe» si ekzekutues i caktuar nga Jehovai në luftën e Harmagedonit, përdoret fjala greke erhómenon. Disa i përkthejnë këto dy fjalë të greqishtes thjesht ‘ardhje’, por disa të tjerë, që tregohen më të kujdesshëm, bëjnë dallimin mes këtyre dy fjalëve.
A do të jetë kthimi i Krishtit i dukshëm për njerëzit?
Gjoni 14:19: «Edhe pak dhe bota nuk do të më shohë më, kurse ju [apostujt besnikë të Jezuit] do të më shihni, sepse unë jetoj, dhe ju do të jetoni.» (Jezui u kishte premtuar apostujve të tij se ai do të kthehej sërish e do t’i merrte me vete në qiell. Ata mund ta shihnin, sepse do të ishin krijesa frymore si ai, kurse bota nuk do ta shihte më. Krahaso 1 Timoteut 6:16.)
Vep. 13:34: «[Perëndia] e ringjalli Jezuin nga të vdekurit që të mos kthehej më në kalbje.» (Trupat njerëzorë prishen. Ja pse te 1 Korintasve 15:42, 44 fjala «prishje» është paralele me «trup fizik». Jezui nuk do ta ketë kurrë më një trup të tillë.)
Gjoni 6:51: «Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli. Nëse dikush ha nga kjo bukë, do të jetojë përgjithmonë. Buka që do të jap, është mishi im për jetën e botës.» (Përderisa Jezui e dha mishin e tij, ai nuk do ta marrë më mbrapsht. Ai as që e mendon t’i mohojë njerëzimit dobitë e flijimit të jetës së tij të përsosur njerëzore.)
Shih edhe faqet 336, 337, te tema «Rrëmbimi».
Çfarë duhet kuptuar me ardhjen e Jezuit «po njësoj» siç u ngjit në qiell?
Vep. 1:9-11: «Ai u ngrit lart ndërsa ata [apostujt e Jezuit] po e shikonin, dhe një re ua fshehu nga sytë. Teksa ia kishin ngulur sytë qiellit, dhe ai po shkonte, dy burra me rroba të bardha qëndruan përbri tyre dhe u thanë: ‘O burra të Galilesë, pse rrini e vështroni qiellin? Ky Jezu që u mor nga ju e u ngjit në qiell, do të vijë po njësoj siç e patë të shkonte në qiell.’» (Vini re se thuhet «po njësoj», për të treguar mënyrën se si u ngjit, dhe jo me të njëjtin trup. Si u ngjit ai? Siç tregohet edhe në Vep 1 vargun 9, ai iu zhduk nga sytë apostujve, të cilët ishin të vetmit dëshmitarë okularë të ikjes së tij. Bota në përgjithësi nuk e dinte se çfarë ndodhi, dhe po njësoj do të jetë edhe me kthimin e Krishtit.)
Si duhen kuptuar shprehjet «vjen me retë» dhe «do ta shohë çdo sy»?
Zbul. 1:7: «Ja, ai po vjen me retë dhe do ta shohë çdo sy, edhe ata që e shpuan tejpërtej. Të gjitha fiset e tokës do të godasin gjoksin me hidhërim, për shkak të tij.» (Shih edhe Mateun 24:30; Markun 13:26; Lukën 21:27.)
Çfarë përfaqësojnë «retë»? Padukshmëri. Kur një avion është në një re të dendur ose sipër reve, njerëzit në tokë zakonisht nuk mund ta shohin, edhe pse mund ta dëgjojnë uturimën e motorrave. Jehovai i tha Moisiut: «Po vij te ti në një re të errët.» Moisiu nuk e pa Perëndinë, por reja që pa, tregonte praninë e padukshme të Jehovait. (Dal. 19:9; shih edhe Levitikun 16:2; Numrat 11:25.) Edhe sikur Krishti të shfaqej dukshëm në qiell, dihet që jo «çdo sy» do ta shihte. Për shembull, nëse do të shfaqej në Australi, ai nuk do të dukej në Evropë, Afrikë ose në Shtetet e Bashkuara, apo jo?
Në ç’kuptim «do ta shohë çdo sy»? Nga ngjarjet që do të ndodhin në tokë, njerëzit do të kuptojnë se ai do të jetë padukshmërisht i pranishëm. Veç kësaj, duke iu referuar shikimit të figurshëm, Gjoni 9:41 thotë: «Jezui u tha [farisenjve]: ‘Po të ishit të verbër, nuk do të kishit asnjë mëkat. Por meqë thoni: “Shohim”, mëkati juaj mbetet.’» (Krahaso Romakëve 1:20.) Pas kthimit të Krishtit, disa njerëz tregojnë besim dhe i njohin shenjat e pranisë së tij. Të tjerë i mohojnë faktet, por kur Krishti të hyjë në veprim si ekzekutuesi i Perëndisë për të ligjtë, nga shfaqja e fuqisë së tij, ata do të dallojnë se shkatërrimi nuk ka ardhur nga njerëzit, por nga qielli. Do ta marrin vesh se ç’po ndodh, sepse ishin paralajmëruar që më parë. Meqenëse do të heqin shumë, ata do të «godasin gjoksin me hidhërim».
Kush janë «ata që e shpuan tejpërtej»? Në kuptimin e mirëfilltë këtë e bënë ushtarët romakë në kohën kur Jezui u ekzekutua. Por ata kanë kohë që kanë vdekur. Prandaj, kjo shprehje mund të ketë lidhje me ata njerëz që, ashtu si ushtarët romakë, i keqtrajtojnë ose ‘i shpojnë tejpërtej’ ithtarët e vërtetë të Krishtit gjatë «ditëve të fundit».—Mat. 25:40, 45.
A mund të thuhet se dikush ka ‘ardhur’ ose se është ‘i pranishëm’, nëse nuk është i dukshëm?
Kur foli për kongregacionin e Korintit, apostulli Pavël tha se ‘nuk ishte atje me trup, por i pranishëm në frymë’.—1 Kor. 5:3.
Jehovai një herë tha ‘të zbriste’ për t’u ngatërruar gjuhën atyre që po ndërtonin kullën e Babelit. (Zan. 11:7) Një herë tjetër, tha ‘të zbriste’ për të çliruar Izraelin nga kthetrat e Egjiptit. Veç kësaj, Perëndia e siguroi Moisiun me këto fjalë: «Unë vetë do të vij me ty» për ta çuar Izraelin në Tokën e Premtuar. (Dal. 3:8; 33:14) E megjithatë, Perëndinë nuk e pa kurrë askush.—Dal. 33:20; Gjoni 1:18.
Cilat janë disa nga ngjarjet që Bibla i shoqëron me praninë e Krishtit?
Dan. 7:13, 14: «Pashë në vegimet e natës dikë si një bir njeriu [Jezu Krishtin], i cili po vinte me retë e qiejve. Atij iu lejua të hynte tek i Lashti i Ditëve [Perëndia Jehova] dhe e afruan pranë, pikërisht përpara Tij. Atij iu dha sundim, lavdi dhe mbretëri, që t’i shërbenin gjithë popujt, kombet dhe gjuhët.»
1 Sel. 4:15, 16: «Me fjalën e Jehovait po ju themi këtë: ne të gjallët që mbijetojmë deri në praninë e Zotërisë, nuk do t’u paraprijmë kurrsesi atyre që kanë rënë në gjumin e vdekjes, se Zotëria do të zbresë nga qielli me një kushtrim, me zë kryeengjëlli dhe me trumbetën e Perëndisë, e ata që kanë vdekur në unitet me Krishtin, do të ngrihen të parët.» (Pra, ata që do të mbretërojnë me Krishtin, do të ringjallen që të jenë bashkë me të në qiell: në fillim ata që kishin vdekur para kthimit të tij, dhe pastaj ata që vdesin pas këtij kthimi.)
Mat. 25:31-33: «Kur Biri i njeriut të mbërrijë në lavdinë e tij, dhe bashkë me të edhe të gjithë engjëjt, atëherë ai do të ulet në fronin e tij të lavdishëm. Tërë kombet do të mblidhen para tij, dhe ai do t’i ndajë njerëzit njërin nga tjetri, ashtu si ndan bariu delet nga cjeptë. Delet do t’i vërë në të djathtë, kurse cjeptë në të majtë.»
2 Sel. 1:6-9: «Për Perëndinë është e drejtë [që] . . . juve që vuani shtrëngim, t’ju japë lehtësim bashkë me ne, kur të zbulohet nga qielli Zotëria Jezu. Ai do të shfaqet tok me engjëjt e tij të fuqishëm në një zjarr flakërues dhe do të sjellë hakmarrjen mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu. Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përhershëm, do të flaken larg syve të Zotërisë dhe do të përjashtohen nga lavdia e fuqisë së tij.»
Luka 23:42, 43: «[Keqbërësi i dhembshur që u vu në shtyllë përbri Jezuit] tha: ‘Jezu, më kujto kur të hysh në mbretërinë tënde.’ Jezui iu përgjigj: ‘Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.’» (Nën mbretërimin e Jezuit e gjithë toka do të bëhet parajsë. Të vdekurit që janë në kujtesën e Perëndisë, do të ringjallen e do të kenë mundësinë të gëzojnë një jetë të përsosur në tokë përgjithmonë.)
Shih edhe faqet 82-86, te tema «Ditët e fundit».