Jehovai çon shumë bij në lavdi
«Ishte e përshtatshme që [Perëndia], duke çuar shumë bij në lavdi, ta bënte të përsosur nëpërmjet vuajtjeve, Udhëheqësin kryesor të shpëtimit të tyre.»—HEBRENJVE 2:10, BR.
1. Pse mund të jemi të sigurt se qëllimi i Jehovait për njerëzimin do të përmbushet?
JEHOVAI e krijoi tokën që të ishte shtëpia e përjetshme e një familjeje të përsosur njerëzore, e cila do të gëzonte jetë të pafundme. (Eklisiastiu [Predikuesi] 1:4; Isaia 45:12, 18) Vërtet, stërgjyshi ynë, Adami, mëkatoi e kështu ia kaloi mëkatin dhe vdekjen pasardhësve të tij. Por qëllimi i Perëndisë për njerëzimin do të përmbushet nëpërmjet Farës së tij të Premtuar, Jezu Krishtit. (Zanafilla 3:15; 22:18; Romakëve 5:12-21; Galatasve 3:16) Dashuria për botën e njerëzimit e shtyu Jehovain të jepte «Birin e tij të vetëmlindur, me qëllim që kushdo që ushtron besim në të, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme». (Gjoni 3:16, BR) Dashuria e motivoi Jezuin ‘të jepte shpirtin e tij si shpërblim në shkëmbim për shumë’. (Mateu 20:28, BR) Kjo «shpërblerje korresponduese» ribleu të drejtat dhe perspektivat e humbura nga Adami, si dhe bëri të mundur jetën e përhershme.—1. Timoteut 2:5, 6, BR; Gjoni 17:3.
2. Si u tipizua aplikimi i flijimit shpërblerës të Jezuit në Ditën vjetore të Shlyerjes të Izraelit?
2 Aplikimi i flijimit shpërblerës të Jezuit u tipizua në Ditën vjetore të Shlyerjes. Atë ditë, kryeprifti i Izraelit flijonte në fillim një dem si ofertë për mëkatin dhe e paraqiste gjakun e tij në Arkën e shenjtë te Më e Shenjta e tabernakullit dhe më vonë në tempull. Kjo bëhej në dobi të atij vetë, të shtëpisë së tij dhe të fisit të Levit. Ngjashëm, Jezu Krishti i paraqiti Perëndisë vlerën e gjakut të tij, para së gjithash për të mbuluar mëkatet e «vëllezërve» të tij frymorë. (Hebrenjve 2:12; 10:19-22; Levitiku 16:6, 11-14) Ditën e Shlyerjes, kryeprifti flijonte, gjithashtu, një cjap si flijim për mëkatin dhe e paraqiste gjakun e tij në Më të Shenjtën, duke bërë kështu shlyerjen për mëkatet e 12 fiseve jopriftërore të Izraelit. Në mënyrë të ngjashme, Kryeprifti Jezu Krisht, do ta aplikojë gjakun e tij jetëdhënës në dobi të atyre personave të njerëzimit që ushtrojnë besim, duke fshirë mëkatet e tyre.—Levitiku 16:15.
Të çuar në lavdi
3. Sipas Hebrenjve 2:9, 10, çfarë ka qenë duke bërë Jehovai për 1.900 vjet?
3 Për 1.900 vjet, Perëndia ka qenë duke bërë diçka të jashtëzakonshme në lidhje me «vëllezërit» e Jezuit. Në lidhje me këtë, apostulli Pavël shkroi: «Shohim Jezuin, i cili u bë pak më i ulët në pozitë se engjëjt, të kurorëzuar me lavdi dhe nder, sepse kishte pësuar vdekjen, që me anë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë të shijonte vdekjen për çdo njeri. Sepse ishte e përshtatshme që ai [Perëndia Jehova], në saje të të cilit janë të gjitha gjërat dhe nëpërmjet të cilit janë të gjitha gjërat, duke çuar shumë bij në lavdi, ta bënte të përsosur nëpërmjet vuajtjeve Udhëheqësin kryesor të shpëtimit të tyre.» (Hebrenjve 2:9, 10, BR) Udhëheqësi kryesor i shpëtimit është Jezu Krishti, i cili mësoi bindjen e përsosur nëpërmjet gjërave që pësoi, ndërkohë që jetonte si njeri në tokë. (Hebrenjve 5:7-10) Jezui ishte i pari që lindi si bir frymor i Perëndisë.
4. Kur dhe si lindi Jezui si Bir frymor i Perëndisë?
4 Jehovai përdori frymën e tij të shenjtë, apo forcën aktive, që Jezui të lindte si Biri i tij frymor, me qëllim që ta çonte në lavdi qiellore. Kur ishte vetëm me Gjon Pagëzuesin, Jezui iu nënshtrua zhytjes plotësisht në ujë, për të simbolizuar paraqitjen e vetvetes te Perëndia. Tregimi i ungjillit të Lukës thotë: «Kur u pagëzuan të gjithë njerëzit, u pagëzua edhe Jezui dhe ndërsa po lutej, qielli u hap dhe fryma e shenjtë me formë trupore si pëllumb, zbriti mbi të dhe një zë doli nga qielli: ‘Ti je Biri im, i dashuri; unë të kam miratuar.’» (Luka 3:21, 22, BR) Gjoni pa frymën e shenjtë të vijë mbi Jezuin dhe dëgjoi Jehovain të fliste me një miratim të hapur për të, si Biri i Tij i dashur. Në atë çast dhe me anë të frymës së shenjtë, Jehovai lindi Jezuin si të parin e ‘shumë bijve që do të çoheshin në lavdi’.
5. Cilët kanë qenë të parët që kanë përfituar nga flijimi i Jezuit dhe sa është numri i tyre?
5 «Vëllezërit» e Jezuit kanë qenë të parët që kanë përfituar nga flijimi i tij. (Hebrenjve 2:12-18) Në vizion, apostulli Gjon i pa ata tashmë në lavdi, në malin qiellor të Sionit bashkë me Qengjin, Zotërinë e ringjallur Jezu Krisht. Gjoni zbuloi edhe numrin e tyre, duke thënë: «Unë pashë dhe ja! Qengji që qëndron në malin Sion dhe me të njëqind e dyzetë e katër mijë, që në ballin e tyre kanë të shkruar emrin e tij dhe emrin e Atit të tij. . . . Këta ishin blerë nga mesi i njerëzimit si fryte të para për Perëndinë dhe Qengjin e në gojën e tyre nuk u gjet asnjë gënjeshtër; ata janë pa defekt.» (Zbulesa 14:1-5, BR) Pra, ‘bijtë e shumtë të çuar në lavdi’ në qiell, janë gjithsej vetëm 144.001: Jezui dhe vëllezërit e tij frymorë.
«Të lindur nga Perëndia»
6, 7. Cilët janë «të lindur nga Perëndia» dhe ç’do të thotë kjo për ta?
6 Të lindurit nëpërmjet Jehovait, janë «të lindur nga Perëndia». Duke iu drejtuar individëve të tillë, apostulli Gjon shkroi: «Kushdo që është lindur nga Perëndia nuk vazhdon të bëjë mëkate, sepse fara e Tij [e Jehovait] riprodhuese qëndron në të dhe ai nuk mund të praktikojë mëkatin, sepse është lindur nga Perëndia.» (1. Gjonit 3:9, BR) Kjo «farë riprodhuese» është fryma e shenjtë e Perëndisë. Duke punuar tok me fjalën e tij, ajo i ka dhënë secilit prej 144.000-ve «një lindje të re» për një shpresë qiellore.—1. Pjetrit 1:3-5, 23.
7 Jezui ishte Bir i Perëndisë që prej lindjes së tij njerëzore, ashtu si njeriu i përsosur, Adami, ishte «bir i Perëndisë». (Luka 1:35; 3:38) Megjithatë, pas pagëzimit të Jezuit, ishte domethënëse që Jehovai të deklaronte: «Ti je Biri im, i dashuri; unë të kam miratuar.» (Marku 1:11, BR) Me anë të kësaj deklarate që shoqëroi derdhjen e frymës së shenjtë, ishte e qartë se Perëndia e lindi atëherë Jezuin si Birin e tij frymor. Si të thuash, atëherë Jezuit iu dha «një lindje e re», me të drejtën për ta marrë edhe njëherë jetën si Bir frymor i Perëndisë në qiell. Ashtu si ai, 144.000 vëllezërit e tij frymorë kanë «lindur përsëri». (Gjoni 3:1-8; shiko Kullën e Rojës, 15 nëntor 1992, faqet 3-6, anglisht.) Po ashtu si Jezui, ata janë mirosur nga Perëndia dhe janë ngarkuar të shpallin lajmin e mirë.—Isaia 61:1, 2; Luka 4:16-21; 1. Gjonit 2:20.
Prova e atësisë
8. Cila ishte prova e lindjes frymore në rastin e (a) Jezuit; (b) dishepujve të tij të hershëm?
8 Që Jezui ishte lindur nga fryma, ekzistonte një provë. Gjoni Pagëzuesi pa frymën të zbriste mbi Jezuin dhe dëgjoi deklaratën e Perëndisë për birërinë frymore të Mesias të sapomirosur. Por, si do ta dinin dishepujt e Jezuit se ishin lindur nga fryma? Mirë pra, ditën e ngritjes së tij në qiell, Jezui tha: «Gjoni, në të vërtetë, pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni në frymën e shenjtë jo shumë ditë më pas.» (Veprat 1:5, BR) Dishepujt e Jezuit u «pagëzuan në frymën e shenjtë» ditën e Rrëshajëve të vitit 33 të e.s. Ajo derdhje e frymës u shoqërua nga ‘një zhurmë prej qiellit si një shkulm ere’ dhe nga «gjuhë si prej zjarri» mbi secilin prej dishepujve. Shumë e jashtëzakonshme ishte aftësia e dishepujve për ‘të folur në gjuhë të ndryshme, ashtu si fryma ua jepte të shpreheshin’. Kështu që pati një dëshmi të dukshme dhe të dëgjueshme se për ithtarët e Krishtit ishte hapur rruga për të hyrë në lavdinë qiellore si bij të Perëndisë.—Veprat 2:1-4, 14-21, BR; Joeli 2:28, 29.
9. Cila qe prova se samaritanët, Korneli dhe persona të tjerë të shekullit të parë ishin të lindur nga fryma?
9 Ca kohë pas kësaj, ungjillëzuesi Filip predikoi në Samari. Megjithëse samaritanët e pranuan mesazhin e tij dhe u pagëzuan, atyre u mungoi dëshmia se Perëndia i kishte lindur si bij të tij. Kur apostujt Pjetër dhe Gjon u lutën dhe vunë duart mbi ata besimtarë, «ata filluan të merrnin frymën e shenjtë» në ndonjë mënyrë që ishte e dukshme për ata që po shikonin. (Veprat 8:4-25, BR) Kjo ishte provë se samaritanët besimtarë ishin lindur nga fryma si bij të Perëndisë. Ngjashëm, në vitin 36 të e.s., Korneli dhe johebrenj të tjerë pranuan të vërtetën e Perëndisë. Pjetri dhe besimtarët judenj që e kishin shoqëruar, ‘u habitën, sepse dhurata falas e frymës së shenjtë po derdhej edhe mbi njerëzit e kombeve, pasi i dëgjuan ata të flitnin në gjuhë të ndryshme dhe të madhëronin Perëndinë’. (Veprat 10:44-48, BR) Shumë të krishterë të shekullit të parë morën «dhurata të frymës», të tilla si e folura në gjuhë të ndryshme. (1. Korintasve 14:12, 32) Pra, këta individë patën dëshmi të qartë se ishin të lindur nga fryma. Por, si do ta dinin të krishterët e mëvonshëm nëse ishin apo jo të lindur nga fryma?
Dëshmia e frymës
10, 11. Mbi bazën e Romakëve 8:15-17, si do ta shpjegoje se fryma jep dëshmi për ata që janë bashkëtrashëgimtarë me Krishtin?
10 Të 144.000 të krishterët e mirosur kanë pasur dëshmi absolute se kanë frymën e Perëndisë. Në lidhje me këtë, Pavli shkroi: «Ju morët një frymë birësimi si bij, frymë me anë të së cilës thërrasim: ‘Aba, At!’ Vetë fryma jep dëshmi me frymën tonë se ne jemi fëmijë të Perëndisë. Nëse, pra, jemi fëmijë, jemi edhe trashëgimtarë: trashëgimtarë në të vërtetë të Perëndisë, por bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, me kusht që të vuajmë së bashku, që edhe të lëvdohemi së bashku.» (Romakëve 8:15-17, BR) Të krishterët e mirosur kanë një frymë birërie kundrejt Atit të tyre qiellor, një ndjesi mbizotëruese birërie. (Galatasve 4:6, 7) Ata janë të sigurt në mënyrë absolute se kanë lindur nga Perëndia në birërinë frymore, si bashkëtrashëgimtarë me Krishtin në Mbretërinë qiellore. Në këtë gjë, fryma e shenjtë e Jehovait luan një rol të përcaktuar.
11 Nën ndikimin e frymës së shenjtë të Perëndisë, fryma, apo qëndrimi mbizotërues i të mirosurve, i shtyn ata t’i përgjigjen në mënyrë pozitive asaj që thotë Fjala e Perëndisë në lidhje me shpresën qiellore. Për shembull, kur lexojnë se ç’thonë Shkrimet për fëmijët frymorë të Jehovait, ata pranojnë vetvetiu se fjalë të tilla u aplikohen atyre. (1. Gjonit 3:2) Ata e dinë se janë «pagëzuar në Krishtin Jezu» dhe në vdekjen e tij. (Romakëve 6:3, BR) Bindja e tyre e palëkundur është se janë bij frymorë të Perëndisë, që do të vdesin dhe do të ringjallen në lavdinë qiellore, ashtu siç u ringjall Jezui.
12. Çfarë ka bërë të lindë te të krishterët e mirosur fryma e Perëndisë?
12 Të jesh i lindur në birërinë frymore, nuk është një dëshirë e kultivuar. Të lindurit nga fryma nuk dëshirojnë të shkojnë në qiell për shkak të shqetësimeve të mëdha nga vështirësitë e tanishme në tokë. (Jobi 14:1) Përkundrazi, fryma e Jehovait ka bërë që tek ata, të cilët janë vërtet të mirosur, të lindë një shpresë dhe dëshirë që është e pazakontë për njerëzit në përgjithësi. Këta të lindur e dinë se jeta e përhershme në përsosmëri njerëzore në një tokë parajsore, e rrethuar nga një familje e lumtur dhe nga miq, do të jetë e mrekullueshme. Megjithatë, një jetë e tillë nuk është dëshira kryesore e zemrës së tyre. Të mirosurit kanë një shpresë qiellore kaq të fortë, saqë me gatishmëri sakrifikojnë të gjitha perspektivat dhe lidhjet e forta njerëzore tokësore.—2. Pjetrit 1:13, 14.
13. Sipas 2. Korintasve 5:1-5, cila ishte ‘dëshira e fortë’ e Pavlit dhe çfarë tregon kjo në lidhje me të lindurit nga fryma?
13 Shpresa e dhënë nga Perëndia për një jetë qiellore, është kaq e fortë në persona të tillë, saqë ndjenjat e tyre janë si ato të Pavlit, i cili shkroi: «Ne e dimë se nëse shtëpia jonë tokësore, kjo tendë, duhet të shpërbëhet, duhet të kemi një ndërtesë nga Perëndia, një shtëpi të bërë jo me duar, të përhershme në qiejtë. Sepse në këtë shtëpi banimi ne në të vërtetë rënkojmë, duke dëshiruar fort të veshim atë që është për ne nga qielli, kështu që, pasi ta kemi veshur me të vërtetë, nuk do të gjendemi lakuriq. Në fakt, ne që jemi në këtë tendë rënkojmë, duke qenë të rënduar, sepse dëshirojmë jo që ta zhveshim atë, por të veshim tjetrën, që ajo, e cila është e vdekshme, të gëlltitet nga jeta. Tani, ai që na bëri pikërisht për këtë gjë është Perëndia, i cili na dha kaparin e asaj që do të vijë, domethënë frymën.» (2. Korintasve 5:1-5, BR) ‘Dëshira e fortë’ e Pavlit ishte të ringjallej në qiell si krijesë e pavdekshme frymore. Duke iu referuar trupit njerëzor, ai përdori metaforën e një tende të rrënueshme, një banesë delikate dhe e përkohshme e krahasuar me një shtëpi. Megjithëse në tokë jetojnë në një trup mishor të vdekshëm, të krishterët që kanë frymën e shenjtë si një kapar të jetës qiellore që do të vijë, mezi presin «një ndërtesë nga Perëndia», një trup frymor të pavdekshëm dhe të paprishshëm. (1. Korintasve 15:50-53, BR) Ashtu si Pavli, ata mund të thonë me gjithë forcën: «Ne jemi me plot kurajë dhe na pëlqen më shumë të mos jemi në trupin [njerëzor], por ta bëjmë shtëpinë tonë [në qiell] me Zotërinë.»—2. Korintasve 5:8, BR.
Të përfshirë në besëlidhje të veçanta
14. Kur themeloi kremtimin e Përkujtimit, cilën besëlidhje përmendi së pari Jezui dhe çfarë roli luan ajo në lidhje me izraelitët frymorë?
14 Të krishterët e lindur nga fryma janë të sigurt se kanë qenë të përfshirë në dy besëlidhje të veçanta. Jezui e përmendi njërën prej këtyre, kur përdori bukë pa maja dhe verë, për të themeluar Përkujtimin e vdekjes së tij që po vinte dhe tha për kupën e verës: «Kjo kupë do të thotë besëlidhja e re në bazë të gjakut tim, i cili duhet derdhur për dobinë tuaj.» (Luka 22:20, BR; 1. Korintasve 11:25) Cilat janë palët e besëlidhjes së re? Perëndia Jehova dhe pjesëtarët e Izraelit frymor, ata të cilët Jehovai ka si qëllim t’i çojë në lavdinë qiellore. (Jeremia 31:31-34; Galatasve 6:15, 16; Hebrenjve 12:22-24) E vënë në veprim me anë të gjakut të derdhur të Jezuit, besëlidhja e re nxjerr nga kombet një popull për emrin e Jehovait dhe i bën këta të krishterë të lindur nga fryma, pjesë të «farës» së Abrahamit. (Galatasve 3:26-29; Veprat 15:14) Besëlidhja e re siguron për të gjithë izraelitët frymorë çuarjen në lavdi, duke qenë të ringjallur në jetë të pavdekshme në qiell. Duke qenë «një besëlidhje e përhershme», dobitë e saj do të vazhdojnë përgjithmonë. Mbetet për t’u parë nëse kjo besëlidhje do të luajë rol edhe në mënyra të tjera gjatë Mijëvjeçarit dhe pas tij.—Hebrenjve 13:20.
15. Në harmoni me Lukën 22:28-30, në cilën besëlidhje tjetër filluan të merren ithtarët e mirosur të Jezuit dhe kur?
15 ‘Bijtë e shumtë’, që Jehovai kishte si qëllim t’i ‘çonte në lavdi’, kanë qenë të përfshirë individualisht edhe në besëlidhjen për një Mbretëri qiellore. Në lidhje me këtë besëlidhje ndërmjet atij vetë dhe ithtarëve që ndjekin gjurmët e tij, Jezui tha: «Ju jeni ata që keni qëndruar vazhdimisht me mua në sprovat e mia dhe unë bëj me ju një besëlidhje, ashtu si Ati im ka bërë një besëlidhje me mua, për një mbretëri, që ju të hani e të pini në tryezën time në mbretërinë time, si dhe të uleni në frone, për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit.» (Luka 22:28-30, BR) Besëlidhja e Mbretërisë u përurua kur dishepujt e Jezuit u mirosën me frymën e shenjtë në Rrëshajët e vitit 33 të e.s.. Ajo besëlidhje mbetet përgjithmonë në veprim midis Krishtit dhe ortakëve të tij mbretër. (Zbulesa 22:5) Kështu, pra, të krishterët e lindur nga fryma janë të bindur se ndodhen në besëlidhjen e re dhe në besëlidhjen për Mbretërinë. Prandaj, gjatë kremtimit të Darkës së Zotërisë, vetëm ata të mirosur relativisht të paktë që kanë mbetur ende në tokë, hanë nga buka, që përfaqëson trupin njerëzor të pamëkatë të Jezuit dhe pinë nga vera, që ka domethënien e gjakut të tij të përsosur të derdhur në vdekje dhe që e bën të vlefshme besëlidhjen e re.—1. Korintasve 11:23-26; shiko Kullën e Rojës, 1 shkurt 1989, faqet 17-20, anglisht.
Të thirrur, të zgjedhur dhe të besueshëm
16, 17. (a) Për të qenë të çuar në lavdi, çfarë duhet të jetë e vërtetë për të 144.000-t? (b) Cilët janë «dhjetë mbretërit» dhe si po e trajtojnë mbetjen e mirosur të «vëllezërve» të Krishtit?
16 Aplikimi i parë i flijimit shpërblerës të Jezuit, bëri të mundur që 144.000-t të thirreshin në jetën qiellore dhe të zgjidheshin duke qenë të lindur nga fryma prej Perëndisë. Për t’u çuar në lavdi, sigurisht që ata duhet të ‘bëjnë çmos, për ta bërë të sigurt thirrjen dhe zgjedhjen e tyre’, si dhe duhet të dalin të besueshëm deri në vdekje. (2. Pjetrit 1:10; Efesianëve 1:3-7; Zbulesa 2:10, BR) Ata të mbetjes së vogël të të mirosurve ende në tokë, po mbajnë integritetin e tyre, megjithëse të kundërshtuar nga «dhjetë mbretërit» që përfaqësojnë të gjitha fuqitë politike. «Këta do të ndeshen me Qengjin,—tha një engjëll,—por, meqenëse ai është Zotëri i zotërinjve dhe Mbret i mbretërve, Qengji do t’i mundë. Gjithashtu, këtë do të bëjnë bashkë me të ata që janë të thirrur, të zgjedhur dhe të besueshëm.»—Zbulesa 17:12-14, BR.
17 Sundimtarët njerëzorë nuk mund të bëjnë asgjë kundër Jezuit, «Mbretit të mbretërve», sepse ai është në qiell. Por ata tregojnë armiqësi ndaj mbetjes së «vëllezërve» të tij ende në tokë. (Zbulesa 12:17) Kjo armiqësi do të marrë fund në luftën e Perëndisë, në Harmagedon, kur është siguruar fitorja për «Mbretin e mbretërve» dhe për «vëllezërit» e tij, për «të thirrurit, të zgjedhurit dhe të besueshmit». (Zbulesa 16:14, 16, BR) Ndërkohë, të krishterët e lindur nga fryma janë shumë të zënë. Ç’po bëjnë ata tani, përpara se Jehovai t’i çojë në lavdi?
Cila është përgjigjja jote?
◻ Cilët ‘çon në lavdi qiellore’ Perëndia?
◻ Ç’do të thotë të jesh ‘i lindur nga Perëndia’?
◻ Si ‘jep dëshmi fryma’ për disa të krishterë?
◻ Në cilat besëlidhje kanë qenë të përfshirë të lindurit nga fryma?
[Figura në faqen 15]
Në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., u dha dëshmi se rruga për të hyrë në lavdinë qiellore ishte hapur