KAPITULLI 16
«Kalo në Maqedoni»
Pranimi i një caktimi dhe përballimi me gëzim i përndjekjes, sjellin bekime
Bazuar te Veprat 16:6-40
1-3. (a) Si i drejtoi fryma e shenjtë Pavlin dhe shokët e tij? (b) Ç’ngjarje do të shqyrtojmë?
NJË grup grash dolën nga qyteti i Filipisë në Maqedoni dhe pas pak mbërritën te lumi i vogël Gangit. Siç e kishin zakon, u ulën buzë lumit dhe iu lutën Perëndisë së Izraelit. Jehovai po i vështronte.—2 Kron. 16:9; Psal. 65:2.
2 Ndërkohë, mbi 800 kilometra në lindje të Filipisë, një grup burrash u larguan nga qyteti i Listrës, që ndodhej në jug të Galatisë. Pas disa ditësh, mbërritën te një rrugë romake e shtruar që të çonte në perëndim, në rajonin më të populluar të krahinës së Azisë. Burrat—Pavli, Sila dhe Timoteu—mezi prisnin të përshkonin atë rrugë, që të vizitonin Efesin dhe qytete të tjera ku mijëra njerëz duhej të dëgjonin për Krishtin. Mirëpo, ende pa u nisur, fryma e shenjtë i ndali në një mënyrë që nuk na thuhet. Nuk i lejoi të predikonin në Azi. Përse? Jezui po përdorte frymën e shenjtë që të drejtonte Pavlin dhe shokët e tij. Ai donte që ata të udhëtonin përmes Azisë së Vogël, të kapërcenin detin Egje dhe të arrinin te brigjet e lumit të vogël, të quajtur Gangit.
3 Nga mënyra si i drejtoi Jezui Pavlin dhe shokët e tij gjatë atij udhëtimi të pazakontë për në Maqedoni, nxjerrim disa mësime të vlefshme. Prandaj, le të shikojmë disa ngjarje që ndodhën gjatë udhëtimit të dytë misionar të Pavlit, që nisi rreth vitit 49 të e.s.
«Perëndia na kishte thirrur» (Veprat 16:6-15)
4, 5. (a) Ç’ndodhi me Pavlin e shokët e tij pranë Bitinisë? (b) Ç’vendim morën dishepujt dhe cili ishte rezultati?
4 Pasi fryma i ndaloi të predikonin në Azi, Pavli dhe shokët e tij morën drejt veriut që të predikonin në qytetet e Bitinisë. Për të mbërritur atje, mund të kenë ecur me ditë të tëra në rrugë të pashtruara përmes Frigjisë dhe Galatisë, rajone pak të populluara. Mirëpo, kur iu afruan Bitinisë, Jezui përdori përsëri frymën e shenjtë për t’i ndalur. (Vep. 16:6, 7) Tani burrat duhet të kenë qenë pak të çorientuar. Dinin çfarë do të predikonin dhe si, por nuk dinin ku do të predikonin. Kishin trokitur në derën që të çonte në Azi, por më kot. Kishin trokitur edhe në derën që të çonte në Bitini, por përsëri më kot. Megjithatë, Pavli ishte i vendosur të vazhdonte të trokiste derisa të gjente një derë që do të hapej. Kështu, burrat morën një vendim që mund të jetë dukur i palogjikshëm. U kthyen në perëndim dhe ecën për 550 kilometra, duke anashkaluar qytete të ndryshme derisa mbërritën në portin e Troadës, nga ku mund të lundronin për në Maqedoni. (Vep. 16:8) Atje, Pavli trokiti për herë të tretë në një derë, e cila iu hap me të dyja kanatet.
5 Luka, shkrimtari i Ungjillit, i cili u bashkua me grupin në Troadë, tregon ç’ndodhi: «Gjatë natës, Pavlit iu shfaq në vegim një burrë nga Maqedonia, që rrinte në këmbë dhe i përgjërohej: ‘Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo!’ Menjëherë pas vegimit, u përpoqëm të shkonim në Maqedoni, pasi dolëm në përfundimin se Perëndia na kishte thirrur që t’u shpallnim atyre lajmin e mirë.»a (Vep. 16:9, 10) Më në fund, Pavli e dinte ku do të predikonte. Sa i lumtur duhet të jetë ndier që s’ishte dorëzuar në mes të udhëtimit! Menjëherë, të katër burrat u nisën me anije për në Maqedoni.
6, 7. (a) Ç’mësim nxjerrim nga ngjarjet që ndodhën gjatë udhëtimit të Pavlit? (b) Çfarë sigurie na jep përvoja e Pavlit?
6 Ç’mësim nxjerrim nga ky tregim? Mendo: fryma e Perëndisë ndërhyri vetëm pasi Pavli u nis për në Azi, Jezui ndërhyri vetëm pasi Pavli iu afrua Bitinisë dhe e drejtoi për në Maqedoni vetëm pasi Pavli mbërriti në Troadë. Jezui, si Kreu i kongregacionit, mund të na drejtojë edhe ne në mënyrë të ngjashme. (Kolos. 1:18) Për shembull, ndoshta kemi njëfarë kohe që po mendojmë të shërbejmë si pionierë ose të shkojmë në një zonë ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë. Por, ka mundësi që Jezui, me anë të frymës së Perëndisë, të na drejtojë vetëm pasi të kemi bërë hapa konkretë për ta arritur synimin. Përse? Mendo për këtë shembull: një shofer mund ta drejtojë makinën majtas ose djathtas, por vetëm nëse ajo është në lëvizje. Po kështu, Jezui na drejton që të zgjerojmë shërbimin, por vetëm nëse po lëvizim, domethënë nëse po bëjmë vërtet përpjekje për ta zgjeruar shërbimin.
7 Po sikur përpjekjet tona të mos japin fryt menjëherë? A duhet të dorëzohemi e të mendojmë se fryma e Perëndisë nuk po na drejton? Jo. Mos harro se edhe Pavli pësoi zhgënjime. Megjithatë, vazhdoi të kërkonte derisa gjeti një derë që iu hap. Mund të jemi të sigurt se ngulmimi ynë për të kërkuar ‘një derë të madhe për më shumë aktivitet’, do të shpërblehet po njësoj.—1 Kor. 16:9.
8. (a) Përshkruaj qytetin e Filipisë. (b) Ç’ngjarje e gëzueshme ndodhi pasi Pavli predikoi në një vend ku njerëzit «mblidheshin për t’u lutur»?
8 Pasi mbërritën në krahinën e Maqedonisë, Pavli dhe shokët e tij shkuan në qytetin e Filipisë, banorët e të cilit krenoheshin se ishin qytetarë romakë. Për ushtarët romakë të liruar që jetonin atje, kolonia e Filipisë ishte si një Itali e vogël, si një Romë në miniaturë e ngritur në Maqedoni. Jashtë portës së qytetit, pranë lumit të vogël, misionarët gjetën një vend ku mendonin se njerëzit mblidheshin «për t’u lutur».b Pastaj, në Sabat, shkuan atje dhe gjetën disa gra që ishin mbledhur për të adhuruar Perëndinë. Dishepujt u ulën dhe u dhanë dëshmi. Një grua me emrin Lidia ‘po dëgjonte dhe Jehovai ia hapi plotësisht zemrën’. U prek aq shumë nga gjërat që mësoi prej misionarëve, saqë u pagëzua bashkë me ata të shtëpisë së saj. Pastaj ngulmoi që Pavli dhe shokët e tij të udhëtimit të shkonin e të rrinin në shtëpinë e saj.c—Vep. 16:13-15.
9. Si e kanë ndjekur shumë veta sot shembullin e Pavlit dhe ç’bekime kanë pasur?
9 Përfytyro gëzimin që solli pagëzimi i Lidias! Kushedi sa duhet të jetë lumturuar Pavli që e pranoi ftesën ‘për të kaluar në Maqedoni’ dhe që Jehovai e pa të udhës të përdorte atë dhe shokët e tij për t’iu përgjigjur lutjeve të atyre grave që e nderonin thellësisht Perëndinë! Edhe sot, shumë vëllezër e motra, të rinj e të moshuar, beqarë e të martuar, shkojnë në zona ku ka më tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. S’diskutohet që hasin vështirësi, por ato as që krahasohen me kënaqësinë që ndiejnë kur gjejnë njerëz si Lidia, që përqafojnë të vërtetat e Biblës. A mund të bësh edhe ti ndryshime që do të të lejojnë ‘të kalosh’ në një territor ku ka më shumë nevojë? Me siguri do të kesh bekime. Për shembull, mendo për Aronin, një vëlla që u transferua në një vend të Amerikës Qendrore kur ishte në të njëzetat. Ai përcjell ndjenjat e shumicës kur thotë: «Shërbimi jashtë shtetit më ka ndihmuar të afrohem më shumë me Jehovain. Predikimi këtu është i mrekullueshëm. Po drejtoj 8 studime të Biblës.»
«Turma u ngrit kundër tyre» (Veprat 16:16-24)
10. Si patën gisht demonët në kthesën që morën ngjarjet për Pavlin dhe shokët e tij?
10 Natyrisht Satanai u tërbua që lajmi i mirë zuri rrënjë në një pjesë të botës ku ai dhe demonët e tij nuk ishin sfiduar ndonjëherë. Prandaj nuk habitemi që demonët patën gisht në kthesën që morën ngjarjet për Pavlin dhe shokët e tij. Ndërsa ata vizitonin vendin e lutjes, një shërbëtore e zaptuar nga një demon, e cila u siguronte para pronarëve të saj me anë të parashikimeve, i ndiqte nga pas dhe thërriste: «Këta njerëz, që po ju shpallin udhën e shpëtimit, janë skllevër të Më të Lartit Perëndi!» Demoni mund ta ketë shtyrë vajzën të thoshte ato fjalë që të dukej sikur parashikimet e saj dhe mësimet e Pavlit vinin nga i njëjti burim. Kështu atyre që shikonin, do t’u largohej vëmendja nga dishepujt e vërtetë të Krishtit. Por Pavli e bëri vajzën të heshtë duke e dëbuar demonin.—Vep. 16:16-18.
11. Ç’ndodhi me Pavlin dhe Silën pasi u dëbua demoni nga shërbëtorja?
11 Kur panë se u kishte ikur nga duart burimi i fitimit, pronarët e shërbëtores u zemëruan keq. I çuan zvarrë Pavlin dhe Silën në sheshin e pazarit, ku magjistratët—zyrtarë që përfaqësonin Romën—kryenin çështjet gjyqësore. Pronarët i bënë thirrje paragjykimit dhe patriotizmit të gjykatësve, duke thënë pak a shumë: «Këta judenj po shkaktojnë trazira duke mësuar zakone që ne si romakë s’mund t’i pranojmë.» Fjalët e tyre patën efekt të menjëhershëm. «Gjithë turma [në sheshin e pazarit] u ngrit kundër tyre [Pavlit dhe Silës]» dhe magjistratët dhanë urdhër që «të rriheshin me thupër». Më pas i futën në burg. Roja i futi burrat e plagosur në pjesën më të brendshme të burgut dhe ua vuri këmbët në fallaka. (Vep. 16:19-24) Kur ai mbylli derën, errësira në atë pjesë të brendshme të burgut ishte kaq e dendur, sa Pavli e Sila nuk shihnin as njëri-tjetrin. E megjithatë, Jehovai po shikonte.—Psal. 139:12.
12. (a) Si e panë përndjekjen dishepujt e Krishtit, dhe përse? (b) Ç’forma kundërshtimi përdorin ende Satanai dhe përkrahësit e tij?
12 Vite më parë, Jezui u kishte thënë dishepujve: «Do t’ju përndjekin.» (Gjoni 15:20) Prandaj, Pavli dhe shokët e tij ishin të përgatitur për kundërshtimin kur kaluan në Maqedoni. Kur filloi përndjekja, nuk e panë si shenjë të pakënaqësisë së Jehovait, por si shprehje të zemërimit të Satanait. Sot, përkrahësit e Satanait ende përdorin të njëjtat metoda si në Filipi. Kundërshtarët dinakë na keqparaqitin në shkollë e në punë, duke u fryrë flakëve të kundërshtimit. Në disa vende, kundërshtarët fetarë na akuzojnë në gjykata, duke thënë pak a shumë: «Këta Dëshmitarë shkaktojnë trazira duke mësuar zakone që ne ‘besimtarët tradicionalë’ s’mund t’i pranojmë.» Në disa zona, bashkadhuruesit tanë i rrahin dhe i burgosin. E megjithatë, Jehovai shikon.—1 Pjet. 3:12.
«U pagëzua menjëherë» (Veprat 16:25-34)
13. Ç’e shtyu rojën e burgut të pyeste: «Ç’duhet të bëj që të shpëtoj?»
13 Pavlit dhe Silës do t’u jetë dashur pak kohë ta merrnin veten nga ngjarjet e trazuara të asaj dite. Por aty nga mesi i natës, ishin qetësuar nga rrahjet aq sa «po luteshin e po lëvdonin Perëndinë me këngë». Befas ra një tërmet që tronditi gjithë burgun! Roja u zgjua, pa dyert e hapura dhe pati frikë se mos ishin arratisur të burgosurit. Duke e ditur se do të ndëshkohej që i kishte lënë të iknin, «nxori shpatën e u bë gati të vriste veten». Por Pavli i thirri: «Mos i bëj keq vetes, se jemi të gjithë këtu.» Roja i dëshpëruar pyeti: «Zotërinj, ç’duhet të bëj që të shpëtoj?» Por Pavli e Sila nuk mund ta shpëtonin, vetëm Jezui mundej. Prandaj iu përgjigjën: «Ki besim te Zotëria Jezu e do të shpëtosh.»—Vep. 16:25-31.
14. (a) Si e ndihmuan rojën e burgut Pavli dhe Sila? (b) Si u bekuan Pavli dhe Sila ngaqë e përballuan me gëzim përndjekjen?
14 A ishte e sinqertë pyetja e rojës? Pavli nuk dyshoi për këtë. Roja ishte jojude dhe nuk i njihte Shkrimet. Para se të bëhej i krishterë, duhej të mësonte të vërtetat themelore të Shkrimeve e t’i pranonte. Prandaj, Pavli dhe Sila kaluan kohë duke i predikuar «fjalën e Jehovait». Ndërsa ishin zhytur në mësimin e Shkrimeve, ndoshta i harruan dhembjet e rrahjeve. Kurse roja i vuri re të prerat e thella në shpinë dhe ua pastroi plagët. Pastaj, bashkë me familjen e tij, «u pagëzua menjëherë». Ç’bekim që morën Pavli dhe Sila ngaqë e përballuan me gëzim përndjekjen!—Vep. 16:32-34.
15. (a) Si kanë ndjekur shembullin e Pavlit e të Silës shumë Dëshmitarë? (b) Pse duhet të vazhdojmë t’i vizitojmë njerëzit në territorin tonë?
15 Ashtu si Pavli dhe Sila, shumë Dëshmitarë sot e kanë predikuar lajmin e mirë ndërsa ishin në burg për besimin, dhe kanë pasur rezultate të shkëlqyera. Për shembull, në një vend ku veprimtaritë tona ishin të ndaluara, pati një kohë kur 40 për qind e Dëshmitarëve që jetonin atje, e kishin mësuar në burg të vërtetën për Jehovain. (Isa. 54:17) Veç kësaj, vër re se roja kërkoi ndihmë vetëm pasi ra tërmeti. Po kështu, disa njerëz që nuk e kanë pranuar deri tani mesazhin e Mbretërisë, ndoshta do ta pranojnë pasi bota e tyre të tronditet papritur nga një ngjarje shqetësuese. Duke i vizituar rregullisht njerëzit në territorin tonë, sigurohemi që të jemi atje për t’i ndihmuar.
«Tani duan të na flakin jashtë fshehurazi?!» (Veprat 16:35-40)
16. Si ndryshoi kryekëput situata një ditë pasi rrahën Pavlin dhe Silën?
16 Mëngjesin pasi i rrahën Pavlin dhe Silën, magjistratët urdhëruan t’i lironin nga burgu. Por Pavli tha: «Ata na rrahën para të gjithëve pa qenë të dënuar, ndonëse jemi romakë, dhe na futën në burg. Kurse tani duan të na flakin jashtë fshehurazi?! Kurrsesi, jo! Le të vijnë vetë e të na nxjerrin prej këtej!» Si morën vesh se dy burrat ishin qytetarë romakë, magjistratët «u frikësuan» sepse u kishin shkelur të drejtat.d Tani situata ndryshoi kryekëput. Dishepujt ishin rrahur publikisht, kështu që edhe magjistratët duhej të kërkonin falje publikisht. Ata iu përgjëruan Pavlit dhe Silës të iknin nga Filipia. Dy dishepujt pranuan, por fillimisht ndenjën pak për t’i dhënë zemër grupit të dishepujve të rinj, që po rritej. Vetëm atëherë u nisën.
17. Ç’mësim të rëndësishëm do të nxirrnin dishepujt e rinj duke parë qëndrueshmërinë e Pavlit dhe të Silës?
17 Po t’u ishin respektuar që në fillim të drejtat si qytetarë romakë, ka shumë të ngjarë që Pavlin dhe Silën të mos i kishin rrahur. (Vep. 22:25, 26) Por kjo mund t’u linte përshtypjen dishepujve në Filipi se ata burra i kishin përdorur këto të drejta që t’u shmangeshin vuajtjeve për hir të Krishtit. Si do të kishte ndikuar kjo në besimin e dishepujve që s’ishin qytetarë romakë? Në fund të fundit, ligji nuk do t’i mbronte ata nga rrahjet. Prandaj, duke duruar ndëshkimin, Pavli dhe shoku i tij u treguan me shembullin e tyre besimtarëve të rinj se dishepujt e Krishtit mund të qëndrojnë të patundur kur përndiqen. Veç kësaj, duke kërkuar t’u njihej qytetaria, Pavli dhe Sila i detyruan magjistratët të tregonin para të gjithëve se kishin vepruar në mënyrë të paligjshme. Ndoshta në të ardhmen, kjo do t’i stepte të keqtrajtonin bashkëbesimtarët e Pavlit e do të siguronte njëfarë mbrojtjeje ligjore nga sulme të ngjashme.
18. (a) Si e imitojnë mbikëqyrësit e krishterë shembullin e Pavlit? (b) Si ‘e mbrojmë dhe e themelojmë ligjërisht lajmin e mirë’ në ditët tona?
18 Edhe mbikëqyrësit e sotëm të kongregacionit të krishterë drejtojnë me anë të shembullit. Barinjtë janë të gatshëm ta bëjnë edhe vetë atë që presin nga bashkëbesimtarët. Po kështu, si Pavli, ne peshojmë me kujdes se si dhe kur t’i përdorim të drejtat tona ligjore për t’u mbrojtur. Po të jetë e nevojshme, u apelohemi gjykatave lokale, kombëtare e madje edhe ndërkombëtare, për mbrojtje ligjore që të adhurojmë Perëndinë tonë. Nuk kemi si synim të bëjmë reforma shoqërore, por ‘të mbrojmë e të themelojmë ligjërisht lajmin e mirë’, siç i shkroi Pavli kongregacionit në Filipi rreth 10 vjet pasi ishte burgosur atje. (Filip. 1:7) Por, sido që të përfundojnë këto çështje gjyqësore, si Pavli dhe shokët e tij, jemi të vendosur ‘ta shpallim lajmin e mirë’ kudo që na drejton fryma e Perëndisë.—Vep. 16:10.
a Shih kutinë «Luka, shkrimtari i Veprave».
b Ndoshta judenjve u ishte ndaluar të kishin sinagogë atje, pasi Filipia kishte shumë ushtarë romakë të liruar nga detyra. Ose mund të mos ketë pasur 10 meshkuj judenj, minimumi që kërkohej për të ngritur një sinagogë.
c Shih kutinë «Lidia, shitëse të purpurtash».
d Ligji romak thoshte se një qytetar, kishte gjithnjë të drejtën t’i bëhej një gjyq siç duhej dhe kurrë s’mund të ndëshkohej në publik pa u dënuar.