«Përkujtuesit e tu i kam në zemër»
«Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë.»—ROMAKËVE 15:4.
1. Si na i jep Jehovai përkujtuesit dhe përse kemi nevojë për ta?
JEHOVAI i jep popullit të tij përkujtues, për ta ndihmuar të përballojë presionet e këtyre kohëve të vështira. Disa përkujtues i gjejmë gjatë leximit personal të Biblës, kurse të tjerë paraqiten si informacione ose komente në mbledhjet e krishtere. Një pjesë e mirë e asaj që lexojmë ose dëgjojmë në këto raste, nuk është e re për ne. Me siguri që i kemi shqyrtuar edhe më parë informacione të ngjashme. Por, meqë jemi të prirur të harrojmë, vazhdimisht kemi nevojë të freskojmë kujtesën për sa u përket qëllimeve, ligjeve dhe udhëzimeve të Jehovait. Duhet t’i vlerësojmë përkujtuesit që na jep ai. Ata na rigjallërojnë, duke na ndihmuar të mbetemi të përqendruar tek arsyet që na shtynë të ndiqnim një jetë sipas vullnetit të Perëndisë. Prandaj psalmisti i këndoi Jehovait: «Përkujtuesit e tu i kam në zemër.»—Psalmi 119:24.
2, 3. (a) Pse Jehovai i ruajti deri në ditët tona tregimet për jetën e personazheve biblike? (b) Cilat ngjarje nga Shkrimet do të shqyrtohen në këtë artikull?
2 Ndonëse u shkrua shumë shekuj më parë, Fjala e Perëndisë është e fuqishme. (Hebrenjve 4:12) Aty gjejmë tregime të vërteta të jetës së personazheve biblike. Edhe pse zakonet dhe pikëpamjet kanë ndryshuar shumë që nga kohët biblike, sfidat që duhet të hasim sot, shpesh, janë të ngjashme me ato që hasnin njerëzit në ato kohë. Shumë tregime që janë ruajtur në Bibël për dobinë tonë, përmbajnë shembuj mbresëlënës për njerëz që e deshën Jehovain dhe i shërbyen me besnikëri, pavarësisht nga rrethanat e vështira. Tregime të tjera na tërheqin vëmendjen te lloji i sjelljes që Perëndia e urren. Të gjitha këto tregime, të mira e të këqija, Jehovai i përfshiu në Bibël si përkujtues. Në fakt, apostulli Pavël shkroi: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.»—Romakëve 15:4.
3 Le të përqendrohemi në tri ngjarje që gjejmë në Shkrime: tregimi se si veproi Davidi me Saulin, historia e Ananisë dhe Safirës, si dhe tregimi se si u soll Jozefi me gruan e Potifarit. Nga secila ngjarje nxjerrim mësime të vlefshme.
Besnikëri ndaj rregullit që vendos Perëndia
4, 5. (a) Cila situatë ekzistonte mes mbretit Saul dhe Davidit? (b) Si reagoi Davidi ndaj armiqësisë së Saulit?
4 Mbreti Saul nuk i qëndroi besnik Jehovait, prandaj nuk ishte më i denjë të mbretëronte mbi popullin e Tij. Kështu, Perëndia e hodhi poshtë dhe udhëzoi profetin Samuel të miroste Davidin si mbretin e ardhshëm të Izraelit. Kur Davidi u shqua si luftëtar dhe mori lavde nga populli, Sauli nisi ta shihte si rival. Ai disa herë me radhë u përpoq ta hiqte qafe Davidin, i cili arriti të shpëtonte vetëm sepse Jehovai ishte me të.—1 Samuelit 18:6-12, 25; 19:10, 11.
5 Për vite të tëra, Davidi u detyrua të jetonte si i arratisur. Kur i doli rasti për ta vrarë Saulin, shokët e nxitën Davidin ta vriste, duke thënë se Jehovai po ia jepte armikun në dorë. Por ai nuk pranoi, sepse i qëndronte besnik Jehovait dhe respektonte pozitën e Saulit si mbreti i mirosur i popullit të Perëndisë. A s’e kishte caktuar Jehovai Saulin si mbret të Izraelit?! Vetë Jehovai do ta hiqte, kur ta shihte të përshtatshme. Davidi arsyetoi se s’ishte puna e tij të ndërhynte. Pasi bëri gjithçka që i lejonin rrethanat për ta zbutur urrejtjen e Saulit, Davidi tha si përfundim: «Vetë Jehovai do t’i japë një goditje; ose do t’i vijë dita dhe do të vdesë, ose do të zbresë në betejë dhe do të shfaroset. Duke e ditur pikëpamjen e Jehovait, mua nuk më shkon kurrë ndër mend të vë dorë mbi të mirosurin e Jehovait!»—1 Samuelit 24:3-15; 26:7-20.
6. Pse na intereson tregimi për Davidin dhe Saulin?
6 Në këtë tregim gjejmë një mësim jetësor. A të ka ndodhur të pyesësh veten pse lindin disa probleme në kongregacionin e krishterë? Ndoshta dikush po vepron në një mënyrë jo të përshtatshme. Sjellja e tij mund të mos përbëjë ndonjë mëkat të rëndë, por ty të shqetëson. Si duhet të reagosh? Ndoshta, nga interesimi për të dhe nga besnikëria ndaj Jehovait, vendos të flasësh me të me mirëdashje, duke pasur si synim që ta fitosh. Po sikur problemi të vazhdojë? Pasi ke bërë gjithçka të arsyeshme, lëre çështjen në dorë të Jehovait. Kështu veproi Davidi.
7. Si duhet ta imitojmë reagimin e Davidit kur hasim padrejtësi ose paragjykime?
7 Ose ndoshta po has probleme nga padrejtësitë shoqërore a nga paragjykimi fetar. Mbase tani për tani s’bën dot gjë për të ndryshuar rrethanat. Kjo situatë mund të jetë shumë e vështirë për t’u duruar, por nga reagimi i Davidit ndaj padrejtësive nxjerrim një mësim. Psalmet që shkroi Davidi janë një dëshmi prekëse jo vetëm e lutjeve të tij të ndiera drejtuar Perëndisë që ta mbronte nga dora e Saulit, por edhe e besnikërisë së tij ndaj Jehovait dhe e merakut për lavdërimin e emrit të Perëndisë. (Psalmi 18:1-6, 25-27, 30-32, 48-50; 57:1-11) Davidi i qëndroi besnik Jehovait, ndonëse Sauli vazhdoi të vepronte padrejtësisht për vite të tëra. Edhe ne duhet t’i mbetemi besnikë Jehovait dhe organizatës së tij, pavarësisht nga padrejtësitë që na bëhen dhe pavarësisht nga ajo që bëjnë të tjerët. Të jemi të sigurt se Jehovai është plotësisht në dijeni të situatës.—Psalmi 86:2.
8. Si reaguan Dëshmitarët e Jehovait në Mozambik, kur iu vu në provë besnikëria ndaj Jehovait?
8 Të krishterët në Mozambik janë një shembull i sotshëm i njerëzve që i kanë qëndruar besnikë Jehovait në kohë sprovash. Në vitin 1984, fshatrat e tyre u mësynë vazhdimisht nga anëtarë të armatosur të një lëvizjeje për rezistencë, të cilët plaçkitnin, digjnin shtëpi dhe vritnin njerëz. Këta të krishterë të vërtetë s’mund të bënin shumë për t’u mbrojtur. Në të gjithë zonën u bënë përpjekje për t’i rekrutuar banorët në lëvizjen ushtarake ose për t’i detyruar t’i mbështetnin me mjete të tjera. Dëshmitarët e Jehovait mendonin se kjo nuk ishte në përputhje me qëndrimin e tyre asnjanës si të krishterë. Refuzimi i tyre u prit me zemërim. Në atë periudhë të trazuar u vranë 30 Dëshmitarë, por as kërcënimi i vdekjes nuk e thyente dot besnikërinë e popullit të Perëndisë.a Ashtu si Davidi, edhe ata duruan padrejtësi, por përfundimisht dolën fitimtarë.
Një përkujtues që shërben si paralajmërim
9, 10. (a) Si mund të nxjerrim dobi nga disa shembuj në Shkrime? (b) Çfarë kishte të gabuar në veprimet e Ananisë dhe të Safirës?
9 Disa individë që përmenden në Shkrime shërbejnë si shembuj që na paralajmërojnë për sjelljen që duhet shmangur. Në fakt, në Bibël ka shumë tregime për njerëz që vepruan gabim dhe vuajtën pasojat, e madje disa ishin shërbëtorë të Perëndisë. (1 Korintasve 10:11) Një nga këto është historia e Ananisë dhe Safirës, një çift që bënte pjesë në kongregacionin e krishterë të Jerusalemit, në shekullin e parë.
10 Pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., disa besimtarë të rinj qëndruan në Jerusalem për të përfituar sa më shumë nga shoqëria me apostujt. Kështu lindi nevoja për t’u kujdesur materialisht për ta. Disa pjesëtarë të kongregacionit shitën pronat e tyre, për t’u siguruar që të mos mbetej askush pa gjërat e nevojshme. (Veprat 2:41-45) Anania dhe Safira shitën një arë dhe u sollën apostujve vetëm një pjesë të fitimit, duke pohuar se ishte i gjithë çmimi që morën nga shitja. Kuptohet, Anania dhe Safira kishin të drejtën të jepnin sa të dëshironin, por motivet e tyre ishin të gabuara dhe veprimet e tyre ishin të pandershme. Donin të linin përshtypje të mirë dhe të dukeshin sikur po bënin më tepër nga ç’ishte në të vërtetë. Apostulli Pjetër, i frymëzuar nga fryma e shenjtë, e demaskoi pandershmërinë dhe hipokrizinë e tyre, dhe Jehovai i dënoi me vdekje.—Veprat 5:1-10.
11, 12. (a) Cilët janë disa përkujtues për ndershmërinë? (b) Ç’dobi kemi kur jemi të ndershëm?
11 Nëse do të na ndodhë ndonjëherë të tundohemi që ta shtrembërojmë të vërtetën për t’i bërë njerëzit të mendojnë mirë për ne, le të jetë historia e Ananisë dhe Safirës një përkujtues që na kthjellon! Njerëzit mund të arrijmë t’i mashtrojmë, por Jehovait s’ia hedhim dot. (Hebrenjve 4:13) Shkrimet vazhdimisht na nxitin të jemi të ndershëm me njëri-tjetrin, sepse gënjeshtarët nuk do të kenë vend në tokën që do të jetë e pastruar krejt nga çdo padrejtësi. (Proverbat 14:2; Zbulesa 21:8; 22:15) Arsyeja duhet të jetë e qartë për ne. Nismëtari i çdo gënjeshtre s’është veçse Satana Djalli.—Gjoni 8:44.
12 Kemi shumë dobi kur jemi të ndershëm në gjithçka. Ndër të tjera, kemi një ndërgjegje të pastër dhe ndiejmë kënaqësi kur të tjerët na besojnë. Në shumë raste, ngaqë ishin të ndershëm, të krishterët kanë gjetur punë ose e kanë mbajtur punën. Por, dobia më e madhe është se, duke qenë të ndershëm, fitojmë miqësinë me Perëndinë e Plotfuqishëm.—Psalmi 15:1, 2.
Të mbajmë dëlirësinë
13. Në ç’rrethana u gjend Jozefi dhe si veproi?
13 Jozefin, birin e patriarkut Jakob, e shitën si skllav në moshën 17-vjeçare. Përfundimisht, u gjend në shtëpinë e një zyrtari egjiptian, Potifarit, gruaja e të cilit ia vuri syrin. Ajo donte të kishte marrëdhënie seksuale me Jozefin, që ishte një djalosh i pashëm, dhe ditë pas dite e nxiste Jozefin: «Shtrihu me mua.» Ai ishte larg familjes, në një vend ku s’e njihte njeri. Fare mirë mund të kishte marrëdhënie me këtë grua dhe askush s’kishte për ta marrë vesh. Megjithatë, kur më në fund gruaja e Potifarit arriti ta kapte nga rrobat, Jozefi iku me vrap.—Zanafilla 37:2, 18-28; 39:1-12.
14, 15. (a) Pse na intereson historia e Jozefit? (b) Pse një e krishterë ishte mirënjohëse që ua vuri veshin përkujtuesve të Perëndisë?
14 Jozefi u rrit në një familje me frikë Perëndie dhe e kuptonte se marrëdhëniet seksuale mes një burri e një gruaje që s’janë të martuar me njëri-tjetrin, janë të gabuara. «Si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të mëkatoj kundër Perëndisë?»—pyeti ai. Me siguri, këtë përfundim e kishte nxjerrë duke ditur normën që kishte shprehur Perëndia për njerëzit në Eden, pra monogaminë. (Zanafilla 2:24) Shërbëtorët e Perëndisë sot mund të nxjerrin dobi duke medituar për mënyrën se si veproi Jozefi në atë situatë. Në disa zona, njerëzit janë kaq tolerantë ndaj marrëdhënieve seksuale, sa i tallin e i qesëndisin ata të rinj që nuk duan të përfshihen në imoralitet. Lidhjet jashtë martese, mes të rriturve, janë gjë e zakonshme. Prandaj, historia e Jozefit është një përkujtues që vlen edhe për sot. Norma e Perëndisë është ende e njëjtë: kurvëria dhe kurorëshkelja janë mëkate. (Hebrenjve 13:4) Shumë veta që i janë dorëzuar presionit për të kryer marrëdhënie seksuale të paligjshme, e pranojnë se ka arsye të forta për të mos e bërë këtë. Ndër gjërat e padëshirueshme që vijnë si pasojë, janë: ndjenja e poshtërimit, një ndërgjegje e trazuar, xhelozitë, shtatzënitë dhe sëmundjet e transmetuara me rrugë seksuale. Ashtu si na tregojnë Shkrimet, një njeri që kryen kurvëri «mëkaton kundër trupit të vet».—1 Korintasve 5:9-12; 6:18; Proverbat 6:23-29, 32.
15 Xheni,b një Dëshmitare e Jehovait që është beqare, ka arsye për t’u treguar mirënjohëse ndaj përkujtuesve të Perëndisë. Në punë, një koleg simpatik filloi t’i vinte rrotull. Kur ajo nuk ia ktheu, ai i shtoi edhe më shumë përpjekjet. «M’u desh të luftoja për të qëndruar e dëlirë,—pranon ajo,—sepse të vjen mirë kur një djalë të kushton vëmendje.» Megjithatë, Xheni e kuptoi se ai vetëm sa donte ta shtonte në listën e grave që kishte pasur. Kur e ndiente se po i dobësohej vendosmëria për të rezistuar, ajo i lutej Jehovait që ta ndihmonte t’i mbetej besnike. Për Xhenin, gjërat që mësonte duke bërë kërkime në Bibël e në botimet e krishtere, ishin si përkujtues që e mbanin zgjuar, vigjilente. Një nga këta përkujtues ishte historia e Jozefit dhe gruas së Potifarit. Xheni përfundon: «Për sa kohë që i kujtoj vetes sa shumë e dua Jehovain, nuk kam frikë se do të kryej këtë të keqe të madhe e të mëkatoj kundër tij.»
T’ua vëmë veshin përkujtuesve të Perëndisë
16. Si të nxjerrim dobi duke rishikuar dhe duke medituar për jetën e individëve të përmendur në Bibël?
16 Të gjithë mund ta shtojmë çmueshmërinë për normat e Jehovait, duke u përpjekur të kuptojmë pse i ka ruajtur në Shkrime disa tregime për ne. Çfarë na mësojnë? Cilat cilësi ose prirje, të treguara nga personazhet biblike, duhet të imitojmë ose të shmangim? Në faqet e Fjalës së Perëndisë shfaqen me qindra individë. Të gjithë ata që e duan ligjin e Perëndisë, duhet të zhvillojnë oreksin për mençurinë jetëdhënëse, duke përfshirë edhe mësimet që nxjerrim nga shembujt që Jehovai i ka ruajtur me kujdes. Në këtë revistë ka pasur shpesh artikuj për individë të tillë, historia e të cilëve mund të na mësojë diçka. Pse të mos kaloni kohë duke i rishikuar këta artikuj?
17. Si ndiheni për përkujtuesit e Jehovait, dhe përse?
17 Sa mirënjohës jemi që Jehovai shfaq interes të dashur për ata që po përpiqen të bëjnë vullnetin e tij! Ne nuk jemi të përsosur, ashtu siç nuk ishin burrat dhe gratë që përmenden në Bibël. Megjithatë, historia e veprimeve të tyre, e dokumentuar në Shkrime, është një burim shumë i vlefshëm për të na ndihmuar. Duke ua vënë veshin përkujtuesve të Jehovait, nuk do të bëjmë gabime që do të na kushtojnë shtrenjtë, dhe mund të imitojmë shembullin e mirë të atyre që ecën në udhën e drejtësisë. Nëse veprojmë kështu, do të mund të këndojmë bashkë me psalmistin: «Lum ata që zbatojnë përkujtuesit e [Jehovait]! Ata e kërkojnë përherë me gjithë zemër. Shpirti im i zbaton përkujtuesit e tu, dhe i do fort.»—Psalmi 119:2, 167.
[Shënimet]
a Shih Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1996, faqet 160-162, anglisht.
b Emri është ndryshuar.
Si do të përgjigjeshit?
• Ç’mësojmë nga qëndrimi që kishte Davidi ndaj Saulit?
• Çfarë na mëson historia e Ananisë dhe Safirës?
• Pse është me interes të veçantë sot tregimi i jetës së Jozefit?
[Figura në faqen 26]
Pse Davidi nuk pranoi që Sauli të vritej?
[Figura në faqen 27]
Ç’mësojmë nga historia e Ananisë dhe Safirës?
[Figura në faqen 28]
Pse i refuzoi Jozefi propozimet imorale?