Sirakuza—Pikë ndalese në udhëtimin e Pavlit
RRETH vitit 59 të e.s., një anije në ishullin mesdhetar të Maltës nisi lundrimin drejt Italisë. Në bashin e anijes ishte gdhendur figura e «Bijve të Zeusit», hyjnive që shiheshin si mbrojtësit e detarëve. Luka, një shkrimtar biblik, tregon se anija hyri «në portin e Sirakuzës», në bregun juglindor të Sicilisë, dhe ‘qëndroi tri ditë’. (Veprat 28:11, 12) Me Lukën në anije ishte edhe Aristarku me apostullin Pavël, të cilin po e çonin në Romë për ta gjykuar.—Veprat 27:2.
Nuk e dimë nëse Pavlin e lejuan të zbriste në tokë kur mbërritën në Sirakuzë. Por, çfarë mund të kishte parë ai ose shokët e tij të udhëtimit nëse do të kishin zbritur?
Në kohën e Greqisë dhe të Romës, Sirakuza matej me Athinën dhe me Romën. Sipas traditës, qytetin e themeluan korintasit në vitin 734 p.e.s. Sirakuza pati çastet e saj të lavdisë dhe ishte vendlindja e figurave mjaft të njohura të lashtësisë, si e komedianit Epikarm dhe e matematikanit Arkimed. Në vitin 212 p.e.s., Sirakuzën e pushtuan romakët.
Një vizitë në qytetin e sotëm të Sirakuzës mund t’ju ndihmojë të krijoni idenë e Sirakuzës në kohën e Pavlit. Qyteti ndahej në dy pjesë: njëra ndodhej në ishullin e vogël të Ortixhës, ku ka të ngjarë të ketë hedhur spirancën anija e Pavlit, kurse tjetra në ishullin e Sicilisë.
Sot në ishull mund të shihen rrënojat e tempullit më të vjetër në Sicili. Është një tempull kushtuar Apolonit, i ndërtuar sipas stilit dorian dhe daton që nga shekulli i gjashtë p.e.s. Atje gjenden edhe kolonat e një tempulli kushtuar Athinasë, që daton që nga shekulli i pestë p.e.s., por që më pas u bë pjesë e katedrales së qytetit.
Qendra e qytetit të sotëm gjendet në ishullin e Sicilisë, ku mund të vizitoni parkun arkeologjik të Neapolit. Afër hyrjes së tij ngrihet teatri grek. Ai përfaqëson një nga modelet më mbresëlënëse të arkitekturës së teatrove greke që kanë mbijetuar deri më sot. Me detin përballë, ai ofronte një skenë përrallore për shfaqjet. Në skajin më jugor të parkut gjendet amfiteatri romak i shekullit të tretë të e.s. Ai ka formë vezake, është 140 metra i gjatë dhe 119 metra i gjerë, dhe vjen i treti për nga madhësia në Itali.
Nëse ju bie rasti të vizitoni Sirakuzën, uluni në një stol përballë detit në Ortixha, hapni Biblën te Veprat 28:12 dhe përfytyroni apostullin Pavël në anijen që hyri në këtë port.
[Diagrami dhe harta në faqen 30]
[Për tekstin e kompozuar, shiko botimin]
Maltë
Sicili
Sirakuzë
ITALI
Regjium
Puteoli
Romë
[Figura në faqen 30]
Rrënojat e një teatri grek në Sirakuzë