SIKEMI
[copë (toke)].
1. Bir i prijësit hivit Hamor. (Zn 33:19; Js 24:32) Pasi Jakobi u vendos afër qytetit të Sikemit (shih nr. 4), e bija, Dina, nisi të shoqërohej me vajzat e qytetit. Sikemi, i përshkruar si «më i nderuari në gjithë shtëpinë e atit të tij», e pa Dinën, «e kapi dhe e përdhunoi». Pastaj ra në dashuri me të dhe donte ta merrte për grua. Mirëpo bijtë e Jakobit vlonin nga inati për atë që kish ndodhur dhe, «me dredhi», ia kthyen se mund të lidhnin krushqi vetëm me të rrethprerë. Kjo u pëlqeu Sikemit dhe të atit, Hamorit, dhe ua mbushën mendjen sikemitëve të rrethpriteshin. Megjithatë, para se meshkujt e Sikemit ta merrnin veten nga rrethprerja, Simeoni dhe Levi, bij të Jakobit, sulmuan qytetin, vranë Hamorin, Sikemin dhe gjithë burrat e tjerë.—Zn 34:1-31.
2. Bir i Galaadit nga fisi i Manaseut. Sikemi u bë kreu i familjes së sikemitëve, që nuk duhen ngatërruar me banorët kananitë të Sikemit.—Nu 26:28, 30, 31; Js 17:2.
3. Bir i Shemidës nga fisi i Manaseut.—1Kr 7:19.
4. Qytet i lashtë që lidhet me Nablusin ose, më saktë, me Tell-Balatën aty pranë. (Ps 60:6; 108:7; FIGURA, vëll. 1, f. 530 në botimin anglisht) Tell-Balata ndodhet në skajin lindor të luginës së ngushtë që ndan malin e Gerizimit nga mali i Ebalit, rreth 48 km në veri të Jerusalemit. Atje ka ujë të bollshëm dhe në lindje shtrihet një rrafshinë pjellore. Në lashtësi Sikemi kontrollonte rrugët lindje-perëndim dhe veri-jug që përshkonin Palestinën Qendrore. (Krahaso Gjy 21:19.) Meqë qyteti s’ishte ngritur në ndonjë mal, siguria e tij ushtarake varej nga fortifikatat.—Gjy 9:35.
Kur Abrami (Abrahami) shkeli për herë të parë në Tokën e Premtuar, udhëtoi deri «atje ku ndodhet Sikemi» dhe ngriti kampin pranë pemëve të mëdha të Morehut, ku më pas ndërtoi një altar. (Zn 12:6-9) Afro dy shekuj më pas, Jakobi, që po kthehej nga Padan-Arami, ngriti kampin përballë Sikemit dhe bleu atje një copë tokë. Simeoni dhe Levi, bij të Jakobit, i vranë burrat e atij qyteti pasi Sikemi, biri i Hamorit, u përdhunoi të motrën, Dinën. (Zn 33:18–34:31) Sipas drejtimit të Perëndisë, Jakobi u largua nga Sikemi, por më parë mori gjithë perënditë e huaja dhe vathët që zotëronin njerëzit e shtëpisë dhe i groposi nën pemën e madhe pranë Sikemit. (Zn 35:1-4) Më vonë, bijtë e Jakobit i kullotën kopetë pranë atij qyteti pa iu kanosur kurrfarë rreziku. Kjo sepse te banorët e zonës ndikonte ende «tmerri nga Perëndia», që s’i kishte lënë të ndiqnin Jakobin.—Zn 35:5; 37:12-17.
Kur pasardhësit e Jakobit, izraelitët, hynë në Tokën e Premtuar pasi kishin qëndruar më se dy shekuj në Egjipt, i varrosën eshtrat e Jozefit «në Sikem, në pjesën e arës që Jakobi kishte marrë . . . nga bijtë e Hamorit». (Js 24:32) Mirëpo, kur u mbrojt para judenjve, Stefani tha se Jozefin e varrosën «në varrin që Abrahami kishte blerë . . . nga bijtë e Hamorit në Sikem». (Ve 7:16) Mbase deklarata e Stefanit ishte e përmbledhur. Sikur të ishte e plotë, ajo deklaratë mund të dilte: ‘Jakobi zbriti në Egjipt. Më pas, ai vdiq e po kështu edhe paraardhësit tanë. Ata i shpërngulën në Sikem dhe i vunë në varrin që Abrahami kishte blerë për njëfarë çmimi, me monedha argjendi [dhe në atë që ishte blerë] nga bijtë e Hamorit në Sikem.’ (Ve 7:15, 16) Përderisa Jakobi ishte nip i Abrahamit, ekziston edhe mundësia që ajo blerje të jetë quajtur e Abrahamit, meqë ishte kreu i familjes patriarkale. Ky do të ishte një rast i përdorimit të emrit të një paraardhësi në vend të atij të pasardhësve, njësoj siç u përdorën më vonë emri i Izraelit (Jakobit) dhe emra të tjerë.—Krahaso Ho 11:1, 3, 12; Mt 2:15-18.
Kur Toka e Premtuar u nda mes fiseve, duket se Sikemi ishte në territorin e Manaseut, meqë ndodhej rreth 3 km në veriperëndim të qytezës kufitare të Mikmetatit. (Js 17:7) Në Shkrime thuhet se Sikemi gjendej «në rajonin malor të Efraimit», prandaj mund të ketë qenë qytet-enklavë i Efraimit brenda territorit të Manaseut. (Js 16:9; 1Kr 6:67) Më pas, bashkë me qytete të tjera efraimite, iu caktua levitëve dhe u shpall i shenjtë si qytet strehimi. (Js 21:20, 21) Në prag të vdekjes, Josiu i mblodhi tërë fiset e Izraelit në Sikem dhe i nxiti t’i shërbenin Jehovait.—Js 24:1-29.
Ndonëse pikërisht në Sikem izraelitët kishin bërë besëlidhjen që të mbështetnin adhurimin e vërtetë, banorët e atij qyteti zunë të adhuronin Baal-Beritin. (Gjy 8:33; 9:4) Gjithashtu, përkrahën përpjekjet e Abimelekut (biri i gjykatësit Gideon dhe i konkubinës së tij sikemite) për t’u bërë mbret. Mirëpo, më pas ngritën krye kundër mbretit Abimelek. Kur shtypi revoltën, Abimeleku e rrënoi qytetin dhe hodhi kripë atje, ndoshta për të treguar se uronte të mbetej një shkreti për jetë e mot.—Gjy 8:31-33; 9:1-49; krahaso Ps 107:33, 34; shih ABIMELEKU nr. 4; BAAL-BERITI.
Më vonë Sikemi u rindërtua. Fakti që Rehoboamin e shpallën mbret atje, tregon se ishte bërë qytet i rëndësishëm. (1Mb 12:1) Pasi u nda mbretëria, Jeroboami, mbreti i parë i mbretërisë veriore, bëri punime në Sikem dhe, me sa duket, mbretëroi prej andej njëfarë kohe. (1Mb 12:25) Shekuj më pas, në vitin 607 p.e.s., pasi babilonasit shkatërruan Jerusalemin, disa burra nga Sikemi shkuan të adhuronin në Jerusalem.—Jr 41:5.