HERODI
Emri i një familjeje drejtuesish politikë që qeverisnin judenjtë. Ishin idumeas ose edomitë. Formalisht quheshin judenj, sepse, siç tregon Jozef Flavi, rreth vitit 125 p.e.s, Makabeu Gjon Hirkani I i kishte detyruar të rrethpriteshin.
Megjithëse përmenden shkurtimisht në Bibël, pjesa më e madhe e të dhënave për Herodët gjendet në historinë e shkruar nga Jozef Flavi. Pararendësi i dinastisë së Herodëve ishte Antipatri (Antipa) I, të cilin mbreti Hasmone (Makabe) Aleksandër Janeu e kishte bërë guvernator të Idumesë. I biri i Antipatrit, që gjithashtu quhej Antipatër ose Antipa, ishte i ati i Herodit të Madh. Jozef Flavi thotë se, sipas historianit Nikolla i Damaskut, Antipatri (II) vinte nga dera e fisnikëve judenj që u kthyen nga Babilonia në Judë. Megjithatë, Jozefi pohon se me këtë Nikolla donte thjesht t’i bënte qejfin Herodit, i cili në të vërtetë ishte edomit si nga i ati, edhe nga e ëma.
Antipatri II, një njeri shumë i pasur, i hyri politikës e intrigave dhe kishte ambicie të mëdha për të bijtë. Ai i doli krah Gjon Hirkanit II, birit të Aleksandër Janeut dhe Saloma Aleksandrës, që t’i merrte Aristobulit, vëllait të Hirkanit, postin e mbretit dhe të kryepriftit jude. Por në të vërtetë Antipatri po punonte për të arritur ambiciet e veta. Më në fund, ai mori qytetarinë romake dhe Jul Cezari e bëri guvernator të Judesë. Antipatri bëri Fasaelin, djalin e tij të madh, guvernator të Jerusalemit dhe një djalë tjetër, Herodin, guvernator të Galilesë. Karriera e tij mori fund kur një vrasës i paguar e helmoi.
1. Herodi i Madh, djali i dytë i Antipatrit (Antipës) II dhe i gruas së tij, Kiprozës. Bibla thotë shkarazi se ky njeri ishte i paskrupull, dinak, dyshues, imoral, mizor e vrasës, dhe historia e mbështet plotësisht këtë gjë. Ai kishte trashëguar diplomacinë dhe oportunizmin e të atit. Megjithatë duhet thënë se ishte organizator e komandat i aftë. Jozef Flavi e përshkruan si një burrë shumë të fuqishëm, kalorës të zotë dhe mjeshtër në përdorimin e ushtës e të harkut. (Lufta judaike, I, 429, 430 [xxi, 13]) Ai ishte ndërtues i aftë, dhe kjo mund të ketë qenë dhuntia e tij më e madhe.
Në kohën kur ishte guvernator i Galilesë, fillimisht ai ra në sy kur eliminoi nga territori i tij bandat e kusarëve. Megjithatë, disa judenj që e kishin zili, bashkë me nënat e kusarëve të ekzekutuar, e nxitën Hirkanin II (asokohe kryeprift) të thërriste Herodin para Sinedrit nën akuzën se e kishte shpërfillur këtë organ gjyqësor duke i ekzekutuar kusarët pa i çuar para gjyqit. Herodi pranoi, por me fodullëk e pafytyrësi u paraqit i rrethuar nga truprojat, megjithëse prej tij pritej ta respektonte atë gjykatë si prozelit i vetëshpallur. Gjykatësit u zemëruan nga kjo fyerje ndaj gjykatës së lartë judaike. Sipas Jozef Flavit, një gjykatës me emrin Samaja (Simeon), mori guximin të ngrihej e të thoshte se nëse këtë herë Herodi ia hidhte paq, një ditë do të kthehej të vriste ata që po e gjykonin. Mirëpo Hirkani ishte tip i plogët e i dobët. I trembur nga manovrat e Herodit dhe për shkak të një letre kërcënuese nga Sest Cezari (i afërm i Jul Cezarit dhe asokohe guvernator i Sirisë) që i kërkonte të hidhte poshtë akuzat, Hirkani u dorëzua.—Antikitete judaike, XIV, 168-176 (ix, 4).
Mbret i Judesë. Herodi pasoi të atin dhe, rreth vitit 39 p.e.s., Senati i Romës e emëroi mbret të gjithë Judesë, por de facto ai u bë mbret tre vjet më vonë, kur pushtoi Jerusalemin dhe dëboi Antigonin, birin e Aristobulit. Pas këtij triumfi, Herodi ndërmori hapa që të mbante postin, duke e bindur gjeneralin romak Mark Antoni të vriste Antigonin dhe të ndiqte 45 anëtarët kryesorë të partisë së Antigonit për t’i ekzekutuar. Nga farisenjtë më me emër, ai kurseu vetëm Samajën dhe Polionin, pasi edhe Gjon Hirkanin II e vrau disa vjet më vonë. Kështu, duke vrarë ata që i kishin bërë gjyqin, ai përmbushi parashikimin e Samajës.
Si politikan mendjehollë që ishte, Herodi besonte se ishte në interes të tij të mbante krahun e Romës. Për këtë i duhej të ishte shumë diplomat e të kthente nga frynte era që ta mbante mirë me këdo që merrte pushtetin në Romë. Duke qenë mik i ngushtë i Sestit, Herodi fillimisht mbështeti Jul Cezarin, pastaj kaloi në anën e Kasit, vrasësit të Cezarit. Ai arriti të fitonte pëlqimin e Mark Antonit, armikut të Kasit dhe hakmarrësit të Cezarit, deri diku me ryshfete të majme. Më vonë, kur Oktavi (Cezar Augusti) mundi Antonin në betejën e Aktiumit, me shkathtësi Herodi arriti të merrte faljen e Augustit për mbështetjen që i kish dhënë Antonit dhe që atëherë u bë mik i Augustit. Falë besnikërisë ndaj Romës, ryshfeteve pa karar që u kish dhënë Cezarëve, si dhe lajkave, Herodi gjithmonë ia hodhi paq kur judenj ose të tjerë, nganjëherë anëtarë të familjes, paraqitën ankesa ose akuza kundër tij në Romë.
Detyra e parë e Herodit ishte guvernator i Galilesë. Kasi e kishte bërë guvernator të Koele-Sirisë. Më vonë, me rekomandim të Antonit, Senati i Romës e bëri mbret të Judesë. Perandori August i shtoi mbretërisë së tij Samarinë, Gadarën, Gazën dhe Jopën, e më pas Trakonitidën, Batanean, Auranitin dhe Perenë, zonë në lindje të Jordanit që përkonte pak a shumë me Galaadin. Edhe Idumea bënte pjesë në territoret e tij.
Tempulli dhe ndërtime të tjera. Ndër të gjitha, rindërtimi i tempullit të Zorobabelit në Jerusalem është vepra më e rëndësishme e Herodit, sidomos nga këndvështrimi biblik. Ai u ngrit me shpenzime të pallogaritshme dhe Jozef Flavi e përshkruan si një gjë vërtet madhështore. (Antikitete judaike, XV, 395, 396 [xi, 3]) Për shkak të urrejtjes dhe dyshimeve që kishin për Herodin, judenjtë nuk e lanë ta shembte tempullin ekzistues pa grumbulluar më parë materialet e pa i sjellë në vend. Sipas Jozefit, shenjtërorja e tempullit u ndërtua për 18 muaj. (Antikitete judaike, XV, 421 [xi, 6]) Pjesë të tjera të rëndësishme përfunduan brenda 8 vjetëve. Megjithatë, në vitin 30 të e.s., judenjtë thanë se tempulli ishte ndërtuar për 46 vjet. Këtë pohim e bënë gjatë një bisede me Jezu Krishtin pak para Pashkës së parë pas pagëzimit të Jezuit. (Gjo 2:13-20) Sipas Jozef Flavit (Antikitete judaike, XV, 380 [xi, 1]), punimet filluan në vitin e 18-të të mbretërimit të Herodit. Nëse i llogaritim vitet siç llogaritnin judenjtë vitet e mbretërimit të mbretërve të tyre, viti i 18-të i mbretërimit të Herodit mund të ishte viti 18/17 p.e.s. Faktikisht në tempull vazhduan të bëheshin shtesa të ndryshme deri 6 vjet para shkatërrimit të tij në vitin 70 të e.s.
Herodi ndërtoi edhe teatro, amfiteatro, hipodrome, kala, fortesa, pallate, kopshte, tempuj për nder të Cezarit, ujësjellës, monumente e madje qytete. Qyteteve u vuri emrin e tij, të të afërmve ose të perandorëve të Romës. Në Cezare ndërtoi një liman artificial që matej me portin e Tirit. Sipas Jozefit, atje u vendosën blloqe gjigante në thellësinë 36 m për të ndërtuar një mol rreth 60 m të gjerë. (Antikitete judaike, XV, 334, 335 [ix, 6]) Ai rindërtoi fortesën e Antonias dhe të Masadës, duke e bërë këtë të fundit më madhështoren. Gjithashtu kreu ndërtime deri në qytete të largëta si Antiokia në Siri dhe Rodosi (në ishullin me të njëjtin emër).
Për sa i përket zbavitjes, Herodi nuk kursehej dhe ishte shumë dorëlirë për dhurata, sidomos kur bëhej fjalë për dinjitarët romakë. Një nga gjërat për të cilat ankoheshin më shumë judenjtë ishte ndërtimi i amfiteatrove, si ai në Cezare, ku ai organizonte lojërat greke dhe romake, që përfshinin gara me karroca, ndeshje mes gladiatorëve, përleshje me bishat dhe festime të tjera pagane. E kishte aq për zemër t’i mbante gjallë Lojërat Olimpike sa, kur ishte në Greqi gjatë rrugës për në Romë, ai vetë u bë pjesëmarrës në lojëra. Më pas, dhuroi një thes me para për t’i përjetësuar lojërat, e me atë rast edhe emrin e vet. Meqenëse zyrtarisht ishte jude, i thërriste judenjtë «bashkëkombës», kurse ata që ishin kthyer nga Babilonia për të ndërtuar tempullin e Zorobabelit «etërit e mi». Megjithatë, jeta që bënte tregonte se nuk ishte aspak shërbëtor i Perëndisë Jehova, siç pretendonte.
Intrigat në familje. Pothuaj e gjithë familja e Herodëve ishte ambicioze, dyshuese, tejet imorale dhe vatër telashesh. Vështirësitë dhe pakënaqësitë më të mëdha Herodi i pati në familjen e vet. E ëma, Kiproza, dhe e motra, Saloma, e përkeqësonin situatën gjithnjë e më shumë. Herodi ishte martuar me Mariamnën (I), mbesën e Hirkanit II dhe motrën e Aleksandrit, birit të Aristobulit. Ajo ishte jashtëzakonisht e bukur dhe Herodi ishte marrosur pas saj. Mirëpo mes saj dhe nënës e motrës së tij lindi urrejtja. Herodi ishte gjithë kohës ziliqar dhe dyshonte se familjarët, sidomos bijtë, po komplotonin kundër tij. Në disa raste dyshimet e tij ishin me vend. Lakmia për pushtet dhe dyshimet e nxitën të kurdiste vrasjen e së shoqes, Mariamnës, tre prej bijve të tij, vëllait dhe gjyshit (Hirkanit) të së shoqes, disa prej miqve të tij më të mirë, si dhe shumë të tjerëve. Për të nxjerrë informacione që vërtetonin dyshimet e tij, ai torturonte këdo për të cilin dyshonte.
Marrëdhëniet me judenjtë. Herodi u mundua t’i zbuste judenjtë duke rindërtuar tempullin dhe duke u dhënë çka u nevojitej në kohë zie buke. Ndonjëherë ai ulte taksat për disa prej nënshtetasve të tij. Madje arriti ta bindte Augustin t’u jepte privilegje judenjve në pjesë të ndryshme të botës. Megjithatë, këto nuk ishin asgjë para tiranisë e mizorisë së tij dhe, gjatë pjesës më të madhe të sundimit, ai pati probleme me judenjtë.
Sëmundja dhe vdekja. Në fund Herodin e preku një sëmundje e pështirë që shoqërohej me ethe, ka shumë të ngjarë për shkak të jetës së shthurur. Jozef Flavi e përshkruan si «kruajtje të padurueshme në të gjithë lëkurën, therje të vazhdueshme në zorrë, edema në këmbë të ngjashme me hidropizinë, mahisje barku dhe gangrenë në pjesët intime që zinin krimba, si dhe astmë, vështirësi të mëdha në frymëmarrje dhe spazma në të gjitha gjymtyrët».—Lufta judaike, I, 656 (xxxiii, 5).
Gjatë kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse, ai urdhëroi vrasjen e të birit, Antipatrit, që kishte komplotuar kundër tij. Gjithashtu, duke e ditur se judenjtë do të gëzonin për vdekjen e tij, Herodi urdhëroi që njerëzit më të shquar të kombit të mblidheshin në Jeriko, në një vend të quajtur Hipodrom, dhe i mbylli atje. Pastaj urdhëroi ata që mbante afër që, kur të vdiste, të mos jepej lajmi për vdekjen e tij pa vrarë më parë këta krerë judenj. Siç kishte thënë ai, kështu ishte e sigurt se të gjitha familjet në Jude do të qanin në funeralin e tij. Ky urdhër nuk u zbatua, sepse motra e Herodit, Saloma, dhe i shoqi, Aleksi, i liruan të burgosurit dhe i nisën në shtëpi.
Herodi vdiq rreth moshës 70-vjeçare. Në testamentin e tij, ai kishte përcaktuar si pasuesin e vet të birin, Antipën, por pak para se të vdiste shtoi një passhkrim ose bëri një testament të ri dhe caktoi në atë post Arkelaun. Populli dhe ushtria e njohën Arkelaun si mbret (Bibla thotë se Jozefi, babai birësues i Jezuit dëgjoi se «në Jude mbretëronte Arkelau në vend të të atit, Herodit»; Mt 2:22). Por Antipa e kundërshtoi emërimin e tij. Pasi çështja u parashtrua në Romë, Cezar Augusti mbështeti Arkelaun. Megjithatë, ai e bëri Arkelaun etnark dhe e ndau territorin e dikurshëm të Herodit në dy pjesë: gjysmën ia dha Arkelaut, kurse gjysmën tjetër e ndau mes Antipës e Filipit, dy djemve të tjerë të Herodit.
Vrasja e fëmijëve. Tregimi biblik për vrasjen e të gjithë djemve nën dy vjeç në Bethlehem e në viset përreth përputhet me tregimet e tjera historike për Herodin dhe ligësinë e tij. Kjo ndodhi pak kohë para vdekjes së Herodit. Jezui shpëtoi vetëm ngaqë prindërit e çuan në Egjipt. Pas vdekjes së Herodit, ata u kthyen e u vendosën në Galile. Këto dy ngjarje i kishte parathënë Jehovai nëpërmjet profetëve Jeremia dhe Hozea.—Mt 2:1-23; Jr 31:15; Ho 11:1.
Data e vdekjes. Është e vështirë të përcaktohet data e vdekjes së Herodit. Disa kronologë mendojnë se ai vdiq në vitin 5 ose 4 p.e.s. Kjo kronologji bazohet kryesisht në historinë e Jozef Flavit. Jozefi tregon vitin kur Roma e bëri Herodin mbret në bazë të «datimit konsullor», domethënë e përcakton vitin kur ka ndodhur ngjarja duke u nisur nga periudha kur disa prej konsujve romakë ishin në detyrë. Kështu i bie që Herodi të jetë emëruar mbret në vitin 40 p.e.s. Megjithatë, sipas Apianit, një historiani tjetër, kjo ka ndodhur në vitin 39 p.e.s. Duke ndjekur të njëjtën metodë datimi, sipas Jozef Flavit, Herodi e pushtoi Jerusalemin në vitin 37 p.e.s. Por ai thotë gjithashtu se kjo ndodhi 27 vjet pas pushtimit të qytetit nga Pompeu (në vitin 63 p.e.s.). (Antikitete judaike, XIV, 487, 488 [xvi, 4]) Sipas kësaj llogaritjeje, Herodi duhet ta ketë shtënë në dorë Jerusalemin në vitin 36 p.e.s. Veç kësaj, Jozef Flavi thotë se Herodi vdiq 37 vjet pasi ishte emëruar mbret nga Roma dhe 34 vjet pasi kishte marrë Jerusalemin. (Antikitete judaike, XVII, 190, 191 [viii, 1]) Në bazë të këtyre të dhënave, ai duhet të ketë vdekur në vitin 2 ose ndoshta 1 p.e.s.
Ka mundësi që historiani jude Jozef Flavi ta ketë llogaritur mbretërimin e mbretërve të Judesë sipas metodës së vitit të ardhjes në fuqi, njësoj si me mbretërit e shtëpisë së Davidit. Nëse Roma e emëroi Herodin mbret në vitin 40 p.e.s., viti i parë i mbretërimit të tij mund të ketë qenë nga nisani i vitit 39 deri në nisan të vitit 38 p.e.s.; po ashtu, duke llogaritur nga pushtimi i Jerusalemit në vitin 37 (ose 36) p.e.s., viti i parë i mbretërimit të tij mund të ketë nisur në nisan të vitit 36 (ose 35) p.e.s. Kështu, nëse Herodi vdiq 37 vjet pasi Roma e emëroi mbret dhe 34 vjet pas pushtimit të Jerusalemit, siç thotë Jozef Flavi, e nëse në secilin rast këto vite janë llogaritur duke u nisur nga viti i parë i mbretërimit, ai mund të ketë vdekur në vitin 1 p.e.s. Duke mbështetur këtë tezë, U. E. Filmeri shkruan në një vepër teologjike (The Journal of Theological Studies) se sipas traditës judaike Herodi vdiq më 2 shebat (muaj që përkon me periudhën janar-shkurt të kalendarit tonë).—Nga H. Çaduiku dhe H. Sparksi, Oksford, 1966, vëll. XVII, f. 284.
Sipas Jozefit, Herodi vdiq pak kohë pas një eklipsi të Hënës dhe para një Pashke. (Antikitete judaike, XVII, 167 [vi, 4]; 213 [ix, 3]) Përderisa më 11 mars të vitit 4 p.e.s. (13 mars sipas kalendarit julian) pati një eklips, disa kanë dalë në përfundimin se ky ishte eklipsi për të cilin foli Jozef Flavi.
Nga ana tjetër, ka pasur një eklips të plotë të Hënës në vitin 1 p.e.s., rreth tre muaj para Pashkës, kurse ai i vitit 4 p.e.s. ishte i pjesshëm. Eklipsi i plotë i vitit 1 p.e.s. ndodhi më 8 janar (10 janar sipas kalendarit julian), 18 ditë para 2 shebatit, datës tradicionale të vdekjes së Herodit. Një tjetër eklips (i pjesshëm) ndodhi më 27 dhjetor të vitit 1 p.e.s. (29 dhjetor sipas kalendarit julian).—Shih KRONOLOGJIA (Eklipset hënore).
Një tjetër llogaritje bazohet te mosha e Herodit në kohën e vdekjes. Jozef Flavi thotë se Herodi ishte rreth 70 vjeç kur vdiq. Ai thotë se kur u emërua guvernator i Galilesë (që në përgjithësi mendohet se ndodhi në vitin 47 p.e.s.), Herodi ishte 15 vjeç. Megjithatë, disa studiues mendojnë se ky është një gabim dhe se ai duhet të ketë qenë 25 vjeç. (Antikitete judaike, XVII, 148 [vi, 1]; XIV, 158 [ix, 2]) Pra, i bie që Herodi të ketë vdekur në vitin 2 ose 1 p.e.s. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se kronologjia e Jozefit ka shumë mospërputhje, ndaj nuk është burimi më i besueshëm. Të dhënat më të besueshme i gjejmë në Bibël.
Dëshmitë tregojnë se ka të ngjarë që Herodi të ketë vdekur në vitin 1 p.e.s. Luka, historian biblik, thotë se Gjoni filloi të pagëzonte në vitin e 15-të mbretërimit të Cezar Tiberit. (Lu 3:1-3) Augusti vdiq më 17 gusht të vitit 14 të e.s. Më 15 shtator, Senati i Romës e emëroi Tiberin perandor. Romakët nuk e llogaritnin kohën duke u nisur nga viti i kurorëzimit të mbretit; kështu, viti i 15-të i mbretërimit të Tiberit llogaritet duke filluar nga fundi i vitit 28 të e.s. deri në fund të vitit 29 të e.s. Gjoni ishte gjashtë muaj më i madh se Jezui dhe e filloi shërbimin para Jezuit (me sa duket në pranverë), duke shërbyer si pararendës ose si ai që i përgatiti udhën. (Lu 1:35, 36) Jezui, që sipas Biblës lindi në vjeshtë, ishte rreth 30 vjeç kur shkoi te Gjoni për t’u pagëzuar. (Lu 3:21-23) Pra, ai duhet të jetë pagëzuar në vjeshtë, rreth muajit tetor të vitit 29 të e.s. Duke zbritur 30 vjet arrijmë në vjeshtë të vitit 2 p.e.s., koha kur Biri i Perëndisë lindi si njeri në tokë. (Krahaso Lu 3:1, 23 me profecinë e Danielit për ‘shtatëdhjetë javët’ te Dn 9:24-27.)—Shih SHTATËDHJETË JAVËT.
Astrologët që vizituan Jezuin. Mateu thotë se pas lindjes së Jezuit në Betlehem, «në ditët e mbretit Herod», disa astrologë nga vende lindore shkuan në Jerusalem dhe thanë se kishin parë yllin e tij kur ishin në lindje. Kjo i ngjalli menjëherë frikë dhe dyshime Herodit, i cili mësoi nga krerët e priftërinjve dhe skribët se Krishti duhej të lindte në Betlehem. Pastaj thirri astrologët për të marrë vesh se kur ishte shfaqur ylli.—Mt 2:1-7.
Kjo ka ndodhur ca kohë pas lindjes së Jezuit, pasi tani nuk ishte më në një grazhd, por në një shtëpi. (Mt 2:11; krahaso Lu 2:4-7.) Meqenëse astrologët nuk u kthyen për t’i treguar Herodit ku ishte fëmija, mbreti urdhëroi të vriteshin të gjithë djemtë nën dy vjeç në Betlehem dhe rrethina. Ndërkohë, Jozefi dhe Maria e kishin çuar Jezuin në Egjipt, siç i kishte paralajmëruar Perëndia. (Mt 2:12-18) S’ka mundësi që Herodi të ketë vdekur para vitit 1 p.e.s., pasi Jezui (që lindi rreth 1 tetorit të vitit 2 p.e.s.) do të kishte qenë më pak se tre muajsh.
Nga ana tjetër, Jezui nuk ishte medoemos 2 vjeç kur u vranë të gjithë fëmijët. Ai mund të ketë qenë më pak se 1 vjeç, pasi Herodi e llogariti kohën që nga momenti kur iu shfaq ylli astrologëve kur ishin në lindje. (Mt 2:1, 2, 7-9) Kjo mund të ketë qenë një periudhë disamujore, pasi nëse astrologët ishin nisur nga vatra shumëshekullore e astrologjisë, Babilonia ose Mesopotamia, siç mund të ketë ndodhur në të vërtetë, udhëtimi zgjaste shumë. Izraelitëve u ishin dashur të paktën 4 muaj udhë kur u kthyen nga Babilonia në vitin 537 p.e.s. Me sa duket Herodi mendoi se duke vrarë të gjitha foshnjat nën 2 vjeç, ishte i sigurt se nuk do t’i shpëtonte ai që kishte lindur si «mbreti i judenjve». (Mt 2:2) Herodi vdiq pak pas këtyre ngjarjeve, sepse siç dihet, Jezui nuk qëndroi gjatë në Egjipt.—Mt 2:19-21.
Kështu pra, nga kronologjia biblike, të dhënat astronomike dhe dokumentet historike, duket se Herodi vdiq në vitin 1 p.e.s., ose ndoshta në fillim të vitit 1 të e.s.
2. Herod Antipa, biri i Herodit të Madh dhe i një samaritaneje me emrin Maltake. Ai u rrit në Romë me të vëllanë, Arkelaun. Herodi e kishte lënë me testament që mbretëria t’i kalonte Antipës, por në fund e ndryshoi amanetin duke vënë në vend të tij Arkelaun. Antipa e kundërshtoi testamentin para Cezar Augustit, i cili i dha të drejtë Arkelaut, por e ndau mbretërinë duke e emëruar Antipën tetrark të Galilesë e të Peresë. «Tetrark», që do të thotë ‘sundimtar i çerekut’ të një province, ishte një term që përdorej për qeveritarin e një krahine më të vogël ose për një princ territorial. Megjithatë, në përgjithësi atë mund ta kenë quajtur mbret, njësoj si Arkelaun.—Mt 14:9; Mr 6:14, 22, 25-27.
Antipa u martua me të bijën e Aretës, mbretit të Arabisë, me kryeqytet në Petra. Megjithatë në një nga udhëtimet e tij drejt Romës, Antipa vizitoi gjysmëvëllanë e tij Herod Filipin, birin e Herodit të Madh dhe të Mariamnës II (jo tetrakun Filip). Gjatë kësaj vizite, ai u marros pas gruas së Filipit, Herodiadës, që kishte ambicie për pozitë. Pasi u divorcua nga e bija e Aretës dhe e nisi në shtëpi, ai e mori Herodiadën në Galile dhe u martua me të. Kjo fyerje e rëndë solli luftë. Areta pushtoi territoret e Antipës dhe i shkaktoi humbje shumë të mëdha, aq sa gati e rrëzoi nga froni. Antipa ia hodhi ngaqë iu apelua Romës dhe perandori nxori urdhër që Areta të kapej ose të vritej.
Antipa kishte fituar pëlqimin e Cezar Tiberit, pasuesit të Augustit. Ndërtues si i ati, ndonëse jo aq sa ai, Antipa ndërtoi një qytet në liqenin e Genesaretit (deti i Galilesë ose i Tiberiadës) dhe e quajti Tiberiadë, për nder të perandorit. (Gjo 6:1, 23) Një tjetër qytet e quajti Julia, për nder të gruas së Augustit, Julias (që njihet më shumë si Livia). Ai ndërtoi edhe fortesa, pallate e teatro.
Vret Gjon Pagëzorin. Lidhjen kurorëshkelëse të Herod Antipës me Herodiadën e dënoi Gjon Pagëzori. Gjoni mund ta qortonte me të drejtë Antipën për këtë gjë, pasi formalisht ai ishte jude dhe thoshte se e zbatonte Ligjin. Antipa e futi Gjonin në burg me synimin për ta vrarë, por kishte frikë nga populli që besonte se Gjoni ishte profet. Mirëpo, gjatë festimit të ditëlindjes së tij, Antipës i pëlqeu aq shumë kërcimi i së bijës së Herodiadës, sa u betua t’i jepte ç’të kërkonte. Herodiada e mësoi të bijën të kërkonte kokën e Gjonit. Megjithëqë kjo nuk i pëlqeu, me burracakëri Herodi u dorëzua për të shpëtuar nderin para të pranishmëve në festë dhe për shkak se ishte betuar. (Megjithatë, Ligji nuk e detyronte të kryente një akt të paligjshëm si vrasja për të mbajtur betimin.)—Mt 14:3-12; Mr 6:17-29.
Më pas, kur dëgjoi për shërbimin e Jezuit, domethënë për predikimin, shërimet dhe dëbimin e demonëve, Antipa u tremb se mendoi që Jezui ishte në të vërtetë Gjoni i ringjallur. Prandaj kishte shumë dëshirë ta shihte Jezuin, jo për të dëgjuar predikimin e tij, por më shumë për t’u siguruar.—Mt 14:1, 2; Mr 6:14-16; Lu 9:7-9.
Ka të ngjarë që një ditë kur Jezui po kalonte nga Perea për të shkuar në Jerusalem farisenjtë t’i kenë thënë: «Dil dhe largohu që këtej, sepse Herodi dëshiron të të vrasë.» Ka mundësi që këto fjalë t’i ketë hapur vetë Herodi, me shpresë që ta shtynte Jezuin t’ia mbathte nga frika, pasi ndoshta trembej se mos i duhej prapë të guxonte të vriste një tjetër profet të Perëndisë. Duke iu përgjigjur farisenjve, Jezui e hodhi fjalën te dinakëria e Herodit dhe e quajti ‘dhelpër’.—Lu 13:31-33.
‘Majaja e Herodit.’ Gjatë mbretërimit të Herod Antipës, Jezui i paralajmëroi ithtarët e tij: «Rrini syhapur dhe ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e Herodit.» (Mr 8:15) Të dyja këto sekte, farisenjtë dhe herodianët ose ithtarët e partisë së Herodit, ishin kundër Jezu Krishtit dhe mësimeve të tij, e megjithëse armike me njëra-tjetrën, të dyja palët e shihnin Krishtin si armikun e tyre të përbashkët dhe ishin bashkuar kundër tij. Herodianët ishin më shumë një parti politike sesa fetare; thuhet se ata e quanin veten ndjekës të Ligjit, por mendonin se ishte e ligjshme që judenjtë t’i nënshtroheshin një princi të huaj (meqë Herodët nuk ishin judenj të vërtetë, por idumeas). Herodianët ishin shumë nacionalistë dhe nuk mbështesnin as idenë e një qeverie teokratike nën sundimin e mbretërve judenj, as sundimin romak. Ata donin të rivendosej një mbretëri kombëtare e drejtuar nga një prej bijve të Herodit.
Një shembull që dëshmon për ‘majanë’ e tyre nacionaliste ishte pyetja djallëzore që ata dhe farisenjtë i bënë Jezuit për ta zënë në grackë: «A është e ligjshme t’i paguhet Cezarit haraç për kokë, apo jo? Duhet ta paguajmë apo jo?» (Mr 12:13-15) Jezui i quajti «hipokritë» dhe tregoi se ruhej nga ‘majaja’ e tyre. Përgjigjja e tij çarmatosëse bëri që të dilte huq tentativa për ta akuzuar si nxitës kryengritjeje ose për të nxitur popullin kundër tij.—Mt 22:15-22.
Tallet me Jezuin. Ditën e fundit të Jezuit në tokë, kur e çuan para Ponc Pilatit dhe ky dëgjoi se Jezui ishte galileas, Pilati e nisi te Herod Antipa, qeveritari i krahinës së Galilesë (që në atë kohë ishte në Jerusalem), pasi Pilati kishte pasur telashe me galileasit. (Lu 13:1; 23:1-7) Kur pa Jezuin, Herodi u gëzua, jo sepse ishte në merak për të ose donte të nxirrte në shesh vërtetësinë apo pavërtetësinë e akuzave të priftërinjve dhe të skribëve, por sepse donte të shihte ndonjë mrekulli nga Jezui. Jezui nuk pranoi dhe, kur Herodi filloi «t’i bënte shumë pyetje», nuk u përgjigj. Jezui e dinte se e kishin çuar me forcë para Herodit dhe në fund të fundit ishte sa për ta vënë në lojë. I zhgënjyer nga Jezui, Herodi e diskreditoi dhe e talli duke e veshur me një rrobë të shndritshme. Pastaj e ktheu te Pilati, autoriteti më i lartë nën Romën. Pilati dhe Herodi kishin qenë armiq, ndoshta për shkak të disa akuzave që kishte ngritur Herodi kundër Pilatit. Por ky hap i Pilatit i kishte pëlqyer Herodit dhe u bënë miq.—Lu 23:8-12.
Pas lirimit nga burgu të Pjetrit dhe Gjonit pak pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., dishepujt iu lutën Perëndisë: «Herodi [Antipa] dhe Ponc Pilati, bashkë me njerëz nga kombet dhe nga Izraeli, u mblodhën në këtë qytet kundër Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë. . . . E tani, o Jehova, kushtoju vëmendje kërcënimeve të tyre, dhe bëj që skllevërit e tu ta thonë fjalën tënde plot guxim.»—Ve 4:23, 27-29.
Te Veprat 13:1 thuhet se një i krishterë me emrin Manaen, ishte arsimuar me Herodin, qeveritarin e krahinës. Meqë Antipa ishte arsimuar në Romë me një qytetar të thjeshtë, fjalët e Biblës mund të tregojnë se edhe Manaeni ishte arsimuar në Romë.
E syrgjynosin në Gali. Kur Gaj Cezari (Kaligula) e bëri Agripën I mbret të tetrarkisë së Filipit, Herodiada e qortoi të shoqin, Antipën, duke thënë se nuk ishte bërë mbret vetëm për shkak të ngathtësisë. Sipas saj, përderisa ai ishte tashmë tetrark, kurse Agripa nuk kishte asnjë funksion deri në atë moment, Antipa duhej të shkonte në Romë për t’i kërkuar Cezarit ta bënte mbret. Në fund, ai u dorëzua para presionit të vazhdueshëm të së shoqes. Mirëpo Kaligula, i acaruar nga kërkesa ambicioze e Antipës, ua vuri veshin akuzave të Agripës dhe e degdisi Antipën në Gali (në qytetin e Lionit në Francë). Në fund, ai vdiq në Spanjë. Herodiada mund t’i kishte shpëtuar ndëshkimit meqë ishte e motra e Agripës, por qëndroi përkrah të shoqit, ka të ngjarë për arsye krenarie. Tetrarkia e Antipës dhe, pas mërgimit, paratë e tij si dhe pronat e Herodiadës, iu dhanë Agripës I. Kështu pra, Herodiada ishte përgjegjëse për dy tragjedi të mëdha në jetën e Antipës: disfata pothuaj e plotë nga mbreti Areta dhe syrgjynosja e tij.
3. Herod Agripa I. Nip i Herodit të Madh. Ishte bir i Aristobulit, birit të Herodit të Madh dhe Mariamnës I, mbesës së kryepriftit Hirkani II. Aristobulin e kishte vrarë Herodi i Madh. Agripa ishte Herodi i fundit që u bë mbret i gjithë Palestinës, si kishte qenë gjyshi i tij.
Fillimet e tij. Agripa u bë «mbreti Herod» pas një sërë manovrash dhe me ndihmën e miqve të tij në Romë. (Ve 12:1) I arsimuar në Romë me Drusin, të birin e perandorit Tiber, dhe me Klaudin, nipin e tij, ai u bë një figurë e njohur në rrethet e rëndësishme të qytetit. Ishte jashtëzakonisht dorëshpuar dhe i papërgjegjshëm. I zhytur gjer në fyt në borxhe—madje borxhli edhe ndaj thesarit romak—ai iku nga Roma dhe ia mbathi në Idume. Në fund, me ndihmën e së motrës, Herodiadës, dhe të gruas së tij, Kiprozës (vajzës së nipit të Herodit të Madh që ishte martuar me të bijën e Herodit) Agripa u sistemua për ca kohë në Tiberiadë. Më vonë, iku nga atje pas një sherri me Antipën. Në fund u kthye në Romë ku fitoi pëlqimin e Tiber Cezarit.
Megjithatë, disa fjalë të pamatura e vunë në vështirësi me perandorin Tiber. Në një çast shkujdesjeje, ai i uroi Gajit (Kaligulës), me të cilin kishte lidhur miqësi, që së shpejti ta shihte perandor. Këto fjalë i shkuan në vesh Tiberit nëpërmjet një shërbëtori të Agripës. Kështu, Tiberi e futi Agripën në burg. Për muaj të tërë ishte me kokë në torbë deri kur Tiberi vdiq dhe Kaligula u bë perandor. Ky e liroi Agripën dhe e bëri mbret në territoret e dikurshme të Filipit, xhaxhait të tij të ndjerë.
I privilegjuar nga perandorët romakë. Ziliqare për pozitën e të vëllait si mbret, Herodiada e bindi të shoqin, Herod Antipën, që ishte thjesht tetrark, t’i kërkonte perandorit të ri në Romë që t’i jepte një kurorë. Mirëpo Agripa u tregua më i shkathët se Antipa. Ai e akuzoi para Gajit (Kaligulës) se kishte lidhur aleancë me Sejanusin, që kishte komplotuar kundër Tiberit, dhe me partët. Këto akuza Antipa nuk mundi t’i hidhte poshtë, ndaj përfundoi i syrgjynosur. Galilea dhe Perea, territore të Antipës, iu shtuan mbretërisë së Agripës. Në një fragment, Jozef Flavi thotë se Agripës ia dha këto territore Kaligula, kurse në dy fragmente të tjera thotë se ia dha Klaudi. Ka mundësi që Kaligula t’ia ketë premtuar, kurse Klaudi të ketë përmbushur premtimin.
Kur u vra Kaligula që, sipas historianëve ndodhi në vitin 41 të e.s., Agripa ishte në Romë. Ai veproi si ndërmjetës ose negociator mes senatit dhe mikut të tij, perandorit të ri Klaud. Klaudi ia shprehu vlerësimin duke i dhuruar territorin e Judesë dhe të Samarisë, si dhe mbretërinë e tetrarkut Lisania. Kështu Agripa u bë mbreti i pothuaj të njëjtave territore si gjyshi i tij, Herodi i Madh. Në këtë kohë, Agripa i kërkoi Klaudit mbretërinë e Kalkisit për të vëllanë, Herodin, dhe arriti ta merrte. (Ky Herod përmendet në histori vetëm si mbret i Kalkisit, një territor i vogël në shpatet perëndimore të vargmalit Anti-Liban.)
Bën për vete judenjtë; përndjek të krishterët. Agripa u mundua të fitonte simpatinë e judenjve duke pohuar se ishte ndjekës i përkushtuar i judaizmit. Kaligula që thoshte se ishte perëndi, kishte vendosur të ngrinte një statujë të vetën në tempullin e Jerusalemit, por Agripa e bindi me zotësi të mos e bënte. Më vonë, Agripa nisi ndërtimin e një muri në periferi, në krahun verior të Jerusalemit. Klaudi e mori këtë si një fortifikim të mundshëm të qytetit për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm i ardhshëm i romakëve. Kështu e urdhëroi Agripën të ndalte punimet. Duke organizuar e duke mbështetur duele mes gladiatorëve e shfaqje të tjera pagane në teatër, Agripa tregoi se nuk ishte aspak adhurues i Perëndisë siç pohonte.
Agripa kishte pëlqimin e judenjve, sepse ishte me prejardhje hasmoneje nga gjyshja, Mariamna. Nga njëra anë, ai mbrojti çështjen e judenjve që vuanin nën zgjedhën romake dhe nga ana tjetër, u bë i famshëm si përndjekës i të krishterëve, që judenjtë jobesimtarë në përgjithësi i urrenin. Ai «vrau me shpatë Jakovin, vëllanë e Gjonit». (Ve 12:1, 2) Kur pa se kjo u pëlqeu judenjve, arrestoi e burgosi edhe Pjetrin, të cilin e liroi një engjëll. Kjo shkaktoi një trazirë të madhe mes ushtarëve të Agripës dhe çoi në dënimin e rojave të Pjetrit.—Ve 12:3-19.
Vritet nga engjëlli i Perëndisë. Mbretëria e Agripës pati një fund të papritur. Në Cezare, gjatë një feste për nder të Cezarit, ai u vesh me rroba mbretërore madhështore dhe nisi një ligjëratë para të pranishmëve të ardhur nga Tiri e Sidoni që i kërkonin paqe. Të pranishmit thërritën: «Zë perëndie, e jo njeriu!» Ja si e përmbledh Bibla ekzekutimin e këtij hipokriti tashmë të dënuar: «Në çast, engjëlli i Jehovait e goditi, sepse nuk ia dha lavdinë Perëndisë. Ndërsa e brenin krimbat, ai dha frymë.»—Ve 12:20-23.
Sipas kronologëve mbreti Herod Agripa I vdiq në vitin 44 të e.s., në moshën 54-vjeçare, pasi kishte mbretëruar 3 vjet në të gjithë Judenë. Ai la pas një djalë, Herod Agripën II, dhe tre vajza, Bernikën (Ve 25:13), Drusilën, gruan e guvernatorit Feliks, dhe Mariamnën III.—Ve 24:24.
4. Herod Agripa II. Stërnip i Herodit të Madh. Ishte i biri i Herod Agripës I dhe i gruas së tij, Kiprozës. Sipas historianëve, ishte princi i fundit në dinastinë e Herodëve. Agripa pati tri motra, Bernikën, Drusilën dhe Mariamnën III. (Ve 25:13; 24:24) U rrit në oborrin perandorak të Romës. Kur ishte vetëm 17 vjeç, i ati vdiq dhe këshilltarët e perandorit Klaud menduan se ishte tepër i ri për të marrë në dorë qeverisjen e territoreve të të atit. Kështu, Klaudi emëroi në vend të tij disa guvernatorë. Agripa II qëndroi për njëfarë kohe në Romë dhe, pas vdekjes së xhaxhait (Herodit, mbretit të Kalkisit), i dhanë mbretërinë e Kalkisit, një principatë e vogël në shpatet perëndimore të vargmalit Anti-Liban.
Pak kohë më pas, Klaudi e emëroi mbret të tetrarkive që dikur i përkitnin Filipit dhe Lisanisë. (Lu 3:1) Gjithashtu i besuan mbikëqyrjen e tempullit të Jerusalemit dhe i lanë në dorë të emëronte kryepriftërinjtë. Neroni, pasuesi i Klaudit, ia zgjeroi territoret duke i dhënë Tiberiadën dhe Tarikenë në Galile, si dhe Julian në Pere me lokalitetet përreth.
Më vonë, Agripa vendosi të zgjeronte pallatin e tij të ndërtuar në Jerusalem nga mbretërit hasmonej. Meqë nga kjo shtesë e pallatit mund të shihte çfarë ndodhte në oborrin e tempullit, judenjtë ngritën një mur që të mos shihte ai dhe rojat romake që vrojtonin nga një pikë e lartë. Kjo nuk i pëlqeu Herodit dhe Festit, por meqë judenjtë iu apeluan Neronit, perandori e lejoi murin. Veç kësaj, Agripa zbukuroi Cezarenë e Filipit (që e quajti Neronia për nder të Neronit). Duke ndjekur gjurmët e të atit, ai ndërtoi një teatër në Berit, Feniki, dhe çoi dëm shuma të pallogaritshme për spektakle.
Gjithkund ishin përhapur fjalë se Agripa pati një marrëdhënie incesti me të motrën, Bernikën, që kishte braktisur të shoqin, mbretin e Kilikisë. (Antikitete judaike, nga J. Flavi, XX, 145, 146 [vii, 3]) Jozefi nuk thotë në asnjë rast nëse Agripa ishte i martuar apo jo.
Kur u bë e qartë se rebelimi i judenjve kundër zgjedhës së Romës (66-70 të e.s.) do të sillte veç katastrofë kombëtare, Agripa u përpoq t’i bindte judenjtë të ndiqnin një rrugë më të arsyeshme. Meqë thirrjet e tij ranë në vesh të shurdhër, ai i braktisi dhe u lidh me ushtrinë romake; u plagos në luftime nga një gur i hedhur me hobe.
Mbrojtja e Pavlit. Mbreti Herod Agripa II dhe motra e tij, Bernika, përmenden për herë të parë në Shkrime në kohën kur shkuan për vizitë te guvernatori Fest rreth vitit 58 të e.s. (Ve 25:13) Festi ishte pasuesi i guvernatorit Feliks. Gjatë kohës së guvernatorit Feliks, judenjtë kishin ngritur akuza kundër apostullit Pavël, por meqë ishte në fund të mandatit të tij, Feliksi e la Pavlin në burg sepse nuk donte të humbte pëlqimin e judenjve. (Ve 24:27) Vlen të përmendim se Feliksi ishte kunati i Agripës, pasi ishte martuar me motrën e tij Drusilën. (Ve 24:24) Ndërkohë që Pavli priste çfarë do të bëhej me të pasi iu apelua Cezarit (Ve 25:8-12), mbreti Agripa i tha guvernatorit Fest se donte të dëgjonte çfarë kishte për të thënë Pavli. (Ve 25:22) Pavlit i erdhi mirë që do të mbrohej para Agripës, për të cilin tha se ‘i njihte mirë të gjitha zakonet dhe polemikat midis judenjve’. (Ve 26:1-3) Argumentet e forta të Pavlit e nxitën Agripën të thoshte: «Brenda pak kohe do të ma mbushje mendjen të bëhesha i krishterë.» Pavli ia ktheu: «I lutem Perëndisë që, qoftë për pak kohë a për shumë kohë, jo vetëm ti, por edhe të gjithë ata që më dëgjojnë sot, të bëhen si unë, me përjashtim të këtyre vargonjve.» (Ve 26:4-29) Agripa dhe Festi ishin në një mendje se Pavli ishte i pafajshëm, por meqë i ishte apeluar Cezarit, duhej çuar në Romë për gjykim.—Ve 26:30-32.
Pas shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 70 të e.s., Herod Agripa u shpërngul në Romë me të motrën, Bernikën, dhe atje e emëruan pretor. Vdiq rreth vitit 100 të e.s. dhe nuk pati fëmijë.
5. Herod Filipi. Biri i Herodit të Madh dhe i Mariamnës II, bijës së kryepriftit Simon. Filipi ishte burri i parë i Herodiadës, e cila u divorcua nga ai për t’u martuar me gjysmëvëllanë e tij, Herod Antipën. Në Bibël përmendet shkarazi te Mateu 14:3, Marku 6:17, 18 dhe Luka 3:19.
Emri Herod Filip përdorej për ta dalluar nga tetrarku Filip, pasi edhe ky i fundit, sipas Jozef Flavit, ishte bir i Herodit të Madh me një grua tjetër, Kleopatrën e Jerusalemit.
Duket se Filipit i takonte froni i të atit, si më i madhi pas gjysmëvëllezërve të tij, Antipatrit, Aleksandrit dhe Aristobulit, të tre të vrarë nga i ati. Në testamentin e parë Herodi e kishte përmendur si trashëgimtar të fronit pas Antipës. Por në testamentin e fundit nuk e kishte përmendur dhe mbretërinë e gëzoi Arkelau. Jozef Flavi thotë se Herodi e hoqi emrin e Filipit nga testamenti, sepse Mariamna II, nëna e Filipit, kishte qenë në dijeni të komplotit të Antipatrit kundër Herodit, por nuk i kishte treguar.
Filipi kishte një vajzë me Herodiadën, Salomën. Pikërisht ajo duhet të ketë kërcyer para Herod Antipës dhe, e mësuar nga e ëma, të ketë kërkuar kokën e Gjon Pagëzorit.—Mt 14:1-13; Mr 6:17-29.
6. Tetrarku Filip. Bir i Herodit të Madh me gruan e tij, Kleopatrën e Jerusalemit. U rrit në Romë dhe u martua me Salomën, të bijën e Herod Filipit dhe të Herodiadës. Kur vdiq i ati, August Cezari e ndau mbretërinë dhe i dha Filipit tetrarkinë e Ituresë, Trakonitidës e rajone të tjera fqinje, si dhe 100 talenta të ardhura vjetore. (Iturea mund të jetë shtuar më vonë, ndaj Jozefi nuk e përmend.) Ai mbretëroi për më shumë se 30 vjet. Jozef Flavi thotë: «Gjatë kohës që ishte në pushtet, ai u tregua i arsyeshëm e tolerant. Në fakt, gjithë vitin e kalonte në territorin e tij.» Jozefi shton se Filipi ulej për të gjykuar kudo që ndodhej dhe nuk i shtynte çështjet. Vdiq në Julia dhe i bënë një varrim madhështor. Meqë nuk pati djem, perandori Tiber ia bashkëngjiti tetrarkinë e tij provincës së Sirisë.—Antikitete judaike, XVIII, 106-108 (iv, 6).
Emri i Filipit përmendet vetëm një herë në Bibël, kur përcaktohet periudha e shërbimit të Gjon Pagëzorit. (Lu 3:1) Ky varg, bashkë me disa të dhëna historike për mbretërimin e Augustit dhe të Tiberit, tregojnë se Gjoni e nisi shërbimin në vitin 29 të e.s.
[Diagrami]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
GJENEALOGJI E PJESSHME E HERODËVE
(Emrat e burrave janë me shkronja të mëdha)
ANTIPATRI I
ANTIPATRI II dhe Kiproza (gruaja e tij)
FASAELI
HERODI I MADH (Mt 2:1-22; Lu 1:5)
JOZEFI
FERORI
Saloma
GRATË E HERODIT TË MADH
Dorisi
ANTIPATRI
Mariamna I
ALEKSANDRI
ARISTOBULI
HERODI Mbret i Kalkisit
AGRIPA I Mbret i Palestinës (Ve 12:1-6, 18-23)
AGRIPA II Mbret i Kalkisit; më vonë iu dhanë territoret që i përkitnin tetrarkut Filip, si dhe vise të tjera (Ve 25:13, 22-27; 26:1, 2, 19-32)
Mariamna III
Drusila Gruaja e Feliksit (Ve 24:24)
Herodiada E ëma e Salomës (Mt 14:3, 4, 6-8)
Salamsiona
Kiproza
Mariamna II
HEROD FILIPI Burri i parë i Herodiadës (Mt 14:3)
Saloma
Kleopatra e Jerusalemit
FILIPI Tetrarku i Ituresë, Trakonitidës dhe i krahinave fqinje (Lu 3:1)
Maltakja
ARKELAU Mbret i Judesë; më vonë etnark (Mt 2:22)
ANTIPA Tetrarku i Galilesë dhe i Peresë; në përgjithësi quhej «mbret»; burri i dytë i Herodiadës (Mt 14:1-12; Mr 6:14-29; Lu 3:1, 19, 20; 13:31, 32; 23:6-15; Ve 4:27; 13:1)
(Herodi i Madh pati edhe pesë gra të tjera dhe 15 fëmijë gjithsej)
[Figura në botimin e shtypur]
Rrënojat e një pallati me shumë nivele të ndërtuar nga Herodi i Madh në majë të Masadës
[Figura në botimin e shtypur]
Monedhë bronzi ku paraqitet koka e Domicianit dhe, në anën tjetër, emri i mbretit Agripa (II)