Gjaku
Përkufizimi: Një lëng vërtet i mrekullueshëm, që qarkullon në sistemin vaskular të njerëzve dhe të pjesës më të madhe të kafshëve shumëqelizore, për të siguruar ushqimin dhe oksigjenin, për të hequr tej lëndët mbeturinore, dhe që luan një rol kryesor për mbrojtjen e organizmit nga infeksionet. Gjaku është i lidhur kaq ngushtë me jetën, saqë Bibla thotë se «shpirti i gjallesës është në gjak». (Lev. 17:11) Meqë është Burimi i jetës, Jehovai ka përcaktuar udhëzime të sakta për përdorimin e gjakut.
Të krishterët janë urdhëruar ‘të rrinë larg nga gjaku’
Vep. 15:28, 29: «Sepse frymës së shenjtë dhe neve [trupit udhëheqës të kongregacionit të krishterë] na u duk mirë të mos ju shtonim asnjë barrë tjetër, përveç këtyre gjërave të nevojshme: të vazhdoni të rrini larg nga gjërat e flijuara idhujve, nga gjaku, nga kafshët e mbytura [a të vrara, por që nuk janë therur dhe nuk u është derdhur gjaku] dhe nga kurvëria. Nëse ruheni me kujdes nga këto, do t’ju vejë mbarë. Ju urojmë shëndet!» (Kështu që, të hash gjak, është njësoj si të merresh me idhujtari e të kryesh kurvëri, gjëra në të cilat ne s’kemi dëshirë të përfshihemi.)
Mishi i kafshëve mund të hahet, por jo gjaku i tyre
Zan. 9:3, 4: «Çdo kafshë e gjallë që lëviz, do t’ju shërbejë si ushqim. Ashtu si ju dhashë bimësinë e gjelbër, po jua jap edhe të gjitha këto. Vetëm mos e hani mishin me shpirtin e tij, domethënë me gjakun e tij.»
Çdo kafshë që do të përdoret si ushqim, duhet therur dhe duhet lënë t’i derdhet gjaku. Një kafshë e mbytur, e zënë në grackë ose që gjendet pasi ka ngordhur, nuk është e përshtatshme për ushqim. (Vep. 15:19, 20; krahaso Levitikun 17:13-16.) Në mënyrë të ngjashme, nuk duhet ngrënë as ndonjë lloj ushqimi që i është shtuar gjak i plotë a ndonjë fraksion i gjakut.
I vetmi përdorim i gjakut, që është lejuar ndonjëherë, është gjatë flijimeve
Lev. 17:11, 12: «Sepse shpirti i gjallesës është në gjak, dhe unë e kam caktuar të vihet mbi altar për të bërë shlyerjen për shpirtrat tuaj, sepse gjaku bën shlyerjen, meqë shpirti është në të. Prandaj u them bijve të Izraelit: ‘Asnjë shpirt nga ju të mos hajë gjak, dhe askush nga ata që banojnë si të ardhur mes jush, nuk duhet të hajë gjak.’» (Të gjitha flijimet në kafshë, që bëheshin sipas Ligjit të Moisiut, tipizonin flijimin e vetëm të Jezu Krishtit.)
Hebr. 9:11-14, 22: «Krishti erdhi si kryeprift. . . . Jo me gjakun e cjepve dhe të demave të rinj, por me gjakun e vet, ai hyri një herë e mirë në vendin e shenjtë dhe siguroi për ne një çlirim të përhershëm. Nëse gjaku i cjepve dhe i demave, si dhe hiri i një mëshqerre i spërkatur mbi ata që janë ndotur, shenjtëron aq sa pastron mishin, aq më shumë gjaku i Krishtit, që nëpërmjet një fryme të përhershme ia paraqiti veten të patëmetë Perëndisë, do t’i pastrojë ndërgjegjet tona nga veprat e vdekura, që t’i bëjmë shërbim të shenjtë Perëndisë së gjallë. . . . Po, pa u derdhur gjak, nuk bëhet asnjë falje.»
Efes. 1:7: «Falë tij [Jezu Krishtit] ne kemi çlirimin nëpërmjet shpërblesës me anë të gjakut të vet, po, faljen e shkeljeve tona, sipas pasurisë së dashamirësisë së tij të pamerituar.»
Si i kuptuan urdhrat e Biblës në lidhje me gjakun ata që pohonin se ishin të krishterë në shekujt e parë të e.s.?
Tertuliani (rreth 160-230 e.s.): «T’ju vijë turp nga të krishterët për veprimet tuaja të panatyrshme. Në tryezat tona ne as e qasim fare gjakun e kafshëve, si të ishte ushqim i zakonshëm. . . . Për t’i sprovuar të krishterët, [ju, romakët paganë] u ofroni sallam me gjak, sepse e dini që për ta është një ushqim i ndaluar, dhe jeni të sigurt që kështu do t’i detyroni të dalin nga udha e drejtë. Si ka mundësi që, edhe pse jeni të bindur se atyre u rrëqethet mishi nga gjaku i kafshëve, besoni se do t’i turreshin të etur gjakut të njeriut?!»—Tertullian, Apologetical Works, and Minucius Felix, Octavius (Nju-Jork, 1950), përkthyer në angl. nga Émëlli Daili, f. 33.
Minukius Feliksi (shekulli i tretë i e.s.): «Aq shumë tutemi ne nga gjaku i njeriut, saqë në ushqimin tonë nuk përdorim as gjakun e kafshëve të ngrënshme.»—The Ante-Nicene Fathers (Grand Rapids, Miç.; 1956), botuar nga A. Roberts dhe J. Donaldson, vëll. IV, f. 192.
Transfuzioni i gjakut
A përfshin urdhri i Biblës edhe gjakun e njeriut?
Po, dhe kështu e kuptonin edhe të krishterët e hershëm. Veprat 15:29 thotë «të rrini larg nga . . . gjaku». Nuk thotë vetëm të rrimë larg nga gjaku i kafshëve. (Krahaso Levitikun 17:10, ku ndalohet ngrënia e «çfarëdolloj gjaku».) Tertuliani (i cili shkroi në mbrojtje të bindjeve të të krishterëve të hershëm) tha: «Ndalimin për ‘gjakun’ duhet ta kuptojmë më së shumti (si një ndalim) për gjakun e njeriut.»—The Ante-Nicene Fathers, vëll. IV, f. 86.
A është transfuzioni njësoj si të hash gjak?
Kur një pacient i shtruar në spital, nuk mund të ushqehet nga goja, ushqimi i futet nëpërmjet venave. Prandaj, a mund të thotë me të drejtë dikush që s’ka futur kurrë gjak në gojë, por ka pranuar të marrë gjak nëpërmjet transfuzionit, se po i bindet urdhrit «rrini larg . . . nga gjaku»? (Vep. 15:29) Për të bërë një krahasim: mendoni për një burrë që mjeku i ka thënë se duhet t’i rrijë larg alkoolit. A mund të themi se ai po i bindet mjekut, nëse nuk pi më alkool, por e fut atë drejtpërdrejt nga venat?
A ka mjekime alternative për një pacient që s’pranon gjakun?
Shpesh, për ta shtuar vëllimin e plazmës, mund të përdoret solucioni kripor, solucioni i Ringerit dhe dekstrani, që gjenden pothuajse në të gjitha spitalet e sotme. Faktikisht, përdorimi i këtyre substancave shmang rreziqet që vijnë nga transfuzionet e gjakut. Një gazetë (Canadian Anaesthetists’ Society Journal, janar 1975, f. 12) thotë: «Rreziqet e transfuzionit të gjakut, janë avantazhet e zëvendësuesve të plazmës: shmangie e infeksionit bakterial ose viral, reaksioni ndaj transfuzionit dhe rritja e ndjeshmërisë ndaj faktorit-Rh.» Dëshmitarët e Jehovait nuk kanë ndonjë kundërshtim me arsye fetare ndaj përdorimit të substancave jogjakore për shtimin e vëllimit të plazmës.
Ç’është e vërteta, Dëshmitarët e Jehovait përfitojnë një trajtim mjekësor më të mirë, ngaqë s’pranojnë gjak. Një mjek pranoi në një gazetë: «S’ka dyshim që rrethana në të cilën [kirurgu] operon pa pasur mundësinë e transfuzionit, çon në përmirësimin e ndërhyrjes kirurgjikale. Ndihesh më i vendosur të mbyllësh çdo enë gjaku që rrjedh.»—American Journal of Obstetrics and Gynecology (1 qershor 1968, f. 395).
Çdo lloj operacioni mund të kryhet me sukses, pa pasur nevojë për transfuzion gjaku. Këtu përfshihen operacionet me zemër të hapur, ndërhyrjet kirurgjikale në tru, prerja e gjymtyrëve dhe heqja e plotë e organeve kanceroze. Dr. Filip Roeni tha: «Nuk kemi ngurruar të kryejmë çdo lloj ndërhyrjeje kirurgjikale, pavarësisht nga ndalimi i zëvendësimit të gjakut.» (New York State Journal of Medicine, 15 tetor 1972, f. 2527) Kurse dr. Denton Kulleji, nga Instituti Kardiologjik i Teksasit, tha: «Rezultatet [e përdorimit të substancave jogjakore për shtimin e vëllimit të plazmës] që patëm me Dëshmitarët e Jehovait, na bënë kaq shumë përshtypje, saqë nisëm ta përdornim këtë procedurë me të gjithë pacientët tanë kardiopatikë.» (Union e San Diegos, 27 dhjetor 1970, f. A-10) «Kirurgjia me zemër të hapur ‘pa gjak’, e cila i pati fillesat me pjesëtarë në moshë madhore të sektit të Dëshmitarëve të Jehovait, për shkak të ndalimit të tyre fetar të transfuzionit të gjakut, tani përdoret me sukses në ndërhyrjet delikate kardiake te foshnjat dhe fëmijët.»—Cardiovascular News, shkurt 1984, f. 5.
Nëse dikush thotë:
‘Ju i lini fëmijët të vdesin, ngaqë s’bëni transfuzion gjaku. Për mua kjo është e tmerrshme!’
Mund të përgjigjesh: ‘Megjithatë, ne lejojmë t’u bëhen transfuzione, por me substanca më të sigurta. Pranojmë ato lloje transfuzioni që s’përmbajnë rreziqe të tilla, si: SIDA, hepatiti dhe malaria. Dëshirojmë mjekimin më të mirë për fëmijët tanë, sikurse jam i sigurt që do të bënte çdo prind i dashur.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Kur ka humbje të mëdha të gjakut, nevoja më e madhe është rifitimi i vëllimit të lëngut. Pa dyshim që ju e dini se gjaku ynë përbëhet nga më shumë se 50 për qind ujë, nga rruazat e kuqe e të bardha, etj. Kur ne humbim shumë gjak, vetë trupi lëshon në sistem rezerva të mëdha me qeliza të gjakut, dhe përshpejton prodhimin e qelizave të reja. Gjithsesi, është i nevojshëm vëllimi i lëngut. Këtë nevojë e plotësojnë disa substanca që shtojnë vëllimin e plazmës, dhe këto ne i pranojmë.’ (2) ‘Te mijëra njerëz janë përdorur substanca për shtimin e vëllimit të plazmës, dhe rezultatet kanë qenë të shkëlqyera.’ (3) ‘Për ne ka më shumë rëndësi ajo që thotë Bibla te Veprat 15:28, 29.’
Ose mund të thuash: ‘Mund ta kuptoj pikëpamjen tuaj. Ma ha mendja që po imagjinoni fëmijën tuaj në një rrethanë të tillë. Si prindër, ne do të bënim të pamundurën për mirëqenien e fëmijës, apo jo? Kështu, duhet të ketë ndonjë arsye shumë të fortë, që unë ose ti të mos pranojmë ndonjë lloj mjekimi për fëmijët tanë.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘A mendoni se vendimi i disa prindërve mund të ketë lidhje me atë që thotë Fjala e Perëndisë te Veprat 15:28, 29?’ (2) ‘Prandaj, pyetja është: A kemi mjaft besim, që të bëjmë ç’na urdhëron Perëndia?’
‘Ju nuk besoni te transfuzionet e gjakut’
Mund të përgjigjesh: ‘Nganjëherë gazetat flasin për rrethana, në të cilat ata mendojnë që Dëshmitarët mund të vdesin, po të mos pranojnë gjak. Për këtë e keni fjalën? . . . Përse mendoni që veprojmë kështu?’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘A e doni aq shumë gruan (burrin) tuaj, sa të rrezikonit jetën për të? . . . Disa njerëz vënë në rrezik jetën për atdheun, dhe konsiderohen si heronj, apo jo? Mirëpo, ekziston një që është më i madh se çdo person apo gjë tjetër mbi tokë, dhe ky është Perëndia. A do të rrezikoje jetën nga dashuria për të dhe nga besnikëria ndaj sundimit të tij?’ (2) ‘Në fakt, gjithë puna është te besnikëria ndaj Perëndisë. Vetë Fjala e Perëndisë na thotë të rrimë larg nga gjaku. (Vep. 15:28, 29)’
Ose mund të thuash: ‘Sot ka shumë gjëra të përhapura, të cilat Dëshmitarët e Jehovait i shmangin: gënjeshtrat, tradhtia bashkëshortore, vjedhja, pirja e duhanit, dhe siç e thatë edhe ju: përdorimi i gjakut. Përse? Sepse jeta jonë drejtohet nga Fjala e Perëndisë.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘A e dini që urdhri «të rrini larg nga gjaku» vjen nga Bibla? Më lini t’jua tregoj. (Vep. 15:28, 29)’ (2) ‘Ndoshta ju kujtohet se Perëndia u tha prindërve tanë të parë, Adamit dhe Evës, që mund të hanin nga të gjitha pemët e kopshtit, përveç njërës. Megjithatë, ata nuk iu bindën, hëngrën nga fryti i ndaluar, dhe humbën gjithçka. Sa veprim i pamend! Qartë, tani nuk ekziston ndonjë pemë me fryt të ndaluar. Gjithsesi, pas Përmbytjes së ditëve të Noesë, Perëndia prapëseprapë u ndaloi diçka njerëzve. Kësaj radhe ky ndalim kishte të bënte me gjakun. (Zan. 9:3, 4)’ (3) ‘Kështu, në të vërtetë pyetja është: A kemi besim te Perëndia? Po t’i bindemi atij, përpara nesh shtrihet perspektiva e jetës së përhershme në përsosmëri, nën Mbretërinë e tij. Edhe në vdekshim, ai na siguron se do të na ringjallë.’
‘Po sikur mjeku të thotë: “Ke për të vdekur, po s’bëre transfuzion gjaku!”’
Mund të përgjigjesh: ‘Sikur gjendja të jetë vërtet kaq kritike, a mund të garantojë mjeku që pacienti nuk do të vdesë, po të marrë gjak?’ Pastaj mund të shtosh: ‘Përkundrazi, ekziston dikush që mund t’i japë përsëri jetë një personi, dhe ky është Perëndia. A nuk mendoni që t’i kthesh shpinën Perëndisë e të shkelësh ligjin e tij, kur gjendesh ballë për ballë me vdekjen, është një vendim i dobët? Personalisht, unë kam vërtet besim te Perëndia. Po ju? Fjala e tij u premton ringjalljen atyre që tregojnë besim te Biri i tij. A e besoni ju këtë? (Gjoni 11:25)’
Ose mund të thuash: ‘Ndoshta kjo tregon që ai mjek nuk di si ta trajtojë këtë rast pa përdorimin e gjakut. Kur është e mundur, ne përpiqemi ta lidhim këtë mjek me një tjetër, që ka përvojën e duhur, ose përndryshe i drejtohemi një mjeku tjetër.’