Një shembull i frymëzuar i veprës misionare të krishterë
«Bëhuni imituesit e mi, sikurse unë jam i Krishtit.»—1. KORINTASVE 11:1, NW.
1. Cilat ishin disa mënyra me të cilat Jezui dha një shembull të shkëlqyer për ithtarët e tij? (Filipianëve 2:5-9)
ÇFARË shembulli të jashtëzakonshëm u dha Krishti dishepujve të tij! La me dëshirë lavdinë e tij qiellore për të ardhur mbi tokë dhe për të jetuar mes njerëzve mëkatarë. Qe i gatshëm të hiqte vuajtje të mëdha për të shpëtuar njerëzimin dhe çka është më e rëndësishmja, për të shenjtëruar emrin e Atit të tij qiellor. (Gjoni 3:16; 17:4) Ndërsa po gjykohej, Jezui deklaroi burrërisht: «Për këtë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë, për të dëshmuar të vërtetën.»—Gjoni 18:37, NW.
2. Përse Jezui i ringjallur mundi t’u jepte dishepujve urdhrin për të vazhduar veprën e nisur prej tij?
2 Para se të vdiste, Jezui u bëri dishepujve të tij një stërvitje të shkëlqyer, me qëllim që të mund të vazhdonin veprën e dëshmisë mbi të vërtetën e Mbretërisë. (Mateu 10:5-23; Luka 10:1-16) Kështu, mbas ringjalljes, Jezui mundi të jepte këtë urdhër: «Shkoni pra e mësoni gjithë kombetë, edhe i pagëzoni mb’emërit të Atit e të Birit e të Frymës’së Shënjtëruarë; Edhe i mësoni ata të ruanjnë gjithë sa u kam porositurë juve.»—Mateu 28:19, 20, BK.
3. Si u përhap vepra e bërjes së dishepujve, por në cilat rajone mbeti më tepër e përhapur?
3 Gjatë tre vjetëve e gjysëm që pasuan, dishepujt e Jezuit iu bindën këtij urdhri, por u kufizuan duke bërë dishepuj në mes të hebrenjve, prozelitëve judenj dhe samaritanasve të rrethprerë. Pastaj, në vitin 36 të e.s., Perëndia vendosi që lajmi i mirë t’i predikohej dikujt që nuk ishte i rrethprerë, Kornelit dhe shtëpisë së tij. Në dhjetëvjeçarin vijues edhe paganë të tjerë u futën për të bërë pjesë në kongregacion. Megjithatë, duket se në një pjesë të madhe vepra ishte e kufizuar në rajonet e Mesdheut lindor.—Veprat 10:24, 44-48; 11:19-21.
4. Çfarë zhvillimi domethënës ndodhi rreth viteve 47-48 të e.s.?
4 Duhej diçka që të nxiste të krishterët apo që t’i bënte të gatshëm për të bërë dishepuj mes judenjve dhe paganëve që banonin në vende më të largëta. Kështu, rreth vitit 47-48 të e.s., pleqtë e kongregacionit të Antiokisë në Siri, morën këtë mesazh hyjnor: «M’i ndani Barnabën e Saulin të kryejnë veprimtarinë për të cilën i kam thirrur.» (Veprat 13:2) Vë re se Pavli ishte ende i njohur me emrin e tij të parë, Saul. Vë re, gjithashtu, se Perëndia përmendi fillimisht Barnabën dhe pastaj Pavlin, ndoshta sepse në atë kohë Barnaba konsiderohej si më i vjetri nga të dy.
5. Përse tregimi i udhëtimit misionar të Pavlit dhe Barnabës është me vlerë të madhe për të krishterët e sotëm?
5 Tregimi i hollësishëm i udhëtimit misionar të Pavlit dhe Barnabës, është një inkurajim i madh për Dëshmitarët e Jehovait, sidomos për misionarët dhe pionierët që kanë lënë vendin e tyre për t’i shërbyer Perëndisë në një vend të huaj. Veç kësaj, një shqyrtim i kapitujve 13 dhe 14 të Veprave do të jetë sigurisht një nxitje për të tjerët që të imitojnë Pavlin dhe Barnabën dhe të rritin pjesëmarrjen e tyre në veprën shumë të rëndësishme të bërjes së dishepujve.
Në ishullin e Qipros
6. Çfarë shembulli dhanë misionarët në Qipro?
6 Pa mëdyshje, misionarët u nisën nga porti i Seleucisë, për në ishullin e Qipros. Pasi zbarkuan në Salaminë, nuk humbën kohë, por «shpallnin fjalën Perëndisë nëpër sinagogat e judenjve.» Duke ndjekur shembullin e Krishtit, nuk u pëlqeu që të vendoseshin në atë qytet, duke pritur që banorët e ishullit të shkonin tek ata. Përkundrazi, përshkuan «mbarë ishullin». S’ka dyshim se kjo nënkuptoi një rrugë të gjatë në këmbë dhe ndërrim të herëpashershëm të vendbanimit, sepse Qiproja është një ishull i madh dhe gjatë udhëtimit të tyre përshkuan pjesën më të madhe të tij, gjatë gjithë gjatësisë.—Veprat 13:5, 6.
7. (a) Cila ngjarje me rëndësi ndodhi në Pafo? (b) Në çfarë sjelljeje na nxit ky episod?
7 Në fund të qëndrimit të tyre ata të dy u shpërblyen me një përvojë të mrekullueshme në qytetin e Pafos. Prokonsulli i ishullit, Sergj Pavli, e dëgjoi mesazhin e tyre dhe «u bë besimtar». (Veprat 13:7, 12) Më vonë, Pavli shkruajti: «[Ju] shikoni thirrjen tuaj, vëllezër, se nuk u thirrën shumë të urtë sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë të lindur.» (1. Korintasve 1:26, NW) Megjithatë, në mes të të fuqishmëve që e pranuan mesazhin ishte Sergj Pavli. Kjo përvojë duhet të inkurajojë të gjithë dhe veçanërisht misionarët, që të kenë të njëjtën sjellje pozitive mbi dhënien e dëshmisë qeveritarëve, ashtu siç na nxit të bëjmë 1. Timoteut 2:1-4. Njerëz me autoritet, disa herë kanë qenë një ndihmë e madhe për popullin e Perëndisë.—Nehemia 2:4-8.
8. (a) Çfarë ndryshimi u duk se ndodhi që nga ai çast në marrëdhëniet mes Barnabës dhe Pavlit? (b) Në çfarë aspekti Barnaba ishte një shembull i shkëlqyer?
8 Nën udhëheqjen e frymës së Jehovait, Pavli pati pjesën kryesore në kthimin e Sergj Pavlit. (Veprat 13:8-12) Veç kësaj, me sa duket, që prej atij çasti Pavli mori iniciativën. (Krahaso Veprat 13:7 me Veprat 13:15, 16, 43.) Kjo ishte në harmoni me detyrën hyjnore që Pavli kishte marrë në kohën e kthimit të tij. (Veprat 9:15) Ndoshta ky ndryshim vuri në provë përulësinë e Barnabës. Megjithatë, në vend se ta merrte si një kundërshtim personal, ka shumë të ngjarë që Barnaba të ketë vepruar në harmoni me domethënien e emrit të tij, «Bir i Ngushëllimit» dhe e mbështeti besnikërisht Pavlin gjatë gjithë udhëtimit misionar, si edhe në vazhdim, kur disa të krishterë hebrenj kundërshtuan shërbimin e tyre pranë paganëve të parrethprerë. (Veprat 15:1) Sa shembull i shkëlqyer është ky për ne të gjithë, duke përfshirë edhe ata që punojnë në shtëpitë misionare apo Bethel! Gjithmonë duhet të jemi të gatshëm për të pranuar rregullime teokratike dhe të japim mbështetjen tonë të plotë ndaj atyre që emërohen për të marrë direktivën mes nesh.—Hebrenjve 13:17.
Rrafshnalta e Azisë së Vogël
9. Çfarë mësojmë nga fakti se Pavli dhe Barnaba qenë të gatshëm për të shkuar deri në Antiokinë e Pisidisë?
9 Nga Qiproja, Pavli dhe Barnaba u nisën për në veri, drejt kontinentit aziatik. Për ndonjë arsye të pazbuluar, misionarët nuk u ndalën në rajonin bregdetar, por bënë një udhëtim të gjatë dhe të rrezikshëm prej 180 km deri në Antiokinë e Pisidisë, në rrafshnaltën qendrore të Azisë së Vogël. Për të shkuar atje, duhej të ngjiteshe deri në një qafë mali dhe të zbrisje pastaj në një pllajë, 1.100 metra mbi nivelin e detit. Studiuesi biblik J. S. Howson thotë: «Zakonet kriminale dhe banditeske të popullsisë së atyre maleve që ndajnë rrafshnaltën . . . nga fushat e bregut jugor, kishin një famë të keqe në tërë antikitetin.» Për më tepër misionarëve iu desh të përballonin rreziqet që krijoheshin nga elementët natyrorë. «Në asnjë rajon të Azisë së Vogël,—shton Howson,—lumenjtë e mbushur nuk janë më të rrezikshëm, sesa në pjesën malore të Pisidisë, ku lumenj të fryrë sulen të vrullshëm nëpër skërkat hijerënda apo bien poshtë me forcë nëpër gryka të ngushta.» Këto hollësi na ndihmojnë të parafytyrojmë atë lloj udhëtimi që misionarët ishin të gatshëm të kryenin, për të përhapur lajmin mirë. (2. Korintasve 11:26) Në të njëjtën mënyrë edhe sot shumë shërbëtorë të Jehovait përballojnë me guxim çdo pengesë, për të arritur njerëzit dhe për t’u çuar atyre lajmin e mirë.
10, 11. (a) Në ç’mënyrë Pavli mbajti një bazë të përbashkët me auditorin? (b) Përse ka të ngjarë që shumë judenj të kenë mbetur të habitur, duke dëgjuar të flitej mbi vuajtjet e Mesisë? (c) Çfarë lloj shpëtimi u ofroi Pavli dëgjuesve të tij?
10 Pasi në Antiokinë e Pisidisë gjendej një sinagogë hebreje, misionarët së pari shkuan atje, për t’u dhënë mundësinë që të pranonin lajmin e mirë njerëzve që kishin më shumë përvojë në Fjalën e Perëndisë. Kur e ftuan për të folur, Pavli u grit në këmbë dhe mbajti një ligjëratë publike mjeshtërore. Gjatë asaj ligjërate, ai mbajti një bazë të përbashkët me judenjtë dhe prozelitët e pranishëm në auditor. (Veprat 13:13-16, 26) Mbas hyrjes, Pavli bëri një pasqyrim të historisë së lavdishme të hebrenjve, duke u kujtuar atyre se Jehovai i kishte zgjedhur etërit e tyre dhe pastaj i kishte liruar nga Egjipti dhe se si i kishte ndihmuar për të mposhtur banorët e Tokës së Premtuar. Më tej, Pavli nxori në pah lidhjet e Jehovait me Davidin. Ato informata ishin me interes të veçantë për hebrenjtë e shekullit të parë, sepse ata pritnin që Perëndia të nxirrte një pasardhës të Davidit si shpëtimtar dhe qeveritar të përhershëm. Në atë çast, Pavli shpalli me guxim: «Nga soji i këtij njeriu [d.m.th. Davidit], sipas premtimit të tij, Perëndia i solli Izraelit një shpëtimtar, Jezuin.»—Veprat 13:17-23, NW.
11 Megjithatë, tipi i shpëtimtarit që pritej nga shumë judenj, ishte një hero ushtarak që do t’i lironte nga sundimi romak dhe do ta ngrinte kombin hebraik mbi gjithë të tjerët. Prandaj, mbetën të habitur kur dëgjuan Pavlin që tha se Mesia ishte dorëzuar nga vetë krerët e tyre fetarë që të vritej. «Por Perëndia e ngriti nga të vdekurit», deklaroi burrërisht Pavli. Nga fundi i ligjëratës së tij, Pavli u shpjegoi të pranishmëve se mund të arrinin një lloj të mrekullueshëm shpëtimi. «Le ta dini, pra, o vëllezër, se nëpër Këtë ju kumtohet falja e mëkateve [dhe] në gjithçka nuk qe e mundur të shfajësoheni me anë të Ligjit të Moisiut, me anë të Jezusit, secili që beson shfajësohet.» Pavli e mbylli ligjëratën e vet, duke nxitur auditorin që të mos renditej mes të shumtëve, për të cilët Perëndia kishte parathënë se do ta përbuznin masën e tij të mrekullueshme për shpëtimin.—Veprat 13:30-41.
12. Cili qe rezultati i ligjëratës së Pavlit dhe përse duhet të na inkurajojë?
12 Një ligjëratë biblike me të vërtetë efikase! Si reagoi auditori? «Shumë judenj dhe proselitë të përshpirtshëm shkuan pas Pa[v]lit e Barnabës.» (Veprat 13:43) Sa inkurajuese për ne sot! Le të bëjmë edhe ne ç’të jetë e mundur për të treguar të vërtetën me efikasitet, si në shërbimin publik edhe në komentet dhe fjalimet në mbledhjet e kongregacionit.—1. Timoteut 4:13-16.
13. Përse misionarët u detyruan të largoheshin nga Antiokia e Pisidisë dhe çfarë pyetjesh lindin mbi dishepujt e rinj?
13 Të interesuarit e rinj të Antiokisë së Pisidisë nuk mund ta mbanin për vete këtë lajm të mirë. Si rrjedhim, «të shtunën tjetër pothuajse i gjithë qyteti u mblodh për të dëgjuar fjalën e Jehovait.» Dhe shumë shpejt mesazhi u përhap përtej qytetit. Në fakt, «fjala e Jehovait përhapej në mbarë vendin.» (Veprat 13:44, 49, NW) Në vend që të kënaqeshin, disa judenj smirëzinj arritën që t’i nxirrnin misionarët jashtë qytetit. (Veprat 13:45, 50) Çfarë ndikimi pati kjo mbi dishepujt e rinj? I lëshoi zemra dhe u dorëzuan?
14. Përse nuk mundën ta shtypnin kundërshtarët veprën e filluar nga misionarët dhe çfarë mësojmë nga kjo?
14 Jo, sepse ajo ishte vepër e Perëndisë. Veç kësaj, misionarët kishin vënë një themel të fortë besimi në Zotërinë e ringjallur, Jezu Krisht. Sigurisht, pra, dishepujt e rinj konsideronin Krishtin dhe jo misionarët si Udhëheqësin e tyre. Kështu, lexojmë se «dishepujt ishin plot me gëzim dhe frymë të shenjtë.» (Veprat 13:52) Sa inkurajuese është kjo për misionarët dhe për të tjerët që sot bëjnë dishepuj! Nëse bëjmë pjesën tonë përulësisht dhe me zell, Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti do ta bekojnë shërbimin tonë.—1. Korintasve 3:9.
Në Ikoni, Listria dhe Derbë
15. Çfarë procedure ndoqën misionarët në Ikoni dhe me çfarë rezultatesh?
15 Pavli dhe Barnaba përshkuan tani 140 km në drejtimin jug-lindor në qytetin tjetër, Ikoni. Nuk u frikësuan nga persekutimet dhe vazhduan të njëjtën procedurë si në Antioki. Duke përshkruar rezultatet, Bibla thotë: «Një shumicë e madhe hebrenjsh dhe grekësh e pranuan besimin.» (Veprat 14:1) Edhe një herë judenjtë që nuk e pranuan lajmin e mirë ngjallën kundërshtime. Por misionarët nuk hoqën dorë dhe kaluan një kohë të konsiderueshme në Ikoni, për të ndihmuar dishepujt e rinj. Pastaj, kur u informuan se judenjtë kundërshtarë kishin ndër mend t’i vrisnin me gurë, Pavli dhe Barnaba me mençuri ikën dhe shkuan në zonën tjetër, «Listria, Derbë dhe fshatrat përreth.»—Veprat 14:2-6, NW.
16, 17. (a) Çfarë i ndodhi Pavlit në Listria? (b) Çfarë ndikimi pati mbi një djalosh nga Listria ajo që bëri Perëndia për apostullin?
16 Me guxim «e shpallën lajmin e mirë» në atë territor të ri, të pashkelur. (Veprat 14:7) Kur e morën vesh, judenjtë e Antiokisë së Pisidisë dhe të Ikonisë shkuan deri në Listria dhe i nxitën turmat që të vrisnin Pavlin me gurë. Ky nuk pati kohë që të largohej dhe e goditën me gurë, aq sa kundërshtarët e tij u bindën se kishte vdekur dhe e tërhoqën jashtë qytetit.—Veprat 14:19.
17 A e merr dot me mend sa dhimbje që provuan dishepujt e rinj? Por, mrekulli e mrekullive, kur e rrethuan Pavlin ai u ngrit! Bibla nuk thotë se në mes atyre dishepujve të rinj ishte edhe një i ri, i quajtur Timote. Natyrisht, herët a vonë ai e ka marrë vesh se çfarë bëri Perëndia për Pavlin dhe kjo duhet t’i ketë bërë përshtypje të madhe mendjes së tij të re. Pavli, në letrën e tij të dytë drejtuar Timoteut, shkruajti: «Ti veç, më ke përcjellë për së afërmi në mësimin tim, në sjellje, . . . në mundime, që më ndodhën në Antioki, në Ikon, në Listër. Se ç’salvime kam sprovuar! por prej të gjithave Zoti vetë më shpëtoi.» (2. Timoteut 3:10, 11) Gati një apo dy vjet pas atij ekzekutimi, Pavli u kthye në Listria dhe pa se Timoteu i ri ishte një i krishterë shembullor, për të cilin «vëllezërit prej Listrës dhe prej Ikonit flisnin shumë mirë.» (Veprat 16:1, 2) Kështu, Pavli e zgjodhi si shok udhe. Kjo e ndihmoi shumë Timoteun që të rritej frymësisht dhe me kohë ai u bë i aftë që Pavli ta dërgonte për të vizituar kongregacione të ndryshme. (Filipianëve 2:19, 20; 1. Timoteut 1:3) Edhe sot, shërbëtorë të zellshëm të Perëndisë ushtrojnë një ndikim të shkëlqyer mbi të rinjtë, shumë prej të cilëve, duke u rritur, bëhen shërbëtorë të aftë të Perëndisë, si Timoteu.
18. (a) Çfarë bënë misionarët në Derbë? (b) Çfarë mundësie kishin tani, por ç’vendosën të bënin?
18 Mëngjesin tjetër mbas episodit që i ndodhi në Listria dhe që gati i kushtoi jetën, Pavli u nis me Barnabën për në Derbë. Kësaj rradhe kundërshtarët nuk i ndoqën dhe Bibla thotë se «bënë mjaft dishepuj». (Veprat 14:20, 21) Pasi themeluan një kongregacion në Derbë, Pavli dhe Barnaba duhej të merrnin një vendim. Në Derbë gjendej një rrugë romake e qarkullueshme, që të çonte në Tarsë. Prej aty, me një udhëtim të shkurtër, mund të shkohej në Antiokinë e Sirisë. Ndoshta do të kish qenë mënyra më e mirë për t’u kthyer në bazë dhe ata misionarë mund të mendonin se meritonin pak pushim. Por, ngjashëm Mësuesit të tyre, Pavli dhe Barnaba ndjenë një nevojë më të madhe.—Marku 6:31-34.
E kryen plotësisht veprën e Perëndisë
19, 20. (a) Si i bekoi Jehovai misionarët, për faktin se u kthyen në Listria, Ikoni dhe Antioki? (b) Çfarë mësimi mund të nxjerrin nga kjo shërbëtorët e sotëm të Jehovait?
19 Në vend që të ktheheshin në shtëpi përmes rrugës më të shkurtër, misionarët u kthyen burrërisht prapa dhe rivizituan po ato qytete ku rrezikuan jetën. A e bekoi Jehovai interesin e tyre altruist për delet e reja? Sigurisht që po, sepse tregimi thotë se mundën t’«i përforconin zemrat e nxënësve në qëndresë të fesë.» Me të drejtë u thanë atyre dishepujve të rinj: «Na duhet të kalojmë nëpër shumë vështirësi për të hyrë në Mbretërinë e Hyut [Perëndisë, NW].» (Veprat 14:21, 22) Pavli dhe Barnaba u kujtuan edhe thirrjen e tyre si bashkëtrashëgimtarë të Mbretërisë së ardhshme të Perëndisë. Sot, duhet t’i inkurajojmë po kështu dishepujt e rinj. Mund t’i forcojmë që të mund të durojnë provat, duke u kujtuar perspektivën e jetës së përhershme në tokë, nën sundimin e po asaj Mbretërie të Perëndisë që predikonin Pavli dhe Barnaba.
20 Para se të linin secilin qytet, Pavli dhe Barnaba ndihmonin kongregacionin lokal që të mund të organizohej më mirë. Ka të ngjarë që stërvitnin burra të kualifikuar dhe i emëronin për të marrë direktivën. (Veprat 14:23) Pa dyshim, kjo ishte në favor të përhapjes së mëtejshme. Në të njëjtën mënyrë sot, misionarë e të tjerë, pasi ndihmojnë ata që nuk kanë përvojë drejt përparimit deri sa të marrin përgjegjësi, shkojnë disa herë tjetërkund, për të vazhduar veprën e tyre të mirë aty ku ka nevojë më të madhe.
21, 22. (a) Çfarë ndodhi pasi Pavli dhe Barnaba e kishin kryer udhëtimin e tyre misionar? (b) Çfarë pyetjesh lindin prej kësaj?
21 Kur misionarët u kthyen në Antiokinë e Sirisë, i kishin të gjitha arsyet për t’u ndjerë plotësisht të gëzuar. Bibla thotë se e kishin «kryer plotësisht» veprën që Perëndia u kishte besuar. (Veprat 15:3) Por ç’do të bënin tani? Do të flinin mbi dafina? Aspak. Pasi shkuan në Jeruzalem për t’i paraqitur trupit udhëheqës problemin e rrethprerjes, me qëllim që ata të vendosnin, që të dy u nisën përsëri për udhëtime të tjera misionare. Kësaj rradhe shkuan në drejtime të ndryshme. Barnaba mori me vete Gjon Markun dhe shkoi në Qipro, ndërsa Pavli gjeti një shok të ri, Sillën, me të cilin përshkoi Sirinë dhe Silizinë. (Veprat 15:39-41) Gjatë këtij udhëtimi ai zgjodhi Timoteun e ri dhe e mori me vete.
22 Bibla nuk flet mbi rezultatet e udhëtimit të dytë të Barnabës. Sa për Pavlin, ai u drejtua në një territor të ri dhe themeloi kongregacione në pesë qytete, më të paktën: Filipi, Berejë, Selanik, Korint dhe Efes. Cili ishte sekreti i këtij suksesi të dukshëm të Pavlit? A vlejnë po ato parime edhe për ata që bëjnë sot dishepuj të Krishtit?
Pyetjet për përsëritje
◻ Përse Jezui është një shembull i shkëlqyer që duhet imituar?
◻ Në çfarë aspekti Barnaba ishte një shembull?
◻ Çfarë mësojmë nga ligjërata që Pavli mbajti në Antiokinë e Pisidisë?
◻ Përse mund të themi se Pavli dhe Barnaba e kryen plotësisht veprën që iu besua atyre?
[Figura në faqen 13]
Apostulli Pavël e duroi persekutimin dhe kjo bëri një përshtypje të madhe mbi Timoteun e ri